“Po të mos kishte dëgjuar këngën tënde “O prite Azem Galicën”, o Arif Vladi, djali im sot do të ishte gjallë!”…
Presidenti Hashim Thaçi erdhi për herë të parë si president i Kosovës në Tiranë me një tufë titujsh e dekoratash, të shpërndara me ngut ndër disa shkrimtarë e artistë, njerëz të kulturës e të artit kombëtar në Shqipërinë administrative, që paskan kontribuar për shtetin më të ri në Evropë.
Këto sajdi e “qoka”, ndonëse me vonesë, tentonin të justifikonin kryeshtetarin e zënë me punë të mëdha, që, më në fund, u kujtua se në Tiranë si President, pasi ka ardhur si “ilegal” me banim tek hotel “Dajti”, si komandat i UÇK-së dhe kryeministër i Kosovës, nuk mund të vinte më me duar në xhepa.
Nuk dua të paragjykoj përzgjedhjen e Presidentit të Kosovës për personat që iu dha titujt, “gradat” e ofiqet. Kjo ka të bëjë me njohjen e tij dhe të këshilltarëve, por një gjë dihet e sigurtë, se “rrethi” duhej ose më i gjërë ose më i ngushtë dhe në të dy rastet, një person që duhet të ishte i pranishëm në krye të emrave, është “harruar” me ngut.
Ky është këngëtari brilant, një nga zërat më unikë të këngës mbarëshqiptare, me të cilën janë rritur breza dhe janë pagëzuar epoka të shqiptarisë, Arif Vladi. Mungesa e emrit të tij në listën prej pesëmbëdhjetë vetash, të atyre që u sajdisën nga Presidenti Thaçi, nuk është një rastësi. As Thaçi dhe as ata që e rrethojnë, në një rast të tillë nuk mund të bëjnë gjestin e Pons Pilatit dhe aq më pak të Zhvjekut.
Ishte fillimi i viteve 1980, kur këngëtari Arif Vladi, duke promovuar skenave e shesheve të Shqipërisë këngën epokale “O prite Azem Galicën”, po ndizte një zjarr të pashuar në zemrat e qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës, që do të ishin pjesë e gjeneratës së qëndresës titanike kundër mizorisë pansllaviste. Kjo këngë do të ishte hit krenie e rezistence për liri gjatë demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, që shkundën ngrehinën e zymtë të krim ndëshkimit serb dhe projektuan kulmin qëndrestar, që do të vinte si një uragan shprese mbarëshqiptare në fund të viteve ’90.
Nuk di se ku ndodhej Hashim Thaçi në vitin 1981, por nëse mosha e njomë nuk e lejonte të ishte në ato sheshe shqiptarie, me siguri ka dëgjuar nga familjarët dhe të afërmit e tij për magjinë e asaj kënge, që do të ndizte në gjirin e protestuesve tingujt e shpresës së madhe, Iliadën e pashuar të atdhedashurisë.
Nuk harrohen këngët hite të këngëtarit tribun, ato këngë që Vladi i këndoi me pathos e krenari në sheshet e Tiranës, Shkupit e Prishtinës, në Dibër, Gjirokastër, Gjakovë, Tetovë, Vlorë, në çdo cep të Shqiptarisë. Kwngw si “Jam Kosova e shqiptarisw” etj u bwnw zjarre tw ndezura nw oxhakun e shpresws mbarwshqiptare, projeksione ardhmwrie, qw sillnin me vete zemwrim e qwndresw, atdhedashuri e shpirt sakrifice, akte deri nw sublime, qw kwrkonin njw realitet tw ri pwr Kosovwn shqiptare.
Këto këngë ishin prologu i lirisë dhe epilogu i dhimbjes së atyre që binin me emrin e Kosovës në gojë, duke lënë si amanet pastërtinë e lirisë së nesërme.
Në një kafene mërgimtarësh shqiptarë, ku ndodhej dhe autori i këtyre radhëve, para disa viteve, një plak rreth të tetëdhjetave nga Drenica, iu drejtua Arif Vladit: “Po të mos kishte dëgjuar këngën tënde “O prite Azem Galicën, djali im sot do të ishte gjallë!”.
Arif Vladin gjithmonë e kanë quajtur këngëtar të Kosovës, pasi zëri i tij, shpirti i tij, përkushtimi si qytetar i përgjegjshëm dhe artist dinjitoz, lidhen me këtë trevë të shqiptarisë, e cila ka qenë hisja e mohuar e tokës dhe qiellit, gjersa falë luftës së UÇK-së dhe faktorit euro-amerikan, në prag të mijëvjeçarit të tretë, në trojet e saj do të niste një erë e re ndryshimi madhor dhe shprese epokale.
Kur këngëtari shkon në Gjirokastër, Vlorë, Berat e gjetkë ndër viset shqiptare, brenda e jashtë kufijve të diktuar nga kohët e këqija të shqiptarisë, njerëzit i drejtohen njëri-tjetrit: “Erdhi këngëtari nga Kosova”, ndërsa atij i drejtohen me zemra të hapura: “MIrë se erdhe, o këngëtari i Kosovës, o këngëtari i lirisë!”…
Të gjitha këto nuk mund të mos i dinte, qoftë dhe shkarazi, Presidenti Thaçi, i cili nuk e pa “të arsyeshme”, që në listën me pesëmbëdhjetë emra të vlerësuar prej tij në Tiranë, të ishte ai i Arif Vladit. Kjo, sigurisht, nuk e zhbën kontributin madhor të këngëtarit, talentin dhe përkushtimin e tij të vënë në shërbim të njërës nga kauzat më madhore të shqiptarëve në shekullin XX.
Këngëtari që është dënuar nga Beogradi në mungesë me dhjetë vjet pa të drejtë hyrje në Serbi, për gjoja “nxitje të terrorizmit shqiptar në Kosovë”, “refuzohet” në Tiranë nga presidenti i porsazgjedhur i Kosovës.
Por e ndodhura është ajo që është dhe historia nuk mund të shkruhet sipas qejfit të njërit apo tjetrit, qofshin këto dhe kryeministra a presidentë repeublike: do apo nuk do Thaçi dhe këshilltarët e tij, këngët hite të Arif Vladit janë dhe do të mbetën në jetë të jetëve kolona zanore të luftës së Kosovës, magjija që na e solli aq afër lirinë në kohën e mizorisë, kur ato troje dardane kishin aq shumë nevojë për një ëndërr dhe një shpresë!…
Komentet