Hyrje
Në Bari të Italisë në vitin 1940, një grup personalitetesh shqiptare, nën përkujdesin e Gjon Kamsit, 15 vjet pas vrasjes së atij që At Gjergj Fishta do ta quante “Ndera e Djelmnisë Shkodrane”, botuan librin e titulluar “Vjersha” me 96 faqe nga krijimtaria poetike e Luigj Gurakuqit, figurës më të shkëlqyer poliedrike nga Rilindja e këtej, autorit të Qindresës, të cilën duhet ta mësojë përmendsh çdo shqiptar që kur hedh hapat e para të edukimit, si poezi kremtuese e festës së Abetares, ende pa i ditur mirë kuptimet e fjalëve shqip e për çdo vit ta studiojë në Librat e Këndimit e të Letërsisë deri në maturë. Luigj Gurakuqi, nxënësi i Jeronim De Radës, kishte nisur të shkruajë poezi prej moshës 13 vjeçare, por teposhtat e tatëpjetat e Shqipërisë, nuk i premtuan kohën as t’i përkushtohej e as t’i botonte vetë të përmbledhura në libra.
Në parathënien e vëllimit poetik “Vjersha” Gjon Kamsi dëshmon në pakufi respektin e gjithçkaje të shkruar nga “Vigani Liberator”, siç do ta fiksonte Noli në poetikë përmes një antonomazie. Poezitë ishin mbledhur nga botimet e autorit në periodikët e kohës, duke ruajtur datat, shënimet, vendet ku ishin shkruar. Nuk janë të gjitha poezitë, do të shkruante në parathënie Gjon Kamsi dhe do të lutej që kush të kishte djeni për poezi të panjohura të Gurakuqit, t’i njoftonte. Gjon Kamsi me të drejtë i konsideron “Visare” krijimet e Gurakuqit. “Kemi shtue edhe katër vjersha që ia kanë kushtue shkrimtarët ma në zà të Shqipnis, të cilët dishmojnë… vlerën e naltë të artit poetik dhe të ndiemen atdhetare të Luigj Gurakuqit”. E ka fjalën për poezinë e At Gjergj Fishtës, shkruar që në gjallje, elegjinë e Fan Nolit “Syrgjyn Vdekur” dhe dy poezi nga Filip Shiroka dhe Hilë Mosi. “Nji edhe i vetëm ka qenë qellimi ynë në këtë punë. Të këtij mendatari të naltë, të këtij Atdhetari të pastër të Shqipnis, me fillue me u dhanë me anë dokumentash të saktë Shqiptarëve qi mbajnë të gjallë kujtimin e të Mëdhajve T’onë, atyne qi s’e kanë dhe breznis së re që don me u rritë me besën e tyne…., me pasunue me visare të reja arti e bukurie gjuhën amtare, me kallë në zemrat e mendet shqiptare dashninë për Zot e për Atdhe, për vepra të mbara e bujare.”
Më 2016, 76 vjet pas daljes së “Vjersha”, vjen libri i dytë poetik i Luigj Gurakuqit nga Botimet Françeskane nën kujdesin e publicistit, albanologut dhe diplomatit Willy Gjon Kamsi, ku “Elegjitë” në latinisht të Luigj Gurakuqit i sjell në shqip të përkthyera Gjon Shllaku. Bashkë me to botohen edhe dy poezi që nuk ishin të përfshira tek Vjersha, më 1940.
Sikur dokumentohet prej vrasjes shtetërore e deri sot, askund nuk ndihet dhe nuk shihet përkujdesi i shtetit ndaj trashëgimisë kulturore e shpirtërore të Luigj Gurakuqit mbetur Syrgjyn vdekur, duke ia lënë në braktisje deri në shembje edhe shtëpinë e lindjes, mallin ndaj së cilës Luigj Gurakuqi e shprehu tek poezia “Shtëpisë sime”. Por në mëshirën e fatit ka mbetur edhe shoqëria e rinia shqiptare, që, në vend të visareve e dashurisë për gjuhën, Atdheun e kulturën, ushqehet me kultin e antivlerës duke humbur Atdheun dhe identitetin kombëtar.
