Se sa i madh është investimi politik, diplomatik dhe subversiv i Rusisë në tensionet dhe në krizën qeveritare dhe institucionale në Maqedoni, e tregon fakti që MPJ e Rusisë edhe në datën 2 mars, edhe në datën 3 mars, lëshon komunikata me qëndrimin rus për zhvillimet në atë shtet të largët ballkanik. Po t’i shtojmë edhe komunikatat e MPJ të Rusisë për Maqedoninë në datat 2 shkurt, 13 shkurt, dhe dy deklarime të saj brenda datës 15 shkurt, shfaqet qartë frekuenca e ndërhyrjes ruse si gjeneratori kryesor i krizës së sotme kushtetuese dhe qeveritare në shtetin e Maqedonisë. Kjo frekuencë e pazakontë e ndërhyrjes diplomatike shënon kulmin e një lufte hibride trevjeçare, që Rusia po zhvillon për ta sjellë rendin e punëve në Maqedoni në favorin e saj.
Duke parë këtë angazhim diplomatik të përditshëm, nuk mund të mos lindë pyetja se ç’punë ka Rusia me një shtet, që nuk e ka në kufi dhe i cili nuk është anëtar i asnjë organizate politike, ekonomike apo ushtarake të krijuar dhe të drejtuar nga Rusia. Tani që kriza kushtetuese ka arritur një pikë absurdi me vendimin e presidentit Gjorgje Ivanov për të mos i dhënë mandatin e kryeministrit partisë LSDM, e cila ka sipas Kushtetutës të drejtën të formojë qeverinë e re, pas dështimit të partisë VMRO-DPMNE, shohim një nervozizëm të pazakontë diplomatik të Rusisë dhe një intensifikim të strategjisë së saj të tensionit në Maqedoni dhe në Ballkan. Burime diplomatike në Shkup bëjnë të ditur se taktika bizantine antikushtetuese e presidentit maqedonas për të mos i dhënë mandatin partisë së dytë fituese të zgjedhjeve, si dhe taktika e mëparshme antikushtetuese për t’i kërkuar Zajevit paraprakisht formimin e shumicës parlamentare pa i dhënë mandatin, gjë të cilën nuk ia kërkoi Gruevskit, janë këshilla të diplomacisë ruse për të rritur krizën në favor të forcave politike proruse dhe për të mbajtur me çdo kusht në fuqi beniaminin e tyre, Nikolla Gruevski.
Përkrahja direkte diplomatike dhe propagandistike, që Moska po i jep presidentit Ivanov në lëvizjet dhe në qëndrimet e tij antikushtetuese, është në shkelje të normave ndërkombëtare dhe të ligjeve të shtetit të Maqedonisë. Në të gjitha shtetet demokratike dhe normale presidenti u jep mandatin e krijimit të qeverisë me radhë partive, të cilat do të jenë në gjendje të krijojnë shumicën parlamentare dhe qeverinë përkatëse. Këtë kërkesë normale ligjore dhe demokratike e përmban edhe Kushtetuta e Maqedonisë. Është hera e parë në historinë 26-vjeçare të shtetit të Maqedonisë, që presidenti refuzon të zbatojë një normë kushtetuese dhe shpik një artifis për të penguar formimin e qeverisë së re, sepse kjo qeveri nuk i pëlqen partisë së presidentit dhe nuk u pëlqen sponsorëve rusë, që po punojnë për Gruevskin. Komunikata e MPJ ruse e 3 marsit 2017 dhe gjithë komunikatat e kësaj ministrie në muajin e fundit marrin në mbrojtje presidentin Ivanov dhe e nxisin atë t’u rezistojë thirrjeve të BE, të KE, të OSBE dhe të organizmave të tjera ndërkombëtare, që presidenti të zbatojë Kushtetutën, ligjet dhe praktikat demokratike. Ngjashmëria e argumenteve dhe tezave të presidentit maqedonas me ato të Ministrisë së Jashtme ruse është kaq e madhe, saqë është vështirë të identifikosh se kush është origjinali. Logjika diplomatike dhe historike e fuqisë çon te konkluzioni që nuk mund të jetë MPJ ruse, që imiton komunikatat e Gjorgje Ivanovit, por është presidenca maqedonase, që imiton komunikatat e MPJ të Rusisë.
