***
Nuk dihet prej sa kohësh në Rexhina, një limanqytet jugor dhe gji me erëra të ngrohta, atë e thërrisnin “Arhond” dhe as kush ishte i pari që e thirri me këtë emër të dytë . Por ndryshe nga përfytyrimi që sjell një fjalë në trajtë grade, Azem Mani kishte të tjera sjellje e të tjera huqe, sic thoshte shpesh. Nuk dihej gjithashtu prej sa vitesh familja e tyre merrej më furrat e bukës .
Tregonin se të parët e tyre patën ardhur nga përtej Qafë Botës, nga Filati, si kasaba e madhe në ato kohë e deri vonë pas Luftës së parë Botërore. Gjyshi i Arhondit sikurse i ati i tij Zemani , ishin marrë me zanatin e furrëtarit sapo zbritën në këtë limanqytet që dukej si margaritar i vogël i mbrojtur mes një gjiri të madh dhe të ruajtur mirë nga erërat detare.
Në Rexhina, njerëzit hynin çdo ditë nga toka dhe deti. Njerëzve të karvaneve me kuaj që mbërrinin këtu nga përtej Qafës së Manastirit dhe përtejmalet, me prodhime blegtorale , ullinj, lëkurë e vaj ulliri në depot pranë Limanit; u dukej si një qytet i zhytur në mjegull. Mjegulla shpesh shtrihej tejpërtej në det, gjer në Korfuz e mbi Pandokrato. Atëhere , banesat dhe depot ishte vështirë t’i shquaje nga Qafa e Manastirit. Detarëve të varkave, anijeve të peshkimit dhe karaveve që mbërrinin nga Kanali i Korfuzit, limanqyteti u shfaqej si një nuse mjegulle që sapo kishte dalë prej Jonit.
Të ulur rreth pesëdhjet metra larg nga furra e bukës “Mani”, Azemi me mustaqet e mëdha dhe cibukun e përhershëm të ndezur në gojë dhe miku i tij Leo Mërkuri apo Leo Kapiteni, kishin marrë nga një uzo dhe flisnin të përqëndruar. Protomiq që nga fëmijëria dhe e kaluara e familjeve të tyre, sa në Filat edhe në Korfuz .
Leo fliste për gjuetinë e një nate më parë. me anijen e tij të njohur nga të gjithë që mbante emrin e qytetit , “Rexhina”. Anija pothuaj një orë më parë ishte kthyer nga gjuetia në ujërat përballë Akrokerauneve që mbaheshin asokohe si një hambar i madh peshku.
Pastaj, biseda u përqëndrua të kriza e bukës këtej, nga brigjet arbërore më pak, po në brigjet përballë, të fqinjëve grekë, thoshin se ishte shtruar këmbëkryq dhimbja dhe zija e bukës kishte marrë jo pak jetë njerëzish.
***
Në vitet ’20-’30 qyteti bregdetar i Rexhinës kishte tre hotele. “Rexhina Pallas”, “Bella Venezia “ dhe “Kontinental”. Më popullori ishte “Kontinentali”. Aty gjeje marinarë të huaj po edhe peshkatarë vendas të sapokthyer nga gjuetia. Dëgjohej cdo mbrëmje muzikë popullore dhe melodi shqiptare e greke. Marinarët e huaj ndjeheshin mirë. Si në shtëpi të tyre, thoshin vendasit. Po edhe këta të fundit e kishin si një konak të madh ku liheshin takime, kuvende mes kapedaneve të anijeve, pazare të pronarëve të tavernave , tregtarëve të qytetit dhe atyre që punonin me brigjet helene afër, po edhe ato italiane larg.
Te “ Kontinetali “ ku pinin uzo Arhondi me Leon kishte dy momente piku, paradite rreth orës 10 dhe sidomos në mbrëmje, në prag muzgu.
Në mbrëmje , kur ia behnin vendas dhe të huaj nga anijet që ankoroheshin të Limani i Vjetër, taverna e hotelit kthehej në një Kullë Babeli. Por këtu njerëzit merreshin vesh mirë me njeri-tjetrin. Dëgjoje shumë gjuhë ose gjysmagjuhësh, fragmente të deformuara. Shqip, greqisht, italisht, turqisht, ndonjë fragment në frëngjisht. Madje., tek-tuk edhe rusisht. Peshkatarë që vinin nga Kanali i Korfuzit , marinarë me ngjyrë të errët si katrani ose më të celët si cokollatë, kasapë, tregtarë basmash, vaji, kripe, bulmeti, nomadë. Të pasur dhe të varfër, endeshin deri vonë në mbrëmje.
