Donald Trump-i u përfshi në “konspiracion dhe fshehje” i tha të martën jurisë një prokuror gjatë argumenteve mbyllëse në gjyqin penal kundër ish presidentit lidhur me manipulimin e të dhënave të biznesit. Pala mbrojtëse e cilësoi dëshmitarin kryesor të çështjes si “gënjeshtarin më të madh të të gjitha kohërave” ndërsa i kërkoi jurisë që ta hedhin poshtë akuzën ndaj klientit të tyre.
Deklaratat kundërthënëse, të akuzës dhe palës mbrojtëse, jashtëzakonisht të ndryshme lidhur me vlerësimet e tyre për besueshmërinë e dëshmitarëve dhe fuqinë e provave, u ofruan të dyja palëve një shans të fundit për ta bindur jurinë. Pas mbylljes së argumenteve, juria do të tërhiqet për të marrë një vendim lidhur me çështjen e parë penale kundër një ish presidenti amerikan.
Gjyqi shqyrtoi akuzat se zoti Trump dhe aleatët e tij komplotuan për të bllokuar një histori të turpshme gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, duke bërë pagesa për të blerë heshtjen, përfshirë një aktore të filmave pornografik e cila pretendoi se kishte patur marrëdhënie seksuale një dekadë më parë me zotin Trump.
“Ky rast, në thelbin e tij, ka të bëjë me një komplot dhe fshehje”, tha përpara jurisë prokurori Joshua Steinglass. Juria mund të fillojnë të mërkurën që të shqyrtojë marrjen e një vendimi. Ai shtoi më pas se: “Ne kurrë nuk do ta dimë nëse kjo përpjekje për të manipuluar votuesit ndikoi në zgjedhjet e vitit 2016, por kjo nuk është diçka që duhet ta provojmë”.
Todd Blanche, avokat i zotit Trump, i tha jurisë se nuk mund t’i besohet as aktores Stormy Daniels dhe as avokatit të Trump-it që e pagoi atë, Michael Cohen.
“Presidenti Trump është i pafajshëm. Ai nuk ka kryer asnjë krim dhe prokuroria nuk e ka përmbushur barrën e provës”, tha avokati Blanche.
Kur kanë kaluar më shumë se katër javë deponime në gjyqin penal ndaj zotit Trump, arritja e një vendimi përbën një detyrë të rëndësishme për jurinë, historikisht të paparë ndonjëherë, ndërsa vendos nëse do ta dënojë kandidatin republikan për president përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Tonet politike u shfaqën hapur ndërsa fushata e Presidentit Joe Biden organizoi një konferencë shtypi jashtë ndërtesës së gjykatës me aktorin Robert De Niro. Avokati mbrojtës i kujtoi jurisë se çështja nuk ishte një referendum lidhur me pikëpamjet e tyre për zotin Trump.
Prokurori Steinglass u përpoq që në fillim që të zbuste shqetësimet e mundshme të jurisë në lidhje me besueshmërinë e dëshmitarit kryesor të çështjes. Zoti Trump dhe ekipi i tij ligjor e kanë denoncuar vazhdimisht dëshmitarin Cohen si gënjeshtar.
Prokurori e pranoi se dëshmia e zonjës Daniels në lidhje me takimin e supozuar të vitit 2006 në një hotel në “Lake Tahoe”, të cilin zoti Trump e ka mohuar, në disa raste ishte për të dëshiruar. Por ai tha se detajet që ajo ofroi, përfshirë dekorimin dhe atë që ajo tha se pa kur hapi çantën e tualetit të Trump-it, kishin plot detaje që tingëllonin të vërteta. Ai tha se kjo ka rëndësi sepse “përforcon stimulin (e Trump-it) për të blerë heshtjen e saj”.
“Historia e saj është e pazakontë. Kjo i bën njerëzit të mos ndihen rehat kur e dëgjojnë. Ndoshta për disa prej jush është e pakëndshme për ta dëgjuar. Por ky është qëllimi. E thënë thjeshtë, Stormy Daniels është motivi”, i tha jurisë prokurori Steinglass. .
