Burimet dhe studimet historiografike tregojnë se ndaj botës dhe kulturës së arvanitasve është ushtruar një trysni dhe luftë asimiluese, dhe si e tillë, çështja arvanitase vazhdon të jetë komplekse. Studiues të njohur arvanitas i kanë afruar lexuesit një njohje të hollë dhe të gjerësishme edhe për Çamërinë, jo vetëm si një trevë me histori të lashtë, madje antike, por për gjeostrategjitë që ajo ka mes Lindjes dhe Perëndimit, korridoret e rëndësishme dhe jetike detare, ata të komunikimit tregtar dhe ushtarak, resurset e mëdha ekonomike, blegtorale, bujqësore, frutore, peshkimin, vitikulturën, agrumet, kulturën autoktone të trashëguar, e cila vazhdon të jetë aktive jo vetëm ndër mjediset çame, por dhe në traditën greke dhe diasporë.
Mbijetesa arvanitase dhe e shpirtit të tyre, përbën një fondament të rëndësishëm për gjithçka mund dhe ka arsye një mbijetesë e tillë në kushte, rrethana dhe politika shtetërore asimiluese. Është një arsye madhore mbijetesa e shpirtit arvanitas, parë në kompleksin historik, shpirtëror dhe atë të ditëve të sotme. Studiues të zellshëm dhe të aftë për ta shpjeguar fenomenin arvanitas, arrijnë të sjellin në vëmendje vendin që arvanitasit zënë në historinë e Greqisë, në rrugëtimin e hershëm dhe të vonë të Greqisë dhe të shtetit grek, në preambulat e njohura të kulturës, folklorit, traditës, luftërave fitimtare, figurat e shquara dhe krijimit të referencave kulturore si vazhdimësi e truallit antik, të cilin grekët kanë kërkuar dhe kanë arritur ta përvetësojnë si histori të tyre.
Por sa herë lexohen libra për arvanitasit dhe sa herë niset të shkruhet për etninë e tyre në Ballkan, kurrsesi nuk mund t’iu ikësh burimeve të shumta historiografike, të cilët morën një raport tjetër komunikues dhe informues, sapo në Ballkan u shfaq nacional- shovinizmi, që siç dihet, u bë prezent kur Perandoria Otomane njohu si shtetet Greqinë dhe Serbinë që në dekadat e para të viteve 1800. Arvanitasit dhe Çamëria u përfshinë në synimet zyrtare nacional- shoviniste greke në projektin e Megali- Idesë, e cila ishte dakordësuar me Naçertanien serbe, të eliminonin Shqipërinë në hartën politike të Ballkanit, në kufijtë ku ata do të fqinjësoheshin me njëra- tjetrën në lumin Shkumbin. Natyrisht, këtu si për Kosovën, dhe për Çamërinë e arvanitas u shfaq agresivisht drama e mbijetesës dhe tragjedia e dhjetëra – mijëra vrasjeve barbare dhe depërtimesh më dhunë dhe me gjak të popullsisë autoktone shqiptare. Kronikat historike për çështje të tilla janë dëshmi e pa kontestueshme për diplomacitë ndërkombëtare që nga viti 1912 e deri në ditët tona.
Kjo nyjë e lidhur fort mu në zemrën e Ballkanit dhe të Evropës, ka bërë që studimet, kërkimet historiografike shkencore, argumentet dhe referimet që nga lashtësia deri në ditët tona, t’i afrohen rendit të Ri Botëror, për t’i konsideruar çamët si një popull autokton dhe i nevojshëm për të gëzuar etnitetin e tyre në gjithë dimensionin që iu takojnë popujve dhe pakicave qoftë. Kanë qenë kaq të mbrujtura studimet për arvanitasit dhe Çamërinë, aq sa tradita e shfaqjes së personaliteteve të dijes historike dhe shkencore të mos shterojë kurrë. Aristidh Kolia, një personalitet i rëndësishëm i botës dhe kulturës arvanitase, i ka ofruar dijes historike, etnografike, linguistike, trashëgimisë kulturore dhe kulturës së personazheve arvanitas- çam në shtetin grek një enciklopedi të vërtetë. Aristidh Kolia është njëri nga njerëzit me një profil të rëndësishëm për kulturën arvanitase dhe atë shqiptare, në kontributet e të cilit ka njohuri, të dhëna, dëshmi, studime, hulumtime dhe definicione të rëndësishme për kulturën dhe dijet shqiptare në përgjithsi. Ai është njëri nga personalitetet e dijes dhe të shkencës, historisë dhe të drejtës, kulturës dhe folklorit arvanitas dhe shqiptar, i cili u përfshi në polemikat e shumta dhe të vazhdueshme me rrethet e caktuara nacional- shoviniste greke, por dhe atë ballkanike lidhur me vërtetësitë që duhen njohur dhe treguar për Çamërinë, por dhe më gjerë.
