TIRANE – Mbrojtësi i Kombëtares do të kishte dashur të luante në ndeshjen e fundit në Jeravan, por plotësimi i numrit të kartonëve të verdhë bëri që ai ta shihte ndeshjen nga stoli. Megjithatë, Ansi Agolli ka qenë titullar i padiskutueshëm i De Biasit në këtë edicion kualifikues të ‘EURO 2016’. Ai ndan me “Gazetën Shqiptare” emocionet e kualifikimit që erdhën në një ditë të shënuar për të, në përvjetorin e 33-të.
Ansi, a ishte e vështirë për De Biasin t’ju motivonte pas humbjes me Serbinë? A la pasoja te ju ajo ndeshje?
Nuk diskutohet që ka qenë mjaft e vështirë për t’u motivuar pas humbjes me Serbinë. Ajo ndeshje kishte përjetimin më të hidhur që ka pas ky edicion, por ndeshja e radhës ishte shumë afër dhe trajneri De Biasi punoi shumë në aspektin psikologjik me ekipin.
A të erdhi keq që nuk ishe në fushë në ndeshjen me Armeninë? Si e përjetove atë?
Natyrisht që më erdhi keq, sepse të luash gjithë edicionin dhe të mungosh në ndeshjen e mbylljes nuk ndihesh mirë, por shokët kanë bërë një ndeshje perfekte po ashtu dhe Naseri (Aliji) bëri një ndeshje mjaft të mirë. Pastaj për përjetimin ishte diçka jashtë normales. Një stres i paparë, deri në momentin që arbitri vërshëlleu mbarimin e ndeshjes mund të kem humbur 3 kilogramë pa frikë nga emocionet.
Dy gëzime në një ditë thonë… si e festove ditëlindjen e 33-të?
Pa dyshim që ishte ditëlindja më e bukur e jetës sime, kjo falë çunave të ekipit. Çdo gjë ishte perfekte atë ditë. As nuk do i shtoja e as nuk do i hiqja gjë asaj dite, ishte një mrekulli.
Çfarë i tha trajneri De Biasi dhe presidenti Duka ekipit para ndeshjes?
Siç e përmenda më lart, çdo gjë kishte të bënte me motivimin e ekipit, pasi ne si ekip jemi më lart cilësisht se armenët. Kështu që çdo gjë kishte të bënte me aspektin psikologjik, që unë mendoj se shkoi perfekt.
Deri në ç’orë ndenjët zgjuar me ekipin natën e fitores në Armeni?
Kemi qëndruar deri vonë, por edhe kur u shtriva për të fjetur, përsëri nuk më zinte gjumi nga emocionet që përjetova. Më dukej akoma e pabesueshme.
Cilat ishin mesazhet më të veçanta që morët pas sigurimit të kualifikimit?
Mesazhe pa fund, pa fund. M’u bllokua edhe telefoni një moment, por do veçoja mesazhin e nënës sime, sepse më shumë se kushdo, ajo e di se çdo të thotë për mua ai kualifikim për në ‘Euro 2016’. Po ashtu, gjej rastin këtu, pasi akoma nuk u kam kthyer përgjigje për arsye kohe, të falënderoj edhe të gjithë ata që na kanë qëndruar afër dhe na kanë mbështetur me zemër.
Si shkoi ceremonia tek Rama, po dekorimi tek Nishani?
Ishte çdo gjë perfekte dhe unë do i falënderoja për stimulin që na kanë dhënë si presidentin, ashtu edhe kryeministrin.
Festa në shesh, a prisnit aq shumë njerëz?
Diçka e paimagjinueshme, një ditë e paharrueshme. Një komb i tërë që të pret me ovacione. U kaluan kufijtë dhe çdo limit i gëzimit. Gjithë ato vite mund e sakrifica, gjithë ato vite zhgënjime, lot, pritje, shpresë u këmbyen atë natë në Jerevan dhe me atë pritje që na bënë tifozët. Ishte diçka që sigurisht në memorien time dhe shokëve të mi do mbahet mend përgjithmonë dhe do ua tregojmë fëmijëve tanë me krenari.
Disa lojtarë me prejardhje nga trevat shqiptare kanë pak kohë që kanë ardhur në Kombëtare. A janë integruar ata njësoj si të tjerët, apo kanë pasur vështirësi?
Këtë pyetje duhet t’ua bëni më mirë atyre që kanë ardhur tani vonë. Ajo që unë mund t’ju them është që një nga pikat më të forta të ekipit tonë është ambientimi i shpejtë dhe harmonia e çunave me njëri-tjetrin, i lojtarëve të rinj me ekipin, ndaj dhe goli që shënoi Berati (Gjimshti) vetëm në ndeshjen e tij të 3-të, nuk është rastësi.
Si e pritën në Azerbajxhan fitoren ndaj Armenisë? Po juve personalisht çfarë ju thanë në ekip, tifozët e Karabakut?
Dihen tani problemet që janë ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë. Nga tifozët azerë kam pasur gjithnjë mbështetje dhe kësaj here nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Kam marrë urimet nga trajneri dhe gjithë ekipi, por dhe nga qindra tifozë që më kanë uruar.
Mendoni se kemi shanse të bëjmë përpara në Francë apo mendoni se objektivi u arrit?
Mos mendoni se ato ekipe që do na bien në grup do jenë më të forta se Portugalia apo Danimarka. Ne e kemi treguar që edhe ndaj ekipeve “big” marrim rezultate. Ne do bëjmë më të mirën tonë, do japim maksimumin për një prezantim sa më dinjitoz në këtë eveniment të rëndësishëm. S’kemi asgjë për të humbur, por vetëm fitojmë nga kjo eksperiencë e mrekullueshme.
Kush janë ata njerëz, të cilëve u je mirënjohës për këtë arritje?
Kjo është një pyetje e rëndësishme për mua. Në futboll nuk janë vetëm ata që luajnë në fushë, por edhe ata që qëndrojnë pas kuintave dhe unë do e filloj falënderimin nga Tosi, magazinieri, për të vazhduar me stafin mjekësor, Yllin, Benin, Albanin dhe Filipon. Për të vazhduar me stafin e trajnerëve. Po ashtu, dua ta ndaj këtë gëzim me stafin e hotelit ku ne rrimë të grumbulluar, ata që na ndihmojnë e sidomos Mira, e cila kujdeset për ne sikur të ishim fëmijët e saj. Gjithashtu, në Federatën Shqiptare të gjithë njerëzit punojnë që ne ndihemi sa më komodë. Dhe mbi të gjithë, presidentin Duka, që pas gjithë këtyre viteve sakrificë e meritonte këtë sukses. Po ashtu, do doja ta ndaja me gjithë lojtarët që kanë veshur fanellën e ekipit kombëtar, legjenda që kanë pasur ëndërr ta përfaqësojnë Kombëtaren në një kompeticion të rëndësishëm kanë sakrifikuar për kombin, por që fati nuk ka qenë me ta. Në fund nuk mund të lë pa përmendur familjen time, që e kam pasur afër në çdo moment, ditë me shi e ditë me diell, ata kanë qenë gjithmonë pranë meje për të më mbështetur. Vetë ato i dinë sakrificat që kalon një futbollist gjatë karrierës së tij.
Komentet