Tinguj të kobshëm
Pushuen kangët e gëzueshme të rinisë
tashma
shpejt filloi në zemrën time brenga
tinguj të kobshëm
të nxierrë
prej lahutes
tinguj të përvajshëm
prej lahutës së kohnave
tinguj hapash
që vijnë lart e poshtë
tinguj gjymtyrësh që zvarriten
gjymtyrësh rrënkuese
në të zymtat
qeli
tinguj britmash
vikamash
tinguj të ngjirrun
psherëtimash
grahmash
tinguj hekurash
llozash
prangash
tinguj kërcëllitës
trokitës
qizmësh e këpucësh
xhelatësh
policësh
rojësh
tinguj batarësh
në ato mëngjese pa ngjyrë
te një zall
te një breg
te një lumi cili vrapon i lëmëritun
me frikë
me tmerr
e fshehtas
tinëz
në valën e tij të vrullshme
gjak herojsh
gjak trimash
merr
skuq
shkumbën e bardhë.
Tinguj të përziem me gjak
tinguj të njomun me lot
me djersë
tinguj që kumbojnë
kobshëm
tinguj mortorë
tinguj të përvajshëm
nanash
nusësh
motrash
fëmijësh
prej thellësisë së shpirtitnave
të brengosun
prej thellësisë së zemrave
të lëndueme
tinguj të kobshëm
tinguj të vrazhdë
nxierr
tashma
lahuta e lashtë
lahuta e kohnave
pushuen kanget e gezueshme te rinise !
Arrestimi, qeli, burgu i Tiranës maj 1950,
,
Tinguj tӫ kobshӫm
Autoportre
Portopalermo
Tallaze të zeza
të një deti të stuhishëm
përplasën mbi shkrepat e thepisun
me një potere shurdhuese
shpërthime stërpikjesh
shkumbë të kuqërremtë
ngrihen t’errtë tallazët
mbi horizontin e përflakun
të një perëndimi të pistë
me re të kobshme
hije ogurzeze
që shtyhen e përdridhen
me ndriçime vetëtimash
gjëmime bubullimash
shkrepje rrufeshë
apokaliptike bie mbramja
mbi këtë siujdhesë të shkretë
tokë të mallkueme.
I kobshëëm burgu
i kobshëm regjimi
i kobshem kush e ndërtoi
kala e mallkueme
humnere e sketerrë
vorr e qivur
qënjesh njerëzore të pafajshme
kositë në lulëzimin e tyne.
Portopalermo
shkamb i lashtë
shkretinë e vjetër
dhe shkretinë moderne
burg mizor
i një kohë mizore.
Gjak duket se kullon prej reve të zeza
përzie me lot dhimbjësh
me djersë mundimësh
përskuqet deti nen ndriçimin e zjarrtë
të një dielli të lodhun
që kërkon të çajë mes reve
siç kërkoj unë mes kujtimëve.
Apokalips
mbi tallazët e përgjakun
t’egërsuem
apokalips
në shpirtin tim të brëngosun
të dӫrmuem!
Shpellë e Polifemit
Ciklopin Polifem prisnim
që të zgjaste duert përbindëshe
e të na gllaberonte të gjallë
tallazët e detit Jon
na shoqnonin me vajtime ngashruese
qanin hallin tone vallӫ ?
Ne
të pllakosun në zgavrat shkambore
ku sundonte errësina
e sundonte mjerimi
gjith ankth
gjith frikë
rrinim bri njeni tjetrit
të heshtun
flisnim apo recitonim
fjalë e vargje
me vetvehtën
të heshtun
prisnim të panjohunen mizore
të heshtun
prisnim monstrin me nje sy ne balle
të heshtun
të pafuqishëm
Uliksi nuk ishte midis nesh
kush vall do të na nxirrte
nga ato shpella mizore?
Ulurima e erës jëhonte nëpër guvat
me motive mortore
dhe dallget shkumbuese gjëmonin
plot britma lemëritëse
hija e zezë e ciklopit përbindësh
sillej aty vërdallë
e kobshme !
Pritje e frikshme.
Thӫrmohej tallazi mbi shkrepat shekullorӫ.
Stӫrpikje tӫ pӫrskuqme
shkumbӫ tӫ pӫrflakshme
hidhӫshin drejt qiellit
n’ato perӫndime vjeshtore
kur qielli merrtte flakӫ
prej saçit viganor tӫ diellit tӫ zjarrtӫ
si njӫ sy i kuq ciklopik
gjak.
Tӫ strukun nӫ terrin e guvave
prisnim
(Ciklopӫt vӫshtronin t’uritun prej shekujsh)
e llahtarshme pritja
i llahtarshӫm ankthi.
Nӫ ato shpella qӫ nuk njihnin rreze drite
nӫ flakӫzen e shpirtit
dallonim njeni tjetrin
miset
kockat tona
s’kishin ma pӫrbamje
t’ishe a mos t’ishe
njӫlloj!
Edhe n’andrrat s’ka qëtësi
N’andrrat kërkoj prehje përherë
prej realitetit mizor të ditës
që vetëm çaste trishtimi
prapëhtinash
fyemjësh
brengash
jep.
I shtrime mbi shtresën time të mjerë
pres me dëshirë
që mbi qepallat e lodhuna
Morfeu
lehtësisht të me prekë
për me ran ë gjumë të thellë
dhe realitetin e hidhun
me harrue.
Kur ja me shfaqën
lumej vërshues e përmbytës
ujna të trubullta
ura të shëmbuna
gremina
humnera
gjarpij
ujq gllabërues
qen të tërbuem
luftime
arratisje
mundime çnjerëzore
në to I përfshimë
e si me shpëtue.
Kapërthye në luftime
nofulla të çame
egërsinash e kulshedrash
bolla të coptuem
në detna tallazore
tue lundrue
stuhi të përballueme
lumej të kapërcyem
ikje me fore
perj egersinave të tërbueme
një luftë e parreshtun
të mundimëshme
pa kufi
edhe në gjumë
edhe n’andrrat
nuk po gjej prehje as qetësi !
Shpirti po shuhët
Kurrë ma
kurrë
s’do të kthehet
koha e bukur e rinisë.
Fkaka e zjarrtë shkëlqimtare
që rrezatim jetësor shpërndante
e ngohtësi trupit
e fuqizim shpirtit
mendjës jepte
u fik
u shue
fare.
Një stuhi e furishme
shi
akull
borë
një tufan i kobshëm
solli errësinën midis nesh
përlau
pishtarët e ditunisë
meku
dritën jetësore
zhduku
idealëte njeriut
mbetëm
haru
në mëshirën e dhunës barbare
tӫ njӫ ideologjie pӫrverse
e mishӫrueme
nӫ terrorin
mizor
tӫ tiranisë.
