Vendndodhja e Dodonës dhe përkatësia e saj etnike duhet të ishin në themel të punës së institucioneve shkencore të trojeve shqiptare, por këto institucione deri më sot kanë heshtur, megjithëse Dodona kudo që të ndodhet, është qytetërim dhe histori e rëndësishme e popullit shqiptar. Më parë se t`i vendosësh Dodonës një vendndodhje të re, duhet të rrëzosh pretendimin ekzistues që ka një pranim të gjerë që Dodona ndodhet në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës. Ky pretendim është i pranuar nga disa institucione shkencore evropiane, përfshi dhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Si prova të pranimit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë mund të sillen librat e saj mbi historinë e Shqipërisë dhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar, zëri Dodona, që e vendosin në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës.
Po a mund të flasësh për vendndodhje të reja të Dodonës pa rrëzuar me prova dhe fakte këto pretendime të botës akademike, sidomos evropiane? Në vështrim të parë të duket se kjo është e pamundur. Kur disa akademi e mbështesin këtë tezë, do të thotë se mundësia për ta rrëzuar atë është zero. Por e vërteta ekziston ndryshe. Dodonën në luginën e Carakovistës nuk e vendosi mendimi shkencor, por vetë qeveria e Greqisë për ta përdorur si provë në kongresin e Berlinit dhe në qarqet politike evropiane se Dodona e gjetur në luginën e Carakovistës nuk ishte pellazge siç thonë autorët e antikitetit, por helene. Rrjedhimisht Epiri duhej t`i jepej Greqisë, pretendim nga i cili qeveritë e Athinës nuk kanë hequr dorë deri në ditët e sotme. Nëse Karapano, që pretendohet si zbuluesi i Dodonës, do t`i përkiste botës shkencore, do të kishte shkuar në ndonjë institucion shkencor në Athinë. Po qeveritë e Athinës pas vitit 1878, e bënë Karapanon ministër duke drejtuar disa Ministri të ndryshme dhe deputet në parlamentin e Athinës për gati 29 vite. Mund të shtojmë se vetë Karapano në profesion nuk ishte historian apo arkeolog, por jurist. Janë pikërisht qeveritë e Athinës, që me peshën e tyre politike, kanë ndikuar që të mos zbardhet e vërteta për vendndodhjen e Dodonës dhe përkatësinë e saj etnike.
Disa studiues dhe adhurues të saj, sidomos ata që e pretendojnë Dodonën në malin e Tomorit në lindje të Beratit, flasin për dy e më shumë Dodona, kur ajo ka qenë vetëm një dhe ishte brenda territorit të Epirit të Vjetër.
Që të jesh serioz në pretendimin se Dodona nuk ndodhet në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës kërkohet:
a-të ballafaqosh të gjitha dëshmitë e autorëve të antikitetit që kanë lidhje me vendndodhjen e Dodonës dhe përkatësinë e saj etnike.
b-të provosh se cilat nga gjetjet e luginës së Carakovistës mban mbishkrimin se ai qytet i përkiste Dodonës ose, nëse hyjnia që nderohej atje ishte ajo e Di Dodonen që jepet nga të gjithë autorët e antikitetit.
1 Teza e Sami Frashërit: Dodona nuk ndodhet në jugperëndim të Janinës
Pas një pune më shumë se 10-vjeçare, në vitin 2011, botova librin e parë studimor “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I” duke e kundërshtuar vendndodhjen e pretenduar nga Konstandin Karapanos dhe pasuesit e tij: Evangjelides dhe Dakaris, dy arkeologët kryesorë që kanë kryer gërmime arkeologjike gjatë shekullit XX. Me gjithë pranimin në opinionin publik të studimit tim gjatë promovimeve që bëra në Tiranë dhe Këlcyrë, por edhe në shtypin e shkruar, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë më erdhi një kundërshtim i çuditshëm dhe misterioz:
Akademik Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante: “Këto që dëgjojmë e shohim sot se do të ngrihet një monument tjetër i pavarësisë në Tiranë më duken si ato diletantizmat e atyre që Dodonën antike 1500-vjeçare duan ta çojnë në kalanë e Këlcyrës…
Siç përmenda më sipër rastin e tempullit të Dodonës, që disa thonë se është në mal të Tomorit apo në Këlcyrë. Jo. Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, që është shënuar në albumin e Kristo Frashërit”. (Muzafer Korkuti, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012)
Se si mund ta shikonte Ismail Qemali një qytet që atëherë ndodhej nën rrënoja, këtë mund ta thotë vetëm Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Po me këtë deklaratë Akademia e shkarkoi përgjegjësinë nga institucioni i saj duke bërë përgjegjës Themeluesin e Shtetit Shqiptar. Po kjo përgjegjësi nuk mund t`i mbartet një politikani siç ishte Ismail Qemali, por bie pikërisht mbi vetë Akademinë e Shkencave që paguhet nga taksapaguesit dhe që e ka për detyrë të zbardhë dhe të mbrojë të Vërtetën.