Është ora 10. Në këtë orë të ditës, në hyrje të limanit në një tezgë-karrocë me dy rrota të improvizuara dhe një tendë, një mesoburrë simpatik me emrin Isa, me një përparëse borë të bardhe, thërriste vazhdimisht:
– Hajde petulla, me sy e me vetulla! Hajde salep, salep! Hajde sheqerka, lesh sheqeri, tanihallva , pufte, torona dhe petulla! – Pastaj, si bëhej një pauz ia niste sërish zëri i “gegës”.
– Hajde, sulltan suxhuk! Petulla, me sy e me vetulla!
Pas kësaj, njerëzit vinin buzën në gaz.
Isai, me perparëse bore të bardhë ishtre me origjinë nga Shishtaveci që këtu, më shumë fëmijët, i thërrisnin “Gega”. Isai kishte një punishte ëmbëlsirash ngjitur me furrën kryesore të bukës ku punonte një jetë Arhondi.
Në nëntë të paradites, në stinë të luleve, në verandën buzë detit te “Kontinentali”, pothuaj në të njejtën tavolinë druri, Azem Mani dhe miku I tij Leo, kishin porositur kafet turke me xhezve bakri të kuq të pjekur mbi rërë të nxehtë te një lloj mangalli ardhur prej Zmirnit apo Izmirit.
Peshku i ditës që do të merrte Arhondi qëndronte i freskët në një kanistër shelgu të bardhë.Aty, disa koca e kocopulla të mëdha ende kërcenin përpjetë në kërkim te ujit të kripur.
– Aty ke katër okë, -thotë Leo, kapiteni i “Rexhinës” që kish gjuajtur me rrjeta tërë natën dhe kish hedhur spirancën rreth pesëdhjet këmbë nga taverna buzë detit.
–Për miqtë që ke sot, të dalin e tepërojnë.
-Më rrofsh o Leo! Të paca!
***
Në një orë të mesditës, që përtej Limanit të Vjetër, krahas karavit të madh që i thoshin edhe Postal dhe që lidhte qytetin me Himarën, Vlorën dhe Durrësin një herë në javë, u shfaq papritur një anije e vogël peshkimi me flamur grek.
Pas pak, drejt tavernës buzë ujit u pa tek vraponte një djalosh rreth të dymbëdhjetave, me pantallona të shkurtëra dhe një kasketë me kuadrate në kokë.
-Nipçja-i thotë Arhondit Leo Mërkuri. Tek e pa që po vraponte. Leo u ngrit vrik në këmbë:
-Hee Damian? C’ ka bërë vaki, mor’ nipçe?..
-Ata të varkës korfiote sapo zbritën, thanë që duam të takojmë pronarin e furrave se kemi një hall. Këtu, më nisi Tanushi peshkatari jot që po nderte rrjetat. Ai më tha shko tako Arhondin te “Kontinentali “ se do të jetë me Kapitetin. Pastaj, më tha të mos harroja se të tre burrat, kanë ardhur nga ishulli i Erikusës dhe kërkojnë ca thasë me bukë dhe miell…..-tregonte Damiani që dihaste nga ecja e shpejtë poshtë monopatit të tavernës.
Leo, dic foli me zë të ulët me Arhondin dhe iu kthye djaloshit:
-I thuaj Tanushit që miqte nga Erikusa, të rregullojnë varkën dhe të vijnë këtu. Të flasim për hallin…
Djaloshi u bë erë.
Kish kaluar një copë e paradites dhe sipërfaqja e ujit nga taverna e “Kontinentalit” dukej si një det me vaj ose si një liqen i stërmadh deri përtej në Kanal të Korfuzit.
Tufa e madhe e pulëbardhave bëntë ritualin e saj sa nga taverna e hotelit te varkat me peshq që ishin kthyer nga gjuetia e natës.
Si ngaherë në buzëdet, dikush pastronte peshqit me një kovë plastike dhe mbeturinat e freskëta i flakte në ujë. Ketu, niste joshja më e madhe e pulëbardhave . Ato, gati sa i ceknin supet njeriut me kovë, duke carë ajrin me vija të lakuara në një lojë pa kufij. Ngjiteshin , harkoheshin fluturimthi dhe uleshin vrik për të kapur mbi uje ndonjë kokë sardele a kocopulle .
Nga taverna vinin tingujt e një tangoje të kohës që luhej nga gramafoni.
Leo Mërkuri i pari dhe më pas, Azem Mani vunë re se drejt tavernës po afrohej një grup ku shquan të parin Tanushin dhe tre të panjohur ndërsa Damiani, i ndiqte nga pas me një rrjetë pazari në dorë dhe kapelen e madhe në kokë që gati i mbulonte veshët.