Burg mizor, i njӫ kohӫ mizore
Portopalermo
Një grumbull gurësh që formojnë një kala të ndërtueme mbi një grumbull shkrepash të thepisun. Një siujdhesë që shtrihet midis gjinit të vogël të detit Jon. Strehim e skele piratësh që në kohnat lashta. Ali Pashë Tepelena e përdori si fortifikatë për të mbrojtun vilajetin e vet. Një vend i shkretë. Palermo do të thotë “shkretinë e vjetër”. Për rreth kodra e male shkambore. Shkurre, ferra e bezga, si dhe nëpërka helmatisëse. Ky ishte Portopalermo. Po të vinte njeriu dorën e mbarë mbi të, mund të kthehej në një vend turistik mjaft tërheqës. Por njeriu vuni dorë të mbrapshtë dhe e ktheu në një burg mizor. Mbrenda në atë kala, ku nuk pranonte të hynte as bagëtia, sepse errësina ishte e tillë sa ngjante si një skëterrë, diktatura komuniste pllakosi familje të tana: gra, fӫmijӫ, pleq e plaka, të rinj e të reja deri dhe foshnje djepi. Pengje e hakmarje ndaj kundërshtarëve patriotë të arratisun, të konsideruem anmiq të përbetuem të regjimit komunist. Mbasi i hoqën prej aty gratë e fëmijët, duke i degdisun në kampin tjetër famëkeq të Tepelenës, e mbushën kalanë me burra nga katër anët e Shqipnisë, të dyshuem për rrezikshmëni. Aty u burgosën dhe djemt e të arratisunve ma të randësishëm. Mbrenda dy muejve, gjysma e të dënuemve, prej dobësisë dhe konditave kafshore, humbën shikimin. Sa afrohej mbramja ata që ishin të fortë duhet t’i shoqnonin për dore pse nuk shihnin. Buka prej thekne ishte krejt e qulltë. Supa, një spirilang si ujë i turbullt, ku fasulet apo makaronat notonin si peshq vetmitarë, ndahej me nga një lugicë nӫ ditӫ për njeri. Ky ishte ushqimi i përditshëm. Të burgosunit mbanin barkun me dorë e vareshin vetëm nga spirilangu i neveritshëm dhe I pamjaftueshëm. Filluen sëmundjet. Disa i zuni dizanteri e randë sa që i ruenim ditë e natë. Ndër ta, Musa Sina, një dibran i ri 16 vjeçar i internuem që në moshën 10 vjeçe, bashkë me familjen. Musa arriti në atë gradë, që quhet e fundit. Mjek nuk kishte, as ilaçe, fare. Gjendja e tij u keqësue tepër. Komandanti i kampit, njëfar rreshter Qaniu, kur erdhi të bajë apelin e darkës dhe u gjet para Musës të reduktuem në një grusht kockash e pa ndjenja, nuk e përmbajti dot urrejtjen kriminale e duke u tregue i ulët e mizor tej mase u çjerr: “Ç’prisni, kapeni këtë kërmë të ndyrë e hidheni në det!” Të burgosunit e tjerë mbetën shtang. Ç’përbindësh! Por Zoti kishte mendue ndryshe. Musa mbijetoi e ishte një mrekulli. Kaloi 45 vjet në burgje e në kampe. Pësoi tortura të tmerrshme e nuk u dorëzue kurrë as nuk nxori një emër e një fjalë. Ai vdiq pas dy vjetëve që përjetoi shembjen e komunizmit, duke lanë një kujtim të mirë, për të gjithë ata që e njohën. Përsonalisht e kam pasun shok e mik të ngushtë e tepër besnik! Njeri i sakrificës, bahej copë për të tjerët. Kurse rreshter Qaniu mbeti i përbuzun përgjithmonë si njeri xhelat e katil. Mori vulën e pashlyeshme të turpit. Kishte kujt t’i ngjante!
KAMPI I TEPELENËS
1948-1954
Tepelenӫ kala e mallkueme
Tepelenë
Tepelenë
sa krime të llahtarshme
nën muret e tua
kala e mallkueme !
E kobshme
me ato gurë të gdhendun
me gjak e djersë e mundime
skllevësh
me ato mure t’errtӫ
të mynxyrtë
siç e mynxyrtë asht historia jote
Lindun prej gurëve
ndertue me gurë
sundon mbi gurët
sundon mbi terrorin
që këtu ka strofkën e vet makabre
kala e mallkueme !
Pse
këta krijesatë të pafajshme
të pambrojtje
të mjerë
nën hijen tande shtypëse
Shiko sa varre të gërmueme
shiko sa kryqe të drujta
shiko sa rrasa të gurta
shiko sa nana të dëshpërueme
shiko sa baballarë të trishtun
sa ankth
sa tmerr
kala e mallkueme !
E keqja lind prej së keqës
terrori prej terrorit
tirania prej tiranise
ti
kala e mallkueme
prej një shpirti tӫ mallkuem!
E furishme era
pa pushim
me vrullin e saj të parreshtun
gerryen e bren
muret e tua mizore
dhe mizor
t’urryem
emnin e namin tand
perhap
mbi botë
kala e mallkueme!
Vdekja sillet midis nesh
Kujtime kohnash të trishta
në mendjën e sfilitun
në trupin e dërmuem
në shpirtin e brengosun.
Hija e shemtueme e vdekjës
e zgërdheshun
e frikshme
sillet midis nesh
me kosën e gjakosun.
Ne fytyrat e zbehta
në sytë e çakërrisun
në faqet e fishkuna
në trupat e rraskapitun
kërkon viktimën e ditës
kërkon kurbanin e orës
kërkon flijimin e çastit.
Kosa e e ndryshkun
e përlyeme me gjak viktimash
kërcënuese
shtrihet ogurzeze
mbi fatkeqët e pafajshëm
korr
korr
korr
sa foshnje të njoma korr
dhimbje e dëshpërim nanash
sa pleq të sfilitun korr
dëshpërim e vajtim familjesh
sa të pafajshëm kor
lot e brengë
në zemrat e lendueme
Mizore sillet midis nesh
e frikshme
shërbëtore besnile
e nje tirani t’egër gjakatar
të pashpirt
të pamëshirë
por një ditë
por një ditë me siguri
ajo do të bahet
xhelate e tij !
Vorre
U gërmuen disa vorre
shume vorre
në të mallkuemin kam
të Tepelenës
për foshnje të brishta
për ëngjuj
(a varrosën ëngjujt ?)
që sapo kishin hapun sytë jetës
sy të kaltërt
sy të zi
sy të hirtë
sy laramanë
sy të jeshiltë
sy të mëdhej oh sa të bukur sy !
