Të gjithë bashkë…! Edhe pse çdo fundjavë katër pjesëtarët e familjes Gjebrea janë totalisht të zënë me impenjimet e tyre, Elegance ka arritur t’i bashkojë në këtë prag festash, duke ju ofruar kështu për herë të parë mundësinë e një interviste me të gjithë familjen Gjebrea, ndër familjet më të famshme shqiptare. Arditi dhe Anila kanë lënë enkas për ne impenjimet e ‘E diela Shqiptare”, Joni ka udhëtuar nga Viena për intervistën tonë, ndërsa Anna ndihet më e lumtur se kurrë që sheh se shtëpia është plot miq…!
Arditi
Kanë kaluar plot 31 vjet që nga momenti i njohjes së rastësishme në dyert e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, por edhe sot ata vazhdojnë të kenë të njëjtën dashuri, ndoshta më të fortë se më parë, duke i thënë njëri-tjetrit ende të dua, por tashmë çdo ditë. Artisti i madh, showmen-i i spektakleve dhe evenimenteve muzikore, pranon të rrëfejë për herë të parë gjithë sekretet e familjes së tij, melodinë e preferuar për Anilën, jetën plot peripeci që kanë kaluar në Itali, sekretin që e mban gjithmonë në formë, marrëdhëniet me djalin dhe vajzën. Edhe pse është i bindur se ende nuk e ka bërë sakrificën e madhe për familjen, ai ka garantuar gjithçka që jeta e tyre të jetë e mbarë. Po cilat janë vendet e tij të preferuara, veshjet, parfumi dhe gjithçka tjetër që lidhet me jetën tij…?
A e mbani mend momentin kur e keni takuar për herë të parë Anilën, mund të kujtoni ndonjë detaj që ju “ngjiti”?
E mbaj mend si sot! Ajo ishte “dezhurn” tek shkolla “Petro Nini Luarasi” dhe detyra e saj ishte të mos linte njerëz të huaj të hynin në shkollë. Tek dera e shkollës Anila më ndaloi te hyrja, por “prepotenca” prej të riu triumfoi: unë hyra dhe fitova fillimisht zemërimin e saj…, ndërsa më pas simpatinë për kokëfortësinë e saj. Megjithëse që atëherë isha i njohur, ajo nuk pyeti për famën time.
E patët të lehtë t’i thoshit “Të dua” dhe si ndodhi?
Tepër e vështirë ishte “ta fusja në thes”, por më në fund ja dola (qesh)…! “Të dua” e kemi thënë me puthje dhe më pas e deri më sot e themi çdo ditë.
A keni një melodi që iu lidh me kohën e rinisë dhe e keni kënduar vetëm për Anilën dhe askënd tjetër?
Kemi një sinjal fishkëllime më shumë se sa një melodi tonën, ndërsa ajo që kemi vetëm për vete është një këngë që e kam kompozuar me vargjet e saj, e cila do të mbetet vetëm e jona dhe jo publike.
Shumë njerëz e dinë tashmë që ju keni kaluar një pjesë të viteve tuaja në Itali, çfarë kujtoni më shumë nga ajo periudhë?
Përpjekjet për mbijetesë. Ishim vitet ’92 -’94 ku gjithçka lidhej me krizën e tranzicionit shqiptar, ku imazhi refugjat i Shqipërisë paragjykonte çdo bashkështetas, sigurisht edhe ne. Por me shumë përpjekje, u munduam që Jonit të mos i mungonte asgjë dhe për këtë jam krenar që kisha pranë Anilën, e cila nuk u ankua një herë.
A ka një recetë që e mban kaq të freskët një lidhje të gjatë dashurore?
Po, Anila!
Jeni bashkëshorti tipik (mesdhetar) që imponon gjithçka apo preferoni të gjeni konsensus me bashkëshorten?
Kam fat me Anilën, pasi mendojmë thuajse njësoj. Kam gjithmonë konsensusin e saj në gjithçka dhe anasjelltas.
Një vit me Annën sa e ka ndryshuar ajo jetën tuaj, po marrëdhënien në çift?
Totalisht! Një dashuri e madhe dhe ngaqë Jonin e kemi pasur kur ishim tepër të rinj, madje e kemi rritur në kohë të vështira (kujtoj që ka lindur në 1991), Anna është diçka komplet ndryshe. Jemi më të qetë për ta shijuar, për t’i plotësuar gjithçka i nevojitet dhe për të ndarë më shumë kohë me të. Ndërsa në çift, mund të them që e shoh Anilën ndryshe, jo vetëm si bashkëshorte, por edhe si vajzën e dy prindërve që kanë bërë në jetë atë që bëj unë për Annën sot.
Cila është sakrifica më e madhe që keni bërë për familjen?
Nuk mendoj se e kam bërë akoma…!
A keni ndonjë peng që ju ka mbetur ende pa realizuar?
Jo, nuk mendoj se kam ndonjë peng. Gjërat më të domosdoshme për familjen time jam munduar t’i siguroj dhe besoj se ndonjë peng nuk kam.
Duket sikur koha nuk ka kaluar tek ju, sekret gjenetik apo kujdeseni për veten?
Punaaaaaa…! Ky është sekreti më i madh! Në punën tonë duhet çdo ditë energji dhe me sa duket është kjo që më mban me të gjithë motorët ndezur.
Keni mbajtur ndonjëherë dietë apo jeni marrë me sport për të qenë në formë?
Dietë mbaj “non stop” dhe e thyej “non stop”. Blerina (dietologia) më ka vënë regjim të rreptë, që kur nuk rezistoj, kthehet në regjim të përkohshëm. Ndërsa sport bëj me hope, jo vetëm për mungesë vullneti, por mungesë kohe. Varet kujt i jap prioritet dhe në fakt ato orë që do të shkoja në palestër, ja dedikoj perfeksionimit të punës, në rastin konkret “E diela shqiptare”.
Cili është vendi që preferoni më shumë për të pushuar me familjen?
Vlora!
A ka ndonjë restorant në Tiranë apo jashtë saj ku mezi prisni të shkoni?
Kam disa restorante dhe tek secili kam ushqimin tim të preferuar, por vendi ku mezi pres të ushqehem është shtëpia ime, ku mamaja dhe Anila kanë një konkurencë të paparë në kuzhinë. Ai që përfitoj jam unë… (qesh)!
A shkoni shpesh për shoping, ku dhe cili është konsulenti juaj personal i modës?
Shopping bëj pak, por gjithmonë gjërat e mia preferoj t’i blej vetë. Shpesh herë, kur i provoj rrobat, marr aprovimin e Anilës, së fundmi kur jam me Jonin e pyes edhe atë.
A keni një linjë veshjesh të preferuara, po parfumi?
Nuk shikoj firmat e stilistëve, por mjafton të më pëlqejë veshja dhe pse mund të jetë e panjohur, mjafton të më qëndrojë mirë në trup. Sigurisht, bëj kujdes edhe me çmimet. Ndërsa me parfumet bëhem çorap fare. Më pëlqen t’i përziej dhe të krijoj një aromë, e cila nuk merret vesh se çfarë është. Ajo që ndodh në fund është të më pyesin: Sa aromë interesante, çfarë është? E si t’i përgjigjem???!!!!
Komentet