6 nëntor 2024
Libri ‘Antikultura e ’68 në Shqipëri’ nga Albert Nikolla paraqet një analizë të thellë të ngjarjeve kulturore dhe politike që karakterizuan periudhën e komunizmit në Shqipëri. Kjo vepër nga kritika është vlerësuar lart pasi që sipas tyre, pasuron njohuritë tona mbi të kaluarën ku dhuna kulturore nxjerr në pah kombinimin e frikës, terrorit dhe nxitjes së injorancës. Autori thotë se ky promovim në Kosovë është një plotësim shpirtëror.
Në ambientet e Fakultetit Filozofik në Prishtinë u promovua libri “Antikultura e 68-s në Shqipëri”. Dashamirë të artit të shkruar, studiues e qytetarë të shumtë të pranishëm patën mundësi të takojnë autorin dhe të mësojnë më shumë rreth kësaj monografie.
Mes tjerash gjatë fjalës së tyre studiuesit dhe recenzentët thanë se ky libër është një studim i rëndësishëm për këdo që kërkon të kuptojë sistemin e regjimeve, e sidomos të diktaturës në Shqipëri.
Gjuhëtarja dhe studiuesja, Elona Gjata në fjalën e saj mes tjerash ka thënë se libri i Albert Nikollës është i pari i cili i kushtohet periudhës së mbushur me qëllime, kahje e lëvizje kontraverse, në një sfond të përgjithshëm evropian e botëror tejet të ndërlikuar.
“Pushteti komunist në Shqipëri kishte një taktikë shumë diplomatike. Enver Hoxha në një qëndrimti të tij ishte shprehur se populli shqiptar, klasa e tij punëtore e përshëndesin dhe e përkrahin me gjithë zemër luftën e drejtë të punonjësve francezë kundër monopoleve dhe pushtetit të tyre shtypës. Por këtu zë fill metoda e kulaqit dhe kërbaqit, shprehet Alberti në librin e tij. Në kontekstin e 68-s shqiptare nga njëra anë u krijua përshtypja se do të ketë më shumë liri nga të gjitha hapësirat e jetës sidomos në art, por kjo klimë lirie do të konsiderohej e duhur në mënyrë dramatike me dy ngjarje simbolike për periudhën sidomos pas pleniumit të katërt”, ka thënë Gjata.
Ndërsa Don Viktor Sopi drejtor i përgjithshëm i Caritas Kosova pasi e ka përgëzuar autorin e ka çmuar lartë këtë vepër. Sipas tij, ky libër na vjen në ndihmë të kuptojmë se raporti midis antikulturës dhe kulturës, midis shkatërrimit dhe prirjeve për ndryshim ishin bërë të rrezikshme.
“ Periudha e 68-s në atë periudhë edhe popullin e Kosovës e karakterizon koha ma e egër siç quhet koha e Rankoviqit. Si intelektual mundohet dhe vepron për të sjellë atë më të mirën që është në shërbim të krejt qytetarëve. Ky libër i zotit Albert, sjell risi unike si për lexuesin ashtu edhe për kulturën dhe literaturën shqiptare. Autori përdor qasje shumëdisciplinare duke bashkuar të dhëna të profileve të ndryshme për ta kuptuar tragjedinë e popullit nga përvoja e hidhur me antikulturën”, ka thënë Sopi.
Autori Albert Nikolla, mes tjerash tha se”: “Liria është thelbësore për dinjitetin e njeriut, por është dramatikisht e dobët sepse është në rrezik. Nuk je njeri nëse nuk ke liri, dhe kjo ishte dëshmia më tragjike e atij sistemi”.
“Mua më lidh diçka emocionale dhe jetësore me Kosovën, kështu që të gjithë personat që janë këtu të pranishëm u jam falënderues. Shqipëria dhe Kosova vetëm kur janë të dyja bashkë përplotësojnë njëra tjetrën dhe thelbi i kësaj duhet të jetë dashnia dhe respekti për sakrificën që kanë bërë të dyja palët. Kosovën me Shqipëri e ka bashkuar një shpirt gati i fshehtë. Ky pasion kaq i madh ishte gati i fshehtë sa që Shqipëria kishte një qasje gati djallëzore me Kosovën, qeveria shqiptare e ka shitur Kosovën. E ka shitur me Masakrën e Tivarit, e ka shitur me qasjen që ka pasur në marrëdhënie me Titon, e ka shitur duke mos mbrojtur intensivisht qështjen shqiptare në Kosovë. Libri thotë më shumë se sa mund të them unë prandaj më lejoni vetëm t’ju falënderoj”, është shprehur Nikolla.
Të pranishmit thanë se kjo vepër është ndihmesë për të parë se në çfarë rruge u kalua, për të gëzuar dhe për të pasur një lloj mirënjohjeje për artistët e kohës të cilëve iu ndalua gjithçka e bukur në emër të realizmit socialist.
Iliriana Pylla
Prishtinë