Aristidh Kolia ishte historian, jurist, kulturolog, linguist dhe një aktivist i rëndësishëm, i cili ka drejtuar dhe “Lidhjen e Arvanitasve”, një shoqatë e rëndësishme, e cila ka krijuar raporte dhe lidhje të veçanta të shqiptarëve në kushtet e vështira të një kundërvënie shtetërore nga shteti grek, e cila është e njohur në Greqi.
Aristidh Kolia ka lindur në Kaskaveli të Thivës, kryesisht në Greqinë Qendrore, e njohur për vendbanimet arvanitase që herët. I ushqyer me traditat dhe historinë e të parëve të tij, Aristidh Kolia u edukua me një dashuri të madhe ndaj paraardhësve të tij. U shkollua në Athinë për drejtësi, ndërsa iu përkushtua historisë dhe traditave kombëtare arvanitase, që padyshim reflektohet mjaft mirë në veprën e tij të rëndësishme “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, një vepër e cila u përthith me shpejtësi të madhe në gjithë rrethet arvanitase dhe ato shqiptare, duke njohur rreth nëntë botime. Vepra pasqyron traditat e botës së hershme arvanitase, një burim i pashtershëm i komunikimit historik të çamëve deri në ditët e sotme.
Aristidh Kolia iu përkushtua çështjes arvanitase përmes argumenteve të shumta historiografike dhe interpretimeve shkencore të elementëve që çojnë në të vërteta të mëdha. Është një arritje madhore, pa diskutim dhe një vlerë, rrënjët e të cilës janë thellë shekujve të bashkëjetesës në tokën helene me zakonet dhe traditën e tyre, afirmimin e identitetit arvanitas në Greqi që shënon nga ky personalitet i madh. Është një arritje e cila kërkonte një strategji që nuk mund ta bënte një mendje e zakonshme, një mëndje që nuk di të përdorë gjithë dëshmitë dhe të dhënat e drejtpërdrejta, por dhe të tërthorta që Aristidh Kolia ka arritur t’i nxjerrë që nga autorët e lashtësisë apo koha homerike.
Duke qenë kurajoz, i ditur dhe njohur rëndësinë e kauzës që i ishte vënë në shërbim, ai krijoi lidhje të shumta me rrethet dhe njerëz të diasporës, me arbëreshët e Italisë, shqiptarët në Australi, Amerikë e kudo tjetër, me Kosovën dhe intelektualët e saj, shqiptarët e Turqisë dhe veçmas me Shqipërinë. I mprehtë, një personalitet i cili kërkonte informacion të përditshëm për zhvillimet shqiptare, ai u shndërrua gjithashtu dhe në një shqiptar të madh për çështjet madhore të shqiptarëve kudo ato ishin dhe kontribuonin. Në Greqi, Aristidh Kolia u shndërrua në njeriun më të rëndësishëm dhe më të adhuruar, në personin e tij gjetën mbështetje qindra shqiptarë pas viteve 90 dhe deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Aristidh Kolia qe një veprimtar i madh, por edhe një thesar i çmuar për kohën në të cilën ai jetoi dhe brezat që do të vijnë kanë si pasuri veprat dhe studimet e rëndësishme që ai botoi që nga viti 1983 dhe më vonë. Burimet shkrimore të Kolës janë vlera të rëndësishme dhe dokumente në të cilat studiuesit e sotëm dhe ata të së ardhmes do të gjejnë argumente për të dëshmuar kush ishin arvanitasit dhe çamët e sotëm. Kolia ka shkruar dhe botuar librat si: “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” (1983), “Gjuha e perëndive” (1989), “Deklarata e Bashkimit Arvanitas”, “Fjalori Korrigjues i Fjalëve Arvanitase”, “Fjalori krahasues i gjuhës shqipe”, “Greqia në Kurthin e Serbëve të Millosheviqit”, “Kënga e mercenarëve, prejardhja e grekëve”, “Mithi dhe e vërteta”, “Varrimi i tretë i Marko Boçarit”, pra, vetëm informacioni titullues i veprës së Aristidh Kolës tregon sa i gjerësishëm ka qenë ai që nga historia, etnologjia, te gjuha, leksikologjia, debati dhe polemika politike, por dhe antropologjia dhe dëshmitë historike, ku shquan bashkëkohësia dhe polemika shkencore e tij.
