Bisedoi Keze Kozeta Zylo
Për Luftën e Kosovës s’më mbante vendi, dhe pyesja komandantët për ndonjë mundësi të shkoja në Kosovë. Doja të shkoja vullnetar…
Z.Vuthi perpara se të shkojmë nëpër luftëra le të sjellim për publikun fëmijërinë tuaj e cila duhet të ketë emërues të përbashkët paqen. Si e keni përjetuar atë dhe na sillni disa momente të rëndësishme duke filluar me familjen?
Fëmijëria ime ka qenë e zakonshme si çdo fëmijë shqiptar i asaj kohe. Edhe pse ishim më të varfër, unë e kujtoj me kënaqësi kohën kur rrinim “rrugëve” gjithë ditën dhe luanim. Për mua kështu duhet të jetë fëmijëria. Ishim më të lumtur them unë. Mbase të gjithë fëmijët jane më të lumtur sesa të rriturit, kush e di?
Kur erdhët në Amerikë dhe cili ka qenë frymëzuesi juaj për të shkelur tokën e ëndrrave?
Në fakt s’kam pasur ndonjë pikënisje konkrete. Çështja ishte se vetëm Amerika pranonte emigrantë të llojit tim “politik” meqë isha “arratisur”. Çudi, nejse neve kështu na thonin nëpë zyra në Greqi. Sigurisht Amerika kishte reputacionin e vendit të madh, të fuqishëm dhe të krijuar nga emigrantë, por mbi të gjitha jam shumë mirënjohes që ishte vendi i vetëm që na hapi derën.
Cilat kanë qenë impresionet e para kur erdhët në Amerikë?
Në fillim erdha në NY. Kishte zhurmë e tym. Isha si i hutuar, mbingarkim informacioni, torturë e vërtetë. Habitesha dhe me të gjitha racat dhe ngjyrat që shikoja rrugës.
Çfarë mund të kujtoni rreth jetës suaj në Amerikë?
Kujtime ka shumë të mira dhe të keqia si kudo, por padyshim momentet që venë në antitezë të shkuarën tonë në Evrope (përfshi këtu dhe Greqinë ku jetova 2 vjet duke pritur për vizën e Amerikës). Unë them se Amerika është më pak nacionaliste dhe të jep më shumë mundësi që të ingranohesh me jetën si një vendas. Një shembull do te ishte të shkuarit në Universitet pa ndonjë pengesë.
Pastaj përjetimi më i fuqishëm është kur mora nështetësinë amerikane.
Si arritët të futeshit në ushrinë amerikane dhe cilat ishin detyrat tuaja ushtarake?
Në ushtri kam hyrë rastësisht, pasi lexova në një lajmerim ku shkruhej: “Fito mundësi të trainohesh në një profesion, 30 ditë pushime në vit, mundësi të shkosh në Universitet, mundësi të udhëtosh nëpër botë, siguracion mjekësor dhe dentar”. Mua m’u duk si ëndërr. U paraqita dhe më pyetën a isha jetoja legalisht në Amerikë? Pastaj më thanë: -Do të hysh në ushtri? -Unë thashë “PO” dhe siç thonë këtu “The rest is history”.
Si ushtarak çfarë mendoni se i keni dhënë Amerikës, Shqipërisë dhe botës?
Në fillim i kam dhënë atë që më kërkoi, pra te mbaroj kontratën time në menyrë të rregullt, me disiplinë etj. Shqipërinë mbase e bëra më të njohur ndër rreshtat e ushtrisë amerikane kur më pyesnin nga isha, dhe mbase duke qenë ushtar i mirë i jepja dhe Shqipërisë emër të mire.
Cilat janë disa nga momentet më të vështira të Luftës që ju keni përjetuar së bashku me shokët tuaj?
Pa tjetër që kur kemi humbur shokët në betejë, por edhe kur shkonin në terren duke përballuar mina apo pusi. Por i ndanim bashkë hallet, dhe është mirë që të jesh pjesë e “skuadrës”.
Ishim gati të ndihmonim njeri tjetrin.
Keni pasur shqiptarë në krah tuaj?
Pak, nga mesi i karrierës time njoha 3-4 përnjëhërësh. Kam dëgjuar dhe për të tjerë. Më vonë u bë fare diçka e zakonshme për shqiptarët të hyjnë në ushtri. Në shumë raste kërkoja dhe gjeja shqiptarët e Kosovës ose Maqedonisë që punonin si kontraktorë civilë për ushtrinë dhe me ata rrija e haja në kohë të lirë. Ju jam shumë mirënjohes që i kisha atje dhe më përkrahën, ma bënë më të lehtë të gjithë përvojën. Dy herë kemi organizuar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Iraq dhe Afganistan.
Çfarë feste madhështore u bë!
Pastaj kam takuar ushatrë të ushtrisë shqiptare në Gjermani për manovra ushtarake.
Djem e vajza të shkëlqyeshëm.
Po Luftën e Kosovës për Liri si e keni përjetuar?
Në atë kohë s’më mbante vendi, dhe pyesja komandantët për ndonjë mundësi të shkoja në Kosovë. Doja të shkoja vullnetar, por nuk ndodhi se lufta më të shumtën u bë nga ajri, dhe më vonë ishin trupat rezerviste që shkuan në Kosovë. Nejse do të doja shumë të isha i përfshirë direkt.
Keni kontakte me ish ushtarë të UCK-ës?
Kam takuar shumë prej tyre ose fëmijët e Dëshmorëve të Luftës së Kosoves, mbaj kontakt, posi.
Si veteran lufte i Amerikës cilat jane disa nga vlerësimet që keni marrë?
Në fakt janë dy luftëra dhe një “konflikt” që në gjuhën e ushtrisë nuk konsiderohet zonë kombative ose përleshje, por asnjë se dinte këtë nga ushtarët dhe përgatitja ishte sikur për luftë të vërtetë. E kam fjalën per Bosnjën. Dy të tjerat Iraku dhe Afganistani ishin luftëra me plot kuptimin e fjalës.
Për çdo betejë kam marrë medaljet që i takojnë asaj beteje.
Cili është edukimi që keni marrë në Amerikë?
Kam mbaruar për Physician Assistant (PA), në Akadmine e Mjekësisë së Ushtrisë Amerikane, një nga shkollat më strikte. Kam dëgjuar se ja kalon dhe Universitetit të famshëm; Yale. Tani po punoj për doktoraturë.
Jam i specializuar në mjekësi të pëgjithshme dhe Psiqiatri. Plus kurse të panumërta të mjekësisë së luftës, reanimator, dhe mjekësisë së ndërhyrjes së shpejtë (Emergency Medicine).
Cilat janë përshtypjet tuaja për Shqipërinë gjatë vizitave tuaja në Atdhe?
Me çdo vizitë më shtohet malli më shumë, dhe e dua ende më shumë; sikur bëhem edhe më patriot.
Dhe së fundi na flisni për familjen që keni krijuar në Amerikë?
Jam i martur prej mbi 20 vjetësh. Gruan e kam shqiptare nga Fieri, kam djalë dhe vajzë 18 dhe 14 vjeç.
Ju faleminderit dhe shumë urime i nderuar z.Vuthi!
11 shtator, 2017
Staten Island, New York
Komentet