Të jem i sinqertë, nga fundi i viteve ‘80, pas vdekjes së Enver Hoxhës, si nëpunës i thjeshtë shteti, por edhe si gazetar e shkrimtar, kisha filluar të shpresoja, bile dhe të ëndërroja se çunat e Bllokut mund të kërkonin e realizonin ndryshime të ndjeshme edhe për Shqipërinë tonë, të paktën një kozmetikë të lehtë të diktaturës. Kisha parasysh edhe djalin e pabindur të Stalinit dhe vajzën e tij, e cila e donte shumë t’atin dhe ai e kishte idhullin e vet, por nuk pajtohej në shumë gjëra me regjimin e tij. Edhe më e guximshme ka qënë e bija e Kastros, që, për shkak të mospajtimit me t’atin, e braktisi Kubën dhe jetonte në Belgjikë, duke e kritikuar ashpër regjimin e Kastros. Shtrohet pyetja: pse e lidh këtë me Ramën? Sepse nga fundi i dekadës së nëntë, vitet e fundit të ’80-ës, kur unë nuk i ndahesha gazetës Drita, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, kam lexuar, ku e ku, shkrime të tij, që shfaqnin një farë rebelimi ndaj kornizave të ngurta të realizmit socialist në letërsi dhe arte. Ishin shkrime që mua më entusiazmonin dhe më ngjallnin shpresë. Po aq më tërhoqi vëmëndjen kur Rama u bë Ministër i Kulturës sipas meritokracisë së Nanos, të cilën patriarku i Partisë Socialiste, Dritëro Agolli, e quajti “shkërdhatokraci” . Edhe në atë post ai filloi të shfaqej sërish i rebeluar. Më kujtohet kur nga foltorja e parlamentit stigmatizonte shkrimtarin e shquar, që e ngacmoi, duke recituar ca vargje nga poema “Komunistët”. Edhe më shumë stigmatizonte në takimet për teatrinistët disa aktorë e artistë të gjeneratës së vjetër, me shprehje të tilla, si: “Rri ti, hesht, se je shumë i lodhur”, “S’do rri të merrem unë me ngjyrën e breçkave të teto Ollgës”, “Ik ore ti, fshatari me leshra të gjata” etj. si këto, që të bënin të qeshje para televizorit. Nuk mund të lë pa përmendur edhe kur doli, doli si doli, në krye të PS-së, tek fliste për pastrimin e PS-së nga “xhaketat e vjetra”, gjë që e realizoi pjesërisht. Pastaj pati dy fitore të bujshme 2013 e 2017, kur, në të dy rastet, në fjalimet inauguruese u tregua xhentelmen dhe shtetar i vendosur, por në kujtesë më ka mbetur vetëm reforma për energjinë elektrike. Por koha tregoi se dy fitoret e njëpasnjëshme e bënë euforik, arrogant, duke nëpërkëmbur shumë të drejta demokratike të qytetarëve të thjeshtë dhe duke pasuruar shumë një kastë pasanikësh. Lëvdatat pa kufi të ca injorantëve, servilëve dhe puthadorëve nuk i injoroi dot, përkundrazi mori pozën e një perandori grotesk. Në Vlorë u bë Ismail Qemal dhe në Krujë u bë Skënderbe.
Por koha bën të sajën, ajo është gjykatësi më i rreptë. Dy herë Rama zbriti nga qielli me këmbë në tokë. Këtë e bënë stdentët. Kujtoni sa i zhgënjyer me veten mbeti kryeministri kur studenti vlonjat në universitetin Ismail Qemali e la me gojë hapur tek i tha: po ti me se e bëre Surelin? Së dyti, zoti kryeministër iu përunj me dorë në gjoks zonjës Rudina Hajdari, në seancën e të ënjtes, 25 prill, kur ai bëri atë që di të bëjë më mirë, humor me opozitën, duke u krekosur tek shikonte ca deputetë, të cilët dinë të qeshin, por s’dinë të flasin. Që të jemi të saktë, më shumë qeshnin ata të “opozitës së re”. Zonja Hajdari mori fjalën pas Kryeministrit dhe, fare e qetë, tha tri fjalitë e saj më të mënçura, më serioze e më të qarta, që kam dëgjuar prej saj. Ajo i tha kryeministrit, pakashumë,se ai tregoi përralla me Bashën, Monikën e Saliun dhe me ca batuta bajate bëri të qeshin deputetët , që nuk meritonin të ishin në atë sallë dhe nuk tha asgjë për problemet dhe krizën politike, që ka mbërthyer vendin… Pas Fjalës së Rudinës kryeministri doli në foltore i përhumbur sa s’e kemi parë ndonjë herë, i hutuar , më i përmbajtur se kurrë dhe filloi replikën me një zë të shuar, duke kujtuar ato që kishte përgatitur me mend gjatë fjalës së deputetes kryeneçe. Ca fjalë, më shumë se ironuese, siç e ka zakon, ishin mikluese për zonjën Hajdari. Pastaj filloi apologjinë etij, diametralisht të kundërt me atë të Sokratit… Gjatë apologjisë së tij, për herë të parë që pas ardhjes në pushtet, zoti Rama mori në mbrojtje edhe Berishën, kur tha se, po të mos ishte marrëveshja e prillit 2008,domethënë marrëveshja Berisha-Rama, as ti zonja Hajdari dhe as deputetet e tjera nuk do të ishin ulur në këtë sallë të Parlamentit, pasi në atë marrveshje(për listat e kryetarëve) ishin përcaktuar edhe politikat gjiore, domethënë përqindja e kandidateve femra. Po ashtu kryeministri bëri apologjinë etij, duke përdorur si model edhe Bashën. Për të justifikuar largimin e shqiptarëve nga vendi i tyre, ai i tha deputetes kryeneçe se edhe vetë ajo kishte ikur në Amerikë për studime dhe ishte kthyer në Shqipëri, siç kishte ikur edhe Rama në Francë e Basha në Hollandë dhe ishin kthyer në Shqipëri për ta drejtuar atë. Me demek, gjithë ata të rinj, që janë larguar, kanë shkuar për studime apo përvojë dhe do të kthehen së shpejti, që do të thotë se nuk i kanë detyruar kushtet ekonomike, papunësia dhe humbja e shpresës. Zonja Hajdari, që e dëgjonte me vëmendje replikën e Ramës pak e përskuqur, por nuk dukej e zemëruar dhe nuk replikoi me kryeministrin. Mosreplikimi tregoi se ishte zbutur kryeneçia. Pse-në e di vetëm ajo.
Komentet