I përfshirë në një debat të hapur dhe mjaft të sëmbueshëm nën hundën e nacional- shovinizmit grek, i njohur për armiqësinë e përjetshme, por dhe politikën asimiluese të shqiptarëve në përgjithësi, Aristidh Kolia përmes librit “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, ai bën një vështrim të imët historik, folklorik, politik, gjuhësor, duke depërtuar në thellësitë e kohërave kur arvanitasit domosdo kishin lidhjet e tyre me helenët, me gjasë të qartë se arvanitasit dëshmohen si krijuesit e Greqisë së Re. Ndër të tjera ai shkruan:”Shumë njerëz na e kanë vënë në dyshim lidhjen e drejtpërdrejtë dhe afërsinë me këtë popull të lashtë helen”, por autori arrin të zbulojë kaq shumë fakte dhe argumente, që ruhen në abstraktin arvanitas dhe atë grek, të pazhbëshme, falë dhe daljes në skenë të shumë arvanitasve në momentet më të vështira historike, të cilët kanë ruajtur Greqinë nga shkatërrimi apo deformimi i identitetit të lashtë dhe të njohur antik dhe në kohët pas- homerike. Në libër ka kaq shumë hapësira dhe horizonte, përmes të cilave Kolia reflekton një ballafaqim interesant të progresit dhe konservatorizmit, një refleksion të ruajtjes së kulturave tradicionale ballkanike dhe evropiane, siç ka ndodhur dhe me dinasti të tjera.
Në libër studiuesi i njohur “raporton” bindshëm dhe dallimet (krahasimet) gjuhësore greqisht-shqip deri tek arbëreshët e neohelenizmit, kur u shfaq pushtimi turk, një periudhë e errët në Ballkan, me ç’rast do të krijohen teza të shumta kundër shqiptarëve, pasi politikën ballkanike, veçmas atë greke e mbajti nën ndikimin e vet të egër dhe njëanshmërisht të komunikueshëm besimi ortodoks, përkundër arvanitasve, të cilët nuk ndikoheshin nga diferenca të tilla të besimit fetar. Aristidh Kolia është njëri nga njerëzit e ditur dhe studiuesit e përkushtuar që ka arritur të zhbëjë ndryshkun tradicional të ndikimit fetar në politikë. Pikërisht për këtë indoktrinim që politika dhe qarqet nacional-shoviniste greke përpiqeshin të bënin me arvanitasit, kur vendosnin përballë “turkallvanos” dhe helenë, studiuesi shkruan: ”Ata që u përpoqën të ndajnë arvanitasit myslimanë nga ata të krishterët, duke i quajtur të parët “turkallvanos’ dhe të dytët helenë, nuk dinin ç’të bënin me Skënderbeun, të cilin populli, të krishterë e myslimanë, e quanin hero kombëtar”.
Aristidh Kolia i ka ndihmuar shumë problemit shqiptar përmes tezave të tij shkencore, të cilat vijnë nga thellësitë e kohërave, ngjarjeve historike, njerëzve dhe argumenteve të tjerë. Në vitin 1984, Kolia ka debatuar hapur dhe me një fuqi bindëse për arvanitasit në revistën e njohur “Besa” në faqet e të cilës janë botuar materiale jashtëzakonisht të rëndësishme për tema të rëndësishme të shqiptarëve në Greqi. Aristidh Kolia përmes një kumti të fortë, të titulluar “Shqiptarët që bënë Greqinë”, kërkon të depërtojë në të vërtetat e lashta shqiptare-greke, përmes argumenteve gjuhësore siç është interpretimi i mbiemrave të farës së kollokotronëve, një nyjë e rëndësishme përmes të cilës çilet një dritë e madhe për të njohur arvanitasit dhe çamët. Nga Çergjini- Boçka- te Kollokotroni, të cilët shtresojnë të dhëna dhe dëshmi interesante arvanitase (Kollokotroni- Bithgur-i, prapanicë e fortë), Kolia e dëshmon dhe nga burimet e këngës popullore, një burim i rëndësishëm dhe i vërtetë në kujtesën arvanitase dhe atë të shqiptarëve në përgjithësi. Dëshmia popullore është e shenjtë për shqiptarët.
