Na fale këngën…Po të dhurojmë ëndrrën…
Në shenjtërimin e të madhërishmes nënë Terezë, e nis poezinë suferinë,- e kthehet ylber…
Bekuar në ty..
…
Kishte nisur bukur ajo ditë e datës nëntëmbëdhjetë tetorit të vitit dymijë e katër. Ishte ndier e lumtur me shfletimin e ditarit.. Sa krenare që ndihej…
I dukej se këmbët si preknin tokën. Valëzonte.
Shfleton ditarin. Në qiell tani.
Një ëndërr…e bardhë.
Si një lamtumirë e përjetshme, si një kometë e përflakur, kjo ëndërr e bardhë.
Zjarrminë e ndjente ti rëshqiste dejesh. Një llav e nxehtë, po i merrte frymën.
Perëndime të përflakura dielli të bëra bashkë. Vezullim i rubintë i gjakut.
Kurorëzim i spektaklit. Lojë midis mistikes dhe legjendës…
Dhe akti sublim që niste me mallin, gllabërimin dhe pushtimin e ndjenjës…
Kode të shenjta fatesh. Dhe të dritës për jetshpresë ndër deje…rrethrrotullim i botës rreth jetës…
Dhe fati ishte shkruar. Në të tretën ditë. Kur përkundej nën djep ëndrrën.
Ishin afruar ëngjëj ato dritë fata dhe kishin bërë parashikimin.
Dhe ajo ylberore kishte qeshur ëndrrës.
Po ku ndodhej kështu?
Qiellit?
Nuk po kuptonte se ku ndodhej. Dritat e forta të prozhektorëve po e verbonin. A mos një dritë nga ëndër e largët po vinte drejt saj si një lamtumirë e përjetshme?
Kishte mall sa shumë mall për Vlorën e saj legjendë. Petale lulesh në sallë. Të trëndafiltë si kurmi i saj dhe duartrokitjet valë, dallgë nga shpirti i saj.
Kjo mbrëmje kishte një magji që nuk mund ta përshkruante kurr.
Po çfarë po ndodhte me të?
Po zhytej në detin e kujtesës dhe nuk po dinte më si të dilte. Një vajzë e brishtë me emrin Vlora e përshëndeste e pa zë. Veç mijëra duartrokitje si një simfoni e pambarimtë. Ëndrra e saj e prekur e realizuar dhe buzëqeshja e ylbertë dhe yjet rrinë rreth saj dhe thurrnin këngën. Motiv jeta… Kompozim telat violinë mbi shpirtin trazim.
Po pse e ka marr kaq shumë malli për Vlorën?
Po e mbyt nostalgjia…Nuk kishte shumë që ishte kthyer nga mëmëdheu. E kishte prekur dashamirësia e njerëzve që e prisnin të mallëngjyer dhe kishin kaq mall ti ndienin zërin të buçiste në sofrën shqiptare.
Po. U duk se një çast ndaloi.
-Të përkas ty Vlora ime… do kthehem tek ty. Ta ndiej mungesën. Ta dua aromën tënde, parfumin e jargavantë, e ndiej ndër pore shkëlqimin e ditëve të tua. Dhe perëndimin e diellit kur fshihet mbas gjirit Karaburun dhe aromën e limonit dhe portokallit që shpërndajnë magjinë mbi detin jonian.
Ja dhe ullinjtë shekullorë, pritësit e përjetshëm të shpirtrave njerëzore në udhëtimin e përjetshëm.
Eh Sazan madhështor ku dremitin valët nga shkumbimi shekullor…
Po ç`është ky tingull?
Një tel violinë.
Paganini në skenë me telin e vetëm vazhdon simfoninë.
Promote i zjarrit shpirtëror që përcillte magjinë. Perëndi e ardhur nga Olimpi i largët, qenie e perëndishme, si shëmbëllimi i afrmit të tokësores me hyjnoren….Magjistar.
Kujtohet papritur se drita e fortë e prozhektorëve e ka rethuar të tërë si një aureolë gjigante. Si nëpër mjegull vështron atë dritë të bardhë, që i kishte hyrë shpirtit dhe po mundohej ta çonte larg, sa larg…
E mjegullt kohë.
