Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Idealistët komunistë përfunduan në kampet që vetë-projektuan. U zhgërryen nëpër baltovinat e Bedenit e të Thumanës, me ata që i konsideronin armiq ideali. Këtu Ilias iu hapën sytë, gjasme armiqtë, ishin ku e ku më të mirë dhe më të fisëm, nga ç’i kish menduar. Solidariteti human kapërcente çdo cak, ish armiku hiqte kafshatën nga goja, për të shpëtuar jetën e një ish – komunisti, që gjer dje e kish shtënë në shqegëz për ta eliminuar; zhvishte këmishën e vetme, për të shpëtuar nga ethet atë që i kish quajtur tradhtar.
Në subkoshiencë dhe në trurin e tij, ndodhi një evolucion i panjohur deri atëkohë që e shtyu të reviziononte gjithë dokrrat e ngulitura nga ideologjia komuniste. Si ai gjarpri që ndërron lëkurën, ai ndërroi jo më lëkurën, por thelbin, ndërgjegjen dhe botëkuptimin. Nga një komunist doktrinar, u shndërrua në nacionalist misionar. Tani, haptas pranonte gabimet dhe po haptas, propagandonte idetë demokratike për Shqipërinë etnike. U transformuar në dishepull i Mit’hat Frashërit, që deri atëherë e urrente. Ky luan i panënshtruar, s’mund t’i duronte prangat!
Për lirinë sfidoi vdekjen, vendosi të arratisej. Jo me synimin të kalonte kufirin, që të shpëtonte lëkurën, po të vazhdonte luftën, tashmë për rrëzimin e regjimit komunist dhe rivendosjen e demokracisë. Idenë e vuri në jetë, një ditë dimri me furtunë të vitit 1959. Bashkë me një shok vuajtjesh, u zhytën kanaleve kulluese dhe arritën të largohen. Ndërsa shoku mori drejtimin e kufirit, Ilia nuk tentoi këtë, po u fsheh aty pranë, me pikësynim të mësynte mbi rojet, të armatosej që pastaj të lironte të dënuarit dhe të gjithë së bashku, të nisnin luftën për lirinë e vendit.
Ai shpresonte në mbështetjen e banorëve të asaj zone të sakatosur prej regjimit komunist, si dhe në intervecionin nga jashtë, nëpërmjet detit dhe ajrit. Po i kishte bërë hesapet pa hanxhinë, plani shpëtimtar i Ilias, ish i parakohshëm dhe i pakoordinuar. Terrori komunist, i kish ngulur kthetrat thellë në ndërgjegjen e secilit, kish përndarë gjithkah frikën e panikun, e kishte shndërruar popullin, në turmë amorfe që zvargej si zvarranikët, pa guxuar të ngrinte krye, të gatshëm të sakrifikonin edhe më të afërmit, vetëm t’iu shpëtonin tentakulave vdekjeprurëse, të luftës klasore.
Kështu një ditë të bukur, Ilia i rraskapitur nga lodhja dhe uria, diktohet nga ca fshatarë, të cilët e denoncuan pranë organeve të Sigurimit të Shtetit. U rrethua gjithë territori, Forcat e Ndjekjes të dyfishuara në numër, s’lanë asnjë shteg të lirë. Qëlluan mbi të, me të gjitha llojet e armëve dhe kur kishte marrë disa plumba në trup, e pandehën të vdekur. Sipas rrëfimit të njërit prej ndjekësve, që në vitet shtatëdhjetë do përfundonte edhe vet në burg, Ilian e përgjakur, të mbledhur në një mushama, e kishin vërvitur si kërmë mbi karrocerinë e një kamioni, që mandej ta ekspozonin kufomën para fshatarëve të krahinës për terror psikologjik dhe më pas, ta çonin në kampin e burgut, për t’iu treguar të dënuarve, se gjithkush që do merrte guximin të vepronte kësisoj, kështu do ta pësonte.
“Po ta dinim të gjallë, secili nga ne do t’ia fuste një koqe plumbi! S’na duheshe njeri, or mik, po kërmë! Paske qenë jetëgjatë”! – përfundoi rrëfimtari. Vërtetë kishte qenë jetëgjatë! Mbasi makina qe llokoçitur rrugë pa rrugë, nëpër gropa e moçalishte, kish dalë në një zhavorrishte buzë lumit, atje Ilia kish dhënë shenja jete. Dy shoqëruesit që s’i kish instruktuar askush, se si duhej të vepronin, kur panë viktimën të lëvrinte, urdhëruan shoferin të nisej drejt spitalit.