Kollokotroni është një figurë komplekse dhe mjaft e rëndësishme në kujtesën dhe historinë e Greqisë, një luftëtar i njohur, i cili kishte dhe luftëtarët e tij, të njohur si “luftëtarët e Kollokotronëve”, arvanitas që zënë një hapësirë kohore të rëndësishme 1500- 1800, luftëtarë që ishin arvanitas pa dallim nëse ishin të krishterë apo myslimanë, që në kronikat e kohës shfaqen me Ndretë e Moresë gjatë revolucionit të 1821, po ashtu vite më vonë dhe në çlirimin e Moresë, ku morën pjesë 3000 luftëtarë arvanitas nga Thesprotia, deri në ngjarjet e Jonit si “piratë të detit” në legjionet greko-shqiptare.
Kollokotronët ishin shqiptarë, Aristidh Kolia flet për traditat, zakonet, veshjen e tyre (fustanella, guna e hedhur pas krahëve- një skicë autentike të të cilëve e sjell koloneli francez Voutier), koka e rruar përpara dhe bishtin e zgjatur, një kod i njohur dhe i “pa gabueshëm i arvanitasve” siç shkruhet në revistën “Besa”. Në këmbënguljen për ta sjellë sa më qartë Kollokotronin, Aristidh Kolia thotë se ai dinte pak shkrim, ndërsa greqishten e fliste shkel e shko. Ai tregon se “ai, Kollokotroni” ka lexuar librin mbi Historinë e Skënderbeut, kur citon në ligjëratë të drejtë se “…lexova për jetën e Skënderbeut. Vepra e tij më vuri në mendime…”, duke dëshmuar se ku ka arvanitas, në çdo vend të globit, Skënderbeu nderohet si heroi i tyre, duke përmbushur krenarinë dhe origjinën nga toka e tij.
Arvanitasit shfaqen në të gjithë historinë dhe ngjarjet e rëndësishme të Greqisë, pasi ishin ata që u përballën me Perandorinë Osmane pas shkatërrimit të Konstandinopojës (ku shquan kryearhondi i Manit, Krokodhil Kladha, udhëheqës si Petro Bua Sklepa) që mbrojnë Morenë të vetëm, e që janë të detyruar të ikin në Italinë e Jugut me ëndrrën për t’u kthyer. Kënga “Moj e bukura More” këtë mesazh përcjell në thelbin e saj të mallëngjyeshëm. Moreja ka qenë dhe mbetet arvanitase (arvanitasit e Arkadisë) pavarësisht se ata pushuan së foluri gjuhën e tyre.
Aristidh Kolia dyshohet se qe viktima e radhës e nacional-shovinizmit grek, pasi ai dëshmonte me zë se arvanitasit ishin themeluesit e shtetit grek, mbi nëntëdhjetë për qind e heronjve kombëtarë të Pavarësisë së Greqisë janë arvanitas, por gati gjithë arvanitasit e shquar që nga Gjergj Karaiskaqi, Teodor Kollokotroni, Laskarina Bubulina, Anastas Kullurioti dhe të tjerë u eliminuar e vranë nga ultranacionalitët grekë.
Një dimension tjetër, një pamje të imët, lidhur me çështjet thelbësore të arvanitasve nëpër kohë dhe të çamëve sot, shkrimtari Aristidh Kolia i shpalon në një intervistë dhënë gazetës “Iliria” të Nju Yorkut në vitin 1986, ku preket mjaft qartë mesazhi dhe dëshmitë që sjellin librat e tij “Arvanitasit” dhe “Gjuha e Perëndive”. Kolia mendon, se pjesa më e madhe e popullsisë greke ka prejardhjen nga Epiri i sotëm e Shqipëria, historia ka qenë e tillë, dhe ajo dëshmohet që nga autorët e lashtë antikë, Homeri dhe më vonë. Deri para shfaqjes së nacionalizmit shovinist grek, raportet e arvanitasve me grekët ishin ndryshe, por problemi është se historia greke nuk e konsideron tezën pellazgjike të prejardhjes. Por faktet nuk të lënë nga të lëvizësh, mjafton një fakt i thjeshtë për të kulturuar të vërtetën.
