Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka sqaruar se ai nuk ka votuar fare për zgjedhjen e Hashim Thaçit President. Gashi tha se qëndrimi i tij në sallë nuk ka bërë kuorum për Thaçin. Ai tregoi edhe çfarë ka kërkuar shefi i partisë nga ai.
“Kishte shumë tension, sidomos në raundin e parë. Më është kërkuar që të marr pjesë në votim, sepse ka mungesë kuorumi. Unë ju thash qartë se nuk do të marr pjesë në votim, sepse e vlerësoj se nuk është e duhur”, ka treguar Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Unë e kam paralajmëruar edhe më herët se ka disa modalitete për ndaljen e zgjedhjes së Thaçit President. Një modalitet ka qenë të mos marrësh pjesë në sallë dhe një modalitet tjetër është të qëndrosh në sallë, por të mos bësh kuorum. Unë kam qëndruar aty, por nuk kam bërë kuorum, as unë as Ilir Deda dhe as zoti Fisnik Ismaili kur ka hyrë në sallë. Nëse nuk janë 80 vota në kuti atëherë nuk ka kuorum”, ka shpjeguar Gashi.
Ai ka treguar edhe përse qëndroi në sallë.
“Unë qëndrova në sallë sepse isha i vendosur të jem pranë kolegëve të mi dhe të ndikoj aty. E pamë që në raundin e parë zoti Thaçi kishte vetëm 50 vota, kurse pas daljes së zotit Deda ra entuziazmi”.
Gashi tha se “LDK-ja ka marrë vendim për ta zgjedh zotin Thaçi president, disa deputetë e kanë respektuar këtë vendim dhe i respektoj të gjithë ata, disa kanë vendos të mos e respektojnë vendimin e partisë duke mos ardhur fare në seancë, disa duke qëndruar në seancë, por duke mos marrë pjesë në votim”.
“Shumë njerëz nuk e kanë kuptuar procesin e votimit dhe ata që janë shprehur me mllef i kuptojë, por unë e kam sqaruar në Facebook qëndrimin tim”.
Gashi tha se deputetët e partisë së tij nuk e shohin Hashim Thaçin si njeriun e duhur për President, por ata është dashur të votojnë, sepse kështu ka vendosur kryesia e LDK-së.
“Ka pasur një vendim të kryesisë së partisë se duhet të votohet zoti Thaçi për President dhe në anën tjetër ka pasur deputetë që nuk kanë dashur ta votojnë dhe ta pamundësojnë”, ka thënë Gashi.
“Shumica e deputetëve të LDK-së kanë pasur bindjen që zoti Thaçi nuk është njeriu i duhur për President dhe kanë pasur vullnetin për ta pamundësuar këtë, por janë ballafaquar me një vendim të partisë që ka dalë nga marrëveshja e koalicionit”.
Ai tregoi edhe çfarë ka kërkuar shefi i partisë nga ai.
“Zoti Mustafa ka kontaktuar me mua në raundin e parë dhe më ka kërkuar të marrë pjesë në votim”, ka treguar Gashi.
Gashi, i cili tha se nuk e ka votuar Thaçin për President, tregoi se Mustafa biseda të tilla ka pasur me të gjithë deputetët e LDK-së, të cilëve iu ka kërkuar të votojnë për Thaçin, që vendi të mos shkojë në zgjedhje.
“Unë i sqarova zotit Mustafa se fakti që nuk ka kuorum në raundin e parë dhe të dytë nuk do të thotë që shkojmë menjëherë në zgjedhje. Pasi raundi përsëritet deri sa të ketë kuorum. Por nëse edhe raundi i tretë do të dështonte do të shkonim në zgjedhje”.
Gashi ka shpjeguar edhe prapaskena dhe momente të tjera gjatë seancës së jashtëzakonshme kur Thaçi u zgjodh president.
“Kam pasur informacion më herët për deputetët e LDK-së që nuk do të marrin pjesë në sallë. Ata kanë vendos vetë se mënyra më e mirë për kundërshtimin e zotit Thaçi është mospjesëmarrja në votim”.
“Më kanë dërguar mesazhe, më kanë thirrur që të dalë të votojë, unë ju kam thënë që mos më thirrni sepse nuk dalë”, ka pohuar Gashi.
Komentet