Rasti i pagesës doli në pah ndërsa në një regjistrim të ekipit televiziv të emisionit “Access Hollywood” në vitin 2005, zoti Trump dëgjohet tek flet me mburrje për prekje seksuale të grave pa pëlqimin e tyre.
Nëse historia e zonjës Daniel do të dilte pas regjistrimit në fjalë, kjo do të kishte minuar strategjinë e Trump-it për të hedhur poshtë ato që dëgjohet duke thënë në regjistrim, tha prokurori Steinglass.
“Është kritike të vlerësohet sepse në të njëjtën kohë që ai hodhi poshtë citimet e tij në regjistrime si biseda në dhomën e zhveshjes, Trump po negocionte për t’i mbyllur gojë një aktoreje të filmave pornografikë”, tha prokurori.
Avokati mbrojtës, Blanche, i cili foli i pari, u përpoq të minimizonte pasojat duke thënë se kaseta e programit “Access Hollywood” nuk ishte një “ngjarje e fundit të botës”.
Zoti Steinglass gjithashtu pohoi se çështja e prokurorisë nuk varej vetëm tek Michael Cohen, ish-avokat personal i zotit Trump, i cili e pagoi zonjën Daniels 130,000 dollarë për të heshtur.
Zoti Cohen është deklaruar fajtor nën akuzat federale për rolin e tij në pagesat e parave për të blerë heshtjen, si dhe për gënjeshtrat përpara Kongresit. Ai u dënua me burg dhe i është hequr licenca e avokatit, por përfshirja e drejtpërdrejt në çështje e bëri atë një dëshmitar kryesor në gjyq.
“Nuk ka të bëjë nëse ju pëlqen Michael Cohen. Nuk ka të bëjë nëse doni të hyni në biznes me Michael Cohen”, tha zoti Steinglass. “Ka të bëjë nëse ai ka informacion të dobishëm dhe të besueshëm për të treguar për atë që ndodhi në këtë rast, dhe e vërteta është se ai ishte në pozicionin më të mirë për ta ditur”.
Zoti Trump përballet me 34 akuza për falsifikim e të dhënave të biznesit, që zakonisht konsiderohet si një kundërvajtje sipas ligjeve të Nju Jorkut. Por prokurorët thonë zoti Trump i falsifikoi të dhënat e biznesit për fshehur një krim të tjetër, atë të shkeljes së mundshme të ligjit për financimin e fushatës zgjedhore.
Në qendër të gjyqit është shuma prej 130,000 dollarësh, me të cilën ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen e pagoi ish aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, për të siguruar heshtjen e saj mbi një marrëdhënie të dyshuar seksuale me zotin Trump.
Më pas, sipas aktakuzës, zoti Trump e rimbursoi zotin Cohen dhe pagesën e regjistroi si shpenzim ligjor të kompanisë. Pagesa u bë ndërsa zoti Trump po kandidonte për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Avokatët mbrojtës janë përpjekur të ngrenë dyshime mbi besueshmërinë e dëshmitarëve të prokurorisë, kryesisht të dëshmitarit kryesor të saj, Michael Cohen. Ky i fundit tha në dëshminë e tij se ishte ai që e pagoi zonjën Daniels dhe se zoti Trump e kishte miratuar një gjë të tillë dhe se ishte në dijeni të regjistrimit të parave në mënyrë të paligjshme, si shpenzime ligjore.
Gjatë marrjes në pyetje, avokatët e zotit Trump ndoqën strategjinë e vënies në pikëpyetje të besueshmërisë së zotit Cohen. Ata e pyetën atë lidhur me dënimet e mëparshme. Gjatë njërës prej dëshmive, zoti Cohen e pranoi se kishte vjedhur disa mijëra dollarë nga kompania e zotit Trump.
Nëse shpallet fajtor, zoti Trump përballet me deri katër vjet heqje lirie.