Andon Moraitis, miku im grek me origjinë të largët nga ishulli i Hidras më tregoi se një ditë prej ditësh, ylli i fatit e lidhi me Afrovitin, nga Shqipëria me të cilën sot kanë dy djem.
-Asgjë nuk është krejt e rastit në këtë botë, ose ‘dynja’, -thotë ai duke risjellë me dëshirë një fjalë nga fjalori arkaik i gjyshes të tij arvanite, mana Kaliopit.
Si e njoha Afrovitin tim? Ashtu ishte e shkruar, nga Ai Sipër! Ajo punonte si infermiere në spitalin e qytetit të saj në Shqipëri dhe pati ardhur për disa ditë pushime të motra në Pirea. Pikërisht aty, qëlloi edhe shigjeta e Erosit…
Andoni i ka ditë gëzimi vizitat në vendin e origjinës së bashkëshortes. Ka një kureshtje të pashuar për doket dhe zakonet e qytetit të vogël jugor buzë lumit dhe të trevës ku është rritur Afroviti. Lindja e dy fëmijëve dhe angazhime të tjera, bënë që pas tri vitesh ata të vinin të dy në qytetin e lindjes së Afrovitit.
Ai më rrëfeu sesi i kishin ftuar si çift në disa tryeza mirëseardhje të mbushura plot e përplot por ai, kish mbetur çuditërisht, i uritur.
-Hajde, miku im, po bën shaka tani?- i them.- Edhe në kohën e tallonave (racioneve) të ushqimeve që ndante shteti komunist dikur të kishe ardhur, mikut, ata ia begatojnë tryezën. Edhe në varfëri përpiqen që miku të ndjehet i lumturuar. Jo më tani, në ekonominë e tregut që nuk mungon asgjë. Ndoshta të pëlqejnë hiperbolat. Nuk ka asgjë të keqe. Punë preferencash.
***
Por Andoni është njeri korrekt në rrëfim.
Kishim vetëm dy ditë të lira dhe duhej të ktheheshim në vendet tona të punës. Ajo në infermeri në një spital publik në Athinë dhe unë në zyrën e financës në një kompani.
-Andoni, na duhet të shkojmë për një dreke nesër te dajo Xhemili! Është i moshuar por, edhe kështu e do zakoni…
Siç përmenda më sipër Andoni është njeri korrekt, nuk dëshiron t’ua prishë njerëzve të nuses dhe ka dëshirë të njihet me zakonet edhe në drekëra e darkëra të të afërmve të saj. Njeri vërtet i toneve të ulëta por syri nuk ia bën ‘tërr’.
Sapo kishin zënë vend në tryezën e begatë të dajos dhe natyrisht, e ndjeu si mik dhe i huaj sugjestionin sesi, e shponin shigjetat e shikimeve kureshtare jo vetëm të dajo Xhemilit por të krejt atij trapezi familjar, me djem e nuse, me rreth të afërmish të zgjeruar si ata rrathët egocentrikë të ujit që zënë e hapen valë-valë kur bie një gur në një gji të qetë liqeni.
Pasi të gjithë ishin rehatuar në një dhomë të madhe përpara pjatave të ngarkuara me mish në hell, nënprodukte të tjera dhe gotave të kristalta me pije, papritur, dajo Xhemili u ngrit në këmbë si një komandant.
-Seç kishte vërtet diçka prej Kollokotroni dajo Xhemili, më shpreh impresionin e tij Andoni.
-Jo thjesht për mustaqet, por edhe me atë gotën e tij në dorë dhe mënyrën sesi e hapte krahun në erë si të kishte një jatagan në dorë, sa majtas edhe djathtas mbi kokat e mysafirëve të gazmendit.
-Miq edhe familjarë, do të marr tani një dolli për dhëndërin tonë, Andonin, që na shkeli në shtëpi; dhe, për nënën e tij të moshuar atje në Pire e cila ka rritur dhe edukuar një njeri të mrekullueshlm, si zoti Andon, dhëdërushi ynë! Unë do ta pij me fund, ju sa të doni,-tha dajo Xhemil, duke iu drejtuar kunatit të tij, me emrin Bejo.
I skuqur, Andoni shikonte gjithë sy e vesh dhe mundohej t’i përshtatej ritit të gëzimit.
