Në dhjetëvjetorin e vdekjes së Presidentit Rugova
Ka të ngjarë që rrallëherë në histori ta ketë bekuar jeta një njeri, duke e pajisur me të gjitha vlerat morale e intelektuale, si Ibrahim Rugovën, prijësin emblematik te shqiptarëve, në kapërcyell të shekullit që e lamë mbas. Vyrtytet e tij prej intelektuali humanist, shkencëtari erudit, politikani pragmatist dhe burrështetasi e strategu vizionar, bënë që Ibrahim Rugova të radhitet, që në të gjallë të tij, në mesin e figurave më të shquara botërore.
Ibrahim Rugova u shfaq në nënqiellin e Kosovës si një Njeri i Veçantë, në një Kohë të Veçantë, ashtu siç shfaqen në këtë botë një herë në njëqind vjet Njerëzit e Mëdhenj. Ai iku nga kjo botë, poashtu, siç ikin Njerëzit e Mëdhenj, i heshtur e modest, posi një Profet, sapo e kreu Misionin e vet, Projektin e tij të Madh, çlirimin e Dardanisë së tij Antike nga pushtuesi shekullor sllav.
Si u shfaq në Zezonën e Madhe të Kosovës, Njeriu i Urtë, pacifisti i shpallur nga Perëndimi, dhe, siç tha me të drejtë një mik i tij këto ditë, ‘nacionalisti i kultivuar’, Ibrahim Rugova?
Pasi u shqua si një personalitet i veçantë, në vitet ’70, në Qarkun Kulturor të Prishtinës, në brezin që po bënte një kthesë të guximshme në fushën e mendimit kritik letrar dhe artistik shqiptar, duke e sfiduar shkollën e realizmit socialist, ose më mirë të thuhet atë antishkollë ideologjike, dhjetë vjet më vonë, Ibrahim Rugova po ngritej në skenën politike shqiptare të Kosovës, me poaq guxim, si një ideolog vizionar, me një platformë moderne politike, me Durimin si strategji dhe Pritjen si taktikë, dy postulate këto që vinin nga rrënjët e etnopsikologjisë shqiptare dhe të cilat, për fat të mirë, ishin në sinkroni me konceptin politik tē botës demokratike perëndimore.
I “gjeti” Prijësi shqiptarët siç i donte Ai, apo “e gjeten” ata Prijësin siç e donin vetë?
Ndodhi si në baladat e rinjohjes.
U bë publik pakti i heshtur; Ti do t’i prijsh “durimit” tonë, ndërsa ne do të respektojmë “predikimin” Tënd!
Kosova e kishte “humbur orën”. Ishte degraduar hovshëm jeta sociale e shqiptarëve nga goditja brutale e Beogradit hegjenomist. Pak, edhe me fajin e udhëheqjes së vet të përgjumur. Papritmas ngeli edhe pa Qeveri të besueshme, ndërkohë që Shoqata e Shkrimtarëve u bë qeveri e re morale e Kosovës, me Rugovën në krye të saj. Ai vinte aty me një bagazh kulturor e shkencor modern, si dhe me vyrtyte klasike morale shqiptare. Shoqatës së Shkrimtarëve, pra, asaj që ishte një Lidhje, një bërthamë kulturore për shumë vjet, i kishte rënë hise të bëhej edhe bërthamë politike. Ndaj, pikërisht në zyrat e saj u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i saj, i partisë së parë demokratike me atribute nacionale në Gadishullin Ilirik.
Më në fund e gjetën shqiptarët Prijësin e vet. Misioni i Prijësit ishte i rëndë; atë mund ta bartte mbi shpatulla vetëm ai që besonte dhe ishte i vendosur të mos tërhiqej nga synimi, për asnjë çast dhe për asnjë çmim.
Ky akt, në fakt, e kishte një prelud. Gjashtë muaj më parë, atëherë kur lidershipi autonom shqiptar i Kosovës e kishte çliderizue dhe çburrënue vetëvetën, duke e “çarë lisin me pyka nga trungu i vet”, Prijësi i Kosovës, pacifisti Ibrahim Rugova, do të jepte një mesazh, aspak pacifist:
“Në qoftë se Serbia do të përpiqet përsëri të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë një kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë një popull i vogël. Në të kaluarën sa herë që një popull i vogël është përpjekur të luajë rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e tij”, i kundërpërgjigjej Rugova vozhdit serb, më 26 qershor 1989, në gazetën gjermane Der Spiegel, ditën kur “Kasapi i Ballkanit” po i kërcënonte shqiptarët që kishin vendosur të mos i nënshtroheshin Beogradit.