Pa dashje, i kishin zgjatur jetën. Në spital mjekët bënë punën e tyre dhe fatmirësisht ai shpëtoi por me çyrykllëk të pandreqshëm. Gjithë pjesën e mbetur të jetës, do ta hiqte një këmbë zvarrë. Meqë ekspozimi terrorizues dështoi, si kompensim, gjykata i dha maksimalen dhe mbas ca muajsh, tashmë sakat të parrezikshëm, e plasën sërish kampeve. Por një gjë s’e kishin parashikuar ish-shokët e tij, Ilian vërtetë e sakatosën fizikisht, me zor çapitej hapuar nga e djathta, po kishte sagllam mendjen dhe shpirtin e pamposhtur. Ndjenja e revoltës s’ish stepur aspak, përkundrazi, tani mbas çyrykllëkut, ishte bërë më luftarak dhe atë që s’mundi ta realizonte vet, ua injektoi më të rinjve, me të njëjtin pathos.
Ky ishte Ilia që gjeta unë në Reps, mbas njëzetë vitesh burg, kur i kishin mbetur edhe pesëmbëdhjetë të tjerë. Isha i favorizuar, mësimin e frëngjishtes e zhvilloja në orën qe dëshiroja unë. Meqë Ilia ishte gjashtëqindsh, kish plot kohë të lirë të vihej në dispozicionin tim, kur t’i kisha mundësi. Ditët e para e pata të vështirë, përshtatja me rregullin po me dëshpëronte dhe po ma minimizonte entuziazmin për shkollë. Kisha vite që nuk studioja sistematikisht, vërtetë lexoja gjithë ç’më binte në dorë, po tjetër leximi dhe tjetër mësimi. Një libri të mërzitshëm, mund t’ia kthesh ca fletë pa i lexuar, kur gjen episode atraktive i futesh me ngut dhe mund ta rilexosh përsëri e përsëri, sipas rastit mund ta flakësh tutje dhe të marrësh një tjetër dhe kur edhe ky s’paraqet interes, e le fare dhe merr dominotë, tavllën apo shahun, bën një dorë e dy, qetësohesh apo tërbohesh dhe në fund, ndihesh i çlirët, të bësh ç’të të dojë zogu i qejfit.
Është ndryshe me mësimin, ai mund të mos të pëlqej, mund të jetë monoton, madje pa shije fare, i mërzitshëm deri në dhimbje koke, mundet të shkaktoj edhe neveri dhe sërish detyrohesh ta mësosh, s’të jep dorë ta flakësh zgëqeve. Ka patur raste kur jam ndjerë keq, një libër apo leksion i veçantë, sikur më nxiste alergjinë apo më ndillte të vjellat dhe prapë ka triumfuar ndjenja e detyrës, i kam rezistuar ngasjes për ta flakur mënjanë. Mirëpo, me Ilian s’më ndodhi ndonjëherë të mërzitesha deri në neveri. Sado i lodhshëm të dukej mësimi, ai zotëronte një stil krejt personal, e joshte nxënësin me metodën e peshkatarit, që para se të hedhë grepat, kon vendin. Mbasi nuhaste dëshirat e nxënësit, fuste në menynë mësimore, ato që i shijonin më tepër.
Në rastin tim, e niste me recitimet e një poezie të bukur nga Lamartini, Hugoi, Musset apo, poetë të tjerë, sa nxiste kureshtjen dhe pastaj hynte në temë. Me këtë metodë origjinale, avanconim goxha. Në fund të dy palët, ndiheshim të kënaqur, ai se e shikonte që s’po i shkonte mundi dëm dhe unë, se arrija të lexoja e kuptoja, ndonjë tekst të shkurtër.
8 – Një nga individualitetet më interesantë që më ka rastisur të njoh në burgje, ishte Namik Zeneli.
Ai s’kishte lidhje direkte me procesin mësimor, s’më jepte asnjë lëndë të veçantë, po në një farë mënyre mi shpjegonte të gjitha. I përkiste kategorisë autodidakte, nuk kish kryer as shkollën e mesme, gjithë ç’kishte arritur, ishin meritë vetjake. E kishin dënuar që tetëmbëdhjetë vjeç, me një nen paksa ndryshe, për terrorizëm kundër figurave të larta shtetërore. Jo më kotë e lashë për në fund, më poshtë do flas edhe për procesin gjyqësor që vazhdonte ende në kohën që e njoha unë. Namiku kishte kaluar vite në burgun e Burelit, me intelektualë të shquar. Atje, nisur nga nevoja për të shtyrë ditët, iu fut leximeve. Ky qe sebepi, si fillim…! Rastësia e poqi me poetin brilant të ndjenjave të holla, vlonjatin Kudret Kokoshi, i cili si krahinor, e afroi në rrethin e tij shoqëror.
