Pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, sekretari i atëhershëm amerikan i Shtetit, Colin Powell, siguroi se Amerika do të përballej me tragjedinë duke sjellë para drejtësisë përgjegjësit dhe duke mbrojtur demokracitë e botës.
“Ata kurrë nuk do të lejohen që të vrasin shpirtin e demokracisë”, kishte deklaruar Powell. “Ata nuk mund të shkatërrojë shoqërinë tonë. Ata nuk mund të shkatërrojnë besimin tonë në rrugën demokratike”.
Presidenti George W.Bush, i cili fitoi zgjedhjet më 2000 si një kandidat që do të ishte i kujdesshëm lidhur me dërgimin e trupave amerikane në luftëra të huaja, shpejt e bëri luftën kundër terrorizmit global politikën e tij kryesore dhe krijoi një “koalicion ndërkombëtar” që do të kryente këtë mision.
Pushtimi i Afganistanit, i udhëhequr nga SHBA-ja, kishte qëllim kryesor rrjetin terrorist të Al-Kaidës, grup që ishte strehuar në Afganistan dhe kishte kryer sulmet vdekjeprurëse të 11 shtatorit. Dhe kur shkoi në tokën afgane, Uashingtoni shpejt rrëzoi nga pushteti regjimin taliban, të akuzuar për strehimin e Al-Kaidës.
Por përvoja e SHBA-së në Afganistan përfundoi me dështim dhe grupi i linjës së ashpër u kthye në pushtet. Lufta pothuajse 20-vjeçare përfundoi me kosto të madhe, në kuptimin e jetës së humbur dhe parave të shpenzuara. Dhe bëri që publiku amerikan dhe politikanët nga të dyja partitë kryesore të jenë hezitues që të përfshihen në “luftëra të përhershme” që nuk mund të fitohen.
“Më shumë se 2 trilionë dollarë janë shpenzuar në Afganistan”, deklaroi presidenti amerikan, Joe Biden, më 31 gusht 2021, teksa njoftoi zyrtarisht përfundimin e luftës më të gjatë në historinë amerikane. “20.7444 ushtarakë dhe gra amerikane janë plagosur dhe kemi humbur 2.461 pjesëtarë të personelit amerikan”.