Operatori i telefonisë mobile IPKO, nuk mund t’i shitet telekomit Serb – Telekom Serbia (Telekom Srbija), dhe po ashtu nuk mund të bëhet as bartja e të drejtës dhe detyrimeve pa pëlqimin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP), thotë anëtari i bordit të këtij autoriteti, Shqiprim Pula.
Ndërkohë, ai shton se deri më tani nuk kanë asgjë zyrtare sa i përket blerjes së kompanisë IPKO nga Telekom Serbia.
Gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime, Pula ka theksuar se sipas bazës ligjore pika tre e shtojcës mbi autorizimin individual që ka të bëjë me operatorin, IPKO nuk mund të shitet, mund të jepet me qira apo të jepet si garanci pa miratim paraprak nga ARKEP.
“Po e supozoj një situatë, në momentin që shitet IPKO tek cilido subjekt ata duhet të bëjnë kërkesë pranë ARKEP nëse mund t’i bartet edrejta dhe detyrimet tek subjekti i ri. Me Ligjin për komunikime elektronike rregullohet kjo materie për bartjen e shfrytëzimit të së drejtës tek subjekti tjetër. Prandaj, një shitje e tillë supozuese duhet të vijë tek ne për bartje apo mosbartje të atyre të drejtave. Personalisht deklaroj se unë nuk bëj një votim apo nuk nënshkruaj një bartje të tillë sepse që subjekti në fjalë për mendimin tim është i padëshiruar në territorin e Kosovës për shumë arsye”, thotë Pula.
Operatori i telekomunikimeve IPKO është operatori i dytë më i madh në Kosovë, pas Telekomit të Kosovës. Në vitin 2005, Telekomi i Sllovenisë kishte përzgjedhur Kosovën për të investuar në tregun e telekomunikimeve, duke blerë aksione në ofruesin e shërbimeve të internetit në vend, IPKO.
Por, tashmë IPKO është në shitje dhe Telekom Serbia, që është 58 për qind në pronësi të shtetit serb, ka bërë ofertën e vet.
Anëtari i bordit të ARKEP, Pula ka bërë të ditur se Telekom Sllovenia, pjesë e së cilës është IPKO, në korrik 2019 e ka nisur procesin e shitjes dhe që nga atëherë procesi është i papërfunduar zyrtarisht. Sipas tij, e vërteta është që telekomi serb ka ofertuar për blerje, por se blerja nuk ka ndodhur zyrtarisht, pra siç thotë Pula, nuk ka konfrmim.
“E vetmja gjë që mund të konfirmohet është se Telekom Sllovenia ka filluar shitjen dhe Telekom Serbia ka ofertuar për blerjen e mundshme, kaq dihet momentalisht”, tha Pula.
Megjithatë, anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime kanë kritikuar ARKEP-in për mungesë të informacioneve të duhura lidhur me procesin.
Mimoza Kusari-Lila, anëtare e Komisionit, tha se ka një mungesë të përgjegjësisë dhe bashkërendimit në nivel vendi. Ajo shtoi se duhet të sigurohet që Kosova ka mekanizma që sigurojnë që nuk ndodhin gjëra të tilla që sipas saj, do të kenë pasoja katastrofale.
“Pa marrë parasysh a jemi deputet i pozitës a opozitës për këtë çështje 99 për qind kemi me qenë njëzëri, absolutisht asnjë nuk ka interes me ndodh kjo. Por, mua më frikëson fakti se sa me lehtësi e merrni, që juve nuk ju ka ardhur asnjë letër për këtë”, thotë Kusari – Lila .
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të marrë një përgjigje nga IPKO, por nuk ka arritur të kontaktojë me dikë nga zyrtarët e kësaj kompanie.
Telekom Serbia e interesuar të blejë IPKON
Ndërkohë, përfaqësuesit e pushtetit në Serbi me qëllim “të fuqizimit” të ndërmarrjeve, shumica e të cilave janë pronë shtetërore, kanë paralajmëruar zgjerimin rajonal të bizneseve të këtyre kompanive.
Ndër veprimet e fundit në këtë drejtim është edhe oferta e kompanisë Telekomi i Serbisë për blerjen e telefonisë mobile IPKO, në Kosovë.