Kështu, toponimia e shumtë dhe emrat e heronjve e gjysperëndive etimologjikisht shpjegohen përmes gjuhës së arvanitasve (shqipes së vjetër), ndryshe nuk do të kishte asnjë shpjegim për këtë thesar dhe arkiv të vjetër të miteve dhe toponimisë greke. Vetë Aristidh Kolia i përket brezit dhe kohës kur gjuhën e paraardhësve të tij e ka mësuar në familje. Shkrimtari e kujton me një dashuri të pakufishme kur thotë: “Gjyshërit e pashkollë si dhe gjyshet tona, kishin një mençuri të admirueshme dhe një ngrohtësi njerëzore, që shprehej në jetën e përditshme të tyre, në histori, në përrallat, këngët, vallet e vajtimet e tyre”, që shndërroheshin në subjekte dhe detaje interesante që fëmijëve u flitej dhe u mësohej gjuha arvanitase, e cila do të merrte peshë, vlerë dhe domethënie tjetër në një moshë tjetër të rritur, kur shkrimtari do të merrej më ngultas me gjuhën e të parëve të tij, për të arritur në refleksione të rëndësishme. Ndërsa në literaturën shkollore për arvanitasit dhe gjuhën e tyre pllakoste errësira totale.
Kur Kolia flet për një nga krahinat më të njohura arvanitase, siç është Thiva, ai sjell ndërmend si një burim të hershëm të dëshmisë arvanitase qytetin më të vjetër të botës, themeluar nga Kadmosi, i cili me shumë gjasë dhe arsyetime mbi mitet është njëri nga të ardhurit pellazg, që strehoheshin në malet e Epirit të sotëm dhe Shqipërisë. Thiva kishte lidhje të njohura me Ilirinë, dhe siç dihet, Kadmosi ka vdekur në vendin e tij në Iliri, ndërsa fëmija e tij quhej Ilir. Kadmi e kishte gruan e tij nga Kosova, burimet mitologjike tregojnë se vëllai i gruas së tij ishte prijës i dardanëve. Burimet e lashta historike tregojnë se pjesa më e madhe e të ardhurve vinin nga Iliria dhe pas luftës së Trojës arvanitasit erdhën në krahinën e Thivas, për të cilët ka shumë fakte dhe dokumente, të cilat duhet të studiohen dhe interpretohen me saktësi.
Siç dihet, grekët e vjetër ishin pak, ata ndiqeshin nga forcat e Perandorisë Kristiane Bizantine, kështu që ata u unifikuan me arvanitasit dhe u tretën në komunitetin e tyre, kryesisht gjatë shekullit të katërmbëdhjetë, ku gjithashtu dhe në vendet ku kishte lulëzuar kultura e lashtë antike flitej gjuha e arvanitasve. Burimet e vjetra venedikase për këtë periudhë shkruajnë, se “Arvanitasit dhe grekët janë një popull që e urrejnë çdo të huaj...”.
Aristidh Kolia sjell në vëmendje gjithashtu dhe çështjen e etnokulturës dhe folklorit arvanitas, i cili ka qenë një regjistrues i rëndësishëm i jetës së arvanitasve, i kulturës së tyre, etnopsikologjisë dhe ngjarjeve historike gjithashtu. Folklori është një kronikë e gjallë e njerëzve dhe e kohës, parë me një sy realist dhe të pagabueshëm. Kultura dhe folklori arvanitas për një kohë të gjatë dhe të hershme ishte përfaqësues i folklorit të ri grek. Dëshmi të tilla janë të qarta para syve të kujtdo që e njeh sadopak folklorin arvanitas. Kështu, fustanella arvanitase është elementi kyç i veshjes kombëtare greke, vallja e njohur pirike apo çamiko, po ashtu mjaft legjenda, këngë dhe gojëdhëna arvanitase, sot janë pjesë e kulturës së re greke.
Ndërsa te këngët arvanitase të hershme ka një kohë kur mes arvanitasve dhe grekëve kishte një pleksje bashkëjetese të detyrueshme, pasi arvanitasit kishin fuqi, aftësi dhe vitalitet të padiskutueshëm, bie në sy ruajtja e muzikës, ndërsa grekët i kanë përkthyer në gjuhën greke. Arvanitasit kanë një arkiv jashtëzakonisht të rëndësishme si dëshmi autentike në këngët e dasmës, Aristidh Kolia kujton fëmijërinë e tij me këto dëshmi, këngë hidhërimesh, shumë prej të cilave krijoheshin aty për aty dhe bëheshin pjesë e kujtesës dhe identitetit të arvanitasve dhe ngjarjeve. Një traditë e tillë është zbehur tashmë, në mjediset arvanitase nuk ka vetëkrijime ndër gëzime veçanërisht. Ende vetëm disa plaka vajtojnë në gjuhën arvanitase në trevat ku jetojnë arvanitasit. Kjo i ngjall trishtim të thellë studiuesit Aristidh Kolia.