Të gjithë u ngritën në këmbë. Andoni nduku bërrylin e Afrovitit. “Viti, tani, duhet të ngrihemi edhe ne?
Afroviti nuk i foli por buzëqeshi gjithë shend e verë dhe u ngrit në këmbë me gotën e verës të përzier me pak coca cola.
Andoni e mori menjëherë mesazhin dhe u ngrit vrik në këmbë me gotën e rakisë në dorë dhe sytë te dajo ligjëruesi. Ndërkohë, sa e lagu gjuhën me pakëz raki. Kishin gjithë ditën që bënin vizita dhe ai ndjehej pak i lodhur dhe goxha i uritur.
-Ta gëzojë! Ta gëzojë! Shend e verë! Pleqëri të bardhë nënës së dhëndërit!”-dëgjoheshin zërat si në polifoni nga tryeza si njëlloj përgjigje e shëndetit që ngriti dajo Xhemili.
Pastaj, njerëzit u ulën nëpër vende. Lanë të qeta gotat dhe, nisën të merrnin pirunët dhe thikat.
Gjithkush, në të vetën. Sa kishin vënë në buzë, kush sallatën, kush urlën e kaçupit 2) të preferuar në ato anë, e shumica, mishin e pjekur në hell, për të cilin kjo trevë jugore ishte e famshme.
Me kujdes edhe Andoni zgjati instrumentat e rastit mbi pjatat e mbushura plot.
Por ende pa e afruar pirunin në buzë, Adonit i duhet të ngrihej sërish.
-Xhemil, do më falësh por, edhe një herë në këmbë!-urdhëroi një burrë i thinjur.
-Unë,-tha ai,- dua të ngre një shëndet për nënën e dhëndrit tonë të dashur, zonjën e nderuar Kaliopi që unë nuk e njoh por që ka edukuar një deli djalë të tillë si dhëndri ynë, Andoni. Unë dhe ti Xhemil, po edhe dhëndri, po të dojë, pa detyrim, ta pimë me fund!-dhe fap e rrokullisi kupën e rakisë si të ishte nje paracetamol.
Të gjithë po shikonin nga nga ne,-rrëfen Andoni ndërsa unë, i bërë lulëkuqe në fytyrë pashë në kokërr të syrit Afrovitin. Me fund? He?.E saktë?..- E pyes afër veshit.
-Si te duash,-më tha nusja. Nuk je i detyruar!
Po unë, megjithë respektin për ngritësin e shëndetit dhe respektin për nënën time, Kaliopin, që më ka bërë kokën, nuk e piva dot ‘me fund’. Që të jem i saktë, piva vetëm një të pestën e gotës dhe më sytë, më picëruan xixa! Ishte nëntëmbëdhjet gradë si acid, jo shaka!
“Tani, i thashë vetes, ha diçka zoti Andon se stomaku të ka nisuur ‘revolucionin popullor ’ nga uria dhe mora një copë mish shpatull nga pjatella madhështore mbi tavolinë. E vendosa në pjatën time te porcelantë. E preva ngadalë në disa porcione gati gjeometrike dhe e ngula pirunin i sigurt tek copa e parë. Ishte nga kofsha e një qingji. Më në do më rehatohet edhe i shkreti stomak, thash me vete.
Por sa do ta hidhja në gojë, kur…
-Me leje?
Atë çast hodha me një vështrim pyetës nga Afroviti. Të gjithë shikonin nga njeriu që foli dhe paralelisht, nga unë dhe bashkëshortja ime në krahun tim të djathtë.
Në këmbë tani ishte ngritur djali i madh i dajo Xhemilit, Teua siç më sqaroi me një pëshpërimë në veshin e djathtë, Afroviti.
– Mos u cudit dhendër I dashur, po sot këtu do të ngrihen shumë dolli e shëndete,-vijoi Teua që tani qëndronte në këmbë me gotën e qelqit me fron në dorë.
-Por unë, dua të ngre një gotë për të dy pëllumbat e Andonit dhe Afrovitit: Për dy djemtë e tyre! Gëzuar! Ta gëzojnë!
-Bravo!- u dëgjua nga dikush,
Teua qëndroi në këmbë dhe të tjerët gjithashtu, në këtë ritual që mesa kuptova ishte procedurë që e respektonin me kënaqësi të gjithë. I ngula sytë njeriut më të moshuar ndoshta që i kishte kaluar me kohë të tetëdhjetat, dajo Xhemilit.