Bariu i dhive me vullnet të hekurt, me një intelekt të pakrahasueshëm, do përthithte vrullshëm në trurin e virgjër, gjithçka. Shpejtë ky “injorant profan”, do tërhiqte vëmendjen dhe kureshtjen e intelektualëve të shumtë, që vuanin dënimin atje. Zelli i pazakontë dhe inteligjenca e paparë, i nxiti dijetarët e atyshëm, t’i përkushtoheshin me shpirt këtij talenti. Ata vërenin me habi, që gjeniu i gjymtuar, ishte një nxënës mbinatyror, që përparonte dukshëm, gjë që i bëri të mos kurseheshin. Secili në fushën e vet, i dha më të mirën e mundshme.
Rrufeshëm djali nga Vajza e Vlorës, zgjeroi horizontin, mësoi nga poliglotët e atyshëm gjuhët kryesore, përvetësoi shkencat dhe artin, arriti të grumbullonte aq shumë informacion, sa edhe më të diturit nisën t’i kërkonin mendim, në fillim për kureshtje, më pas pse ia ndjenin nevojën. Plotësoi bagazhin me dije, nga të gjitha fushat, mund të shprehej lirshëm në biseda akademike për probleme specifike, linguistike, letrare, historike, filozofike, estetike, etj. Çobani i kërrabës, pak nga pak, u shndërrua në enciklopedik.
Kur liroheshin të burgosurit e vjetër, ish bërë zakon që bibliotekën personale, t’ua dhuronin të rinjve. Tashmë personi që përfitonte nga kjo indulgjencë, ishte Namiku; për faktin e veçantë se te ai, gjenin pasuesin pasionant që mund të shtynte dhe përçonte më tej, dijet. Kështu, u shndërrua edhe në bibliograf burgu. Çdo libër, e gjeje te Namiku! Veçse nga mësuesit kish marrë një “ves”, librave s’ju paloste faqen apo, të shkarraviste në anë të fletëve. Kush e shkelte këtë pakt të pashkruar, e humbte të drejtën të kërkonte përsëdyti libër te ai.
Qysh në krye-herë e mësova këtë “huq”, ndaj asnjëherë s’e shkela, për pasojë në çdo kohë mund të kërkoja dhe të merrja cilindo libër dëshiroja. Në hetuesi e kishin gjymtuar, kishte mbetur sakat i pariparueshëm nga një dorë. Për shkak të saj ishte gjashtë qindësh, rrjedhimisht i papunë non stop. Sa herë hasja vështirësi në lëndë të veçanta, ishte i disponueshëm. Kur i kërkoja mendim për njërën apo tjetrën temë, tregohej i papërtueshëm. Asnjëherë s’e pashë të ngutej apo të merrte atributet e kompetentit arrogant, apo të thoshte: “është kështu apo ashtu, si them unë”, jo. Por me modesti, shprehej: “Mendoj se duhet të jetë kështu apo ashtu, sidoqoftë duhet të konsultohemi me librin përkatës, ta hapim në iks kapitull, në ypsilon faqe se mund të jetë edhe ndryshe”!
Sigurisht, kur hapnim librin në atë faqe, kapitull apo paragraf delte ashtu si kish thënë ai. Sërish modest, shtonte: “S’isha fort i sigurt, se helbete jemi njerëz të pashkolluar”! Pavarësisht se memoria e tij funksiononte si një kompjuter i pagabueshëm, ai mbeti përherë i thjeshtë. Mburrja s’u bë asnjëherë binjake me atë karakter. Nga goja e tij dëgjova recitime pafund; vargjet e Iliadës dhe Odisesë, Ferr-Parajsën e Dantes, tragjeditë dhe komeditë e Shekspirit, Faustin e Gëtes, Hugoin, Shilerin, Pushkinin, D’Anuncion, Lorkës, etj. Po më e çuditshmja ish se gjithë këta autorë i dëgjoje në shqip, po dhe në gjuhët e tyre amtare.