Moskës i intereson acarimi dhe jo zgjidhja e krizës maqedonase. I intereson tensionimi dhe kriza kushtetuese dhe institucionale, dhe jo zbatimi i ligjeve kushtetuese dhe demokratike. Kjo strategji krize e mban larg dhe shumë larg Maqedoninë nga anëtarësimi në BE dhe në NATO, çka është objektivi kryesor i ndërhyrjes ruse dhe i manipulimit rus të forcave antiperëndimore në atë shtet. Jo rastësisht, dimensioni kryesor i tanishëm i ndërhyrjes ruse në Maqedoni po bëhet shndërrimi i krizës, nga konflikt politik midis forcave maqedonase, në një konflikt etnik midis popullit maqedonas dhe popullit shqiptar. Hija e metodës ruse të përdorur në Ukrainë, për organizimin e një konflikti etnik midis rusëve dhe ukrainasve, po shfaqet kërcënueshëm mbi shtetin e Maqedonisë. Komunikatat e MPJ të Rusisë vendosin në themel të tyre nxitjen e konfliktit ndëretnik në Maqedoni. Komunikatat e MPJ të Rusisë të datës 2 dhe 3 mars përmbajnë një antishqiptarizëm patologjik, me një nxitje dhe inkurajim deri racor të urrejtjes etnike të maqedonasve ndaj shqiptarëve dhe me një strategji perfide për krijimin e kushteve për një konflikt të gjerë ndëretnik në Maqedoni. Antishqiptarizmi i institucionit kryesor të diplomacisë ruse është deri në kufijtë e habisë dhe pa asnjë etikë diplomatike sulmohet Shqipëria si shtet dhe shqiptarët si komb. Diplomacia dhe propaganda ruse kanë koleksionuar teza antishqiptare dhe me komunikatat zyrtare po mbledhin re lufte në qiellin politik të Maqedonisë. Ja tezat e dy komunikatave të fundit ruse: 1- që kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë synojnë federalizimin dhe asgjësimin e shtetit të Maqedonisë; 2- që kërkesat e partive politike shqiptare bazohen në një platformë të hartuar në Tiranë dhe Shqipëria ndërhyn në punët e brendshme; 3- që me kërkesat për dygjuhësinë zyrtare shqiptarët duan të krijojnë “Shqipërinë e Madhe”; 4- që Kosova po destabilizon Maqedoninë dhe rajonin; 5- që shqiptarët kanë pretendime territoriale ndaj Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë.
Diplomacia ruse sulmon shqiptarët e Maqedonisë, Shqipërinë dhe Kosovën, pra sulmon shqiptarët si komb, dhe ky antishqiptarizëm është boshti veprues i ndërhyrjes së gjithanshme të Rusisë në Maqedoni.
Diplomacia ruse, në vazhdën e diplomacisë cariste, komuniste, sovjetike, po punon të krijojë në Maqedoni imazhin e kombit shqiptar si armiku i popullit dhe i shtetit maqedonas. Mbështetja ruse është shtrirë edhe në protestat e organizuara nga partia e Gruevskit nëpër rrugët e Shkupit këto ditë me slogane fashiste dhe raciste kundër kërkesave të popullit shqiptar. Institucionet ruse kanë rinxjerrë në skenë tezën e vjetër nacionaliste serbo-maqedonase se shqiptarët në Maqedoni janë pakicë dhe nuk kanë të drejtë të jenë faktor qeveritar dhe shtetformues.
Për ta fryrë edhe më shumë të ashtuquajturin rrezik shqiptar si komplot ndërkombëtar i Perëndimit kundër popullit maqedonas, diplomacia dhe propaganda ruse po akuzojnë Perëndimin se mbështet shqiptarët dhe krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. “Përpjekje, që mbështeten aktivisht nga udhëheqësit e BE-së dhe të NATO-s, po bëhen që maqedonasit të pranojnë platformën shqiptare të bazuar në hartën e Shqipërisë së Madhe”, deklaron komunikata e MPJ ruse e 2 marsit. Zhurma e diplomacisë dhe e propagandës ruse për të ashtuquajturën ndërhyrje të BE-së dhe të NATO-s synon të mbulojë dhe të justifikojë ndërhyrjen dhe ngatërresat, që po provokojnë në Maqedoni diplomacia dhe institucionet subversive ruse. Është vërtet absurde që diplomacia dhe propaganda ruse flet për ndërhyrje të BE-së dhe të NATO-s në Maqedoni, në një kohë që Maqedonia është shtet kandidat për në BE dhe në NATO, dhe ka një politikë zyrtare të deklaruar nga të gjitha qeveritë dhe partitë politike maqedonase dhe shqiptare për integrimin në BE dhe në NATO. Pra Maqedonia po shkon vetë me dëshirë te BE dhe te NATO, do vetë të bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s, dhe nuk ka nevojë as BE dhe as NATO të ndërhyjnë në Maqedoni. Pikërisht këtë orientim strategjik të integrimit të Maqedonisë në BE dhe në NATO kërkon ta bllokojë Rusia, dhe ajo është e interesuar të krijojë kriza, konflikte politike dhe ndëretnike, që të turbullojë situatat dhe Maqedonia të mbetet jashtë integrimeve europiane dhe atlantike.