Aristidh Kolia ka nisur herët që të merret me kulturën, historinë, trashëgiminë, studimet krahasuese, gjuhësore, folklorike dhe dëshmi të tjera të kulturës arvanitase. Atij i është dashur të njohë më së pari historinë greke, për të evidentuar atë arvanitase. Në studimet e tij, Aristidh Kolia i ka kushtuar rëndësi jetike, madje çelësin e dëshmive të shumta arvanitase, por dhe greke njohjen mirë dhe në detaj të kohës pellazgjike, për të cilët grekët më herët mendojnë se janë paraardhësit e tyre. Hedhja dritë mbi pellazgët, sipas studiuesit është dhe nevoja për të larguar errësirën për këtë periudhë prehistorike të Greqisë, Ballkanit dhe të Mesdheut. Ai thotë për këtë domosdoshmëri studimesh dhe hulumtimesh bazike se:” Nuk mund t’i afrosh epokat parahistorike, duke mohuar pellazgët si dhe mitologjinë e lashtësisë, e cila nuk është përrallë, por një rrjedhë ngjarjesh historike me veshje poetike. Nuk mund ta konceptoj se si mund të ekzistojnë sot shkencëtarë grekë, të cilët kanë ngecur në studimet indoevropiane dhe ndërkohë mohojnë pellazgët.”, ndërsa për studiuesit shqiptarë ai thotë: “Për sa iu përket shkencëtarëve shqiptarë dhe këta do të thoja, duhet të marrin përsipër studimet pellazgjike, jo vetëm për shkak të prejardhjes së lashtë pellazgjike të qendrave si Dodoni dhe vendeve të shenjta si Tomorri, që gjendet në zonën e Ilirisë së Jugut të moçëm të Epirit, si dhe faktet gjuhësore pellazgjike, të cilat kanë mbijetuar; të gjitha këto i bëjnë shkencëtarët të dalin në konkluzionin se gjuha shqipe është e vetmja, që ka shpëtuar nga trungu i gjuhës pellazgjike…”. Dhe sot e kësaj dite është mjaft e rëndësishme kjo tezë hulumtimesh dhe studimesh për historianët dhe gjuhëtarët.
Kur flet për çështjet gjuhësore, studiuesi i njohur ndalet dhe tek gjuha arvanitase, i cili gjen ngjashmëri karakteristike të kohës paraklasike greke dhe të shoqërisë së shekullit të XVIII-XIX arvanitase. Në kohët e sotme ai konstaton një absurd, në mënyrën se si sillen grekët me trashëgiminë dhe atë që gjuha e tyre, kultura e tyre ka përthithur nga arvanitasit dhe që ata e quajnë të tyren. Në shekujt e parë bizantin, fjala “grek” konsiderohej dhe ishte sinonim i fjalës “barbar”, ashtu siç grekët konsiderojnë sot arvanitasit dhe shqiptarët, por ata nuk mund të mohojnë se gjuha arvanitase është gjuha e perëndive, gjuha e heronjve të lashtë dhe të vonë (1821).
Në punën shkencore dhe hulumtuese të Aristidh Kolës një vend të veçantë zë rrugëtimi që bënë arvanitasit për të marrë një rol dominues në jetën dhe historinë e Greqisë që herët, kur në Greqi kishte beteja të tilla që grekët mund të asimiloheshin dhe zhdukeshin plotësisht, po ashtu në nyja të tilla siç ishte lufta e Perandorisë Kristiane Bizantine, pushtimet e Perandorisë Otomane, betejat e Moresë, Revolucioni i vitit 1821 dhe ngjarje të tjera, arvanitasit jo vetëm që ishin luftëtarë të zotë, por ata ishin një popull me kulturë dhe taban kulturor të qëndrueshëm, një popull që krijonte në çdo hap që hidhte, një popull që kishte krijuar referime të rëndësishme që nga lashtësia kur zhvillohej Lufta e Trojës dhe po zhvillohej kultura dhe bota e qytetëruar antike. Në atë kohë arvanitasit dëshmonin një nga burimet më të rëndësishme kulturologjike dhe të marrëdhënieve të kohës përmes tempujve, personaliteteve dhe zhvillimit.