Ai njihte me themel poetët e nëmur shqiptar, Fishtën, Koliqin, Arshi Pipën, Mitrush Kutelin, Ali Asllanin, etj., veprat e tyre të plota. Po mbi të tjerët, njihte deri në perfeksion poezitë plotë ndjenjë të profetit tij të preferuar, Kudret Kokoshit. Namiku recitonte si një aktor i vërtetë, ngrinte dhe ulte intonacionin, sa ta thosh mendja se dëgjoje vet Aleksandër Moisiun, për të cilin ushqente një veneracion të veçantë, ani pse asnjëherë s’ia kishte ndjerë zërin, po vetëm rrëfenjat e atyre që kishin mbaruar studimet në Gjermani dhe Austri. Nga miqësia me të, fitova jashtëzakonisht shumë, u njoha me atë zhanër letërsie që, o s’kisha dëgjuar fare të flitej, o edhe nëse kisha dëgjuar, e përflisnin si reaksionare dhe të mallkuar, pa e shpjeguar asnjëherë, përse e klasifikonin të tillë!
Namiku ishte fenomen edhe në shkencat ekzakte, matematikë, fizikë, kimi, biologji. Kur inxhinier Hamdi Haska, ishte i mbytur në projekte dhe s’i premtonte koha të më ndihmonte, Namiku i kudo gjindshëm, impenjohej me zgjidhjen e ushtrimeve dhe zbërthimin e teoremave. Këtë e bënte me skrupulozitet, ashtu si Hamdiu, por për t’u treguar sa më modest, më thoshte: – “Kur të takojmë inxhinierin, do t’i kërkojmë të na riparojë gabimet e mundshëm, se jemi amatorë ne, o vëllaçko”! Por edhe kur i korrigjonte Hamdiu, rezultati mbetej i pa ndryshueshëm. Interesat intelektuale të tij, përfshinin pothuaj çdo fushë, po shprehjen mburravece “unë i di të gjitha”, s’e dëgjova kurrë. Në të vërtetë, ai përfaqësonte një fenomen të habitshëm, që rrallë mund të haset në jetë. Në këtë përfundim, s’kam dalë vetëm unë, po shumë të tjerë para meje; unë thjeshtë konfirmoj mendimin e specializuar, të këtyre mësuesve.
Namiku fliste për letërsinë, si kritik letrar, për historinë si filolog, për artin si estet, për shkencat ekzakte, si inxhinier, matematikën apo ekonomist, për gjuhët e lashta dhe të reja, si poliglot, për politikën si analist, për fenomenet shoqërore, si filozof, për kulturën dhe sportin, si artist apo kampion i madh; pra, ai tru përmblidhte në vetvete, një enciklopedi të gjallë. Edhe pse luante modestin e, nuk ekspozohej, të gjithë ja njihnin këto vlera dhe secili e shfrytëzonte sipas rastit, në fushën ku kish interes. Edhe unë e shfrytëzova për të gjitha, po me çmimin e mikut.
Kur profesorët shpjegonin lëndë të veçanta, Namiku nuk ndërhynte, po ndiqte me vëmendje shpjegimin, si të ishte edhe ai nxënës i barabartë me mua, apo ulur në një kënd, vazhdonte leximin e librit, që kishte në dorë. Çudi, për gati dy vjet që qemë bashkë, asnjëherë s’ma zuri syri pa libër. Ai ishte maniak. Libri në duart e tij, merrte nuk di ç’lloj vlere të veçantë, shndërrohej si të thuash, në objekt stime dhe adhurimi, si ari në duart e koprracit, si ikona e shenjtë për besimtarin, si një statuetë martiri, një kryq, një rruzare për përdëllestarin, si një qeramikë fragile për arkeologun, që edhe pse mund të rrëzohet vetë e të vritet, objektin e nxjerrë nga nëntoka, e ruan me fanatizëm. Ai i mbështillte librat me kujdes, siç mblidhet një foshnje e porsalindur me pelena. Atij mund t’i mungonte shumëçka, po kurrë fleta e mashkës, për kulisje.
“Këtu, janë përmbledhur gjithë dija njerëzore dhe hyjnore! Është detyra e jonë, ta ruajmë këtë dhuratë të Zotit! Pa këtë pasuri, njerëzimi s’do kishte mbërritur këtu ku është sot! Libri na këputi bishtin, na nxori nga shpellat dhe na bëri të mburremi se jemi speciet më inteligjente të rruzullit! Duhet t’iu jemi mirënjohës gjithë atyre që kanë sakrifikuar gjithçka, për të shkruar një libër! Lavdi shkrimtarëve, poetëve, filozofëve, historianëve, pra, gjithë mendjeve të mëdha që na lanë këtë dhuratë të paçmueshme”!