Gjithë këto sy u mbyllën përgjithmonë
që të mos shifshin tmerret e kӫsaj toke.
Nanat mbeten qyqe vetëm
kërcuna
pa burra
pa fëmijë
fëmijët mbetën pa nana
pa etën
morën rrugët e pafundshme qiellore
u lanӫ mjerimin tӫ tjerӫve
me lotӫt e pӫrthamӫ
me ninullat e harrueme
u groposën
në atë tokë të zezë
të ’ashpӫr
të ftohtë
të braktisun.
Ato vorret humbën
brigjëve të përrojve
të përlamë nga furia e ujit
rrëbeshet e stuhitë
të grabitun
të shkulun
nga gjini i nanave fatzeza.
Mbeti veç kujtimi
i krrelave t’arta
i syve të kaltërt
buzӫqeshja engjӫllore
mbetën
vetëm
emnat e vogëlushëve.
Në lartesitë qiellore
vëzullonin yje të rij!
Bukӫ… bukӫ… bukӫ… !
Acar kërcënues
Acari i netëve të janarit
qëndron pezull
kërcënues
mizor
mbi barakat e kampit të mallkuem.
Vagëtima fëmijësh
rrënkime pleqësh
grahma mortore
çajnë muret e ndërtesave vigane
hidhen drejt qiellit
shigjeta flakruese
mesazhe dëshpërimi e dhimbjeje
qielli qëndron i heshtun
në zbrazëtinë e pafundshme
i ftohtë
i largët.
Mes territ të natës endem
kërkoj që të flas me yjet
kërkoj që të flas me hanën
(a ndrit dielli mbi kӫtӫ tokӫ vallӫ?).
Orvatem
të ndez pishtarin e shpresës
për të lëshue një fije ndriçim
mbi këtë tokë të mjerë
mbi këto njerëz të braktisun
t ë sfilitun
të harruem.
Yjet fundosën në humnerën siderale
hana tej maleve zhdukët
acari i netëve të janarit
vazhdon të qebdrojë
pezull
kërcënues
mizor.
Vagëtima fëmijësh
rrënkime
grahma
pleqsh
ankime e lutje nanash
të trishta
veç
dӫgjohen !
Skllavët e shekullit njëzet
Një varg qënjesh njerӫzore
ngjitet e zbret
nëpër shtigjet e ashpra malore
ngarkue si kafshë pune
burra e gra
djem e vajza të reja
bukuria e tyne
mbështjellë me zhele.
T’perkulun
nën peshën e barrës së randë të druve
nӫn peshӫn e randӫ tӫ gurӫve
nën peshën e randë të terrorit
fytyrat e tyne të dëformueme
prej lodhjës e prej tortures.
Bie shi
bie borë
frynë era acar
djeg vapa përvëluese
karvani i skllavëve të shekullit njezet
shekull i turpshëm
hyp e zbret leqëve malore
nën tytat kërcënuese të armëve vrastare
tӫ policӫve
çerberӫ t’egӫrsuem.
Nӫ çdo pike djersë një pikë lot
nӫ çdo pikë loti një pikë gjak
me rraskapitjen shtohët dëshpërimi
me dëshpërimin shtohӫt lodhja
lodhet dhe mendimi.
Varret qëndrojnë të heshtun
të vdekmit sodisin të heshtun
në qetësinë e thellë të tokës së zezë
ku kane gjetë prehje e qetësi t’amshueme.
Shpirtnat e tyne
na veshtrojnë ndoshta
nga lartesia e qiellit hyjnor
i shpëtuen përjetësisht mundimeve
mjer të gjallët
mjer këta skllavë të shekullit njëzet !
Grate e vajzat e internueme kryenin punë të detyrueme si sklavv e kafshë bartëse
Heroj e martirӫ
Heroj
thue të dalun prej poemëve homerikë
krenarë
të fortë
guximtarë
si krenaria e shqipëve të malëve
si fortësia e shkambit granitor
si guximi zulmëmadh i luajve
kreshnikë të ri lëgjendarë !
U këputen flatrat
u coptuen shkembejt
u robnuen luajt.
Të tjerë emna herojsh
të tjerë emna dëshmorësh e martirësh
do të skalitën në mermerin e pavdekshëm
do të këndohën nga rapsodët e malӫve:
Prind herojsh
nana herojsh
vllazën e motra herojsh
gra e fëmijë herojsh
ata vetë heroj
ata vetë dëshmorë
ata vetë martirë
tӫ flijuem
idhujve gjakatarӫ.
Sa të shumta kryqe
sa të shumta varre
pleqsh
nanash
vllaznish e motrash
fëmijësh engjullorë
sa e sa kryqe
sa e sa varre
te bjerrun skurrëve e prroskave.
Sa kunora me gjemba
mbi ato koka të pafajshme
sa gozhdë te ndryshkuna
mbi ato duer bujare
sa fytyra të pergjakuna
sa shpata që thyejnë kocka
sa heshta që çajne gjokse.
Me mija të kryqëzuem
Krishta
mbi Golgotën e shekullit tonë
të këtij Kalvari të shekullit njëzet
që komunizmi ngriti mbi botë
për turpin e vet
mbi aq popuj të gjorë
mbi aq kombe të dëshpëruem
për bijt e bijat e tyne
që u banë thëror
masakrue
prej xhelatëve tӫ pashpirt
barbarë
qofshin mallkue !
Sa martirë vogëlushë
sa dëshmore të shejtë
fëmijë
fëmijë
fëmijë
të grabitun prej gjinit të nanave
të bardha petale zambaku
të grabitun prej syve të etënve
të bardha pupla pellumbash
të grabitun prej dashnisë njerëzore
të bardha flutura bore
të grabitun gëzimit e lirisë
jetës fëmijore
(lodrat mbetën të braktisuna).
Sa e sa varre dhe kryqe
vorre
vorre
vorre
kryqe
kryqe
kryqe
humbun
zhdukun
tretun
pa lanë shej e gjurmë
në këtë toke të shkretueme
prej stuhive të çmendunisë njerëzore
tokë lotësh
tokë dërgjesh
tokë në meshirë të fatëve mizore.
Ne lartësine e qiellit
në lavdinë e madhërishme të Zotit
buzëqeshje vëzulluese engjujsh
gjitkund
yje
yje
yje
shëndritës
n’universin e pafund !
