Kapja dhe vrasja e Nuredin Dumanit, gjatë periudhës korrik-nëntor 2020, ishte kthyer ndër prioritet kryesore të grupit të Dubait, që drejtohet nga vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.
Gjatë kësaj kohe grupi impenjohet në mënyrë sistematike të gjejë njerëz, dhe njeriu që vepronte në teren për të lidhur marëveshjet për llogari të Francit, ishte Arben Lamçja.
Ky i fundit nuk është i panjohur për policinë kriminale dhe SPAK-un, që aktualisht e akuzon për “Sigurim të kushteve për të kryer vrasje” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.
Lamçja që njihet ndryshe dhe me mbiemrin “Dobrova” u arrestua dhe u ekstradua tre ditë më parë nga Kosova, ndërsa kjo nuk është eksperienca e parë e tij me drejtësinë Shqiptare.
Fillimisht emri i tij del në regjistrat e dënimeve të gjykatave Italiane, pasi në muajin Mars 2011, ai është dënuar nga gjykata e Breshias me 12 vite burgim për akuzën e Shfrytëzimit të prostitucionit dhe “Bashkëpunimit kriminal”.
Fakti konsistonte në shfrytëzimin si prostitutë të një shtetase të huaj gjatë periudhës nëntor-dhjetor 1999 deri në shkurt 2000.
Por ky dënim është rritur dhe me dy vite të tjera nga Gjykata e Apelit të Breshias, duke e dënuar Lamçjan me 14 vite burgim.
Arben Lamçja, është ekstraduar në Itali me qëllim vuajtjen e dënimit, por për shkak të një amnistie, ai ka vuajtur vetëm 3 vite burgim.
Më datë 8 nëntor 2011, Sektori Kundër Krimit të Organizuar dhe të Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë Elbasan, ka kryer arrestimin e Arben Lamçja, mbi bazën e urdhër arrestit nr.6559/00 R GIP, datë 26 mars 2011, të lëshuar nga Gjykata e Brescia, Itali.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka regjistruar procedimin pasuror të vitit 2011 ndaj shtetasit Arben Lamcja, duke hetuar për pasuritë e tij dhe te afërmeve te tij, për periudhën 2000-2011 e ne vijim.
Por kjo çështje në vijim nuk pati sukses pasi u venit rrugës dhe të gjitha pronat e sekuestruara u kthyen sërisht pas.
Duke analizuar komunikimet në aplikacionin “Sky”, ka rezultuar se Arben Lamçja ka pasur kontakte të vazhdueshme me njërin nga vëllezërit Çopja, Franc Çopja.
Ky i fundit e udhëzon Lamçjan të gjejë njerëz në mënyrë që kundrejt pagesës të vrasin Nuredin Dumanin, pasi i kishte nxjerë shumë probleme.
Sipas Francit, të gjithë këta, Nuredin Dumani dhe Dashnor Dumani, kanë qënë në krahun e tij por gjërat u prishën dhe i kanë dalë jashtë binarëve, për një gjë kot, për punën e një makine që mori ai i shkurtri.
Por Franci i thotë Benit se tashmë Nuredin Dumani ka kaluar në krahun e kundërshtarit të tij dhe personin që e ka problemin në Shqipëri, Erjon Alibej (Krymi).
Për realizimin e kësaj ngjarje janë zhvilluar biseda ndërmjet Franc Çopjas dhe Arben Lamçja, ku Franci ofron në rastin e parë 1 milion euro. Ndërsa në rastin e dytë ofrohen 250 mijë euro për lokalizimin dhe gjetjen e Nuredin Dumanit si dhe 500 mijë euro për vrasjen e tij, me qëllim nxjerjen jashtë qarkullimit. Në total 750 mijë euro.
Në rastin e parë Arben Lamçja mer takim me një person që quhet Asllan dhe besohet se është mik i ngushtë i Nuredin Dumanit, tashmë i arrestuar tek operacioni “Plumbi i artë”.
Franci i thotë Arbenit që të takojë Asllanin me qëllim marjen e informacionit apo ndonjë indicie se ku mund të ndodhet, Nuredin Dumani.
Madje ai i ka kërkuar Benit që ti ofrojë 1 milion euro Asllanit për ta vrarë, vetëm të iki Nuredini nga qarkullimi.
