Një rrëfim ekskluziv me rastin e 8 –vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Anton Quni në Flatra për luftën, lirinë dhe shtetin. Përjetimet e të shkuarës dhe idealet e realizuara. Një luftëtar që nuk ka nevojë për histori personale … ne kemi nevojë për të….
Nga Brunilda Merko/Fotografia: Beni Cufi
Në hapat e tij ende mund ta ndjesh luftën…janë hapat e komandantit (ende e thërrasin kështu)… më shumë se kushdo ai ruan lidhjen mes luftës dhe lirisë, Anton Quni e nisë rrëfimin e tij me 17 Shkurtin….ngjarjen e madhe, kurorëzimin e përpjekjeve që kanë bërë me bashkëluftëtarët e tij, ata që nuk janë më…ata që kontribuuan dhe i dhanë shumë këtij vendi.
“Pavarësia e Kosovës është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, sepse iu dha fund rreth 100 vjet të pushtimit serb, i ka hapur mundësi zhvillimit dhe të përparimit kombëtar, rrugën për procese të ndryshme për avancimin e mëtejmë të çështjes shqiptare. Është rezultat i angazhimeve shekullore të shqiptarëve për liri dhe prosperitet, si dhe i mbështetjes ndërkombëtare në këtë proces. Megjithatë, shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe shfaqja e lëvizjes politike për liri, pavarësi dhe demokraci, me në krye presidentin Ibrahim Rugova, është momenti i rëndësishëm që i hapi rrugë procesit të shtetndërtimit të Kosovës. Nën drejtimin e presidentit Rugova, Kosova dhe shqiptarët në territoret e tyre në ish-Jugosllavi, arritën që ta ndërkombëtarizojnë çështjen shqiptare, duke bërë të mundur që kjo çështje të diskutohet në kancelaritë perëndimore. Kjo lëvizje politike bindi bashkësinë ndërkombëtare se shqiptarët, e veçanërisht Kosova, nuk mund të trajtoheshin jashtë vullnetit të tyre për liri dhe të drejta kombëtare. Angazhimet politiko-diplomatike të shqiptarëve në krye me presidentin Rugova, e që u plotësuan edhe me luftën çlirimtare të UÇK-së, arritën që përfundimisht Kosovën dhe faktorin shqiptar në rajon ta fuqizonin dhe ta bënin që të impononin vullnetin e tyre për liri, pavarësi e demokraci. Prandaj, edhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare, përveçse për të drejta dhe për liri kombëtare, u fitua edhe për të mbrojtur dhe çliruar bashkërisht Kosovën, si dhe për të filluar fazën përfundimtare të pavarësisë së Kosovës.”- shprehet z.Quni.
Shpalljen e Pavarësisë, Anton Quni, e ka festuar ndryshe … në Koshare….një homazh për të gjithë ata që nuk ishin aty. Emocione të mëdha për të dhe stafin e brigadës 138 “Agim Ramadani”… ishte rivënia e idealit dhe qëllimit të luftës së tyre për liri dhe pavarësi.
“Kur u shpall Pavarësia, bashkë me stafin e brigadës, me bashkëluftëtarë dhe me familjarë të shokëve dhe të bashkëluftëtarëve tanë të rënë në beteja, kemi qenë në Kompleksin Memorial në Koshare, për të kujtuar, respektuar dhe shprehur mirënjohjen tonë të gjithë atyre që kanë rënë në luftën për liri, dhe që kishin bërë një nga betejat më të lavdishme të luftës për liri. Në Koshare kemi shkuar për të kujtuar Salih Çekajn, Agim Ramadanin, Xhemajl Fetahaj dhe shumë të tjerë … për t’ua dhënë lajmin se Kosova po bëhej shtet. Ka pasur shumë emocione dhimbjeje dhe krenarie atë ditë … emocione që nuk harrohen kurrë.”- kujton ai.
Por kur flasim për kujtimet e luftës, ato i zënë vend njëra-tjetrës… sepse luftërat që bëhen për liri janë të shenjta, të përshkuara nga ideali dhe ëndrra për pavarësi.