Balada e bukës
Yjet vështrojnë të heshtun
dhe vëzullojnë
në largësinë e nates kosmike
indiferentë
endëmi shtigjëve të mendimit
si lugetën e hije
qëndrojme pranë njeni tjetrit
e s’njihemi
as njohim vetvetën
(kërkova një copëz pasqyrë).
Të gjallët jetojnë me të vdekmit
të vdekmit me të gjallët
për një kafshatë tӫ thatӫ
për një kothere bukë.
Ne grahmën e fundit i burgosuni
mbërthen pas gjoksit racionin e tij
me dy duert skëletike
rrenkon
bukë
bukë
bukë!
Shpirti s’po don me dalë
aq i lidhun pas asaj kotherëje të thatë
aq e shtrejtë
aq e dashun
aq e shejtë
prej së cilës duhej të ndahej
me aq dhimbje
përgjithmonë.
Tre dit jetoi i vdekmi me të gjallët
e tre net
tre dit jetuen të gjallet
me bukën e të vdekmit
e tre net
tre dit e tre net
u përgjigj i vdekmi apelit të kapterit
me gojën e të gjallit
u gropos diku
ku ?
U gropos një njeri
u gropos një racion buke
u gropos një emën
një racion buke ma pak
një emën ma pak
në listën e apelit
ma pak shkronja
ma pak kulturë
në librin e shkruem
me mija emna
të gjallë e te vdekun
në librin e kapterit
kryevepër
me mija vargje
kalue Homerit e Virgjilit
Dantes e Shekspirit !
Yjet vazhdojnë të vështrojnë
xixëllues
të heshtun
prej largësive të pafundshme
indiferentë
si gjithmonë !
Flijim mizor
Ç’asht ky idhull prej hekuri e çeliku
i ngritun
mbi këtë altar të tmerrshëm
të përgjakun ?
Nje yll i kuq vigan
gjak
një drapën i ndryshkun vigan
gjak
nje çëkan i randë vigan
gjak
një flamur i huej vigan
gjak
potrete vigane
të Stalinëve & kompani
xhelatë përbindësh
terror përbindësh
mbi male skeletësh
kokallesh
kafkash !
Cilet jane
këta shtriganë të çthurun
që nuk njohin Zot e fè
që shqyejne
kaq trupëza të brishtë
vogëlushësh të njomë
kaq trajta tӫ bukura
vajzash e nusësh përri
kaq forma tӫ pӫrkryeme
tӫ rijsh guximtarӫ
kaq muskuj t’fuqishëm
trimash kreshnikë
kaq mise të lodhuna
pleqsh të gjorë
të flijuem kurban
idhullit monstruoz
të komunizmit
të pa din e imanë
të pa fè
të pa Zot?
Një kasapane qënjesh njerëzore
të pafajshme
sakrifikue
nje pushteti tiranik
barbar
mizor !
Nën mbulesën e frikës
Acari i netëve të janarit
qëndron pezull mbi kampin
kërcënues
i kobshëm.
Vagëtima foshnjësh të njoma
rrënkime pleqsh
grahma mortore
dëgjohën
brenda atyne kazermave vigane
shpella ciklopike
ku i frikshëm
terrori
veshun me rroba policësh
me qizme policësh
me gryka pushkësh
automatikësh
me fjalë t’egra
barbare
poshtnuese
sillet rrotull i llahtarshëm.
Struken viktimat
nën mbulesën e frikës
të mornicave
të ngricës.
Dikush tepër i lodhun
tepër i dërmuem
nën batanijën e randë
në gjumin e thellë të vdekjës
pushon
prej tre ditësh
zemër madh e bujar
racionin e vet të bukës
trashëgim
ua len tӫ gjallӫve !
Si ishin stivosur të internuarit ne ato baraka vigane
te kampit të Tepelenës.
(gjysma lindore e një kazerme)
Kampi i Tepelenës
Tepelena u damkos me njollën e turpit nga komunizmi, që aty krijoi kampet më të tmerrshëm të internimit që kishte njohun ndonjëherë vendi ynë. Duke përfshi edhe Turanin, Memaliajn e Veliçotin, aty u mbyllën për pesë vjet shumë të gjatë, me mija qӫnje njerӫzore. Familje tӫ tana. Pleq e plaka, burra e gra, të rij e të reja, fëmijë të mitur dhe foshnje të varun pas gjinit të nanave të reja, që sapo ishin nda prej burrave të tyne të arratisun në mal ose jashtë shtetit. Nӫ kampin e Turanit konditat ishin tepër të këqia. Një mungesë e plotë e strukturave higjenike, krejtësisht primitive. Sëmundjet ngjitëse filluen të korrin viktima ndër pleqtë dhe fëmijët. Ishin këta që e paguen shtrejtë këtë gjendje absurde të një pakujdesie të pafalshme nga ana e administratës komuniste. Epidemitë shkaktuen një ekatombë të vërtetë foshnjesh të njoma. Vdekja nisi tӫ korrte si pas qejfit. Shumë nana mbetën pa fëmijë. Xhelatët përfitonin për t’i nxjerrë menjëherë në punë të detyrueshme. Puna ishte shtazore, me mbajtë mbi kurriz si kafshë ngarkese, barrë të randa drushë, gurësh, etjerӫ materiale tӫ randa Me kilometra e me orë të tana, nëpër shtigje të pjerrta e të ngushta malore, me shi e me borë, me vapë e me acar, pa ushqim e pa veshmbathje. Prej vuejtjeve e mundimeve, prej urisë e prej të ftohtit, vdiqën shumë të internuem, sa që u ba problem për varret, që kishin mbulue fushën në hyrje të kampit tӫ Tepelenës e dalloheshin nga rruga automobilistike që kalonte lart tij, e binin në sy. Aty kishte kalue njӫ ditӫ vetӫ diktatori, qӫ kur mori vesh ç’ishin ato varre, dha urdhӫr tӫ zhdukӫshin. Kështu u ndërmor nga komanda tranferimi i varrëve, e shumë prej tyne mbetën aty, se nuk pati kush t’i merrte. Kështu vetëm një pjesë e varrëve u çuen në grykën e lumit të Bënçës, një gjysmë ore larg, për t’i përdjerrë. Ato varre do tranferoheshin përsëri ma vonë, në 1953, për t’i zhdukun krejtësisht. Ndërsa shumica e varrëve që mbetën në fushën para komandës, me urdhërin që dha diktatori, vendi u kalue me bulldozer e traktot dhe u mboll me tërshërë. Këto varre u zhdukën fare. Prania e fëmijëve në këto kampe ishte ana ma makabre dhe e tmerrshme. Kur shpërtheu dizanteria apo kolera, ata vdisnin si mizat. Në një natë të vetme, në kampin e Turanit vdiqën 33 fëmijë. Si pas dëshmitarëve që përjetuen ato rrethana të llahtarshme, pothuaj çdo ditë vdisnin nga shtatë – tetë veta, në Turan, Memaliaj, Veliçot e Tepelenë. Për t’u përmendun, vdekja e dy binjakëve të vegjël të nanës malësore Cuklina. Njeni në mëngjes e tjetri në darkë. I gjithë kampi i lemeritun dha kujën. Vogëlushët ishin të bukur si dy engjëj dhe shtëpia e tyne dilte fare, sepse nuk kishte mashkuj të tjerë. Kjo ngjarje u kthye në tragjedi. Motra tyne, që ishte arratisë nӫ Mal tӫ Zi, kur mori vesh lajmin, vrau veten. Ma vonë lirohet e ama, tashmë e vejë e pa asnjë fëmijë e pa kërkend, sepse dhe i shoqqi I arratisun kishte vdekë. Kur kthehet në kullën boshe e të braktisun e zen një dëshpërim i madh dhe e ther veten me thikë. Këto ngjarje të kobshme, njollosin sistemin e diktaturës, si një sistem nga ma të urryemit e ma kriminelët, që populli shqiptar pati fatkeqësinë të durojë për 45 vjet rresht, duke e pague me flijimin e mija e mija viktimave të pafajshme. Këto mbresa vlejnë për të dhanë ma të qartë përfytyrimin e asaj vale terrori dhe persekutimi që përfshiu vendin tonë gjatë një gjysmë shekulli.