Dukej qartë që iu bë mjaft qejfi. Ai fërkoi me gishtin tregues të harkuar mustaqet e krahut të majtë dhe pastaj ato të krahut të djathtë.
-Të më ruaç, o bir!-tha.
-Me fund!-thirri djali i dajo Teos që mesa duket mori hov.
Atë çast edhe unë u ngrita. Këtë, do ta pij, thash me vete, si një edhe një që bëjnë dy,dhe befas, m’u ngjit një bestytni se, ai shëndet me raki rrushi të zgjedhur 19 gradë nga Përmeti, do të ishte vërtet një bekim për të dy djemtë e mij që i duam si drita e syrit. Piva një të dytën, domethnë gjysmën e gotës dhe e falënderova që ‘kujdesej’edhe për fëmijët e mi në këtë atmosferë të ndezur festive dhe familjare.
Të gjithë në atë trapez, ndoshta njëzet frymë, më shikonin si në një hetim, buzagaz dhe kureshtar sesi do të reagoja unë me ndonjë fjalë mirënjohje.
“Shumë faleminderit! Unë e pi për fëmijët tuaj, thuaj!,-më orientoi ose më urdhëroi Afroviti, duke më goditur këmbën poshtë tavolinës.
U ngrita në këmbë.
-Shumë faleminderit! Unë e pi për fëmijët tuaj!- përsërita besnikërisht si në një ritual në kishën e Shën Mërisë të lgjes sonë, ato që më tha ime shoqe.
-Bravo, Andoni!, më tha Afroviti me humor-.Ke bërë përparime, djalosh! Ia ke marrë dorën mirë!
-Qesh ti, qesh, pse mos të qeshësh! -i thash me humor dhe sytë e picëruar.
Ajo vijoi të qeshte mbyturazi.
***
Pastaj, dikush ia mori këngës me një zë të kthjellët që pasoi me përfshirjen e të gjithë pjesëmarrësve si koret e lashta në skenën e Irodhjos në Akropol.
Sa bukur!- mendova. Tani që nisi kënga, ne të tjerët edhe mund të hamë qetësisht ndonjë asortiment po edhe të shijojmë folklorin e famshëm të kësaj ane të origjinës së Afrovitit.
Instiktivisht hodha vështrimin nga ‘bashkëvuajtësit’ e mi të gëzuar.
Që të gjithë, të mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël, nuk po merreshin me pjajtat por, këndonin.
Afroviti ma përkthente tekstin e bukur lirik. Dikush ia merrte këngës dhe të tjerët pas pak, e pasonin me kor.
“Dy shelege në port’
O dale, dale,
Njera bejk e tjetra sorkë,
O dale, dale!”
Ç’kan’ një qen a u tërboft’
O dale, dale!
Që s’më le të hyj në portë
O dale, dale!
Syzeza vetullanxir’
O dale, dale!
Tek porta sonte jam dirë 2)
O dale, dale!
E mrekullueshme!- thash.-Simbiozë e vërtetë: Edhe dolli, edhe eros, edhe polifoni!
Tani, të bëjnë ç’të duan ata me gota, po unë për vete do t’i kthehem njëçikëz edhe pjatës se u ftoh e u bënë akull mezet dhe mishi- i bëzajta Vitit .
-Si goja , zemra!- u dëgjua të thoshin në çastin e përfundimit të këngës shumë vetë.
Pas këtij çasti, u dëgjuan zhurmat aritmike të pirunëve dhe ‘veglave’ të tjera të tryezës, gjer atëhere në qetësi.
Epo, kaq e pati de, mendova. Tani t’i kthehemi të ngrënit, më në fund se na vdiqën fjalimet!
Por nuk ishte e thënë të zgjaste ky moment fatlum.
Aromat e mishit të pjekur ne pjatellën para meje, me një kokë qingji të ndarë në mes dhe një pjesë e madhe fragment nga qingji i pjekur që çuditërisht këtu i thoshin ‘bishti për mikun’, (ritual respekti, ndoshta pagan) ; ma bënin vërtet me sy.
Gjithë ditën kisha pirë në vizita vetëm kafe-llokume, llokume – kafe dhe vetëm sa lagjia buzët me raki rrushi që na ofronin në tabakatë, njera më e bukur se tjetra.