Përqëndrohet. Afrohet pranë publikut të saj që po e duartrokiste. Buzagaz.
Po kjo dritë e bardhë e mbështjell përsëri. E mëndafshtë vet prekja e saj.
Ajo qëndron aty, në skenë si dikur qëndronte buzë detit.
Tani udhëton drejt një vendi të largët, nga ku bregu det nuk shquhej më. Para sysh si të kapej pas fije shpresës Sazan dhe Karaburun si dy ogur të bardhë. Po dukeshin shumë pak derisa konturët e tyre të përhitura humbën pas horizontit…Nga larg një fener që sikur çante tejpërtej terrin e jetës.
Por ah…seç ka diçka të njohur, të prekur më parë, kjo dritë hyjnore, tingujt shpërndarë gjithandej.
Aromë e vendit të saj aty. Vala e detit ledhatare.
Dhe ajo përkundej djepit të përjetësisë.
Tani nuk po kuptonte më se ku ishte. Qiellit? Tokës? Në skenë?
Duartrokitjet vazhdonin.
E ndiente se kishte qenë aty, dikur, përpara, me këngën, me zërin e saj.
Kjo kohë çuditërisht e largët.
Për një moment para syve e gjithë jeta e saj. Gëzimet, trishtimet dhe lumturia…udhërrëfyesja e saj.
Ëndërronte tani? Një tingull dhimbje aty, dhe me sytë e mendjes në të shtrenjtën Shqipëri.
Një dritë e pakapërcyeshme, i përflaku shpirtin.
Re të buta si shtojzovalle po e rrethonin. I kishte parë shpesh ato re ndër ëndërrime teksa i vështronte nga dritarja e avionëve, kur udhëtonte.
Gjigante re që çanin tejpërtej qiellin.
Kish kënduar e vallëzuar me to, në një tjetër kohë. Ajo arrinte të dëgjonte tingujt që shpërndante nata.
-Ti je e bukur.- dukej se e përkëdhelnin yjet. Më e bukur se të gjithë yjet qiellor.
Flokët i binin mbi supe, lehtë si petale ëndrre. Një lloj gëzimi magjik i kishte prekur zemrën.
Në sytë e saj atë mbrëmje kishte diçka të butë, diçka ëndërronjëse dhe sa shumë dritë…dhe një dritë e brendshme, sikur jepte një sinjal, një fjalë dhe mall sa mall.
Duartrokitjet vazhdonin, dhe ajo emocionuar.
Duhet të vazhdonte kënga me çdo kusht. Kush tha se tingull jete ish prerë në mes?
Ajo ish aty. Përherë. E dashuruar me ëndrrën.
Ishte mbushur me premtimin që të këndonte përjetësisht, për miqtë e saj dhe për publikun e mrekullueshëm, që e kishte mbështetur gjithë jetën.
Prozhektorë të fortë aty në skenë, sa dukeshin se verbonin universin.
Koha ka heshtur. Dëgjohet veç trokëllima e fortë e shpirtit të saj që do të çaj tejpërtej qiellin, të kaloj oqeanet e të prehet veç pak në gji të tokës mëmë…
Por ah është larg sa larg.
Kjo kohë ka krisur.
Po ajo nuk mund të ndalet, është në piedestal të këngës dhe duartrokitjet në sallë e prekin dhe e emocionojnë kaq shumë, sa ndihet në qiell. Veç zëri i saj atje dhe përjetësia.
Dhe orkestra e vërtetë, valët dhe tingujt hyjnorë.
Meditonte tani….ndër përjetësi.
Ishte rritur me këngët e magjishme të Meliha Dodës, të Kleopatra Skarços , të Reshat Osmanit, mes motiveve të magjisë Joniane. Dhe kishte prekur skenën dhe kishte falenderuar Zotin gjithë mirnjohje zemërdridhur. E kishte falenderuar me gjithë forcën e shpirtit dhe ishte ndier krenare dhe kaq e lumtur. Nuk e kishte kuptuar kurrë se si nuk i kishte pushuar zemra nga emocionet e shumta që i kishte dhuruar publiku… dhe vazhdonte ti dhuronte akoma vitesh.