Për poetin ametikan Carl Sandburg, poezitë janë jehona nga ato që sipas Lordit Alfred Tennyson rrotullohen e rrotullohen për të arritur nga njëri shpirt tek tjetri duke u rritur e rritur gjithmonë e gjithmonë. E tillë është jehona e Qindresës, kjo perlë e poezisë shqipe, botuar një shekull më parë nga Liberatori Vigan, që arrin sot kumbuese tek çdo shpirt shqiptari e duket sikur Luigj Gurakuqi sapo e ka shkruar si kambanë zgjimi e na e ka nisur nga Olimpi:
Veç nji qellim i naltë t’ban me durue
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue
Mjerë ai që nuk duron!
Promovimi i një Antologjie përjashtuese
Në fillim të muajit prill, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit – me akronimin QKLL organizoi në një nga sallat e Muzeut Historik promovimin e një antologjie poetike të përgatitur nga Poeti Laureat. Titulli i antologjisë ishte huazuar nga një varg tek Këngët e Sibilave i autorit të Çetës së Profetënve, Pjetër Bogdani me një inversion të kundrinës metaforike, por pa cënuar kuptimësinë: Veshun me Diell, mbathun me Hanë. Deri këtu dukej gjithçka në rregull. Prania e televizioneve të Tiranës e përcolli atmosferën elektrizante të sallës, që ishte në funksion të klimaksit euforik nga pjesëmarrja fizike e të përfshirëve në Antologji, sipas shijeve të binomit QKLL dhe Poetit të emëruar Laureat. Mes entusiazmit folklorizant e cinizmit vulgar, një prej të përfshirëve i kërkoi triumfalisht drejtoreshës së akronimit llaçkitës QKLL që ky institucion qeveritar, i cili kishte sponsorizuar Antologjinë, të sponsorizonte menjëherë edhe përkthimin e saj.
Nëse Antologjia në fjalë do të ishte një botim vetjak i Rudolf Markut, do të kalonte në pavemendje të plotë. E njëjta gjë edhe për akronimin me onomatope llaçkitje QKLL, nëse do të ishte një qendër private e qesëndisjes së librit, askush nuk do të merrej me të. Por meqë mbart vulat e institucionit të shtetit dhe paratë e taksapaguesve, ka hapur diskutime e polemika të ashpra kudo ku jetojnë shqiptarët për metodologjinë zhdanoviste të një seleksionimi pērjashtues, duke i zvogëluar në numër poetët, si një trung lisi qindra vjeçar, që, për ta tharë, një bandë gangsterësh ia sharron degët e Shqipërisë Londineze dhe me sopata ia pret krahët e trojeve shqiptare e të diasporës, një krim i mirëfilltë kulturor në dëm të pasurisë intelektuale dhe fondit poetik kombëtar.
Po të perifrazonim Gjon Kamsin, “kjo antologji ka një qëllim të vetëm të mbrapshtë, që të shkrumbojë tek shqiptarët Kujtimin dhe Veprën e Poetëve, e t’a lejë brezninë e re që të rritet pa besën e tyre, në varfëri të plotë, duke ia groposur visaret e kulturës e artit që t’ia shesin shpirtin dreqit për të shuar nga zemrat e mendjet shqiptare dashurinë për Atdhe!”
Pra, është një Antologji ku dallohet qartë tipari kulturocid, i cili nuk ndalet prej 80 vitesh. Nga njëra anë, realizmi socialist i imponuar në Shqipëri për gjysmë shekulli, nga ana tjetër, diktatura komuniste, me ndihmën e ekspertëve nga elita e superstrukturës, i eleminonte me pushkatim a varje poetët, ndërsa sot instrumente hibride të një shteti hibrid, e likuidojnë me injorim, injorancë e përjashtim veprën dhe krijimtarinë e poetëve me të cilën ata identifikohen.
