Institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi, po i shfrytëzojnë shërbimet e një kompanie ruse që është në “listën e zezë” në shumë vende dhe kjo ka ngritur shqetësimet mbi sigurinë e kompjuterëve në institucionet e këtyre shteteve.
Bëhet fjalë për sistemin antivirus të prodhuesit rus, Kaspersky, i cili edhe pse nuk është i ndaluar në Maqedoninë e Veriut, është i ndaluar në SHBA, që është partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, ndërsa Bashkimi Evropian (BE), me të cilin Shkupi hapi negociatat për anëtarësim, rekomandoi ndalimin e shërbimeve të kësaj kompanie ruse.
Kaspersky nuk përdoret as në institucionet e Kosovës, dhe këtë për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, deri në publikimin e këtij teksti, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cilat institucione përdorin sistemin antivirus Kaspersky.
Megjithatë, sipas të dhënave nga Byroja e Prokurimeve Publike të Maqedonisë së Veriut, kompleksi i klinikave shëndetësore shtetërore ishte i fundit që nënshkroi kontratë për blerjen e shërbimeve Kaspersky.
Ky program përdoret edhe nga spitalet tjera, gjykatat dhe komunat e tjera, ndërsa nga viti 2021 u porosit edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Sistemi antivirus Kaspersky përdoret edhe nga Ministria e Arsimit, sipas kontratës për prokurim publik të lidhur në vitin 2021. Kjo ministri ishte shënjestër e sulmeve kibernetike vitin e kaluar.
Ministria e Financave, sipas Byrosë së Prokurimit Publik, ka lidhur kontratë për shfrytëzimin e antivirusit Kaspersky në gusht të vitit të kaluar, sipas së cilës, softueri antivirus duhet të instalohet në të gjithë serverët e klientëve. Në kontratë thuhet se që në këtë moment softueri antivirus (Kaspersky Endpoint Security for Business) është i instaluar në infrastrukturën e Ministrisë dhe mbajtësi i prokurimit duhet të çinstalojë softuerin aktual dhe të instalojë një të ri.
Regjistri qendror në raportin e punës për vitin 2020 thekson se në pjesën e modernizimit të infrastrukturës ekzistuese dhe përmirësimit, ndër të tjera, është zbatuar rinovimi i mbrojtjes së centralizuar antivirus Kaspersky.
Megjithatë, jo të gjitha kontratat janë publikuar në Byronë e Prokurimit Publik dhe në shumicën e atyre që janë publikuar nuk ka specifikime se çfarë sistemi antivirus kanë blerë institucionet, sepse për blerjet nën 5.000 euro nuk janë të detyruara të japin të dhëna të detajuara.
Në Maqedoninë e Veriut, shumica e institucioneve shtetërore angazhojnë kompani të jashtme për t’u kujdesur për faqet e tyre të internetit.
Nuk ka asnjë organ apo institucion në shtet që të jetë përgjegjës për kontrollin e programeve antivirus që përdoren në institucionet shtetërore, ndaj i takon çdo institucioni të vendosë vetë përmes prokurimit publik.
Armata dhe Ministria e Mbrojtjes, duke qenë se bëhet fjalë për vend anëtar të NATO-s, përdorin softuer në përputhje me politikën e aleancës; në përdorim kanë softuerin antivirus amerikan McAfee.
Kaspersky përdoret në mbi 50 institucione në Bosnjë e Hercegovinë
Programi antivirus i prodhuesit rus Kaspersky përdoret në më shumë se 50 institucione të Bosnjë e Hercegovinës, përfshirë Presidencën, Këshillin e Ministrave, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA).
Kjo u konfirmua për Radio Evropa e Lirë nga sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.
Deri në fund të vitit 2022, 1.300 licenca antivirus Kaspersky janë blerë nga prodhuesi rus. Më pas janë blerë edhe 200 të tjera, kur Sekretariati ka lidhur kontratë me firmën nga Banja Lluka “Prointer”, me vlerë gati 18 mijë euro.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaloi përdorimin e programeve të tyre antivirus në të gjitha agjencitë shtetërore në vitin 2017 për shkak të akuzave për bashkëpunim me Shërbimin Federal të Sigurisë Ruse (FSB), të cilat kompania i mohoi.
Në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, Bosnja dhe Hercegovina ishin në shënjestër të sulmit kibernetik, kur faqja e internetit e Parlamentit shtetëror u çaktivizua për dy javë. Më pas një bllokim të shkurtër pësuan edhe faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Shërbimi për Çështjet e Përbashkëta dhe disa kompani të tjera.
Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës thotë se për shkak të këtyre sulmeve, kanë blerë licenca shtesë për pajisjet e mbetura dhe i kanë përditësuar sistemet operative dhe antiviruset.
Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse përdorimi i softuerit është në kundërshtim me sanksionet kundër Rusisë, të cilat janë mbështetur edhe nga Bosnjë e Hercegovina, nga Sekretariati thanë se “nuk janë zyrtarisht në dijeni” për një vendim të tillë.