Ndihej mbretëreshë e këngës…
U ishte mirënjohëse përjetësisht.
I kujtohej çdo gjë. Përfytyrimesh prekte vet ëndrrën.
Një ëndërr e largët e çonte atje…
Kishte rënë borë dikur. Në Vlorën e saj bregdetare dhe vlonjatët gëzoheshin si fëmijë dhe loznin e qeshnin e harroheshin e bëheshin një të vetëm, fëmijë e moshatarë. Dhe ëngjëlli i saj u pagëzua Sibora, e dlirë si dëbora e bardhë.
Dhe ajo tani në skenë ishte shndërruar në petal bore dhe po fillonte të merrte përmasat e një orteku gjigant.
Ishte ajo dhe gjithësia dhe tingujt hyjnorë.
Ajo i përkiste dritë jetës dhe shpirtin kishte dhuruar për këngën…
I kujtohej si nëpër ëndërr se kur shoqet e saj bashkmoshare luanin me kukulla, ajo ledhatonte violinën të vetmen dashuri. Ishte dashuruar me të, me tingujt e saj magjik dhe çudibërës. Ishte dashuruar me jetën dhe ndiente se i përkiste publikut. Shpirti i saj kishte dalë dhe ishte ulur në çdo vatër, në çdo buzëqeshje që rrezatonte gëzim…
Zoti që krijoj botën ëndërimtare i përhershëm në koncertet e saj dhe ajo ndihej e lumtur…ndihej qiellit. Bashkudhëtare.
Tingujt dhe harmonia shpirtërore ishin ndërthurur nën një yjësi shumëndritëshe ku nuk kishte dimension tjetër ku të zbërthehej pengu i jetës së saj për qiellin e vendlindjes dhe mallin për Vlorën.
Nostalgji… kishte për të shtrenjtën Shqipëri.
Nën qiejt melodiozë, në këngë dëshirat, ndjenjat, bota e brendshme shpirtërore përcjellë me anë të tingujve të mrekullueshëm dhe ndjenjës përmallim…
-Të bukurën rini që kalova aty, Shqipëria ime… kujtimet te vendi im dhe publikun e adhuruar, sa mall, nostalgji.
Psherëtin vet koha. Dhe ajo vazhdon këngën.
Dritat qiellore ndriçojnë profilin e saj.
Plot hir dhe bukuri, si e derdhur në bronx nga sklupturat e lashta antike. Kishte hedhur aty vështrimin dhe Homeri i verbër dhe e adhuronte këtë zë hyjnor. Ah sa do të donte që vargjet e tij të ktheheshin prelude të një simfonie ku të deheshin ëndërrimtarët dhe të dashuroheshin pafundësisht, me jetën, me artin që dinte sa mirë të shpërndante magjinë.
-Unë e di se një ditë tek ju do të vij….- premtimi i saj.
Mirnjohje për ju, miqtë e mi, si zog shtegëtar do t`vi tek ju, do ulem e do puth tokën e shenjtë amtare.
-Dashuria e parë, – sepse i kujtohej motivi i kësaj kënge. Publiku po e duartrokiste dhe ajo përkulet respektesh.
-Mos u nxito mos u gabo, – një tjetër këngë e dashur për të.
-S`ka formul në dashuri.- po e shoqëronin tingujt qiellorë dhe ndihej kaq mirë. Po fluturonte shpresash.
Amerikë…Ç`do gjë është e mundur.
Album i radhës me titullin“Gjithnjë mes jush“- një titull profetik si një premtim…që do ta mbante kurdoherë. Ja kishte borxh publikut që e kishte dashur dhe e kishte duartrokitur gjithmonë. Si premtimi i legjendës së Kostandinit dhe Doruntinës…do të mbahej premtimi.
I përkiste publikut shqiptar dhe i ishte përjetësisht mirnjohëse.
Kjo jetë.