“Të gjitha ato momente mbeten të ngulitura thellë në kujtesë, edhe si përjetime dramatike, por edhe nga fakti se ato i kujtojmë sa herë që takohemi me stafin e brigadës, me bashkëluftëtarët dhe me familjarët e shokëve dhe të bashkëluftëtarëve të rënë në beteja, sa herë që vizitojmë vendet e fushëbetejave. Të gjitha ato ngjarje janë shumë emocionale, pasi që pas çdo momenti lidhen emrat e shokëve tanë që kaluan në përjetësi. Gjithsesi, një moment dhe përjetim i veçantë ka qenë kur kuptuam se lufta kishte mbaruar. Dhe kjo ndodhi më 9 qershor 1999, ditë kur njësia ime (batalioni diversanto-vëzhgues), që ishte nën komandën time kishte përfunduar të gjitha përgatitjet për avancimin në objektet dominante në atë hapësirë: Mricaj dhe Rrasa e Zogut, e në të cilat kishte forca të konsiderueshme të armikut. Kishim planifikuar që të nesërmen, pra më 10 qershor të lëviznim në drejtimet e paracaktuara. Në buzëmbrëmje të 9 qershorit 1999, aty rreth orës 18, dhe pasi kishim kryer të gjitha parapërgatitjet për nesër, secili prej nesh kishte rënë në kujtime, mendime dhe vetëm ndonjëri fliste rrallë. Në atë gjendje ishim kur cingëroi telefoni satelitor, ishte gjeneral Kudusi Lame. Ai na informoi se të nesërmen komanda e forcave serbe para ushtarakëve të NATO-s do të nënshkruajnë marrëveshjen për tërheqjen e të gjitha formacioneve ushtarako-policore nga territori i Kosovës. Pas përfundimit të bisedës me gjeneral Kudusi Lame, bashkëluftëtarët e mi më shikonin dhe pritnin se çka do t’u thosha unë. “Djema; lufta mbaroi: Serbia nesër do ta nënshkruajë kapitullimin.”. Nga Maja e Zezë, në lartësi mbi 2000 metra, Kosova dukej si në pëllëmbë të dorës. Secili prej nesh kishte hedhur shikimin kah vendbanimet, kah lagjet dhe kah shtëpitë: edhe pse të djegura, të dëmtuara dhe të boshatisura, ato ishin tonat, ishin të popullit tonë. Ishim të bindur se shumë shpejt do t’ua kthejmë madhështinë dhe do të mbushen plotë…”- tregon komandanti.
Kosova… 8 vjet shtet
8 vjet pas Anton Quni vlerëson atë që Kosova është sot, rrugën e drejt konsolidimit dhe sfidat që e presin.
“Kosova sot është shtet i pavarur dhe për një kohë të shkurtër ka arritur që të realizojë shumë aspekte të shtetndërtimit dhe është në rrugë të realizojë edhe aspektet e tjera deri në përmbyllje. Kosova është përballur dhe po përballet me sfida të shumta që janë rezultat i procesit të brendshëm të shtetndërtimit, i pozicionit të saj në rajon dhe më gjerë, si dhe angazhimeve e përgjegjësive shtetërore që ka marrë në kuadër të proceseve dhe marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare. Natyrisht, gjatë këtij procesi ka sfida që do të ishin përballuar më lehtë dhe më mirë, por e rëndësishme është se Kosova gjatë këtyre pak viteve ka realizuar aspekte të shtetndërtimit, për të cilat shteteve të tjera të dala nga ish-Jugosllavia u janë dashur më shumë kohë, edhe pse kanë qenë dhe janë në pozitë dhe me mundësi më të mëdha. Presim gjatë këtij viti të bëhet transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur, të realizohen shumë aspekte të shtetndërtimit dhe të avancimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.”- shprehet z.Quni.
Motivi për të qenë pjesë e politikës është pjesë e kontributit të vazhdueshëm që ai jep për vendin e tij, për të ndërtuar dhe pasur një shtet të fort.
“Kur kam vendosur të bëhem pjesë e luftës për çlirimin e Kosovës, e kam bërë si obligim ndaj vendit tim, por edhe i bindur se shteti ndërtohet duke krijuar dhe respektuar institucionet e tij. Në luftë, si ushtarak kam ndjekur dhe kam zbatuar vendime politiko-institucionale dhe bashkë me shokët e bashkëluftëtarët e mi kemi respektuar një zinxhir komandues institucional, edhe në rrethana dhe situata kur mund të mos ishte racionale dhe e mundshme. Pas përfundimit të luftës, procesi i shtetndrtimit të Kosovës dhe proceset tjera do të vazhdojnë në përputhje me rrethanat e krijuara, prandaj edhe kam konsideruar se duhet të jem pjesë e tyre dhe të vazhdoj të jap kontributin tim edhe në politikë. Dëshira ime ishte që të isha pjesë e proceseve politike nga fillimi dhe të ndihmoja që ato të realizoheshin sa më mirë.”- thotë ai.
Të paktë ishin ata luftëtarë që përzgjodhën një subjekt politik që nuk i takonte krahut të luftës, Anton Quni ishte një prej tyre.