Kryeministri proserb dhe prorus Nikolla Gruevski, i ka shkuar lojës ruse, sepse e sheh si mbështetja kryesore për vazhdimin e sundimit të tij autokratik dhe të korruptuar. Ai ka bllokuar me ndërgjegje rrugën e Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe në NATO. Ndaj Moska i dha një përkrahje të jashtëzakonshme Gruevskit që në fillimet e krizës politike në vitin 2015, dhe organizoi një fushatë sistematike sulmesh ndaj opozitës maqedonase. Lidhur me këtë ndërhyrje të Rusisë unë kam shkruar në fillim të vitit 2015: “Kryeministri Gruevski vlerësohet në Moskë si karta më e mirë politike për ta mbajtur Maqedoninë si gropë e zezë në Ballkan dhe larg integrimit të plotë euroatlantik. Moska e ka vënë bastin e saj te Gruevski. Avancimi i Maqedonisë në prioritetet ballkanike të Moskës pritet të shënojë një shkallëzim të ri të ndërhyrjes ruse në këtë vend dhe në rajon”. (Libri “Shqiptarët e Maqedonisë – prioriteti i çështjes shqiptare”, Tiranë, 2016, fq. 256).
Në këtë linjë, diplomacia ruse ka mbështetur presidentin Ivanov që të bëjë një puç antikushtetues dhe të bllokojë në mënyrë të paligjshme formimin e qeverisë së re dhe normalizimin e jetës institucionale në vend. Në këtë linjë po nxitet prej Moskës fryma radikale e
nacionalizmit maqedonas për të refuzuar bashkekzistencën dhe bashkëqeverisjen e popullit shqiptar me popullin maqedonas dhe barazinë e të drejtave qytetare të tyre si dy popuj të barabartë. Moska nuk e ka dashur asnjëherë as stabilitetin dhe as orientimin europian të shtetit të Maqedonisë, dhe në forma të ndryshme është përpjekur ta sabotojë orientimin perëndimor dhe vetë shtetin. Gazeta bullgare “Novinite” shkruante në 7 shkurt 2017, se në vitin 2015 ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, sugjeroi që Maqedonia duhet të ndahet, pra të prishet si shtet.
Duke inskenuar rrezikun shqiptar dhe euroatlantik për Maqedoninë, diplomacia ruse po punon fort që isteblishmenti maqedonas të heqë dorë nga integrimi euroatlantik dhe të futet zyrtarisht në rrugën e integrimit me Rusinë. Organi kryesor shtetëror rus i propagandës ndërkombëtare “Sputnik” i bënte thirrje Maqedonisë në datën 3 mars, (të njëjtën ditë me komunikatën e MPJ ruse), që “Është koha t’i besohet Rusisë për Maqedoninë dhe jo Trump-it. Maqedonasit duhet të dëgjojnë Rusinë më shumë. Është imperative që Maqedonia të vërë besimin e saj te Rusia”. Diplomacia ruse po ushtron presion mbi Shkupin që të pranojë projektin rus të krijimit të një aleance të shteteve ortodokse në Ballkan me emrin “territoret neutrale të shteteve neutrale të Europës Juglindore”. Këtë projekt Kremlini ua serviri për nënshkrim disa partive politike proruse të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe të “serpska republikës” në 26 qershor 2016 në Moskë. Në datën 15 shkurt 2017, zëdhënësja e MPJ ruse, Maria Zakharova përsëriti ofertën zyrtare diplomatike ruse për këtë projekt, duke deklaruar se “Moska beson se krijimi i territorit neutral të shteteve neutrale në Europën Juglindore është një nismë e dobishme. Ne shpresojmë që politikanët dhe deputetët e Ballkanit do ta analizojnë me kujdes këtë koncept dhe zbatimin e tij”.
Sikundër shihet, lëvizjet dhe projektet diplomatike janë të lidhura ngushtë dhe strategjia ruse e tensioneve dhe e krizave në Maqedoni është në funksion të bllokimit të integrimit euroatlantik të rajonit dhe të zgjerimit të ndikimit të Rusisë në vendet, që nuk kanë hyrë ende në BE dhe në NATO. Ishte serioz paralajmërimi, që përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, bëri në Shkup në 2 mars: “Duhet të ndalojmë që kjo krizë politike dhe institucionale të bëhet konflikt ndëretnik, ose, akoma më keq, gjeopolitik”. Kriza në Maqedoni është produkt i një ndërhyrjeje dhe i një lufte hibride ruse për të tronditur Maqedoninë dhe vendet rreth saj dhe për t’i dobësuar në masën, që Rusia ta ketë më të lehtë të avancojë planet e saj ballkanike nëpërmjet zjarrit të tensioneve të brendshme politike në këto shtete. Kriza në Maqedoni provon edhe njëherë se gjeopolitika ruse në Ballkan ka si gjithmonë një profil antishqiptar.
Komentet