Nga Paolo Garatti, EAST JOURNAL
Pas bumit të turizmit të vitit të kaluar, çështja e turizmit në Shqipëri tashmë duket se nuk është më e qëndrueshme. Mes çmimeve të fryra, infrastrukturës së shkatërruar dhe shërbimeve të dobëta, tema e turizmit është në qendër të debatit të brendshëm politik.
Turizmi masiv në Shqipëri mes shpresave e zhgënjimeve
Zbulimi më i fundit europian për sa i përket plazheve të egra dhe ujërave të kristalta, Shqipëria po përballet me fenomenin e turizmit masiv, i cili shpërtheu në mënyrë të bujshme pas pandemisë Covid-19. Viti i artë i turizmit në vendin e shqiponjave qe vitin e shkuar, kur miliona turistë u dyndën drejt brigjeve shqiptare nga veriu në jug, nga Durrësi në Ksamil, duke kaluar në qytetet e njohura të Vlorës e Sarandës, duke mbushur hotelet plot e plazhet gjë për cilën ndoshta as vetë shqiptarët nuk ishin të përgatitur.
E joshur nga bumi i turistëve të regjistruar në vitin 2023, në fillim të vitit 2024 qeveria e kryeministrit Edi Rama (i rizgjedhur vitin e kaluar) i kishte vendosur vetes një objektiv ambicioz për sa i përket numrit të turistëve të pritur, duke shpresuar për 14 milionë të ardhur, rreth 4 milionë më shumë se në vitin 2023. Krahas këtij objektivi sfidues, qeveria shqiptare kishte përcaktuar edhe përpjekjet që, sipas saj, do të kontribuonin në hapjen e rrugës për Shqipërinë si qendër turistike europiane: promovimin e vendit dhe të atraksioneve të saj, përdorimin e aplikacioneve dixhitale për reklamimin e ngjarjeve, një normë e reduktuar e TVSH-së prej 6% për hotelet, infrastrukturën e përshtatshme (duke përfshirë një aeroport të ri në Vlorë) dhe përmirësimin e standardeve të cilësisë duke përfshirë shërbimin, pastërtinë dhe sigurinë.
Por në fillim të korrikut 2024, gjërat nuk po shkonin sipas planit. Në periudhën janar-maj, INSTAT raportoi se rreth 3.3 milionë të huaj e kishin vizituar vendin dhe në qershor ky numër shkoi në 1.24 milionë, duke humbur synimin për të arritur në 14 milionë. Përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, raportet zyrtare konfirmuan se numri i vizitorëve të ardhur ishte shumë më i ulët se sa pritej.
Vera 2024, një sukses apo një dështim?
Nëse nga njëra anë duket e pamohueshme që Shqipëria ka lënë pas sindromën e izolimit të epokës komuniste duke u hapur përfundimisht me botën, është po aq e vërtetë se vendi i vogël ballkanik ndoshta e ka gjetur veten të papërgatitur për të menaxhuar fluksin masiv të turistëve të vitit të kaluar, duke treguar se po trajtonte fenomenin e turizmit masiv me kohë dhe mjete të pamjaftueshme, ndoshta ende larg parametrave të BE-së për një vend kandidat për në BE.
Qeveria shqiptare ka bërë tashmë investime të konsiderueshme në infrastrukturë. Duke filluar nga aeroporti i Tiranës, i zgjeruar, por ende i pamjaftueshëm për të përballuar flukset e verës, duke kaluar përmes aeroportit të Kukësit, i inauguruar me bujë por tashmë praktikisht i mbyllur dhe projekti për një aeroport të ri pranë Vlorës, i prekur nga probleme të mëdha mjedisore. Turistët që erdhën vitin e kaluar gjetën gjithashtu një vend me probleme serioze në menaxhimin e papastërtive, me ndërtime pa kriter dhe të pakontrolluara, me rrugë e transport publik të këqija, një rrjet shumë të dobët të ujit të pijshëm, pa kontrolle adekuate në cilësinë e ushqimit dhe me një shërbim që do ende shumë punë për t’u përmirësuar.
Të gjithë këtyre faktorëve u shtohet rritja e përgjithshme e çmimeve në krahasim me vitin e kaluar, sidomos në pjesën jugore të vendit. Vendet veriore, duke përfshirë Shëngjinin dhe Velipojën, kanë pësuar një rritje më të vogël në krahasim me vitin 2023 (përllogaritur rreth 10%), duke vazhduar të jenë shumë popullore për turistët nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova (edhe pse tani falë liberalizimit të vizave, shumë kosovarë më në fund mund të shkojnë në plazhe të tjera përveç atyre shqiptare).