Nuk e vura më kot në spikamë poezinë Qindresa e Luigj Gurakuqit, e papërfillur dhe e papërfshirë në Antologjinë shtetërore që ka përpiluar Poeti i emëruar Laureat.
Krahas shpopullimit të Shqipërisë pa democid ad literam, por duke ua djegur shqiptarëve tokën e tyre nën këmbë; pas rrafshimit të Teatrit Kombëtar, duke i dërguar rruspat si policia kriminale e diktaturës në mes të natës, e njëjta strategji kulturocide, nga stakonovistë në formë e përmbajtje sovjetike, të cilët me një urrejtje antagoniste i heqin qafe poetët.
Pak histori
Prej promovimit pompoz në sallën e Muzeumit Historik katër muaj pas përfundimit të kontratës dhe mandatit të Poetit të emëruar Laureat, po përshkoj një rrugëtim retrospektiv.
Më 16 Janarin e vitit 2019, përmes VKM Nr.24 të firmosur nga kryeministri Edvin Rama, u krijua Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit QKLL, në krye të së cilës u emërua Alda Bardhyli. Pjesë e organikës me katër anëtarë është Kolegjumi, dy prej të cilëve janë Piro Misha e Besnik Mustafaj dhe Bordi i Besimit, mbetur bosh, pa emra. Në të njëjtën VKM u vendos edhe krijimi i institucionit të Poetit Laureat. Në Statusin e botuar në sitin zyrtar shkruhet se, gjatë mandatit dyvjeçar, Poeti Laureat boton një Antologji sipas shijeve të tij (!!!); se QKLL shërben si orientim për shtëpitë botuese brenda dhe jashtë për të promovuar poetët shqiptarë; se Poeti Laureat merr një shumë financiare sapo emërohet, se gjithashtu financohen edhe projektet e veprimtarive kulturore ku përfshihet edhe botimi i Antologjisë. Pra QKLL ēshtë një institucion fuqiplotë që seleksionon, zgjedh, financon, vendos se cilët janë poetët e shkrimtarët meritorë për çmime, grada, vepra e të cilëve duhet të botohet, të përkthehet e të përhapet.
Pra, kur shihni se si i thurrin lavde vetes me libra të përkthyer në gjuhë të ndryshme me vendim të KQPPSH alias KQLL, mos u trushplani!
Sa i përket mënyrës së zgjedhjes së Poetit Laureat, po në Statusin e lartpërmendur shkruhet: “Procesi i përzgjedhjes u realizua nga QKLL dhe Poeti Laureat u emërua prej një Komiteti Drejtues i përzgjedhur nga QKLL”. Vini re: Procesi i përzgjedhjes u realizua nga QKLL; Komiteti Drejtues që u përzgjodh nga QKLL zgjodhi Poetin Laureat! Siç shihet, çdo lëvizje s’ka fare fantazi, është e centralizuar si metoda e realizmit socialist dhe manovrohet e digjitalizuar direkt nga kryeministri sallahan* që ka zgjedhur poetin laureat surrullup**.
Më 6 tetor 2020, 24 ditë përpara 30 Tetorit 2020, kur u shpall emërimi i Poetit Laureat, fillimisht QKLL shpalli një listë të gatshme parafabrikat me 25 emra kandidatësh, listë pastaj që erdhi duke u shkurtuar, deri sa u shkretua me një emër. Në një Shqipëri në kaos kulturor, ku varroset kultura çdo ditë, mungonte vetëm Poeti Laureat. Kurora me dafina që e mbajtën të parët Francesco Petrarka dhe Albertino Mussato do t’i shkonte pa asnjë lloj merite Rudolf Markut, ndërsa elita kulturore e skllavëruar e Tiranës, sipas konkulzionit Orwellian se “Liria është skllavëri”, me një cinizëm të zhdërvjellët, do të pranonte të konformohej edhe kësaj here me çdo kapriçio që i vjen nga lart, sikur t’i vijë nga Zoti.