Rrugëtimi i Kollokotronëve – Boçkës- Çergjinit (të cilët vijnë natyrshëm deri te Boçarët e njohur që historia greke ka synuar të përvetësojë) në një zbulesë vertikale dhe horizontale nga studiuesi Aristidh Kolia, dëshmitë e gjuhës dhe lidhjet e forta me Ilirinë, me Dardaninë dhe shumë çështje të tjera që pleksin studime të tilla, përbëjnë një punë të rëndësishme dhe një profil të një studiuesi me një akribi shkencore të gjerë dhe të mirë-argumentuar për njërën nga çështjet më të rëndësishme të historisë dhe të popullit arvanitas, ndryshe sot e reflektuar në çështjen e njohur çame. Në studimet e Aristidh Kolës ka “preambula” interesante, ka orientime fondamentale për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm lidhur me aspektet ku vazhdon të ketë nyje dhe errësirë, me të cilat ka luajtur dhe luan nacional-shovinizmi i njohur grek me çështje si Epiri dhe pika nevralgjike dhe në tokën e Shqipërisë.
Tezat e tija studiuesi Aristidh Kolia i mbështet në argumente të njohura, në dëshmi të rëndësishme kulturologjike dhe gjuhësore, në burime të pakontestueshme, në burimet e hershme antike, që sot studiuesit grekë i bien mohit në mënyrë absurde dhe të padenjë shkencërisht. Ngjarjet e shumta historike i dëshmojnë arvanitasit aktorë të krijimit të shtetit grek, ashtu siç fondamenti, abstrakti i kulturës së njohur greke është fort e lidhur me pellazgët (arvanitasit) që nga krijimi i tyre dhe në vazhdim. Dhe në këtë dëshmi autentike Aristidh Kolia sjell të dhëna, personazhe, bashkëpërkime kulturologjike, sjell çelësin e rëndësishëm gjuhësor të pellazgjishtes, pa të cilën komunikimi me mitet dhe dëshmitë e tjera antike do të ishin të verbra dhe memece. Teza pellazgjike, gjuha e pellazgëve mbetet një nga gjuhët me ndikimin më të madh të historisë së njerëzimit, jo vetëm në Greqi apo Ballkan, por me një valoritet dhe në vende të tjera të qytetërimeve të lashta. Dhimitër Kamarda tregon se pellazgjishtja është gjuha që afron arvanitasit me gjuhën e Homerit, të cilën ai e përmend në veprën e tij. Pellazgjisht është dëshmuar se fliste edhe Aleksandri i Madh. Aristidh Kolia e sheh një burim kryesor pellazgjishten, thënë ndryshe një gjuhë të perëndive.
Aristidh Kolia ishte një dijetar i çmuar i raporteve bashkëkohore të Greqisë me Shqipërinë dhe zhvillimeve të viteve 1990 dhe në vazhdim. Ai ishte një adhurues i madh i paqes dhe të vërtetës, për të cilën punoi gjithë jetën dhe i kushtoi mbarë intelektualizmin dhe kërkimin shkencor. Dhe pse ai vdiq në rrethana misterioze, puna e tij hulumtuese, studimore, shqisa e zbulesës së fakteve dhe argumenteve, këmbëngulja për të depërtuar në gjëra të thella historike dhe mistike, parimet fondamentale që kishte në punën e tij si shkencëtar me diapazon disafushësh është një arkiv i rëndësishëm për studiuesit dhe shkencëtarët e të ardhmes. Aristidh Kolia mbetet një arvanitas i madh, një vazhdues i traditës dhe sakrificës arvanitase në Greqi dhe me gjerësisht, një shqiptar i mençur, kurajoz dhe i ditur.
Ai na ka lënë burime të rëndësishme dhe të begata për çështjet e rëndësishme të historisë sonë, e cila duhet të ketë angazhime shkencore për të nxjerrë në dritë dëshmitë e lashtësisë sonë si një nga popujt më të vjetër në Ballkan, por edhe të gjuhës shqipe si gjuha më e hershme në Evropë.
Tiranë- Vlorë, gusht 2022
Komentet