Kështu argumentonte ai, që të justifikonte manjakizmin e tepruar. Qe ndër të rrallët që me greva urie të zgjatura, mposhti komandën e kampit. Pas ndërhyrjes së autoriteteve qendrore, të vënë në lëvizje nga letrat e panumërta të tij, detyroheshin t’ia rikthenin librat e sekuestruar, gjatë kontrolleve. Po aq i rregullt dhe i kujdesshëm, paraqitej individi Namik. Megjithëse sakat nga njëra dorë, ai ishte shembull pastërtie, i larë e i shpëlarë, dritë si i thonë. Për hatër të librave, ishte nga të rrallët që përfitonte shërbim te berberi, dy tri herë në javë. Berberi mallakastriot i apasionuar pas leximit, kur i vinte Namiku në dyqan e privilegjonte, mbyllte njërin sy dhe shkelte rregulloren, kur me ne të tjerët tregohej strikt, na ofronte shërbim, vetëm një ditë në javë.
Kur përmenda më lartë se Namiku ishte dënuar me një nen paksa të veçantë, këtë s’e bëra i nxitur nga synimi për ta veçuar nga të tjerët që ishin dënuar, po për terrorizëm. Jo, po për arsyen e thjeshtë, se ai dhe miku i tij, ishin vërtetë të dënuar paksa të ndryshëm. Po si kishte ndodhur? “Po, ça ndodhi, ore, asgjë nuk ndodhi”?! do ishte përgjigja më e saktë, ala-arixhinjçe, me gojën e Refat Arixhiut. Por fatkeqësisht, sajesën e Sigurimit të Shtetit, dy fatzinjtë e paguan shtrenjtë. Kjo që do rrëfej më poshtë, është nxjerrë nga aktakuza autentike, siç e kam lexuar vetë. Theksoj, ishin dy akt-akuza, e para dhe e dyta, që kishin të njëjtin subjekt dhe ngjanin si dy pika uji.
Ja teksti akt-akuzës ndaj Namik Zenelit:
“Në qershor 1959, udhëheqësi i shquar i proletariatit ndërkombëtar Marksist-Leninisti i madh, mësuesi ynë largpamës, kryeministri dhe sekretari i parë i P.K.B.R.S.S., shoku Nikita Sergejeviç Hrushov, zhvilloi një vizitë historike në vendin tonë. Gjatë shëtitjes dyjavore nëpër Shqipëri, ai vizitoi edhe bazën e fuqishme Ushtarako-Detare të Pasha-Limanit, bastionin e pamposhtur të forcave të lavdishme të Traktatit të Varshavës, që mbron kufijtë detare, tokësorë dhe ajrorë të vendeve vëllezër, të bllokut komunist, kundër imperialistëve amerikanë dhe kukullave të tyre perëndimore, të N.A.T.O.-s
Ky yll i shndritshëm i komunizmit triumfues, u mirëprit me madhështi dhe brohori nga populli ynë liridashës, por iu vrau sytë kapitalistëve dhe imperialistëve, ndaj nëpërmjet kundërzbulimit armik, futën në veprim: veglat e tyre të brendshme për të eliminuar udhëheqësin e madh, në tokën tonë. Me këtë synim vrastar, agjenturat perëndimore (po se kush nuk specifikoheshin), në bashkëpunim me elementët kriminalë të kllasave të përmbysura, ballistë, zogistë, indipendistë dhe gjithë -ishtët e tjerë, armiq e kulakë, organizuan pritën fatale (Po ku? S’thuhet gjë!), të realizonin këtë atentat katastrofik, me përmasa të padëgjuara.
Gjetën dy aventurierë sharlatanë, Namik Zenel Hasanaj dhe një tjetër të ngjashmin e tij, në mos më i poshtër, kriminelin Mustafa Iljaz Iljazi (cilët ishin ata që i rekrutuan, prapë s’jepen të dhëna), i organizuan dhe i armatosën me armë të sofistikuara të prodhimit amerikan (ç’tip armësh, sërish sekret shtetëror!), i stërvitën në bazat e fshehta (as bazat nuk përcaktoheshin se ku gjendeshin, ndoshta në male ku kullosnin dhitë!) dhe i instruktuan si të organizonin dhe realizonin atentatin. (Cilët ishin instruktorët?! S’jepej asnjë e dhënë!).
