Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, ka dalë në mbështetje të Kristiano Ronaldos, ndërsa ylli i futbollit po përballet me një akuzë përdhunimi në Shtetet e Bashkuara.
Andrea Anjeli, i biri i ish-kreut të firmës “Fiat”, Umberto Anjeli, foli të enjten gjatë një takimi të aksionerëve në Torino.
“Kur ka probleme, unë zakonisht i shikoj njerëzit në sy, u bëj pyetje në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe i gjykoj vetë”, u shpreh zoti Anjeli. “Jam shumë i qetë, pasi kam folur direkt me të menjëherë sapo u shfaq kjo çështje. Sjellja e tij në ditët dhe javët në vijim vetëm sa konfirmuan ndjesinë time fillestare”.
Kathryn Mayorga bëri një padi civile muajin e kaluar në shtetin amerikan Nevada, duke pretenduar se Ronaldo e përdhunoi në dhomën e tij të hotelit në qytetin Las Vegas, në vitin 2009. Policia gjithashtu rihapi hetimin për këtë çështje, bazuar në kërkesën e saj.
Ronaldo e vetëmbrojt nga akuzat këtë javë gjatë një konference për shtyp të mbajtur përpara zhvillim të një ndeshjeje për Ligën e Kampionëve. Avokati i tij, Peter S. Christiansen, qarkulloi një deklaratë më 8 tetor ku mohoi të ketë shkelur ligjin klienti i tij.
Disa prej kompanive sponsorizuese të Ronaldos, ndër to edhe kompania “Nike” dhe ajo e lojërave kompjuterike “EA Sports”, shprehën shqetësimin e tyre për këto akuza përdhunimi.
“Është një rast personal dhe zgjedhjet mbeten të tijat, por unë i rikujtova se dera ime dhe dera e Juves janë gjithnjë të hapura për të dhe se ne jemi këtu për ta ndihmuar dhe për ta mbështetur në të gjitha mënyrat”, tha zoti Anjeli, i cili është edhe president i Shoqatës së Klubeve Evropiane.
Në korrik, Ronaldo u largua pas nëntë vitesh nga skuadra “Real Madrid” për t’u bërë pjesë e skuadrës “Juventus”, e cila pagoi për këtë transferim rreth 132 milionë dollarë.
“Ai na mundëson qasjen ndaj një audience më të gjerë dhe konsolidimin e pozicionit tonë në industrinë sportive dhe atë të argëtimit”, u shpreh atëherë drejtori i të ardhurave të “Juventusit”, Xhorxhio Riçi.
Në fushë, Ronaldo vazhdon ta ndihmojë “Juventusin” të fitojë. Lojtari portugez ka shënuar pesë gola në 11 ndeshje të këtij sezoni. Që kur u akuzua për përdhunim, ai ka shënuar në dy nga katër ndeshjet e zhvilluara.
Komentet