Etalon i këngës, lindur në një ditë të ftohtë dimri dhe u kthye ortek malli për vendlindjen dhe nostalgjinë që i kish grumbulluar shpirtit, kaq rrëke loti që asnjë oqean a pafundësi ujore, nuk mundej ta ngushëllonte dot.
Kujtimet si lule i mblidhte në livadhin jetë. Për ti dhuruar buqetë ndër fate shpresë.
Misioni dhe shenjtërimi i nënë Terezës ishin si një profeci, një profeci mistike, pa kthim përgjigjesh për pyetjet ngelur pezull.
E qielli ishte kaq i paqtë, kaq i pafajshëm, sa kotej në përgjumjen e dritë shpresës. Dhe ja në këtë mbrëmje të nëntëmbëdhjetë tetorit ajo po përhumbte mes duartrokitjeve dhe pak, dhe pak po drejtohej nga spektatori që po e duartrokiste nxehtësisht.
Dhe sa lule të grumbulluar.
Ishte një qiell plot me yje por që humbi befasisht shkëlqimin dhe u mbulua tërësisht me lule, me bukuritë e gjithë botës. Aty në skenë, petale trëndafilash, jargavanë, karafila e tulipanë, dhe zambak të bardhë. Ja dhe krizantema. Lule lloj lloj sikur i bënin zili vet yjeve qiellorë.
Ishte në dilemë. – Të bënte dhe një hap e të shkonte përjetësisht drejt publikut apo të drejtohej nga ajo dritë e bardhë qiellore ku po e thërrisnin të ngazëllyera e bija dhe e jëma.
E kishte bërë zgjedhjen. Publikut i kishte borxh këngën, e jetës ti falte ëndrrën.
Do të donte, të vazhdonte të këndonte pambarim.
Por fati ishte shkruar. Tani do të jetonte për atë që donte më shumë se jetën e saj. Të jetonte tani në skajin qiellor me ëngjëllin e saj, Siborën. Dhe e jëma që po e shoqëronte në heshtje…
Dhe perde lotësh ranë ah pambarim. Dhe brengë e fshehur në skut të shpirt trishtim.
Mbajti frymën të mos klithte nga kjo dritë që po i verbonte çastin, në skenën ku kishte prekur magjinë…
Shelgje lotues dhe nimfa përrallore ju shfaqën para sysh.
Statuja të bardha, mozaik ngjyrëdeti, qiej të rubintë, vezullim.
Dhe ah…
Rubin i mrekullueshëm në forëm loti, nën dritën e qirinjtë, vegim…shkëput pafajsinë.
-Eh miq të mirë, – psherëtiti. – Ju dhurova shpirtin, këngën, rininë time, po jetën time po ja dhuroj ëndrrës së bardhë. Po bashkohem në pafundësine qiellore me dritën e gëzimit tim, që është bekimi i dritës mbi botë për mua…
Shkëlqim verbues hapësirë përtej. Vezullim i përgjakur ky qiell i kuq.
Endej ëndrrës.
Diej të grumbulluar brenda vetes. Sa diej, shkëlqim margaritarësh. Dhe heshtje. Veç heshtje…
Shkëputur botës. Dhe thonë se ëngjëjt fluturojnë parajsës.
Por ah do të donte të dhuronte akoma këngën, do të donte akoma tu falte ëndrrën.
Tinguj qiellorë. Në sfond një dritë e bardhë…vetëm në një çast të mundej të dëgjonte, drithërimat e shpirtit si në mitet dhe në legjendat e stërlashta të mundte të fluturonte . Të mundej të këndonte pafundësisë qiellore..atëherë të gjithë do ta kuptonin se ajo jetonte me këngën…
Dhe ajo këndon, me zërin e saj potent që çante dhe retë….
Si një lamtumirë e përtejbotës.- ky tingull pa skaj.
Këndonte dhe ëndërronte.
Zjarrminë e ndjente ti rëshqiste dejesh.
Një llav e nxehtë. Uragan…
Qiejtë po qajnë…E ajo ne piedestal te endrres…mes tingujve te kenges.
Alma Sinan Feruni….
VLORE.
Komplimenti per nje shkrin te mrekullueshme
Komplimente super ju lumte .