Por Partia jonë e lavdishme e udhëhequr nga syshqiponja, komandanti i përgjithshëm, heroi legjendar i kombit shqiptar, sekretari i parë, shoku Enver Hoxha, nëpërmjet syrit dhe veshit të tij, Sigurimit të Shtetit, arriti t’i zbulonte dhe neutralizonte në momentin final, këta dy armiq të rrezikshëm dhe bëri kështu, të dështonte me turp tentativa e tyre ogurzezë, qëllimkeqe e kriminale dhe të parandalohej një krim i përmasave të papara botërore. Shoku Hrushov, për haset të gjithë armiqve të komunizmit, vazhdoi vizitën me sukses …”!
Kështu pra, me këtë frymë, vazhdonte akt-akuza disa dhjetëra faqe, deri te fjala e fundit. Përveç disa neneve të thatë, asgjë tjetër juridike, s’kish në brendinë e saj, vetëm sharje për armiq dhe fantazma, me terma bombastikë politikë. Pas një viti hetuesi speciale, ku shquhej pjesëmarrja e famëkeqit Nevzat Haznedari, mbasi i gjymtuan dhe i katandisën nga tridhjetë kilogramë dhe kur s’arritën të zgjeronin grupin e komplotistëve me agjentë vendas apo të huaj, si bashkëpunëtor në këtë atentat imagjinar, dy kufomat e sakatuara i nxorën para ca mumie-gjyqtarë, që i dënuan me vdekje me pushkatim, edhe pse vetë fabrikuesit e kësaj farse, ishin të bindur se fabula ishte e stisur.
Më tej, iu falën jetën dhe i flakën në qelitë e burgut Burrelit. Por, pak pas dënimit të këtij grupi atentatorësh të famshëm, vëllai i Madh, Hrushovi, na doli renegat dhe tradhtari më i rrezikshëm i marksizëm-leninizmit proletar. Si i tillë, ja vlente ta kishin eliminuar. Dy “atentatorët”, vetëm për mendimin e shprehur e pakta, duhej t’i dekoronin si të parët që kuptuan tradhtinë…! Por,… o ironi e hidhur! Akuza ndërroi subjekt, po jo objektin. Ndaj përmenda që Namiku dhe shoku i tij, ishin dënuar me një nen paksa të çuditshëm, kjo s’është fantazi e imja, po një e vërtetë e verifikueshme.
Mbas kësaj “tradhtie të madhe”, që iu bë marksizëm-leninizmit botëror nga Hrushovi dhe hrushovianët e tjerë, ndryshoi edhe subjekti i akuzës. Kur djemtë, tashmë të rraskapitur nga vuajtjet e torturat, shpresonin t’i kthenin pranë familjeve, madje ëndërronin se në mos do t’i dekoronin, të paktën do t’i falenderonin për aktin e tyre të pakryer; ndodhi hataja! Një mbrëmje sterrë, i rrëmbyen nga burgu ku kryenin dënimin me batanije në kokë dhe i rikthyen edhe një herë nga e para, në birucat e sterrosura, tashmë në hetuesi speciale.
Aty, sigurimsat u sulën si korbat mbi kërma, nisën sërish vallen e dajakut. Tani, s’iu përmendën më eliminimin i tradhtarit Hrushov, përkundrazi, këtë e konsideruan koperturë për të fshehur synimin e tyre të vërtetë, asgjësimin e udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës Shqipërisë, që t’i sheshonin rrugën e pushtetit, një qeverie kukull në shërbim të revizionistëve sovjetik. Fundi dukej qartë, dy djemtë duhej të pranonin atë që iu servirnin ustallarët dhe gjithsesi, rezultati mbetej po ai, në plumb. Por kësaj radhe, jo vetëm si terroristë, po edhe si spiunë të K.G.B.-së. Kësisoj, mund të zgjerohej edhe grupi me elementë të rijnë, nga radhët e atyre që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik; pra, me një gur vrisnin dy zogj.
Po tani, dy djemtë nusëronin përsëdyti. Vunë në zbatim përvojën që fituan nga të dënuarit e vjetër në burgun e Burrelit, duke mos pranuar asnjë nga akuza që iu bënin. Po edhe kjo, s’iu vleu për gjë, se në vend të pafajësisë, i ri dënuan edhe njëherë me vdekje. Më pas, dënimin ua konvertuan në njëzetepesë vjet për secilin dhe sërish, përfunduan në burgje e kampe. Po e vërteta lakuriqe e kësaj tragji-komedie, cila ishte? Ja, sipas fjalëve të tyre;…! Memorie.al