Po si zbardhet e Vërteta?
Me studime shkencore dhe debate midis pjesëtarëve të institucioneve, por dhe me studiues të tjerë jashtë institucioneve që interesin për Dodonën e kanë shprehur me librat e tyre studimorë. Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk e ka një studim qoftë dhe disa faqesh në lidhje me Dodonën, kur fqinji ynë jugor dhe bota akademike evropiane organizojnë çdo vit sesione dhe konferenca shkencore për ta mbajtur Dodonën në vendndodhjen e gabuar dhe tjetërsimin e etnisë nga pellazge në helene.
Pretendimin e vendndodhjes së Dodonës në jugperëndim të Janinës e ka kundërshtuar shkencëtari dhe dijetari ynë i madh me përmasa evropiane Sami Frashëri: “Dodona ka qenë një qytet në Epirin e vjetër, d.m.th. në Vilajetin e Janinës, i shquar me tempullin e pashëm dedikuar adhurimit të Jupiterit, Atit të hyjnive. Vendi i këtij qyteti dhe tempulli akoma nuk është diktuar si duhet. Z. Karapano prej Arte, prezanton se, pas disa gërmimeve dhe vjetërsinave arkeologjike të zbuluara ndërmjet Janinës dhe Artës, Dodona duhet të jetë atje e për këtë ka botuar edhe dy broshura; por ky vend nuk pajton me karakteristikat që na njoftojnë Omiri, historianët e poetët e tjerë të lashtë, të cilët e karakterizojnë Dodonën me frazat: “shumë në veri”, “tepër e ftohtë dhe me borë” dhe “shumë e lartë”. Mirëpo gërmadhat që ka zbuluar z. Karapano janë në një fushë të ulët ku bora nuk qëndron gjatë.” (Sami Frashëri Enciklopedia (“Kamus al-a’lam”), vëll. III, faqe 2172 zëri Dodona)
Po a bëri Akademia e Shkencave e Shqipërisë ose ndonjë institucion tjetër shkencor një debat për hipotezën e Sami Frashërit? Përgjigjja është se nuk e ka bërë deri më sot dhe vështirë ta bëjë ky staf akademik i ditëve të sotme.
2 Kur dhe kush e pretendoi Dodonën në luginën e Carakovistës
Dodona është qytet i Epirit të Vjetër që kishte tempullin dhe orakullin më të vjetër, i ndërtuar nga pellazgët, që datohet shumë kohë para Luftës së Trojës.
Në fillim të shekullit të XIX, kërkuesit më të rëndësishëm të Dodonës kanë qenë Pukëvili dhe Liku, të cilët e kërkuan Dodonën në të gjithë hapësirën e Vilajetit të Janinës, por pa sukses. Madje edhe Misioni Arkeologjik Francez, në fillim të viteve 1870 deklaroi se Dodona nuk ndodhet në rrethinat e Janinës.
Si zbulues i Dodonës njihet Kostandin Karapanos, i cili botoi në Paris në vitin 1878 një libër për Dodonën dhe një tjetër me vizatime që u përkisnin gjetjeve të luginës së Carakovistës.
