“Arena Kombëtare”, një ëndërr për të gjithë shqiptarët dhe mundësia për t’i treguar botës se futbolli është duke u zhvilluar me hapa gjigantësh në Shqipëri dhe se investimet në fushën e sportit do të jenë edhe pasqyra më e bukur e vendit. Sigurisht, linfa e re ka ardhur nga kualifikimi historik në Europian, ku kuqezinjtë e De Biazit do të jenë bashkë me skuadrat e tjera për të provuar të magjepsin sërish…
Por, tashmë, deri sa të vijë ai moment, “shkopi magjik” për të ndryshuar infrastrukturën dhe për të mos detyruar më tifozët që t’i futen miqësive (të japin qoftë edhe më shumë, për të siguruar një biletë për në stadium, sepse kapaciteti i tij është shumë i vogël) është në duart e kryeministrit Edi Rama.
Premtimi i tij në konferencën për shtyp në Kryeministri është i bindur se do të jetë një strukturë super moderne, madje edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, e pohoi këtë gjë i ftuar në emisionin “Ora Skaner”, teksa tha se projektet italiane janë prezantuar ashtu si edhe modeli.
E megjithatë, gjithçka do të nisë nisë që të marrë jetë nga Janari i 2016. Lajmin e konfirmon anëtari i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishi. Sipas tij projekti nuk do të ndryshojë nga ai që ka paraqitur FSHF, ndërsa po vazhdon puna dhe negociatat për të gjetur një koncesionar.
“Pas 2-3 muajsh, ose më saktë në Janar të vitit të ri 2016 do të nisë që të shembet stadiumi aktual “Qemal Stafa”, mbi rrënojat e të cilit do të ngrihet stadiumi i ri”, është shprehur Dervishi. “Aktualisht jemi duke negociuar për koncesionarin. Ndërsa përsa i përket projektit të stadiumit të ri “Arena Kombëtare” mund të them se nuk do të ketë asnjë ndryshim nga projekti italian që kemi paraqitur”shprehet ai.
Projekti – Projekti italian parashikon një kapacitet prej 22.000 vendësh dhe me të gjitha tribunat e mbuluara. Godina do të përmbajë rreth 14.000 metra katrorë qendër biznesi dhe facilitete të tjera, ndërsa 4000 metra katrorë do të jetë një sipërfaqe në dispozicion të Federatës Shqiptare të Futbollit për zyra dhe nevojat e saj.
Ajo që bie në sy në anën veriore të stadiumit është një kullë e lartë, ku pjesa e sipërme do të shërbejë si restorant ekskluziv i stadiumit dhe një studio televizive trasmetimi.
Shembja mund të zgjasë për afro 6 muaj dhe me nisjen e Europianit të Francës mund të nisë ndërtimi i stadiumit të ri. Përsa i përket financimit, Dervishi u shpreh se ende nuk është vendosur përfundimisht sesi do të jetë skema, por FSHF dhe qeveria do të japin pjesën më të madhe të shumës.
Kujtojmë që kryeministri Rama pas pritjes së kombëtares më datë 12 tetor nga kthimi nga Armenia deklaroi se si dhuratë për kualifikimin ekipi do të ketë një stadium modern, ndërsa në hyrje të tij në një pllakatë do të shkruhen të gjithë emrat e lojtarëve që bënë ëndrrën realitet, kualifikimin në Francë.
Komentet