(Atë ditë Millosheviqi kishte mbledhur, siç propagandonte media serbe, një milion serbë në Fushë – Kosovë, në kremtimin (!) e 600 vjetorit të humbjes së Betejës Mesjetare të Kosovës. Jehona e brohoritjeve dhe kërcënimeve nga serbët vendorë dhe të ardhur nga Serbia, shkonte deri në qiell).
Ibrahim Rugova me këtë akt ishte bërë Emblema e Kosovës.
Tashti ishte hapur rruga. Pakkush mund ta ketë ditur, ndoshta as ai vetë, se kjo rrugë do të ishte shumë e gjatë dhe e mundimshme, plot sakrifica, personale e kolektive, plot kthesa të papritura, me ngritje e rënie, me ringritje dhe rënie të sërishme mareriale e morale, deri në zgripc të zhdukjes.
Por, Kosova do të bëhej, thoshte çdo ditë Presidenti. Do të bëhej, sepse po u vinte “radha popujve të shtypur”, siç tha një tjetër mendje e ndritur shqiptare lidhur me Kosovën, në prag të luftës.
Jemi vetë ne dëshmitarë për zhvillimet e mëvonshme në Kosovë.
I takon merita Presidentit Rugova që arriti të ruante qetësinë dhe unitetin, bashkë me këto edhe substancën kombëtare, në një kohë që ishte tepër vështirë të ishe shqiptar i Kosovës, kur dinjiteti jo vetëm nacional, por edhe njerëzor po përdhosej çdo ditë nga barbaria serbe.
I takon merita Presidentit Rugova që për një decenie e organizoi një rezistencë paqësore aktive, duke refuzuar në mënyrë absolute institucionet e regjimit serb dhe duke ngritur institucione paralele shqiptare, për të mbajtur gjallë frymën e lirisë, por edhe ekzistencën fizike të shqiptarëve në Kosovën e pushtuar.
I takon merita Presidentit Rugova që Kosova nuk u implikua në luftërat idiotike, të shkaktuara nga Sebia, midis republikave sllave, motra midis tyre, me gjithë “pëshperitjet” bukur të zëshme, si dhe yshtjet për rebelim, që vinin nga qarqe të ndryshme, madje edhe brendashqiptare, që të hapej edhe “Fronti i Jugut”.
(Ne e kemi vendin tonë, Kosovën tonë. Ne nuk duam luftë. Kosova duhet të mbrohet nga një Forcë Ndërkombëtare. Kosova duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Pikë).
Kjo ishte motoja dhe mesazhi i përditshëm i Presidentit Rugova.
I takon merita Presidentit Rugova që arriti ta internacionalizonte çështjen e Kosovës në të gjitha qarqet politike e shtetërore ndërkombëtare dhe sidomos në qendrat e vendosjes. Si një politikan modern, ai nuk e kultivonte trillin e “gjetjes” dhe goditjes së “miqve të moçëm” të armiqve të shqiptarëve. Ai kishte prirje pozitive, me urtësi kërkonte miq, kudo që ishin ata, duke spikatur në gjetjen e Mikes më të Madhe të shqiptarëve, SHBA-në, vendin e Lirisë, “shpresën e fundit të njerëzimit”, siç ka thënë me një rast për Amerikën e shtrenjtë, Presidenti Abraham Lincoln.
Presidenti Rugova i ishte mirënjohës, në kuptimin proverbial, Amerikës, shpëtimtares së kombit shqiptar, tashmë një shekull, pa i harruar asnjëherë demokracitë perëndimore, vendet e Bashkimit Evropian, ato që e ndihmuan dhe e po e ndihmojnë kaq shumë Kosovën.
