Analisti Andi Bushati shkruan sot se rruga që po ndjek opozita për tiu përgjigjur zërave që vijnë nga Perëndimi nuk është ajo e duhura.
Në një shkrim të botuar në lapsi.al, Bushati thotë se opozita tani është e rrethuar dhe në dukje Basha nuk ka rrugëdalje.
“Në këtë betejë propogande ajo ka zgjedhur rrugën më të gabuar për të qenë bindëse. Kur flasin ambasadorët gjithmonë del dikush që thotë se ata punojnë për Ramën. Kur flasin kancelaritë perendimore, ngrihet Lulzim Basha dhe pretendon se ato janë influencuar nga lobistët që ushqehen me paratë e kanabisit. Madje edhe kur numri dy i qeverisë gjermane, Ministri i jashtëm i Gabriel, zbarkon në Tiranë për të folur troç, shpërndahen zëra se ai nuk qenkesh i partisë së Merkelit, por një i majtë social demokrat më afër Ramës dhe Metës”, shkruan Bushati.
Sipas tij “Faktet duhen pranuar ashtu sikurse janë dhe PD-ja nëse do të ketë sukses, duhet të zgjedhë një rrugë tjetër. Jo mohimin e tyre, por përballjen me to. Lulzim Basha dhe njerëzit e tij nuk mund të sillen sot sikur nuk janë të rethuar, por duhet të tregojnë se si kanë ndërmend ta çajnë këtë rrethim. Pra, kur shefi i diplomacisë gjermane zbarkon në Tiranë, dënon ashpër bojkotin, i bën thirrje pakicës që të pranojë shumicën, bën apel që politikanët të shkojnë në zgjedhje dhe aty t’i shpalosin obsionet dhe kritikat e tyre, këto mendime nuk mund të anashkalohen. Përkundrazi mbi ato duhet debatuar”.
Bushati thotë se opozita duhet të përballet me faktet, të pranojë për momentin që nuk e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe të thotë se ajo po lufton për të larguar një sozi të Gruevskit.
“Në vendin që drejton Edi Rama, ku mediat i ka kullufitur, ku oligarkët që po i nginj me kulla financojnë drejtëpërdrejtë atë, ku kriminelët janë në paradhomë të politikës dhe ku partia në pushtet është partia e klientëve të kryeministrit, duket qartë që zemra nuk mund të punojë normalisht pa u furnizuar me gjak. Prandaj, vetëm zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Por për të treguar të gjithë këtë histori duhet një rrugë e gjatë. Duhen së pari argumenta, pastaj rrezistencë dhe forcë. Këto janë sfidat reale të Bashës dhe PD-së sot. Synimi i tyre duhet të jetë t’i tregojnë perëndimit se këtu po krijohet një model tjetër Gruevski. Ndoshta më i sofistikuar në propogandë, por po aq i rrezikshëm në zhdukjen e lirive dhe hapsirave demokratike. Por, kjo rrugë e vështirë, e cila mban mbi vete edhe riskun e një hara-kiri, që mund të hajë edhe kokën e Bashës, është rrugë me një kalim. Ajo e detyron opozitën të përballet me faktet. Ti pranojë publikut dhe vetes se ajo aktualisht nuk ka përkrahjen perendimore. Por se ajo po lufton, po përpiqet, madje është e gatshme edhe të sakrifikojë për të treguar se në Tiranë po skicohet një sozi vetëm estetikisht e ndryshme me satrapin maqdon. T’i bindë se pikërisht për këtë, këtu vlejnë më shumë recetat e Shkupit sesa ato të vendeve normale”, vijon më tej Bushati.
Komentet