Dy prej të panjohurve shquheshin nga thinjat e bardha në krejt kokën dhe nën rrezet e diellit të prillit , flokët u dukeshin si shtëllunga argjendi dhe të kujtonin leshin e sheqerit që tregtonte për fëmijët “Gega” nga Kukësi.
I panjohuri i tretë ishte i ri .Pak mbi të tridhjetat dhe kishte një trup atleti. Ai mbante në sup një si trastë të lidhur me një rrip lëkure. Ishte i gjatë si qiri dhe tek ecte, herë pas here rregullonte me dorën e majtë baluket e zeza që i tundeshin mbi ballë.
Tanushi , me t’iu afruar tavolinës së Arhondit dhe Leo Mërkurit, iu drejtua këtij të fundit :
-Kapiten, mysafirët janë grekë dhe kanë ardhur nga përballë , nga ishulli I Erikusës Më kërkuan t’i sillja këtu .-Pastaj përsëriti :
-Më takuan tek rrjetat dhe m’u lutën t’i sillja tek kapiteni im se kishin një hall për të qarë. Na shpjer tek afendikoi jot, më thanë të tre.
Kapiteni dhe Arhondi iu lutën mysafirëve të uleshin në tryezë .
-Më parë me se t’u qerasim?-I mirëseardhi kapiten Leo .
-Përvec uzos, që është me detyrim…-tha me të qeshur në një greqishte të pastër Arhondi duke prekur me dorën e djathtë mustaqet e mëdha gjysmë te verdha nga duhani i cibukut .
Si zunë vend në karrige të tre mysafirët e huaj bashkë me Tanushin, ia nisi më i moshuari :
-Zoti Kapiten, unë jam Manolis Maridhis, shokët e mi janë Marko Levendis dhe Nikos Delijanis dhe bëri më dorë nga bashkëpatriotët e tij.
.Pas një hopi vazhdoi si u bind duket se po ndiqej me të gjithë seriozitetin.
-Andej nga ne thonë : gjitoni i pari vëlla. Po kalojmë ditë të hidhura dhe zija e bukës na ka marrë disa jetë….Në emer të fshatit u nisëm për të qarë hallin tek ju të brigjeve përballë..Nuk mund të kthehemi pas pa disa thasë me bukë dhe miell. Tani,… fati I keq, po na shuan edhe jetë fëmijësh…-Dhe një kokërr loti i mbiu papritur mbi mollëzën e djathtë….
-Nuk kërkojmë të na jipni lëmoshë dhe as falas,-e ushqeu më tej bisedën Marko, shoku I tij kokëbardhë,.
–Jo! Për atë Zot që është një, nuk duam asgjë veresie….Për këtë, kemi mbledhur edhe ca gjëra të cmuara nga gratë dhe nuset e fshatit….-dhe iu drejtua shokut te trete:
-Hapi!
Më i riu i mysafirëve nga ishulli, Nikos Delijanis, atë cast vedosi mbi tavolinë një trastë të sajuar nga shami të qëndisura grash . E hapi me kujdes dhe në tryezën prej druri rrëzëllitën nga feksi i dritës së diellit dhjetra bizhu të argjendta po edhe ari. Bizhu me gur të cmuar, elmaz, unaza, varëse argjendi, byzylykë, vathë me gur rubini dhe një mori zbukurimesh aristokrate të nusërisë, të vajzërisë e femrave në përgjithësi. Pastaj, në një shami tjetër të qëndisur u hapën të tjera sende prej sermi: disa zinxhirë qosteku dhe tre-katër ora xhepi për burra me qostek sermi.
Të gjithë burrat stepën në fillim dhe e ndoqën pa gojë rrëfimin e mysafirit me flokë të bardha. .
-Unë jam Leo Mërkuri-tha Kapiteni me një ton të mendueshëm po edhe solemn.
-Mirëse keni ardhur në vatrat tona! Do përpiqemi t’ju ndihmojmë me dorë në zemër . Zoti që është një, ka sjellë si me dorë në këtë tavolinë njeriun e duhur , vetë Arhondin, pronarin e dy furrave të bukës në qytet-dhe bëri me dorë në drejtim të njeriut me çibuk dhe mustaqe të verdha.
Azem Mani hoqi çibukun nga goja .
-Edhe një herë, mirëse keni ardhur te fqinjët tuaj! Edhe ne që kur është zënë toka e s’mbahet më mend, themi brez pas brezi: “Gjitoni, I pari vëlla!”