Nuk dihet se përse kryeministri Edvin Rama do t’ia bënte këtë nder Rudolf Markut, në shkëmbim të çfarë bëmash, por assesi jo për veprimtari poetike. Gjatë qëndrimit të tij mbi çerek shekulli në Londër, Rudolf Marku, ndryshe nga shqiptarë me veprimtari të shkëlqyer Akademike ne Britaninë e Madhe, deri sa ka dalë në pension, rreth vitit 2015 ajo që dihet është se ka qenë i punësuar në zyrat e emigracionit, pa veprimtari sociale kulturore që të tërhiqte vemendjen e opinionit publik.
Mua më bëri përshtypje se pjesëmarrësit në përurimin e Antologjisë ia drejtonin falënderimet e mirënjohjes stakonovistit zhdanovist surrullup dhe jo kryeministrit sallahan që çuditërisht mungonte. Se atij zakonisht ia ka qejfi t’i ndajë vetë trofetë e çmimeve të librave poetikë të atyre poetëve që ia kënaqin shijet e tij prozodike e që sipas tij meritojnë paratë publike për t’u botuar, lexuar, e përkthyer e po ashtu vendos ai vetë se cilët libra e poetë meritojnë të digjen nga inkuzicioni modern High Tech. Për shembull sallahani kryeministër ia dorëzoi vetë trofenë dhe certifikatën poeteshës Rita Petro kur libri i saj poetik “Vrima” u shpall më i miri për vitin 2014 dhe pastaj u financua me fondet e Ministrisë së Kulturës edhe përkthimi i tij në frëngjisht.
E gjithë makineria e propagandës vihet në shërbimin e sallahanit për të shkatërruar e rrënuar vendin, kulturën e psikën e shoqërisë, duke e indoktrinuar dhe shplarë trutë me kulte dhe kulturë trash.
Nëse Shqipëria do të ishte një shtet me sistem demokratik, vlerësimet për veprën poetike të poetëve do të vinin nga institucionet e specializuara shkencore, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, nga instanca akademike dhe nga kritika, që nuk ekziston, të cilët duhet të ishin vendimtarë për hierarkinë e kulturës, varrosur me praktikat Arturui-ste të VKM-ve si një kulturocid i mirëfilltë shtetëror
Lind pyetja, po si ndodhin gjithë këto padrejtësi kur jetojmë në erën e Information Age. Si është e mundur që Elitat në Shqipëri të jenë në krah të djathë të sallahanit, oborrtarëve apo politikës e partive në përgjithësi.
Në një nga shkrimet e tij intelektuali i njohur tash i ndjerë Ardian Klosi, i lënë pa punë nga miku i tij kryeministër Edi Rama, vinte re se, ndërsa Martin Camaj e botonte veprën e tij me para me kredi, një ambasador shqiptar, sapo u ul në atë kolltuk, botoi të përkthyera katër libra të tij. Natyrisht, jo me pare kredi si Camaj, por me fonde projektesh që rrjedhin nga koncesione politike për privilegje jo të merituara personale. Këtu do ta merrni edhe përgjigjen se përse Elita shqiptare është konformuar deri në humbje të identitetit, që do të thotë se asnjë autor në Shqipëri nuk ka ndikim në opinionin publik, sepse ai ka 32 vjet që ka zgjedhur të heshtë, duke e kompensuar heshtjen me përfitime.
Poeti Laureat u emërua dhe financua nga QKLL që të bënte fushatë poezie në të gjitha hapësirat shqipfolëse e të promovonte vlerat e poezisë, çka jo vetēm që nuk e realizoi, por botimi i tij me pretendimin antologjik është jo vetëm një botim i mirëfilltë kulturocid, por dallohet edhe për amatorizëm, subjektivizëm personal, deri në damkosjen e autorëve. Për shembull, pa asnjë lloj logjike justifikuese, Fan Noli vjen në Antologji si përkthyes.