Ja si e fillon librin e tij Karapanos: “Tempulli i Dodonës, megjithë famën e tij, ishte deri tani gati i panjohur. Informacioni që na japin autorët grekë dhe latinë është shumë i paplotë dhe i pamjaftueshëm për të krijuar një ide as se çfarë ishte, as për t`na treguar vendin e saktë të vendndodhjes së tij. Monumentet epigrafike ose figurative që lidhen me këtë tempull që do të kishin shërbyer për të plotësuar informacionet e autorëve antikë, gjithashtu na mungojnë.” (Karapanos, Konstantin, “Dodone e ses ruins”. Paris 1878 page1. Le temple de Dodone, malgré sa célébrité était jusqu’ici presque inconnu. Les auteurs grecs et latins ne nous fournissent que des renseignements très incomplets, et qui ne suffisentni pour nous donner une idée de ce qu ‘il était, ni pour nous indiquer le lieu exact de sa situation……)
Ajo që thotë Karapanos se informacionet që na kanë dhënë autorët e antikitetit është i pamjaftueshëm, nuk është e vërtetë. Janë rreth 20 autorë të antikitetit që kanë shkruar për pozicionin gjeografik të Dodonës dhe topografinë e saj.
Autorët e antikitetit që na kanë dhënë pozicionin gjeografik të Dodonës e kanë vendosur atë në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, në kufijtë e Atintanisë ilire dhe malin Tomar të Dodonës si mali që ndante Ilirinë me Epirin.
Të dhënat që na vijnë nga burimet historike dhe arkivat e perandorisë romake janë në kundërshtim me pretendimet e autorëve modernë që e pranojnë Dodonën në mes të Epirit, në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës.
Autorët e antikitetit e kanë dhënë të qartë vendndodhjen e Dodonës:
-Dodona dhe orakulli i saj ndodhen pranë lumit Dodon;
-Dodona shtrihet nga lumi deri në shpat të malit Tomar;
-Dodona ndodhet në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, në kufijtë e Atintanisë ilire.
Autorët e gjysmës së parë të shekullit XIX duke e kërkuar Dodonën sipas njoftimeve të autorëve antikë, nuk e kërkonin atë në luginën e Carakovistës, sepse ajo nuk plotësonte asnjë prej kushteve të tyre.
1-Në luginën e Carakovistës mungon lumi. Panajotis Aravandinos (Panayiotis Aravantinos), në librin e tij: “Pragmateia peri Dodonis”, Janinë 1862, fq. 37 duke cituar autorët e antikitetit thotë: “Që lumi Dodon apo Selis kalonte pranë orakullit”. (Didymos Z` 7, H`10, Eustath. Z` 12, H`11).
Ekzistencën e lumit Dodon, në luginën ku ndodhej Dodona, e pranon edhe vetë Konstantin Karapanos në librin e tij: “Dodone e ses ruins” faqe 150, duke cituar dy autorë të antikitetit: Stefan Bizantinin dhe Eustathin: ( Steph. Byz, in v. dodóni et Eustath., Comm. in Homer., II., B ., v. 750)
Po a ekziston lumi në luginën e Carakovistës ku ndodhen rrënojat e qytetit të pretenduara si ato të Dodonës? Sigurisht që jo. Kjo do të thotë që Dodona nuk ndodhet në luginën e Carakovistës, sepse nuk ekziston lumi. Autorët modernë të dy shekujve të fundit (XX-XXI), nuk i përmendin dëshmitë e autorëve antikë për ekzistencën e lumit Dodon, duke e lënë opinionin publik ta pranojë verbërisht ekzistencën e Dodonës në luginën e Carakovistës.
2- Në luginën e Carakovistës rrënojat e qytetit, i pretenduar si Dodona, nuk ndodhen në malin Oliçka. Dy autorë të rëndësishëm të antikitetit, të cilët kanë jetuar në kohën, kur Dodona ekzistonte, Straboni dhe Solinus, dëshmojnë se Dodona ndodhej në trup të malit Tomar. Edhe autorët e gjysmës së parë të shekullit XIX, e pranojnë Dodonën në trup të malit Tomar, prandaj ata nuk e pranonin ekzistencën e Dodonës në luginën e Carakovistës.