Një tipar dallues që e ka stolisur portretin moral të Presidentit Rugova dhe figurën e tij prej Trimi të Urtë, është fakti se Rugova nuk luajti vendit, në çastet më të vështira – qëndroi në Kosovë, në zemër të saj, derisa u kap peng në rezidencën e tij, nga forcet militare serbe. Akti i qëndrimit të tij në Kosovë, së bashku me familjen, është një dëshmi e gjallë e përgjegjshmërisë së tij për vendin dhe popullin e Kosovës. Ne, që jemi këndej Atlantikut, e kemi dëgjuar shpesh në takimet me komunitetin përgjigjen e tij, kur dikush “nga trimat” e nagcmonte, le të besojmë, pa të keq, “si guxonte të rrinte në Prishtinë e të fliste aq ashpër kundër regjimit serb”.
“E kam tankun serb, jo më larg se dy-treqind metra shtëpisë dhe nuk frikësohem. S’kam ku shkoj përtej shtëpisë sime. Ne po ndjekim politikë paqësore, ndaj do ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë, sepse pavarësia është e vetmja zgjidhje për Kosovën. Ne do të fitojme”, thoshte ai qetësisht.
Liria erdhi; e përgjakur e me dhimbje nga më të rëndat e shpirtit.
Me çmim shumë të lartë e të pakompensueshëm. Ndoshta vetëm respekti ndaj Saj, pra ndaj Lirisë, mund ta kompensojë sadopak sakrificën sublime të të gjithë atyre që ranë në Altar dhe veçanërisht fëmijëve njomakë, grave të dhunuara nga barbarët, pleqve të martirizuar, si dhe të gjithë atyre të zhdukurve, të mbetur pa asnjë nishan.
Ibrahim Rugova, prijësi legjendar, po shuhej nga një “sëmundje e keqe”, që vdektarët hezitojnë t’ia thonë madje edhe emrin. Ai, siç ishte, e tha trimërisht dhe publikisht. Do tërpiqem ta luftoj, tha. Por, fatkeqësisht, s’ia doli, se nuk ishte në dorën e Tij.
Atë ditë janari të acartë, më 21, 2016, qindamijëra njerëz, me lotë të ngrirë, po e përcillnin Heroin e tyre, në një heshtje qiellore, në kortezhin funebër, drejt Velanisë së Dardanisë. Qinda burrështetas të Botës së Lirë, si dhe mijëra njerëz të shquar të shkencës dhe kulturës, i përkuleshin Prijësit të shqiptarëve, personalisht fizikisht, si dhe nga larg.
Ai e meritonte përkuljen.
Ibrahim Rugova ishte i lidhur si Anteu mitik me Tokën. Toka, Guri, Shtëpia, Miku, Flamuri – këto ishin Shenjat e Tij të Mëdha.
Dhe, fare në fund. Pse ishte i këtillë Ibrahim Rugova?
Nuk mund të thuhet me saktësi cilët ishin faktorët që ndikuan në krijimin e personalitetit të Ibrahim Rugovës. Mund të thuhet, ndërkaq, se ishin dy faktorë ndërveprues, ndoshta vendimtarë që kanë përcaktuar rrugën e tij jetësore, krijuese e politike: prejardhja familiare dhe formimi i tij kulturor perëndimor.
Ibrahim Rugova, jetimi nga Cerca, qyshkur u bâ me dijtë, nuk do të pushonte për asnjë çast së kërkuari me mendje, ditë e natë, eshtrat e babës dhe gjyshit, që të dytë të masakruar e të zhdukur pa nishan, nga ana e ushtrisë çetnike serbe, e maskuar me kapota partizane, në Istog.
Por, ai s’arriti t’i gjente kurrë.
Ibrahim Rugova do të burrërohej para kohe. Do ta “ruente Nâna”, siç thuhet në Kosovë për nënat që rrisin fëmijë jetimë. Do ta rriste Nâna Sofë me vuajtje dhe besim se një ditë do t’i dilte Zot shtëpisë, pa e ditur se po e rriste një djalë që kur do të bëhej burrë, do t’i dilte Zot, jo vetëm shtëpisë së tij, por Tokës së pushtuar e të larë me gjak, shekuj me radhë, Dardanisë Antike – zemrës së Ilirisë, duke u bërë një Emblemë e saj e përjetshme.
Prijësi i Kosovës mbante emrin e një Profeti dhe mbiemrin e një Mali, bjeshkës që takohet me Qiellin.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i Tij.
——–
New York, 21 janar 2016
Komentet