Ra një heshtje e plotë që zotëroi për pak sekonda. Pasta ai vuri instiktivisht dorën në kraharorin e stërmadh të tij dhe vazhdoi:
-Unë jam Azem Mani, I furrave të bukës në këtë nahije ….Sot , do të merrni disa thasë me bukë dhe ca miell…Po këto , do ju lutem t’i merrni pas,- dhe tregoi me dorë nga bizhutë në shamitë e qëndisura.
– Mbështillni përsëri dhe t’i kheni në Ishull, atje ku e kanë vendin ! T’ua jepni të zotëve.! …Bukën edhe miellin do ta merrni falas!!
-Zoti Mani!…
-Arhond!….
-Kjo nuk shkon të nderuar zotërinj! Unë e bëra të qartë që nuk duam gjë veresie….! Japim mall, marrim mall!….
-Joo!- tha prerë Arhondi. –Kjo shkon kështu, sic them unë.Se mendoj me shpirt që dikush atje në fshatin tuaj, në Erikusa po vdes nga mungesa e bukës.
Ne, ta dini o miq, nuk jemi kushedi c’të pasur! Por i pasur i vërtetë, në shqirt, është ai që ndihmon të mos këputet një jetë në mes për pak bukë e për pak miell…..Makari, të kishim më shumë , më shumë t’u jepnim….
Pastaj Arhondi iu drejtua Tanushit:
-Tanush djali, të kem besim tek ti?
-Patjetër Arhond! C’është ajo fjalë!
-Ik menjëherë te furra. Sa të shkoj unë përcilli fjalët e mia: Buka e sotme e furrës do të futet e gjitha në thasë dhe punëtorët ta shpien në liman. Nëse ende nuk ka kulluar, të marrë kohën e saj…Ta ngarkojnë te anija e peshkimit që erdhi nga Erikusa! Kështu biri im ? Dhe, më njofto!
-Patjetër Arhond!-dhe tjetri u nis menjëherë.
-Ta flasim edhe njëherë!…-tha Nikos Delijanis, më i riu nga mysafirët.
-Zoti Mani, degjojeni njëherë edhe këtë të riun, ju lutem,-u hodh Marko.
Arhondi e ndezi sërish cibukun dhe si e thithi nja dy here, e nbajti në dorën e djathtë dhe me të majtën vuri në buzë disa fije duhani që nisi t’i përtypë ngadalë.
-O miq, këtu nuk ka asnjë gjë për t’u fyer. Ne po u lehtësojmë disi një hall. Nuk po ua zgjidhim…
”Është shumë prekëse të dëgjosh piskamën e zisë së bukës”, -I thosh një zë i brendshëm.
Dhe u ngrit në këmbë .
-Ja, do të marr si kujtim vetëm një orë ta vendos në murin e furrës që mos t’ju harroj ….dhe kapi një orë xhepi me xinxhir nga pirgu i bixhuve.
-Po cfar të bëjmë për ju si këmbim, zoti Azem?- u hodh i zënë ngushtë nga e papritura më i moçmi i mysafirëve.
-Asgjë…ose….kur të ktheheni në shtëpitë tuaja , nesër në mbrëmje, t’u bini kambanave në shenjë përshëndetje dhe bekimi për qytetin tonë…
Më në fund, dërgata e ishullit shfaqi pëlqimin dhe pasditja i gjeti në udhën e kthimit për te vatrat e tyre.
Të nesërmen, pa rënë ende mbrëmja, anijet dhe varkat shqiptare e greke të peshkimit gjuanin në ujërat përballë Vijave të Bardha poshtë Llogarasë. Peshkatarët dëgjuan jehonën e pazakontë të dhjetë kambanave.
Kapiteni Leo Mërkuri pati shkuar si cdo ditë në peshkim. Tek dëgjoi tingullin hipnotizues të kambanave që vinte nga Erikusa aty pranë, qendroi në këmbë mbi bashin e “Rexhinës” . Vuri dorën mbi brazdat e rrudhave në ballë që I kishin marrë ngjyrën e bakrit nga dielli dhe kripa e Jonit.
Pastaj, u kthye befas nga peshkatarët :
-Kambanat bien për ne, o njerëz të mirë! Për ne! Zoti i dëgjon…Besoj se i dëgjon edhe Arhondi…
Thanë se këmbanat e Erikusës u dëgjuan deri në Rexhina.
I dëgjoi edhe Azem Mani.
Ishin ditë prilli. Erërat e ngrohta që vinin nga Afrika sollën në qytetliman një shi të butë, me ngjyre të kuqëreme për shkak të rërës nga veriu I kontinentit të ngrohtë.///
Komentet