Panajotis Aravandinos (Panayiotis Aravantinos), në librin e tij “Pragmateia peri Dodonis, Janinë 1862, fq. 37, thotë: “Dodona ndodhet në shpat të malit Tomar.” ( Στράβ. Η’ 7, Ευστάθ . Η ‘ 9 )”
Një tjetër autor i shekullit XIX, Thomas Smart Hughes, “Travels in Sicily, Greece and Albania”, Volume 1, p. 526, London 1820, duke u mbështetur te gjeografi Strabon thotë: “Mali Tmarus, ose Tomarus, ne e dimë nga Straboni se ishte pikërisht mali mbi të cilin qëndronte Dodona” kurse duke cituar gjeografin tjetër, Solinus, thotë: “Dodona ishte lart në malin Tmarus” (Straboni, Gjeografia, libri 7 (7.11), and C. IVLII SOLINI COLLECTANEA RERVM MIRABILIVM, VII 3 Dodone Tmaro celsa est.)
3 Çfarë vërtetuan gjetjet arkeologjike në luginën e Carakovistës
Natyrshëm lind pyetja: nëse burimet historike vërtetojnë se Dodona nuk ndodhet në mes të Epirit, çfarë vërtetojnë gjetjet arkeologjike?
-I shohim të gjitha gjetjet arkeologjike që arkeologët helenë kanë zbuluar atje që nga Karapanos, Evangjelides dhe Dakaris, nëse në ndonjërën prej tyre, gjendet emri i qytetit të Dodonës. Përgjigjja është se asnjë gjetje arkeologjike nuk ka ndonjë mbishkrim që të vërtetojë se ky qytet i përkiste Dodonës.
-I shohim këto gjetje arkeologjike në rrafshin historik, se cilës periudhë i përkasin. A e ka jetëgjatësinë ky qytet aq sa thonë burimet historike?
Në rrafshin historik ky qytet i luginës së Carakovistës ka jetëgjatësi më pak se dy shekuj, aq sa kanë funksionuar institucionet e epirote. Gjetjet arkeologjike të zbuluara prej Karapanos, Evangjelides dhe Dakaris u përkasin mesit të shek. IV-II para Krishtit, kurse Dodona ka pasur më shumë se XV shekuj jetëgjatësi.
-Tjetër provë e rëndësishme do të ishte që atje të nderohej Di Dodonen (Dodonen, nga emri i qytetit Dodona) ose Di Tmar, Tomar (nga emri i malit në të cilin ndodhej Dodona).
Përgjigjja është se në këtë qytet është nderuar Di Naio, një atribut që i përkiste vetëm këtij qyteti, ashtu si në qytetet e tjera në Epir dhe Iliri që e kanë nderuar hyjninë me atributin e tyre të veçantë si: në Butrint (Buthroto)- Di Soter, qyteti Kasope- Di Soter, qyteti Bylys- Di Tropeos, qyteti Mavrora (Olimpe) Megistos, qyteti Fotike- Di Dodoneen dhe Sarapis, qyteti Pasaron- Di Aresios, qyteti Amantia- Di Boulaios, Ambracia- Di Soter, qyteti i Carakovistës- Di Naio.
Si përfundim mund të themi se numri i dëshmive arkeologjike që ta vërtetojë këtë qytet si atë të Dodonës është zero. Nuk kishte se si të ndodhte që autorët e antikitetit të thonë se Dodona ndodhet në veri të Epirit, kurse ajo të gjendej në mes të Epirit.
4 Qyteti i luginës së Carakovistës ka qenë Seli e Institucioneve Epirote
Pavarësisht se burimet historike e vendosin Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, disa studiues, sidomos në fushë të arkeologjisë, e pretendojnë akoma Dodonën në mes të Epirit, në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës. Si arsye ata nxjerrin se atje ka gjetje të rëndësishme arkeologjike.
Po çfarë ka në luginën e Carakovistës, në jugperëndim të Janinës?
Atje gjendet një teatër, ndodhet Buleterioni, ndodhet tempulli i hyjnisë Di, akropoli dhe gjetje të tjera arkeologjike që i kushtoheshin hyjnisë Di dhe Dionës. Gërmimet arkeologjike të Karapanos dhe Dakaris kanë vërtetuar se ky qytet i luginës së Carakovistës ka qenë qytet i Institucioneve Epirote.
