Nataliya Apostolova kërkon nga udhëheqësit politikë në Kosovë të formojnë një qeveri të qëndrueshme që do t’i shërbejë interesave të popullit
PRISHTINË – Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova kërkon nga udhëheqësit politikë në Kosovë të formojnë një qeveri të qëndrueshme që do t’i shërbejë interesave të popullit..
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e BE-së në Kosovë, thuhet se Apostolova pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, përgëzoi popullin dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Ajo po ashtu u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i marrin seriozisht rekomandimet e Misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe t’i zbatojnë ato në mënyrën e duhur.
“Tani është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të dëgjojnë qytetarët e tyre dhe të formojnë një qeveri të qëndrueshme që do t’i shërbejë interesave të popullit. Kosova përballet me shumë sfida, duke filluar nga papunësia e lartë dhe sistemi arsimor me performancë të ulët, deri te korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit, të cilat mbeten pengesë për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë. Prandaj është e rëndësishme që liderët politikë t’i marrin seriozisht këto sfida, të formojnë një qeveri të fortë dhe të fillojnë reformat që populli i kërkon”, ka thënë Apostolova.
Duke rikujtuar takimin e përfaqësueses së Lartë dhe nënkryetares së Komisionit Evropian Federica Mogherini me presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Apostolova tha se kjo rikonfirmon angazhimin e BE-së për perspektivën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së.
“Ne presim zbatimin pa vonesë të marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë qytetarët e Kosovës”, thekson ajo.
Pa marrë parasysh se kush e formon qeverinë e re, Apostolova thotë se BE-ja pret një përshpejtim dhe zbatim të axhendës për reforma të BE-së.
“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Njerëzit e Kosovës presin një udhëheqje të përgjegjshme që do të bëjë përparime të rëndësishme përgjatë rrugës evropiane. Tani u takon atyre udhëheqësve që ta bëjnë këtë”, ka thënë së fundmi Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ndryshe, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Republikës së Kosovës certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që u mbajtën më 11 qershor 2017, pas marrjes së konfirmimeve nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe nga Gjykata Supreme se në këto institucione nuk ka ndonjë çështje për të vendosur. aa
Komentet