Analisti Andi Bushati shkruan në përfundim të fjalimit të kreut të PD-së, Lulzim Basha se vendosja e çadrës para kryeministrisë ishte një veprim i logjikshëm.
Në një analizë të botuar në lapsi.al ai shkruan se “Nuk mund të kishte një përfundim tjetër përpos një proteste të pandalshme pas fjalimit më luftarak që Lulzim Basha ka mbajtur në karierën e tij. Pasi i bëri thirrje njerëzve të tij nëse ishin gati për luftë, pasi i ftoi për përgjegjësi kurajo dhe sakrificë, pasi i apeloi për marshim drejt qëllimit, dhe në fund pasi u zotua se ai vetë ndihet i gatshëm të qëndrojë përpara kryeministrisë, ngritja e një çadre në atë vend ishte veprimi më logjik. Po aq llogjike është që edhe edhe ky fjalor radikal të shoqërohet nga veprime radikale. PD nuk kishte rrugë tjetër veçse të arrinte në këtë përfundim, pas pasqyrës 3 vjeçare që i ka bërë gjendjes në vend”.
Sipas Bushatit “pra në kushtet ku gjendet, Basha ka pak zgjidhje. Ai nuk e ka luksin të besojë, se mund t’i fitojë zgjedhjet, ai nuk është naiv të mendojë se do të arrijë qeveri teknike. Nëse është serioz në shpalljen e rrugës radikale, nëse beson vërtet në shprehjen “ose zgjedhje të lira (që është e pamundur të ndodhin) ose s’ka zgjedhje fare, ai duhet të mendojë seriozisht për mospjesmarrjen në to. Vetëm kështu, duke bërë këtë hara-kiri, ai mund ta dëmtojë vërtetë Ramën. Vëtëm kështu ai mund të japë, si socialistët pak vite më parë, imazhin e një vendi jo normal. Çdo rrugë tjetër, kam frikë se do ta kthente në qesharake thirrjen e tij për luftë, do ta zhvleftësonte kushtrimin e tij: ”Unë jam gati”, do ta shndronte çadrën e sotme në një çadër cirku. Çdo hap pas, tani që shpalli rrugën radikale, jo vetëm do ta shndërronte Bashën një një alibi të Ramës, por ajo do të rënonte përfundimisht besimin e tij tek mbështetësit”.
Komentet