Atëherë lind pyetja: cilat objekte e bëjnë këtë qytet për ta konsideruar si qytet i Institucioneve Epirote dhe cilat si qytet të Dodonës?
I marrim me radhë:
1-Në këtë qytet ndodhet Buleteroni në përmasat (43.60 m x 32. 50 m, = 1417 m2). Kjo ndërtesë kaq e madhe tregon se numri i përfaqësuesve të zgjedhur të Epirit ka qenë i madh dhe ka përfaqësuar të gjitha qytetet dhe krahinat epirote.
2- Në këtë qytet ndodhet teatri me rreth 17.000 vende, i cili është ndërtuar jo për banorët e këtij qyteti që ka pasur një numër të vogël, por për të zgjedhurit dhe popullin e Epirit që do të ishin të pranishëm, kur merreshin vendime të rëndësishme për jetën e vendit. Duke qenë në zemër të Epirit, u jepte mundësi banorëve të tij që të kishin mundësi të barabarta për të marrë pjesë në mbledhjet popullore. Pra, teatri ka qenë në funksion të institucioneve epirote për të organizuar mbledhjet e përgjithshme të popullit. As atëherë, as tani, njerëzit e religjioneve fetare nuk i mbledhin njerëzit në teatër ose stadiume, sepse nuk bëjnë debat, nuk e diskutojnë ekzistencën e Hyjnisë. Ato janë bërë dhe bëhen me besimtarët, brenda faltores ku njerëzit i besojnë dhe i luten hyjnisë së tyre (sot kisha, teqeja, xhamia etj.)
3-Ky qytet, sa një lagje e qyteteve të tjera të Epirit, (3.5 ha), mbase më i vogli në Epir, nuk mund të ishte njëkohësisht edhe qytet i Dodonës, edhe Seli e Institucioneve Epirote. Sipërfaqja 3.5 ha, nuk mund të kishte më shumë se 100-120 shtëpi, aq sa duheshin ndërtesa hotelerie për të zgjedhurit epirotë (Buleterioni) gjatë mbledhjeve të rregullta që mund të vazhdonin edhe disa ditë, si dhe për ata që ishin të përhershëm me banim në këtë qytet si punonjës në administratën e Institucioneve Epirote dhe punonjës të shërbimeve dytësore si: punonjës tregtie, mirëmbajtës të ndërtesave të qytetit, të mjedisit, etj. Mirëpo autorët e antikitetit e kanë përshkruar Dodonën si një nga qytetet më të rëndësishme të Epirit.
Pseudo-Skimni (Pseudo Scymnus, Circuit of the Earth, v. 445-452) thotë se Dodona është një themelim pellazg (pra jo helen) ku banonin barbarë të përzier (pra popullsi jo helene) deri në afërsi të faltores. Që do të thotë që ky qytet i luginës së Carakovistës, i ndërtuar në përmasa të vogla (3.5 ha) aq sa ishin nevojat për banorët e institucioneve epirote, nuk mund të ishte edhe qytet i Dodonës.
4- Në kohën e Krishterimit, faltorja e Dodonës u kthye në qendër peshkopale, kurse tempulli në kishë. Karapanos që kreu i pari gërmimet arkeologjike, duhej të kishte gjetur në fillim ato gjetje arkeologjike që i përkasin periudhës së Krishterimit dhe të periudhës romake, pastaj ato të mëvonshmet që lidhen me kohën, kur ky qytet shërbente si Seli e Institucioneve Epirote (343/2-168) para lindjes së Krishtit). Mungesa e dëshmive të Krishterimit dhe të periudhës romake, tregon se ky qytet nuk ka lidhje me qytetin e Dodonës.