Po ashtu, botuesja Elona Agolli do të dilte publikisht duke nxjerrë në pah qëndrimet stigmatike në Antologji të Rudolf Markut ndaj të jatit, poetit të shquar Dritero Agolli. Jo vetëm që përpiluesi nuk ka përfillur të drejtat e autorit, por i ka blasfemuar poezitë, duke i botuar të mbushura me gabime ortografike, me tituj e data të ndryshuara, me pasaktësi të biografisë dhe me etiketime që nuk lidhen as me poezinë dhe që dallohen për subjektivizmin e përpiluesit që nuk e ka tagrin e kritikut.
Tipari kulturocid i kësaj Antologjie, u realizuar përmes ekskomunikimit, “vrasjes së poetëve” jo me skuadrone pushkatimi, por duke i përjashtuar përmes një metodologjie selektive sovjetike, dmth u përfshinë në Antologji poetë të vrarë nga regjimi për të mbajtur të përjashtuar të tjerë poetë po të vrarë nga regjimi; u përfshinë në Antologji poetë të dënuar nga diktatura, për të mbajtur të përjashtuar të tjerë, pra sadizmi redaktorial arrin apoteozën.
Nga kjo antologji antiantologjike u përjashtuan:
të gjithë poetët nga trojet shqiptare;
u përjashtuan poetët e Shqipërisë Londineze;
u përjashtuan poetët e diasporës;
u përjashtuan poetët e persekutuar apo vrarë nga diktatura komuniste;
u përjashtuan poetët që kanë mbajtur qëndrime kritike ndaj elitave politike-kulturore, përgjegjëse për rrënimin e shtetit të së drejtës, rrënimit të kulturës dhe shpopullimin;
u përjashtuan krijueset poetesha;
Po marr disa shembuj tipikë.
U përjashtua Luigj Gurakuqi, Vigani i vrarë dhe shpërfillur;
U përjashtuan poetët Ndoc Papleka, Hamit Aliaj, Agim Spahiu. Me rastin e vdekjes në ditën e varrimit, Besnik Mustafaj mbajti një Eulogji ku e ngrinte në qiell me të drejtë poetin Hamit Aliaj, ndërsa në promovimin e Antologjisë lavdëroi përpiluesin që e përjashtoi Poetin;
U përjashtuan poetët Nexhat dhe Manush Peshkëpia, njëri i pushkatuar, tjetri i arratisur nga regjimi komunist;
u përjashtua poetesha Drita Çomo, vdekur në moshën 23 vjeçare e vetme në spital, duke iu mohuar të paktën prania e së jëmës që t’i jepte dorën dhe t’i mbyllte sytë;
u përjashtuan poetët Ernest Koliqi (bashkëthemelues i letërsisë moderne shqiptare), Arshi Pipa, Bilal Xhaferri të arratisur dhe anatemuar nga diktatura totalitare;
u përjashtuan poetët Vehbi Skënderi, Jorgo Bllaci kundër të cilëve shteti diktatorial ka ushtruar dhunë persekutore ndërsa post diktatura ekskomunikim;
Edhe përfshirja në Antologji kishte qëllim për të evidentuar përjashtimin, damkën.
U përfshinë poetët Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, por u përjashtua Havzi Nela, i varur në litar në gushtin e 1988, ku një nga ata që kishin firmosur varjen ishte edhe Kristaq Rama.
Pra kjo Antologji është shprehja më egër e urrejtjes dhe armiqësisë së shtetit kundër kulturës, të përqëndruar në duart e një njeriu të vetëm dhe në rastin e Antologjisë e një dallkauku, apo grup dallkaukësh nën urdhërat e tij.
Dhe kulmi vjen, kur surrullupi i babëzitur e makut, duke mos u mjaftuar me emrin si autor i Antalogjisë, në një botim si fushatë e egër e përjashtimeve të poetëve, përfshin në Antologji veten e tij!
Dikush do të më pyesë, se përse nuk po përmend poetin Skënder Buçpapaj, bashkëshortin tim.
