Gjykata e Apelit do të shqyrtojë me datë 3 mars çështjen për vulën e Partisë Demokratike.
Pas muajsh terri informacioni, Gjykata vendosi ta caktojë datën e gjyqit të PD-së, vetëm 1 ditë para protestës së opozitës.
Megjithatë, skandali i zvarritjes së procesit të PD-së nuk mbaron këtu. Ndërsa gjyqi u caktua për datën 3 mars, afati i fundit për regjistrimin e partive për zgjedhjet e 14 majit është data 6 mars.
Një shtyrje e seancës për çfarëdolloj arsye do të rrezikonte mos pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje. Kujtojmë se Sali Berisha ka kërcënuar me revolucion nëse i pengohet rruga PD-së për zgjedhje.
Berisha ka theksuar se edhe një vendim që shkon kundër vendimit të gjyqit në shkallë të parë, do të shkaktonte një revolucion. (Pra hedhjen poshtë të Kuvendit të 11 dhjetorit). Mbetet për t’u parë reagimi nga Berisha dhe grupi i tij në PD për këtë caktim date nga Gjykata.
Njoftimi i Gjykatës:
“Në vijim të komunikimit, duke marrë parasysh intersimin e mediave si dhe të opinionit publik, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju informon se:
Ankimi i Partisë Demokratike, ndaj vendimit nr. 3 datë 25.03.2022 (Gjyqtar Agron Zhukri) të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është planifikuar për tu gjykuar me datë 03.03.2023, ora 11:00, trupi gjykues përbëhet nga Relatore Gjyqtare Elona Mihali, anëtar Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja.” – njoftoi Gjykata e Apelit.
Kujtojmë se gjykata e shkallës së parë njohu ndryshimet statutore të vendosura në Kuvendin e 11 dhjetorit të organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Vendimin e mori gjyqtari Agron Zhukri, i cili më pas u sulmua nga ana e grupit të Enkeljd Alibeajt, duke e akuzuar për korrupsion.
Në Kuvendin e 11 dhjetorit u ndërmorën disa vendime, ku mes tyre ishte dhe shkarkimi i ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
©LAPSI.AL