Nga anonimi, në njërin prej sulmuesve më të suksesshëm në Evropë. Azdren Llullaku është duke e shijuar në maksimum eksperiencën në Rumani, ku me skuadrën Gaz Metan ka realizuar 12 gola nga 14 ndeshje, të cilat e bëjnë atë sulmuesin më të dobishëm në Evropë. Sulmuesi kosovar ka folur për rrugëtimin e tij të vështirë, nga gomonet që e çuan nga Shqipëria në Itali, deri tek ëndrra për të luajtur në Botëror, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Disa histori, nëse nuk do të ekzistonin do të ishte vështirë edhe t’i shpikësh. Si 28 vjeçar, Azdren Llullaku ka histori të cilat do të mund të t’i tregonte për tërë jetën.
“E preferoni të mirën apo të keqen”. Buzëqesh, sepse e di. Lufta, largimi drejt Shqipërisë, Serie D dhe tash 12 gola nga 14 ndeshje me Gaz Metan në ligën e parë rumune, të cilat e bëjnë atë sulmuesin më të dobishëm në Evropë.
Me gomone nga Vlora në Bari
Gazetari i njohur italian, Gianluca Di Marzio, përmes uebfaqes së tij, “GianlucaDiMarzio.com” e ka bërë një intervistë me sulmuesin kosovar, i cili i ka kujtuar të gjitha vuajtjet që kishte, vetëm për të arritur aty ku është sot.
“Çdo ditë e mendoj udhëtimin me gomone nga Vlora për në Bari, ishte viti 1999. Ato vite organizohej e gjithë mafia shqiptare, isha së bashku me nënën dhe vëllain. Udhëtonin me mijëra njerëz. Më mbetet gjithmonë në mendje se, nëse do të udhëtoja një natë më herët… nuk do t’ia dilja: të gjithë kanë vdekur atë natë”, kujton Llullaku.
Llullaku: Italia më dha gjithçka në jetë
Sidoqoftë, Azdreni ia ka dalë me sukses dhe është sistemuar fillimisht në Veneto.
“Italia më ka dhënë shumë, posaçërisht mundësinë që të rritem si person, përpos si lojtar. Italia ma kë dhënë një vend ku të jetoj, kështu që për mua është gjithçka”, thotë Llullaku.
Zëri shkruan se ishte pikërisht Italia vendi ku ka nisur të ketë lidhje me futbollin. “Në Kosovë luaja vetëm në shkollë”, kujton ai.
“Skuadra ime e parë e vërtetë ishte ‘Esordienti del Vallata’, në vitin 1999, kur isha vetëm 13 vjeç. Pas një kohe të shkurtër kalova në kategorinë e tretë edhe pse nuk dija asgjë rreth kategorive dhe se si funksiononin gjërat. Ndërkohë luaja me miq futboll të vogël për zbavitje. Pas tre vjetësh kam shkuar në Conegliano në Eccellenza dhe nga aty në Serie D”, shton Llullaku.
Dokumentacioni ia mohoi të luante në Serie C
Më pas, diçka nuk shkoi dhe rrugëtimi i tij u ndal. “Për shkak të rregullave, nuk mund të nënshkruaja me një skuadër të kategorisë superiore nga ajo D, sepse konsiderohesha jo-evropian. Kam pritur ndihmën e avokatëve për të kaluar në C2, por ishte e pamundur. Edhe pse disa ai dilnin, u vërtetua se ligji nuk është gjithmonë i njëjtë për të gjithë”, kujton ai.
Një motiv ky që e detyroi ta linte familjen në Treviso, ku ishte shtëpia e tij. “Një menaxher më tha nëse isha i interesuar të shkoja për ta bërë një provë në Rumani. Në ato momente nuk kam menduar dy herë dhe kam thënë po, pasi në Itali s’kisha mundësi. Gaz Metan më ka blerë menjëherë dhe tash them se jam i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë”, nënvizoi futbollisti.
Llullaku është larg Italisë qe pesë vjet dhe ai nuk ka shënuar kurrë më parë aq gola sa këtë edicion. “12 gola në 14 ndeshje është vërtetë një rezultat i mirë. Jam i lumtur, është një moment i rëndësishëm në karrierën time”, e pranon ai.
Ëndërron Botërorin me Shqipërinë
Paraqitjet e mira në Rumani i janë shpërblyer, pasi ai ka marrë ftesë nga Shqipëria në tetor. “De Biasi më kishte ftuar një herë, vite më parë, më pas nuk kam qenë më pjesë e të ftuarve. Jam vërtetë mjaft i lumtur që më ka në konsideratë. Jam i idesë që Shqipëria i përket Giannit, i cili, që kur ka ardhur aty, futbolli ka ndryshuar rrënjësisht. Ka bërë një punë të pabesueshme, i gjithë populli i është mirënjohës”, thotë Azdreni.
Pasi e ka realizuar ëndrrën Kombëtare, tash është koha të mendojë për të ardhmen. “Kam kontratë deri në fund të sezonit me Gaz Metan, dëshirë imja është të kthehem të luaj në Itali një ditë, gjithmonë e kam menduar këtë. Atje e kam familjen dhe nëse vazhdoj të shënoj, gjë të cilën uroj që ta bëj, shpresoj të sistemohem në një skuadër të mirë. Do të ishte e bukur”, nënvizoi ai.
E ndoshta të luaj edhe në Botërorin e ardhshëm… “Është një ëndërr shumë e madhe vetëm ta imagjinosh, por nuk i dihet kurrë. Ndër të tjera, në mars shpresoj të jem në fushë në ndeshjen Itali – Shqipëri, do të jetë një moment i madh”, ka përfunduar Llullaku.
Komentet