Një mijë mundime
Mija herë në pranga
mija herë ekzekutue
mija herë torturue
mija herë ne burgue
mija herë internue
mija herë i uritun
mija herë i etun
mija hereëi vdekun
mija herë i kryqëzuem
ndeë mija kryqe
ndër mija pranga
ndër mija burgje
ndër mija kampe.
Lumej trupash të gjymtuem
lumej mëndjesh të përdaruna
lumej zemrash të brëngosuna
vijne trubull me gjak
shkumbues me gjak
lumej kockash të thyeme
gjymtyrësh të sakataueme
syshë të çakërdisun
gojësh të përçame
nga tmerri
barbaria.
e idhtarӫve tӫ skӫterrӫs.
Xhelatë vampirӫ
ku mund të gjejnë strehim
shpirtnat tuej katran
shpirtnat tuej kriminelӫ?
Katran
për maskrat mbi njerëzimin
kriminelӫ
për gjakun e pafajshëm
që dërdhet mbi njerëzimin !
Ankth e shpresë
Sa dhimbje
sa dëshperim
pushtojnë shpirtin e sfilitun
ankthe
forma të perçudme
kërcënuese
përfytyrohen pa pushim
mbi skenare të përgjakun
perëndimesh të perflaktë
shqetësues.
Uraganë e stuhi shkatërrimtare
lamshe qenjësh njerëzore
genocid universal
me gjak viktimash kupat plot
dehën monstrat e ngërdheshun
përbindshat që nuk njohin Zot
djajt vampirë tӫ rrathӫfe tӫ ferrit.
Ideologji absurde
tӫ çmenduna
përfshijnë këtë tokë të përlotun
shëmbin e rrënojnë
shfarosin e përlajnë
Me sadizem të ndotun
pa dhimsuni
pa ndërgjegje njerëzore
përplasӫn mbi këtë truell të shkretë
mundohӫn të errësojë diellin
mundohӫn të gremisi nӫ humnerӫ
ruzullin mbarë.
Diell
ngrihu me fuqinë tande rrezatuese
me fuqinë tande të zjarrtë
me fuqinë e dritës së pasosun
të drejtësisë
të lirisë
të mirësisë
të dashunisë
riktheje paqën në këtë luginë të pa shpresë
riktheje virtytin në këtë botë të përdalun
riktheje qetësinë në zemrat e brëngosuna
riktheje mirësinë midis popujve
riktheje dashuninë midis njerëzve !
Holocaust i pafajsisë
Një heroinë e lirisë
Flokët krrela krrela
vashëza e hirëshme
buzët si lulja e allit
vashëza e bukur
zemrën të florijtë
vashëza e mirë.
Tërhequn për flokësh
zvarritun
t’përgjakuna buzët
goditun
ato sy të përvajshëm
mavitun.
Ma e bukur
me atë sjellje krenare
ma e bukur
me ato flokë të shprishun
ma e bukur
me ato sy të përlotun
aq ankth në zemër
aq ankth në mendje.
Bisha lakmiçare
xhelatët
vështrojnë prenë e bukur
bisha të urituna
gllabëruese
dhe kur fillojnë të nxierrin
kthetrat
dhe kur nisin të skërmisin
dhambët
dhe kur hapin nofullat
t’egërsuem
prej dritarës
fluturon me vrull
vashëza krenare
vashëza e bukur
vashëza trime
heroina shqiptare.
Fluturim fatal
dallëndyshe pranvere
në një dimën të kobshëm
acar.
Ja vdekje ja liri
vdekje
liri !
Ankimi i Zanave
I errӫt
qielli
e errӫt
toka
e heshtun era
tӫ heshtun malet
tӫ heshtun pyjet.
S’vallzojnë ma
të bukurat Zana
as Orë e Shtojzovalle
ne velo të bardha
mbështjellë.
S’këndojnë ma
Zanat e malit
nën tingujt kumbuese të lahutës
kur ndrit hana e argjendë
kur ndrisin yjet e zjarrtë: :
vajtojnë !
Trupore të ngurta ngjajnë
në rroba të zeza veshun
vetëm ankime
tashma
tinguj të kobshëm
nxierrin
prej lahutës së kohnave.
Ishin tӫ rij guximtarӫ
ishin dragoj
si Zanat e malit trima
si lisat shekullorӫ
tӫ fortӫ
si shqipet flturuese
krenarӫ
si ylli i mengjesit
tӫ bukur.
Ku janӫ miset tueja
hyjnore
ku janӫ armӫt e rrebta
ku janӫ lahutat kumbuese ?
Më kot presin burimet
etjen tuej
më kot presin pemët
andjen tuej
me kot presin vashëzat
lӫdhatimin tuej
me kot presin nanat
dashuninӫ tuej
Të tretun janë eshtnat
të bjerrun vorret
e braktisun dashunia
të harrueme puthjet
shterrun burimet
pertha pemet
tӫ coptueme lahutat
Në qiell shkëlqejnë
yje të rij llamburitës
çdo yll ma i ndritun se tjetri
çdo yll
një hero
në hapsinën e universit
në faqet e historisë
në zemrën e tokës
në kangët
në lëgjendat
të pavdekshëm !