***
Këto po sillja ndër mend kur:
-Jemi edhe ne gratë këtu!- u dëgjua një zë femre.
Mooos!-thash me vete. Të gjithë panë andej nga erdhi zëri.
Ishte një grua e moshuar diku në ‘panelin’ e palës pritëse. U ngrit në këmbë.
Mesogrua. E gjatë. Me një shami të errët lidhur në kokë dhe një peshlli jeshil të errët, hedhur supeve.
Kishte një fytyrë të mprehtë si Bubulina, rrëfeu Adoni. Plakë simpatike. Mësova se ishte motra e madhe e dajo Xhemilit, Bejkushja.
-Unë kam një dolli për të dyja mëmat e çiftit: për nënë Kaliopin që ka lindur Andonin, këtë sorkadh të bukur dhe për Dhuratën që ka lindur Afrovitin, këtë zanë mali!,-tha Bejkushja, me shaminë mbi ballë që tani vërtet po më ngjante me kapedanen trime arvanitase Laskarina Bubulina, komandantja e anijes luftarake “Agamemnon” .
Të gjithë ngritën gotat si me një komandë.
Pastaj e moshuara e dollisë shtoi:
-Kam edhe një shëndet tjetër se, unë jam plakë e nuk e ngas dot më tej: Për të gjithë nipërit dhe mbeskat që ka në familjen e madhe të Andonit dhe të Afrovitit! T’i kenë me jetë e mos u hyftë gjemb në këmbë!
-Të lumtë goja!,- u dëgjua me tone të larta kori i tryezës festive.
-Lereni djalin të hajë pak se e bombarduam me dollira,-tha dajua i vogël i Afrovitit, Mentori.
Më pëlqeu pa masë ndërhyrja me takt e dajo Mentorit.Bravo Mentori!Kallo pedhi!(Djalë i mirë)
***
-Faleminderit për ndërhyrjen!-i drejtohem dashamirësisht, dajo Mentorit.
-Mos janë pak të ngarkuara për ty këto rite festive!?- m’u drejtua buzagaz ai
-Janë interesante dhe me kuptim,-ia prita me mirësjellje
Dajo Mentori që e kisha përbllë tavolinës vijoi mu drejtua duke qeshur:
-More byrazer, në këto kohë demokracie këtej nga ne, njeriu ndahet mirë me dollitë edhe shëndetet. Shumë-shumë, mund të të zërë rakia dhe të mbetesh pa ngrënë për shkak të dollive. Por dikur, në kohën e atij regjimit tjetër, monistit, ca vite më parë, të gjente belaja e madhe.
Po e ndiqja me vëmendje dhe kureshtje.
-Në fakt, nuk ka qenë një rregull por, mund të të gjente belja nga ca dolli siç ka ndodhur dikur që unë i quaj ‘dolli politike me spec djegës’.
-Pse, si ndodhte?
-Po ja, për t’u treguar më i zellshëm nga të tjerët, dikush në tavolinë ngrinte një shëndet të veçantë, për shembull që nuk kishte lidhje me dasmën, fejesën apo gëzimin familjar..
-Për shembull:?- më vijoi rrëfimin Andoni.
-Ka ndodhur që dikush t’u drejtohej të tjerëve në tavolinën e gëzimi familjar: “Këtë dolli ta ngremë për Partinë e Punës!” Të tjerët shikonin njeri-tjetrin por, bënin ç’bënin, e ngrinin dhe e pinin gotën me raki.” “Hajde, për partinë, me fund!- mund të thoshte dikush tjetër. Pale, kur ndonjëri mund ta ngrinte dollinë për udhëheqësin, shefin e madh të partisë dhe pastaj, edhe për Byrosë politike!!…Ishin jo pak, po trembëdhjetë shefa të mëdhenj partie që përbënin Byronë në atë regjimin e famshëm.
-Jo pak herë ishin politizuar në mënyrë absurde atëhere edhe gëzimet familjare. Po të mos i pije, thotë një fjalë: ‘kërcen prifti nga belaja!’ -kishte spjeguar fqinji i Andonit në tavolinë.
-Interesante dhe të habitshme!-u shpreh Andon Moraitis, që tani ndjente sërish uri dhe iu kthye më në fund pjatave të ftohura mbi tryezën e begatë.///
—o0o—