Pretendimet e Karapanos për vendndodhjen e Dodonës në luginën e Carakovistës, janë kundërshtuar nga disa autorë të rëndësishëm, ku mund të përmendim:
Zoto Molosi, (lindur në vitin 1837, në Dhrovjan të Finiqit, Sarandë-vdiq në Athinë, në maj 1912), është një nga njohësit më të mirë të gjeografisë dhe historisë të territorit që në antikitet quhej Epir. Në librin e tij “Ηπειρωτικαί μελέται” Vol 4, faqe 207, Athinë 1887, duke shkruar për gjetjet arkeologjike të Karapanos në luginën e Carakovistës, do ta kundërshtone ashpër pretendimin se atje ishte zbuluar Dodona : “Këto nuk kënaqin asnjë shkrimtar të ri grek, përveç disa shkrimtarëve të huaj sipërfaqësorë, që nuk e vizituan këtë vend dhe nuk e studiuan truallin e Epirit.”
5 Dodona ka qenë kryeqyteti i Epirit të Vjetër
Nga sa thamë më lart arrihet në përfundimin se Dodona ishte qytet. Pra, nëse duam Dodonën, duhet të gjejmë qytetin e Dodonës i cili shtrihej buzë lumit Dodon (ku ndodhej orakulli) deri në shpat të malit Tomar, sipër të cilit ndodhej faltorja e tempullit. Që do të thotë se sipërfaqja e këtij qyteti ka qenë e madhe, e krahasueshme me qytetet e tjera të Epirit ku sipërfaqja e tyre shkonte mesatarisht deri në 30 ha. Ndërsa Konstantin Porfyrogjeneti (shek. X pas Krishtit) thotë: “…Kryeqyteti i Epirit të Vjetër është qyteti i Dodonës, ku gjendet lisi që flet për misteret e perëndive.” (Koço Bozhori-Filip Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek X-XV, Tiranë 1975, faqe 18-19)
Qyteti i Dodonës duke u vlerësuar si kryeqytet i Epirit, do të thotë se qytet me këtë emër kishte vetëm një, se rëndësia e tij ishte e madhe në jetën politike dhe fetare të Epirit dhe si çdo kryeqytet kishte një shtrirje dhe popullsi më të madhe se qytetet e tjera.
Duke pasur një numër të lartë shtëpish në kohën e ekzistencës së saj, të cilat në kohën e sotme janë kthyer në rrënoja, identifikimi i Dodonës nuk është i vështirë.
Mbështetur te arshivat e perandorisë romake të cilat malin e Dodonës e quanin mal të përbashkët të Atintanisë ilire dhe Molosisë pellazge, kuptohet qartë që Dodona ka qenë kryeqytet i përbashkët i pellazgëve dhe ilirëve.
Po ku ndodhet Dodona?
Atje ku e vendosin autorët e antikitetit dhe arshivat e perandorisë romake: në veri të Epirit, të tokën e Molosisë dhe në kufijtë e Atintanisë ilire. Dëshmitë e tyre janë aq të qarta, saqë nuk lënë vend për dyshime për vendndodhjen e saj. Gjetja e vendndodhjes së Dodonës është domosdoshmëri, sepse duhet të merret edhe prova materiale e kohës së themelimit të saj deri në kthimin e saj si qendër peshkopale në shek. V-VI pas lindjes së Krishtit, do të mund të vërtetohen fiset që e krijuan atë dhe e mbajtën atë si kryeqendër të përbashkët pellazgo-ilire deri në shkatërrimin e saj si vend i besimit pellazg në fund të shek. IV-t pas Krishtit nga Teodosi I.
Po nëse Akademia e Shkencave e Shqipërisë hesht për arsye që do të mund të zbardhen në të ardhmen dhe nuk ka ndërmend të flasë, fatmirësisht trojet shqiptare kanë edhe tre institucione të tjera shkencore.
Në Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave e Kosovës, kurse në Shkup: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.
Këto institucione shkencore në Prishtinë dhe Shkup, kanë po aq përgjegjësi sa edhe Tirana. Atdheun e kemi të përbashkët, po kështu dhe identitetin dhe historinë. Nuk mund të ecet me një histori dhe identitet të cunguar duke lënë jashtë historisë së popullit shqiptar Dodonën, të paktën 2000 vjeçare, e cila shënjoi një pikë kulmore, nga më të vjetrat dhe më madhështoret, në qytetërimin dhe historinë e njerëzimit.
Tiranë, mars 2025
Komentet