Sa e bukur ishe moj Shqimni
Sa e bukur ishe moj Shqipni
tashma sa e zymtë që je !
Ne burimet e tua
të kjarta
të kullueta
gjak !
Në lumejt e tu
të shkathtë
të argjendë
gjak !
Në liqejt e tu
pasqyra të qiellit
gjak !
Sa e lumtun ishe moj Shqipni
tashma sa e trishtueme je !
Në pyjet e bukura virgjën
varre
në detnat e kaltra
varre
në shkrepat granitor
varre
të humbun
të perdhunuem
eshtnat e herojve trima
tretun !
Sa e hishme ishe moj Shqipni
krenare
për historinë tande
të skalitun
në rrjedhën e shekujve
prej bijve tӫ tu kreshnikë
të dalun
prej lëgjendave të lashta homerike.
Plot shkëlqim njato dy sytë e zi
faqet e kuqe porsi molla n’ gemb
buzët e tua gazmore
porsi lulja e allit
shtatin si selvi
gojën plot me kangë të hareshme
kangë trimnije
si ato Zanat e malit perri
sa fatkeqe je tashti Shqipni !
Mbrapshtue historia
lëgjendat përdhunue
sytë mbushun me lot
faqet flakë e zjarr
prej marazit
buzët nxi prej tmerrit
goja plot vajtime
shtatin me plagë mbulue
kështu të katandisën
e të kanë mjerue
xhelatët e këtij shekulli kobzi
qofshin mallkue !
Atdhe Atdhe i imi
Atdhe Atdhe i im
tokë herojsh
tokë lëgjendash
gojdhanash
që trashëgohen ende
ndër malet e bjeshkët e nalta
ku fluturojne të lira
shqipet krenare
prej mjegullnajës
së kohëve të shkueme
ndër pyjet e tua shekullore
ndër fushat
lumejt
detnat
ku flitet
një gjuh e vetme arbnore.
Atdhe Atdhe i im mijavjeçar
qytetnime të lashta
ruen me xhelozi
në gjinin tand
tokë bujare
tokë trimash
q’aq forcë i dhe
krahut të fuqishëm
të Gjergj Kastriotit Skenderbeut
Herojt tӫ pavdekshӫm
tӫ Kombit shqiptar.
Atdhe Atdhe i im
tokë ligjesh të moçme
tokë e Kanunit të Lek Dukagjinit
të ligjit primar
të shqiptarve
krijue
në agimet e njerëzimit.
Tokë poetësh
lahutarësh
atdheu i Gjergj Fishtës
vjershëtari të madhërishëm
të Homeri i fundit
i njerëzimit
që i këndoi trimnitë
heroizmat
e një populli luftëtar
e një populli kreshnik
e një populli liridashës
e nje populli shum të lashtë
si bjeshkët shkambore
që naltohën hijerandë
kunorë
të pamposhtuna kurdoherë.
Atdhe Atdhe i im
aq i çartun e fatkeq
në skëterrën e komunizmit
në sketërrën djallëzore
në skëterrën gjakatare
aq i çartun e fatkeq.
Gjithmonë qëndrove i vendosun
me trimni krenare
ndër stuhitë e historisë
s’pyete as për djall as dreq
as për baloza zullumqarë.
Histori të reja
kangë të tjera heroike
do të thurin e këndojnë
poetët mendjendritun
rapsodët e lahutarët
me atë lahutë aq të moçme
me atë lahutë jehonë e shekujve
e gdhendun me çelik shpatash
me hekur e zjarr betejash
e kalitun me burrni shqiptare
e stolisun prej mjeshtrave malësorë
e ruejtun prej Zanave belholla
n’ato bjeshkë të nalta mbulue me borë.
Histori të reja
kanë me u këndue
qe te mbesin trashegim
për breznitë e ardhshme
të trojëve arbnore !
Pamje qendrore e një barake te kampit të Tepelenës
Bir’i i njeriut
Kur dhimbja dukej se po më shqyente miset
kur tmerri dukej se po më çthurte mendjen
kur mënija dukej se po më pushtonte trunin
kur vuejtja dukej se po më trondiste shpirtin
kur lutja dukej se po heshte
dhe qëndronte memece
mbi buzët e zhurituna
përpara me je shfaqej një kryq
e mbi atë kryq
i kryqëzuem
Bir’i i Njeriut.
Me atë kunorë gjembash
mbi ballin hyjnor
me ato gozhdë t’ashpra
mbi duert bujare
me ato kuja të ndryshkun
mbi kambët e lodhuna
me ato plagë të gjakosuna
mbi gjoksin e shejtë
me atë fytyrë të pikllueme
për botën mëkatare
me ato sy të ndritun
mishӫrues
nga dhembshunia e madhe.
Sa dashuni në atë vështrim të zjarrtë
në atë vështrim lutës
për ata që po e dënonin
që po e torturonin
që po e vrisnin
që po e kryqëzonin mbi kryq.
Në atë përfytyrim
që shfaqësh para syve të mi
ngarkue me aq tragjedi
që përmbledhej
në atë sakrificë
mbinjerëzore
zhdukeshin
dhimbja tmerri dhe urrejtja
e prej thellësisë së gjithë qenies sime
vinte fuqia dhe guximi
besimi dhe shpresa
fjala rikthehej
në buzët e përthame:
o Zot o Zot
pranoje lutjën time!
Lahuta e coptueme
Mora lahutën
me ia marrë një kange
një kangë trimnije me këndue
një kangë të maleve tona.
T’ankueshëm kumbuen
tingujt e lahutӫs
të vrazhdë
therës
thika në zemrën e lëndueme të njerëzve
si vaji i ngashruem i fëmijëve
në përpëlitjet e fundit
si lemeria e nanave të shkreta
mbi trupat e vogëlushëve pa jetë
si grahma e pleqve të mjerë
buzë vorrit mizor
si britma e llahtarshme e torturës
si kërcëllitja e prangave
si bataret e pushkëve vrastare.
Kupa e qiellit ra mbi mue
mbeta haru
ngrinë vargjet mbi buzët e zbeta
heshtën tingujt e lahutës së lodhun
s’ishin malet ma male
s’ishin fushat ma fusha
s’ishin pyjet ma pyje
s’ishin mrizet ma mrize
s’ishin krojet ma kroje
s’ishin kangët ma kangë
hana nuk ndriçonte për shtojzovallet
as për orët e zanat e dragojt
dielli nuk shëndriste si përherë
qielli qëndronte krejt i mvrejtun
prej reve të zeza të stuhive.