“Me LDK-në më ka lidhur historia e saj politiko-institucionale, pasi që me të janë vënë themelet e shtetit dhe të institucioneve shtetërore, është bërë institucionalizimi i interesave kombëtare të shqiptarëve në Kosovë, por edhe në territoret shqiptare në ish-Jugosllavi. Me LDK-në më lidh orientimi ideologjik i saj si parti e qendrës së djathtë, që ka si veçori konceptin për familjen, për pronën dhe për shtetin, e që është ideologji që është më afër kulturës sonë, më afër veçantive tona kombëtare dhe më afër etnopsikologjisë sonë. Më lidh edhe orientimi saj gjeopolitik e gjeostrategjik, pasi që LDK e rivendosi çështjen shqiptare në kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik euro-perëndimor, kurse kombin shqiptar e riktheu në qytetërimin perëndimor. Si popull i veçantë në grupin e popujve indo-evropianë, shqiptarët janë pjesë e qytetërimit perëndimor, janë popull që nga lashtësia ilire e këndej i kanë takuar dhe kanë kontribuar për qytetërimin perëndimor. Në aspektin gjeopolitik e gjeostrategjik, shqiptarët vetëm me mbështetjen e SHBA-ve dhe të shteteve të tjera aleate kanë mundur dhe mund të realizojnë interesat e tyre kombëtare, sepse çdo pozicionim tjerë gjeopolitik dhe gjeostrategjik ka rezultuar të jetë fatal për shqiptarët.”- nënvizon Anton Quni.
Sipas tij, për çdo popull, prandaj edhe për shqiptarët, investimi në dije është investimi më i rëndësishëm dhe më i domosdoshëm, arsimi që është baza e emancipimit shoqëror, e prurjeve të reja, e thithjes dhe e krijimit të dijes, duhet të jetë një sektor shumë i rëndësishëm jo vetëm i kësaj qeverie, por i çdo qeverie. Në kushtet kur informacioni, dija dhe digjitalizimi janë bërë mjaft të rëndësishme dhe mjaft dinamike në botë, dhe kur të gjitha këto po ndikojnë tepër shumë në zhvillimet edhe në fusha të tjera, arsimi ka fituar një rëndësi tepër të madhe.
Historia … pasioni i përhershëm
Është e jashtëzakonshme njohuria që ka për historinë, jo vetëm atë kombëtare. Biseda jonë shpesh herë zhvendoset te historia dhe koha kalon aq shpejt. Tregon plotë ngjarje historike sidomos të paraardhësve tanë dardano-ilirë. “Pasioni im ka të bëjë shumë me dëshirën që të njoh të kaluarën e njerëzimit, mënyrat e të jetuarit, qytetërimet ndryshme etj. Dhe është interesant se sa më shumë që thellohesh në historinë e lashtë, aq më shumë të tërheq dhe të bën për vete. Ka shumë qytetërime, pjesë të tyre që janë shumë interesante, që hedhin dritë në shumë aspekte të historisë njerëzore deri më sot. Historia e lashtë ka shumë ngjarje interesante, ka shumë ngjarje madhështore, dhe ka shumë enigma. Natyrisht ka edhe luftëra, ashtu siç ka edhe paqe të shumta. Ndër të gjitha këto qytetërime, ngjarje, popuj dhe zhvillime të tjera, qytetërimi Ilir, historia e tyre, kultura e tyre dhe vazhdimësia e tyre deri te ne, janë mjaft interesante, të rëndësishme dhe të veçanta. Historia e ilirëve, kultura e tyre dhe qytetërimi i tyre ka lënë gjurmë gjithandej dhe është bërë pjesë e historisë, e kulturës dhe e qytetërimeve botërore, dhe si e tillë është mjaft e rëndësishme dhe të bën të ndjehesh mirë që i takon një populli që është vazhdimësi e tyre (ilirëve). Përveç historisë, interesimet e mia lidhen edhe me sportin, pasi që sporti të ndihmon shumë në aspektin psiko-fizik. Ndër llojet e sportit, skijimi, noti, lundrimi dhe çiklizmi zënë pjesën më të madhe të vendit në interesimet e mia për sportin.”
E në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës, që është arritur me angazhimin dhe sakrificën shekullore të brezave të ndryshëm të kombit shqiptar, të intelektualëve, të luftëtarëve dhe të gjithë popullit në tërësi, duhet të nderojmë të shkuarën, të kujdesemi për të tashmen dhe të ndërtojmë të ardhmen.
“Mesazhi im është që ta ruajmë shtetin, ta forcojmë dhe ta zhvillojmë, që të jetë sa më i fortë, sa më i zhvilluar dhe sa më i përgatitur për procese të ndryshme rajonale dhe më gjerë; të jetë një shtet që u siguron qytetarëve të tij jetë të mirë, të dinjitetshme dhe mundësi të shumta për realizimin e ambicieve të tyre personale. Vëmendja ime dhe e shtetit duhet të jetë te të rinjtë, sepse ata janë e ardhmja e këtij vendi, e këtij komb. Janë ata që mund dhe duhet të shtyjnë përpara proceset, sepse të rinjtë janë ata që kanë nevojë për kushte më të mira për të ndërtuar jetën e tyre, arsimimin, edukimin dhe avancimin e tyre në fushat e dijes dhe të shkencës. Natyrisht, në vëmendjen tonë duhet të jetë e kaluara jonë e lashtë dhe gjithë historia jonë, që ajo të mos harrohet, që të bëhet më tërheqëse dhe me interesante për të gjithë, sidomos për të brezat e rinj, të cilët duhet të dinë kush janë, nga vinë dhe të dinë se ku po shkojnë.”- përfundon Anton Quni./Flatra
Komentet