Në të njëjtën kohë, të pyetur nëse Kaspersky mund të përfaqësojë një kërcënim për sigurinë, nga Sekretariati thanë se i gjithë trafiku përmes lidhjeve publike është duke u monitoruar dhe se deri më tani “nuk ka pasur asnjë tregues për aktivitete të tilla”.
Kaspersky përdoret nga disa institucione në Serbi
Sipas të dhënave nga Prokurimet Publike të Serbisë, 14 institucione të këtij shteti kanë blerë shërbimet Kaspersky gjatë dy vjetëve të fundit. Këto institucione financohen nga buxheti shtetëror
Vlera totale e kontratave të lidhura për prokurimin e sistemeve Kaspersky nga fillimi i vitit 2021 deri në fund të 30 marsit 2023, arrijnë në më shumë se 870.000 euro.
Në mesin e institucioneve që i kanë marrë sistemet ruse janë, Ministria e Punëve të Brendshme, shërbimi publik mediatik RTS, kompanitë publike “Srbijagas” dhe Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë.
Zyra e Qeverisë së Serbisë për Teknologjitë e Informacionit nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë në lidhje me sistemet e mbrojtjes kundër viruseve të përdorura nga institucionet shtetërore.
Kaspersky nuk ka një zyrë përfaqësuese të regjistruar në Serbi. Produktet e tyre shiten dhe instalohen në Serbi nga kompani të tjera. Ekziston një faqe e regjistruar Kaspersky.rs, e cila përmban informacione rreth produkteve në gjuhën serbe.
Në vitin 2018, ministri i atëhershëm pa portofol i ngarkuar për Inovacionin, Nenad Popoviq, pas një takimi me përfaqësuesit e kompanisë Kaspersky në Moskë, njoftoi hapjen e një përfaqësie të kësaj kompanie në Serbi.
Sipas mediave hulumtuese, Popoviq ka lidhje biznesi në Rusi.
Në Mal të Zi, Ministria e Administratës Publike është përgjegjëse për mbrojtjen e kompjuterëve nga viruset. Ky institucion i tha Radios Evropa e Lirë se për arsye sigurie nuk mund të specifikojnë se çfarë po përdorin, porse nuk është produkt rus.
Cilat shtet nuk e rekomandojnë Kaspersky-n?
Në mars të vitit 2022, menjëherë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Komisioni Federal i Komunikimeve të SHBA-së (FCC) përfshiu Kaspersky-n në listën e kompanive që paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare.
Zyra Gjermane për Sigurinë e Informacionit njoftoi po në mars se nuk e rekomandon përdorimin e këtij softueri, duke përmendur rreziqet e mundshme për sigurinë e pajisjeve pas një pushtimi.
Në atë kohë, kompania mohoi lidhjet me Kremlinin dhe theksoi se vendimi ishte marrë “për arsye politike”.
Autoritetet italiane njoftuan, gjithashtu, në mars 2022 se do të reduktonin përdorimin e Kaspersky-t në sektorin publik dhe katër vjet më parë Holanda kishte njoftuar të njëjtën gjë.
Në vitin 2018, Parlamenti Evropian kërkoi që institucionet e Bashkimit Evropian të ndalonin përdorimin e produkteve të kompanisë ruse në pajisjet e tyre.
Në vitin 2018, rrjeti social Twitter njoftoi se kishte ndaluar reklamat për Kaspersky, duke përmendur, ndër të tjera, pretendimet e autoriteteve amerikane për lidhjet e kompanisë me agjencitë e inteligjencës ruse.
Në vitin 2017, Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Britanisë këshilloi përdoruesit e qeverisë të shmangin programet ruse antivirus.
Kaspersky është themeluar në Moskë në 1997. Në ueb-sajtin e kompanisë shkruan se selia e saj është në Britaninë e Madhe, dhe se shërbimet e saj i përdorin më shumë se 400 milionë përdorues dhe 240 mijë kompani në mbarë botën.
Në nëntor 2020, ata zhvendosën serverët me të dhënat e përdoruesve të tyre nga Rusia në Zvicër.
Nga Kaspersky thonë se si kompani private nuk kanë lidhje politike me asnjë qeveri, por bashkëpunojnë me autoritetet e vendeve të ndryshme dhe agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit kibernetik.
Drejtori dhe bashkëthemeluesi i kompanisë është Yevgeny Kaspersky, ekspert rus i sigurisë kibernetike.
Gjatë viteve të tetëdhjeta, ai u diplomua në Fakultetin Teknik të Shkollës së Lartë të KGB-së, e cila trajnoi oficerë të ardhshëm të inteligjencës dhe më vonë punoi në shërbimin e inteligjencës ushtarake sovjetike.
Përgatiti: Isuf Kadriu
Bashkëpunuan në tekst: Goran Katiq, Pelagija Stojanqova, Arton Konushevci, Sllavica Brajoviq, Milla Gjurgjeviq, Natalija Jovanoviq