Lahutën e kapërtheva me dy duer
e përplasa për një shkamb graniti
e coptova për një trung lisi
tinguj të rënqethshëm u ndigjuen
jehuen të kobshme
isot e vajtimeve mortore!
Zbrazëti
Bora bie
e bardhë e papërlyeme
dhe ndotët e nxihet
prej çthurjeve të njerëzve
dhe skuqet
prej gjakut të viktimave
dhe kthehet në akull kallkan
prej mospërfilljes.
Kthetra të ftohta
kanë mbërthye njerëzit
(ç’dimën i madh)
dielli qëndron i strukun
mbas shtëllungave të zeza të reve
dashunia përdaret nëpër shtigjet e harresës
një natë e gjatë diluviane
mbështjell rruzullin tokësor.
N’errësinën e llahtarshme
të kalamendun
i shtrijmë duert njeni-tjetrit
zbrazëtia hapet para nesh
e përfrikshme
shtrijmë duert për të gjetë një mbështetje
atje ku ka vetëm humnerӫ!
E kaluemja nuk kthehet
Kurrë
kurrë
nuk rikthehëmi
në lojnat e fëmijore
në lumturinë e rinisë
në dashuninë e pafund
të nanave tona
t’etënve tonë.
Një stuhi e përgjakun
një stuhi e përfrikshme
zhduku
format e tyne toksore
bashkë me to
çdo kujtim
çdo ndjenjë.
Mjegull e largët kohore
abstrakte
vëgimtare
mbetet tashma
e kaluemja
ajo nuk rikthehet ma kurrë !
PLUK I LUSHNJËS
1958-1990
Gjurmë të humbuna
Hap pas hapi
zvarritem
nëpër shtigjet gjithë pluhun
të arave.
Ndjek hijën time
hijën timë besnike
të heshtun
qe më prin e stërgjatun
nën dritën e venitun
të diellit përëndues
mbrapa
mbi pluhurin e shkriftë
mbetën gjurmët e mija të lodhuna.
Ҫdo hap një mendim
çdo hap një ndjenjë
çdo hap një kujtim
Me çudi
e vështrojnë gjurmët
këtë vetmitar
këtë hije
që zvarritet nëpër pluhurin e fushave
aq i lodhun
aq i mëndueshëm.
Vetëm gjurmët
mbesin mbrapa
stamposun
n’atë pluhur të butë
që zhdukën në hiç
nën vrullin e parë të erës !
Nana , vizatim i pare i imi nӫ kampin e Tepelnӫs 1951. E internuar mӫ 1945 beri 32 vjet internim, deri prill 1977,
kur ndӫrroi jetӫ në kampin e Plukut.
Nanë,nana ime
Nanë
nanë
nana ime !
Nje britmë plot ankth
plot ankth një thirrje
prej thellësisë së qënjes sime
prej zemrës
prej shpirtit tim.
Nje jehonë
një fytyrë
një buzëqeshje
një gëzim
kujtime të një fëmije.
Mundime
lot
dëshpërime
vdekje
kujtime
të një njeriu të brëngosun
mbërthye në pranga
trup
mendje
shpirt
pӫrçudnue
mbarue.
E randë pesha e padrejtesisë
e randë pesha e mohimit
e randë pesha a absurditetit
e randeëpasha e terrorit
e randë pesha e ùmashtrimit
e randë pesha e përversitetit
Nanë
nanë
nana ime
dashunia jote thyen prangat e zeza
përmbys muret e absurditetit
rropos të gjitha mbrapshtinat
i jep drite mendjës
fuqi trupit
liri shpirtit.
Zani yt i ambel asht i larget
fytyra jote
vetëm një kujtim
dashunia jote
vetëm një vëgim.
Nane
nanë
nana ime
ndigjoje britmën e tand bir
ndigjoje thirrjen
në prehnin tand
gjen prehje
si fëmijë
pӫrsӫri !
Terror e mizori
Një mjegull e përmortshme
një mjegull e përgjakshme
mbi gjithë vendin
terr
e nëpër terr e terr rreshqasin hije
shpirtna t’arratisun të mallkuem
e nëpër terr e terr një heshtje e randë
që të len pa frymӫ
ashtu
haru.
Si hije lugetnish nëpër rrugët
hijet e xhelatëve
vijnë vërdallë
çdo shtëpi përgjon me frikë
me ankth e brengë
plot llahtar.
Befas
një trokitje dyersh
aq shurdhuese
një potere prangash
aq e vrazhdë
gulçasin kamionat
tӫ tronditun
breshën
hapa policësh
mbi kalldram
sigurimi
tmerr !
Burrat i kanë lidhun
trimat i kanë prangue
po duen trimat për me i vra
po duen trimat për me i pushkatue
mizorisht.
Vajë nanash të mjera
vaje nusesh e motrash të ngrata
vajë i ngashruem fëmijesh jetima.
Edhe muret e shtëpive
qajnë
edhe gurët e kalldremëve
qajnë
edhe makinat e kaminonat
qajnë
veç përbindëshi qesh
gajaset
e si oktapodh hukubet i ndyre
zgjat krahët gjarpij – shushunja
që shtrydhin pa mëshire
viktimat e shkreta
shtrydhin
shtrydhin
viktimat e pafajshme.
Lot në sytë e nanave
lot në sytë e motrave
lot në sytë e nuseve
lot në sytë e fëmijve.
Gjak në sytë e xhelatëve
gjak mbi ballin e katilëve
gjak mbi duert e vrasëve.
Krisma pushkësh mortore
në breg të lumit
gjak në ujnat e trembuna
lot në zemrat e nanave
batare plumbash
mbi gjokset e trimave
gjak mbi zallishtën e bardhë
lot në zemrat e motrave
tyta të zjarrta mbi ballin e herojve
gjak mbi ranishtën e shkriftë
lot në zemrat e fëmijëve
përhapet jehona e përfrikshme
tronditën malet e fushat
llahtar!
Nje za buçet i fuqishëm
një thirrje
ma e fortë se krisma e armëve
ma e forte se breshëria e plumbave:
Rrofte Liria:
Dridhet zemra e tiranit përbindësh
tmerrohet
monstri ngrin i ngërdheshun
ushqye me gjak
zhytun ne gjak
se fundit hesht
infarkt !
Lëgjendat përsëriten
Një baloz i ardhun prej stepave Siberiane
apo prej Uralëve të largta
e prej malëve t’ashpra të Kaukazit
kishte lëshue një haraç të randë.
Nga nje trim për shtëpi
po don me gri
e vajza t’reja
me gllabërue
me gjakun e viktimave
etjen me shue
i pangopshëm gjithmonë
kanibal mizor
hukubet e katalla i ndyrë
me një sy të kuq gjak në ballë
si gacë prushi i zjarrtë.