Ndërkohë në 7 Tetor 2020 Arbeni e informon Francin se është takuar me Asllanin dhe se ai është gati të bashkëpunoj me to. ”…sa u ndava nga Asllani, për të mirë është muhabeti. Gati e kena Asllanin, të s’qaroj mas dite…”- i thotë Beni, Francit.
Por organizata nuk ka varur shpresat vetëm tek goditja e Nuredin Dumanit përmes Asllanit. Kjo pasi një plan i dytë vihet në zbatim, ku dyshohet se një skuadër policie vihet në veprim, e cila është në gjëndje të gjurmojë edhe përmes përgjimeve që kryejnë vetë.
Në 29 tetor 2020, Arben Lamçja i tregon Franc Çopja se atë ditë është takuar me një person, me të cilin ka biseduar në lidhje me një çështje për të cilën Arben Lamçja dhe Franci, janë takuar dhe biseduar në Dubai, në tetor 2020.
Sipas Arben Lamçja, personi me të cilin ka biseduar e ka marrë përsipër të bëj punën por fillimisht i duhet të gjej makinën që ai lëviz, një numër telefoni ose vendodhjen e tij.
Arben Lamçja, i tregon Francit se personi është komandant grupi dhe se i do me 1000 për qind të sakta të dhënat e personit.
Franc Çopja, i tregon Arben Lamçja se është një person që takon atë (Nuredin Dumanin) dhe merret me automjete (Auto Borova) dhe më pas i ka dërguar dhe foton e shtetasit, Vilson Balla.
Sipas Arben Lamçja personi që ka takuar i ka sugjeruar që informacioni që do i japin të jetë i saktë pasi ai do vej njerëz në lëvizje që të bëjnë ndjekjen e personave pasi duhen ruajtur. Arben Lamçja e pyet Francin se sa lekë do ti premtojnë këtij personi lidhur me këtë punë.
Dy ditë më pas në 1 nëntor 2020, Arben Lamçja i tregon Francit se është takuar me personin që ka marrë përsipër ekzekutimin e Nuredin Dumanit.
Sipas Arben Lamçja, personit që ai ka kontaktuar i ka ofruar 250.000 Euro për kapjen e Nuredin Dumanit dhe 500.000 Euro për ekzekutimin e Nuredin Dumanit.
Arben Lamçja, i thotë Francit se personi që ka marrë përsipër ekzekutimin e Nuredin Dumanit i është shprehur se ato kanë përgjimet e veta, duke krijuar dyshime se personi është punonjës i strukturave policore.
Nga bisedat evidentohet se, personi i cili ka takuar Benin javët në vijim para se të bëjnë punën (ekzekutimin) ka kërkuar që ta njoftojnë me qëllim që të lëvizin personin që do ruaj atë.
Franci i ka treguar Arbenit, se Nuredin Dumani është takuar ditën e djeshme me Ilirjan Feçin nga Kavaja dhe i ka dhënë porosi për të ekzekutuar Dine Çamin (Abedin Maman).
Sipas Francit ka shumë mundësi që Nuredin Dumani të jetë në zonën e Kavajës dhe të jetë tek shtëpia e Ilirjan Feçit.
Sipas Francit, dy pikat më të mundshme ku mund të jetë Nuredin Dumani janë shtetasit Vilson Balla dhe Ilirjan Feçi.
Në vijim të bisedave Arben Lamcja i tregon Franc Gergely se është takuar personin që ka marrë përsipër vrasjen e Nuredin Dumanit dhe se i ka dhënë emrat e personave Vilson Balla dhe Ilirjan Feçi.
Në vijim Arben Lamçja, i shkruan Francit se, personi që ka marrë përsipër ekzekutimin e Dumanit, tani do turret vetëm i duhet pak kohë.
Ndërkohë në 30 nëntor 2020, Arben Lamcja i tregon Francit, se është takuar me personin dhe se ai po punon së bashku me persona të tjerë dhe se rëndësi ka që Nuredin Dumani, mos të ketë lëvizur nga Shqipëria.
Për këto dy episodet SPAK ka ngritur ndaj Franc Çopja dhe Arben Lamçja akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” ndaj Nuredin Dumanit i cili është një tjetër vrasës me pagesë. /Ora News