Në Shqipëri gjykata e Apelit vendosi sot të dënojë me burgim të përjetshëm Arben Frrokun, me akuzën e vrasjes së komisarit të Policisë Dritan Lamaj në shkurt të vitit 2013, në Tiranë
Arben Frroku, vëllai i deputetit Mark Frroku, ishte ndër të dyshuarit e parë për vrasjen. Ai dhe komisari Lamaj kishin patur disa herë konflikte të ashpra mes tyre. Frroku u arrestua pak pas vrasjes në Greqi dhe më pas u ekstradua. Hetimet dhe procesi për vrasjen zgjatën deri në fillim të prillit të kaluar, kur gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, e deklaroi Frrokun të pafajshëm. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm, por gjykata vlerësoi se provat e paraqitura prej saj kishin qenë të pamjaftueshme për të vërtetuar akuzën.
Frroku u lirua nga burgu dhe sipas familjarëve të tij ai ndodhet tanimë jashtë Shqipërisë. Prokuroria, e cila e ka mbështetur akuzën kryesisht në rrëfimet e një dëshmitari të mbrojtur, kërkoi edhe në Gjykatën e Apelit dënimin ekstrem për Frrokun. Avokatët e tij mbrojtës reaguan ndaj vendimit të sotëm duke u shprehur se sipas tyre, “drejtësia ndodhet nën trysni politike”, dhe njoftuan se do të bëjnë menjëherë ankim në Gjykatën e Lartë. za
Komentet