Do ta përmend dhe sqaroj hollësisht në vijim, se ishte i vetmi poet që refuzoi të ishte pjesë e kësaj maskarade të shëmtuar, si një paralelizëm perfekt në vitin 2023 me trajtimin çnjerëzor të poetëve gjatë diktaturës komuniste.
Lexuesit po i sjell një poezi të tim eti, poetit Vehbi Skënderi për ta ndjerë, lëndimin dhe plagosjen e provuar prej tij dhe shkaktuar nga një shtet përbindësh, trashëgimtarët e së cilit urdhëruan këtë Antologji të urrejtjes kundër poetëve.
sallahan* surrullup** përdorur nga At Gjergj Fishta
DËBIMI NGA PARAJSA – Poezia nga VEHBI SKËNDERI
“Je heretik”, më thanë. E më dëbuan nga shtëpia.
Ndonëse unë isha prift më katolik se Papa.
“Dakord”, përgjigjem preraz, tek vërej tre detektivë prapa.
E shkoj vullnetarisht drejt e në Ferr.
Diku pas Malit Dajt, në një kazan,
Rrethuar me shkëmbinj, gjarpërinj e minj si ujq! Të mbiquajtur Zall-Mner.
« Na u hiq këtej » !-bërtet plot tmerr truproja e dreqërve.
Unë vërej dhembshurisht kopenë e fatkeqëve:
I vrarë s’ka më keq dhe ca më keq i mjerë,
kthehem në fshatin tim për herë të dytë. Po më lëshojnë qentë. “Na u hiq nga sytë”!
– ulërin kori i vëllezërve.
Unë, që t’iu largohem pështymave të lakejve, iki.
Marr tri ditë bukë në trajsë, ble në ambasadë
një vizë kontrabandë dhe, me një avion privat, zbres në Parajsë!
Po engjejt tejet të arsyeshëm e engjëllorë, pak të padukshëm e të përhimtë:
Më dëbojnë sa vë këmbën në Eden, si « alien » të « dyshimtë ».
« Dakord » Hipi një anije kozmike për në një galaktikë tjetër.
«Çudi », flas si nëpër gjumë:
« Këtu njerëzit s’paskan hiç frikë nga unë ».
E mendoj buzagas. “E unë prej askujt s’paskam frikë”. “Shyqyr”, e marr frymë i lirë.
“Nuk ka më mirë“…
Dhe më pëlqen sa s’ka ku vete: kopshti im, gruaja (vendase) shtëpia.
Po edhe dielli, shiu, flladi e hija.
“Shih, janë tjetër gjë. Fare tjetër.”!
Por sapo pshtetem për t’u çlodhur pak troket dikush.
“Kush është”? „Policia“, guget një pëllumbeshë.
“Jo”! Unë nuk mund të them dot kurrsesi se u përdor mbi mua “dhunë”. Unë…
Përkundrazi: më rrahën lehtaz supet dy police të hijshme e më cicëruan urdhërin fatal:
“Dëbohesh nga Gjithësia, si “I Pandreqshëm”! “Dakord”. E kur shikoj se nuk më “fal”
askush (s’ka rekurs) dhe s’pipëtin askund asnjë dritë e gjelbër
thërras sa mund: “Vafshi në Djall të gjithë”!
Edhe filloj në Kozmos turrin e përjetshëm.
“O Zot i Madh”, bërtas me sa fuqi: “Ose më bëj një trup qiellor
(ashtu siç e di Ti) të sillem nëpër rruzull”.
Ose: një horr e superhorr të mbretëroj në xhungël”:
Por, për të qenë dhe pak “tolerant”, siç është moda, e ul zërin tri korda:
Ose “sëpaku” frymë në hundë, si Adamit, dhe më bëj re.
Të fluturoj aty ku kurrkush nuk më njeh. E kurrkush nuk më sheh“!
Reinach, 7 janar 2003
–
Nga libri “Zvicra Shqipëria ime”, Prishtinë 2004
(Vijon – Pse e refuzoi Skënder Buçpapaj “ftesën” e Rudolf Markut për të qenë pjesë e Antologjisë së përjashtimit )