Me një drapën në një dorë
me një çekan në tjetrën
korr qënje njerëzore pa meshirë
dh’eshtnat ua copton
me egërsi.
Gjergj Elez Alia kreshniku i malëve
trimi i pavdekshëm i lëgjendave shqiptare
paska dӫgjue.
Turrshëm asht çue si rrufeja
nga varri shekullor
pllakat e gurta tutje tuj hedhӫ
ka ngjesh armët e rrepta
ka shilue atin pullalli
ka vringllue shpatën flakëruese
me balozin fort asht kapërthye
në sulme ngulmuese
idhshem tuj flakrue patershanat
rreptas tuj kryqezue jataganat
fort fuqi i ka dhanë krahut Gjergj dragoi
si nje vetimë ka shkëlqye shpata mizore
koka e balozit ka flutrue në njenën anë
trupi asht gremis në anën tjetër
u perserit e lavdishme
lëgjenda e vjetër !
Baloza
Baloza
të zi
të kuq
të verdhë
me shqiptarin mos u ndeshni kurrë
mos u ndeshni me Gjergj Elez Ali
si malet shkambore asht forca e tij
s’pyet për plagët e luftave shekullore
qe e randojnë
s’pyet për rrasat e mermerit
që e mbulojnë
nga vorri çohët përsëri
nuk lejon që sytë e bukur
të motrës trime Tringë
të lotojnë
nuk lejon që kambӫ anmike e huej
të shkelë atdheun e tij
s’duron që balozat të kapërdisen
e me thundrat e tyne kafshore
të shkelin trojet shqiptare
haraçe tuj kerkue e flijime
e vasheza të bukura si përri
kurdohere do të gjëndet
kurdohere do të ngrihet
një Gjergj Elez Ali
burrë mbi burrat e trim i rallë
tokave arbnore
zot me u dalë ngadhnjimtar
anmiqt
baloza qofshin
apo kulshedra me shumë krena
me i rroposë e me i përmbysë
e me i shue fare !
Ne çdo votër
të kullave kala shqiptare
do të kumbojnë tingujt e lahutës
lëgjenda të reja do të thurën
e Oret e Zanat e malit
e Shtojzovallet
do të kërcejnë
kangët e heroike tuj këndue
për fatosin e pavdekshëm
trim mbi trimat Gjergj Elez Alinë !
Dashuni e ndrydhun
Dashunia mbeti e ndrydhun
ndër muret e mendimit
dhe mendimi vetë
ndër muret e qëlive
(e kam fjalen për trunin).
Andrrat vetëm
mund të dëpërtonin përtej gurit
mund të dëpërtonin përtej betonit
përtej dyerve të hekurta
e telave me gjemba.
Ne pandërgjegjën e gjumit
çdo andërr ishte dashni
e dashnia vetӫ
andërr
e bukura ime
një vëgim !
Mater Dolorosa
Balada e trëndafilit tӫ bardhӫ
E këputa një gonxhe trëndafili të bardhë
në agimin e një dite pa shkëlqim
dielli fshihej pas reve të zeza
dielli nuk lëshonte ma nxehtësi
nuk kishte ma forcë
nuk kishte ma jetë
ishte shue
si mund të çelte trëndafili i bardhë?
E vendosa në një vazo të kristaltë
në dhomën time të vetmueme
ku diell ishte dashnia
ku dritë ishte mirësia
u magjepsa me lulëzimin e trëndafilit
me shkëlqimin e petaleve të bardha
dhe u mahnita nga ajo bukuri e rrallë
bukuri e brishtë!
E pashë trëndafilin tuj u venitun
petalet binin njeni pas tjetrit
si fjolla dëbore
të ftohta
dimni po trokiste mbi xhamat e dritares
dielli tashma ishte harrue
shpirti po shuhej
në përqafimin e errësinën siderale
ku nuk mund të çelnin trëndafilë të bardhë!
Ecce Homo!
Njeriu
kapitali ma i çmuem
shkruente Lenini
po
vërtet
njeriu
kapitali ma i çmuem
shpallte Stalini
prej Siberisë së pafund
mbi ato miliona krijesa njerëzore
që kishte zhdukun
në hiç.
Ecce Homo !
Shpallin bijt e Stalinit
gjithashtu
Çausheskët
Enverët
Pol Potët
Maot
krijesat përbindëshe
të komunizmit
shpallin e shpallin
xhelatët e popujve
dhe demagogët e tjerë
shembëlltyra të tyre
diktatorë.
Ecce Homo
Po
njeriu i prangosun
njeriu i fyem
njeriu i torturuem
i kryqëzuem
i masakruem
i vramë
njeriu i mjerë
bagëti
për me ngranë bar
njeriu i degraduem
për me brejte një kockë
një popull
një popull i tanë
për me brejte një kockë.
Ecce Homo !
Nӫ banketët e përbindëshve
në kupat e arta të vrasëve
gjak
në gotat e kristalta
të varrmihësve
lot.
Në syte e përskuqun të xhelatëve
në buzët e dëformueme
egërsi
sadizëm
tmerr
tmerr !
Ecce Homo !
Ja njeriu
njeriu i Leninit
njeriu i Stalinit
e i bastardeve të tjerë
i bijve të denjë të tyne
grabitçarë të urryem
të njerëzimit
përbindësha.
Ja pra
ky ishte njeriu
i Leninit & kompani
i ngritun në piedistalin e krimit
symbol
për të mashtrue popuji
njeriu
kapitali ma i çmuem.
Ecce Homo !
Korbat
Nje korb
mbi majen e një lisi shekullor
me qindra korba të tjerë
pas tij
mbulojnë degët
me një kunorë t’errët
ogurzezë
dhe fillon orkestra
sinfonia makabre
onomatopeike
shurdhuese
kori
krokatja
krra…krra…krra…
Heshtin kangët e bilbilave
Pushojnë
cicӫrimat e zogjve
ndalet fluturimi i pëllumbave
në qiellin e kaltërt
të dlirtë
Ndërsa
re të zeza
mbulojnë diellin perëndues
që përflak qiellin.
Te zhytun në llucën e mashtrimëve
të një ideologjie të përdhosun
përverse
qëndrojmë të pafuqishëm
të fundosun
të përdjerrë
n’atë errësinë të pistë
të përçudun.
Qizmet e randa të diktaturës
shkelin mbi kokat tona
të dhunshme
dërmuese.
Ndigjohet vetem
krokatja
e sorrave e stӫrqokӫve
te kërmave
krra… krra… krraja
e korbave të zi !
|
Komentet