“Telekomi i Serbisë është kompani serioze, e cila në rajon ka shumë filiale dhe deri më tash ka zhvilluar rrjetin në shumë shtete të rajonit. Për këtë shkak, nuk është befasi që dëshiron të zgjerojë biznesin e saj edhe në disa operatorë të tjerë”, pati thënë për Radion Evropa e Lirë, ndihmësja e ministrit të Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Irina Reljin.
Ajo ka shtuar që kjo ofertë është në domenin e ofertave komerciale dhe jo të çështjeve politike.
Nga kompania Telekomi i Serbisë, për Radion Evropa e Lirë kanë konfirmuar që kanë dhënë ofertën jo-obliguese për blerjen e operatorit të Kosovës, por nuk kanë dashur të flasin për detajet rreth kësaj çështjeje, për shkak të marrëveshjes që i obligon për moszbulimin e informacioneve.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahemti, pati reaguar në rrjetin social Twitter duke thënë se Telekomi i Serbisë ka dhënë ofertën më të lartë për ta blerë IPKON prej 155 milionë eurosh. Ai shtoi se kjo duhet të bllokohet.
Reagimin nga Prishtina e pati komentuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai u ka thënë gazetarëve, më 26 qershor në Bruksel, që nuk i kupton kërkesat e Kosovës dhe të disa vendeve të tjera përqark, në të cilat thuhet që Serbia nuk guxon të blejë telefoninë mobile në Kosovë, “ndonëse ajo ka dhënë ofertën më të favorshme”.
Funksionimi i Telekomit serb në Kosovë dhe rajon
Përveç shtetit të Serbisë, në pronë të së cilit është 58.11 për qind e aksioneve të Telekomit, pronarë të kapitalit janë edhe qytetarët e Serbisë me 14.95 për qind, punëtorët e dikurshëm dhe të tashëm të kompanisë, të cilët posedojnë 6.94 për qind të kasioneve, ndërkaq që 20 për qind të kapitalit e përbëjnë aksionet e vet kompanisë.
Në hapësirat me shumicë serbë në Kosovë, është i pranishëm një filial i Telekomit të Serbisë, kompania “Mts.d.o.o.”, e cila në këtë shtet është e regjistruar dhe bën biznes sipas ligjeve të Kosovës dhe e gjithë kjo në bazë të marrëveshjes së Brukselit, e vitit 2013.
Telekomi i Serbisë, që nga viti 2007 është i pranishëm edhe në Bosnjë e Hercegovinë, në entitetin e Republikës Serbe, ku 65 për qind është pronar i Telekomit të këtij entiteti nga Banja Lluka dhe me të cilin mbulon gjithë territorin e Bosnjë e Hercegovinës.
Po ashtu, që nga viti 2007, Telekomi i Serbisë është pronar i 51 për qind të kompanisë “M:tel d.o.o. Podgorica” nga Mali i Zi. Pjesa tjetër, prej 49 për qind e operatorit malazez , është në pronësi të Telekomit Serpska nga Republika Serbe.
Oferta e refuzuar në Shqipëri
Në fund të 2018, telekomi serb u përpoq të hynte edhe në tregun shqiptar. Më pas u konfirmua nga Qeveria e Serbisë që kompania serbe bëri një ofertë për blerjen e Telekomit te Shqipërisë i cili asokohe ishte në pronësi gjermane të Deutsche Telekom.
Qeveria shqiptare megjithatë nuk e ka mbështetur shitjen. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi në tetor 2018 se bizneset serbe janë të mirëseardhura, por se “në këtë sektor strategjik, kjo nuk është një preferencë”.
Telekom Albania u shit në vitin 2019 për kompaninë bullgare Albania Telekom Invest.
Zyrtarët serbë e konsiderojne Telekomin si një nga kompanitë më fitimprurëse serbe.
Sipas të dhënave nga raporti financiar për vitin 2018, kompania ka operuar me një fitim prej 86 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 fitimi neto arriti në më shumë se 120 milionë euro.
Në Kosovë ekzistojnë dy operatorë të licencuar të telefonisë mobile, ai i Telekomit të Kosovës dhe IPKO, me licencë të plotë për operim në të gjithë territorin e Kosovës.
Komentet