Duke garantuar një mesatare nën normat europiane, duket se Shqipëria nuk ka arritur të bëjë një bis në këtë fenomen të ri që po e prek, e joshur nga fitimet e një kapitalizimi pa kriter që ka dhënë efektin e kundërt, duke larguar një pjesë të turistëve potencialë nga brigjet e bukura shqiptare.
Përplasja politike
Në mënyrë të pashmangshme, fronti i brendshëm politik, tashmë i prekur nga faktorë të ndryshëm tensioni (nga korrupsioni i shfrenuar deri te liria e shtypit që varet në fije të perit, duke kaluar përmes marrëveshjes me kryeministren italiane Meloni për çështjen e emigrantëve) ka gjetur një fushë të re konflikti mes mazhorancës dhe opozitës pikërisht në menaxhimin e sezonit turistik 2024, me opozitën që sulmon egërsisht qeverinë, fajtore se ka çuar dëm mundësinë e artë të turizmit.
Nga ana e tij, kryeministri Rama fillimisht kritikoi ashpër sektorin privat të turizmit për rritjen famëkeqe të tarifave që preku sezonin e verës 2024 dhe më pas iu përgjigj akuzave të opozitës përmes një postimi në rrjetet sociale ku mburret me rritjen e vizitorëve dhe si rrjedhojë forcimin e ekonomisë së brendshme. Megjithatë, një postim më të matur se ai i vitit të kaluar, kur kryeministri shqiptar kishte guxuar në llogaritë e tij sociale një krahasim fatkeq mes italianëve që mbërrijnë në Shqipëri për pushime dhe emigrantëve që iknin Vlora me anijen që zbarkoi në Bari me 8 gusht 1991 me rreth 20,000 shqiptarë që ikin nga vendlindja. Postimi u kritikua gjerësisht nga opozita, veçanërisht nga ish-kryeministri dhe presidenti shqiptar Sali Berisha, i cili e cilësoi atë postim në Twitter si një propagandë të pastër, pasi në tetë vitet e fundit një milion shqiptarë janë larguar nga vendlindja e tyre, e rrënuar nga korrupsioni dhe mungesa e perspektivave të qëndrueshme të punës, sidomos në vende larg Tiranës.
Mbiturizmi, konsumizmi dhe kapitalizmi
Pavarësisht se është mbingarkuar prej tij, Shqipëria ende po kalibron menaxhimin e një fenomeni sa tërheqës aq edhe kompleks. Përveç zhurmës së një ekonomie të rigjallëruar, turizmi masiv fsheh implikime të rrezikshme në nivel social, mjedisor dhe kulturor.
Në vendet ku turizmi masiv ka filluar të jetë i padëshiruar (dhe i penguar), tashmë është kuptuar se një prani masive e turistëve të huaj, ndonëse e dobishme në nivel makroekonomik, nuk përkthehet në një rezultat po aq pozitiv për autoritetet lokale, të cilat luftojnë për të gjetur një ekuilibër mes fitimeve dhe menaxhimit të vështirë të flukseve. I ashtuquajturi mbiturizëm shpesh çon në pasoja negative afatshkurtra, duke ndërlikuar jetën jo vetëm të atyre që jetojnë në destinacione turistike gjatë gjithë vitit, por edhe të vetë turistëve, të ekspozuar ndaj mbipopullimit të pakontrolluar.
Konsumizmi ekstrem që çon në mbiturizëm – një produkt i drejtpërdrejtë i kapitalizmit që na shtyn të konsiderojmë gjithçka si një mall – nxitet kryesisht nga universi social, i cili ofron mundësinë për të kërkuar në mënyrë obsesive për “shkrepjen perfekte”, panoramën e parë tashmë në një llogari tjetër, restorantin e bërë tag nga disa influencues. Ndoshta ishte fjala sociale, në mos për të krijuar, por sigurisht për nxitur fenomenin shqiptar të vitit të kaluar, me imazhet e perëndimit të diellit që të lënë pa frymë mbi ujërat e pastër të Adriatikut që mbushnin faqet në Instagram.
Shpresa është që Shqipëria, pasi të ketë kuptuar se si të shmangë vetësabotazhin, do të kuptojë gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe masave që duhen marrë për të frenuar një fluks të tepruar turistësh dhe për të mbrojtur thesaret e saj në emër të jetëgjatësisë më të madhe të vetë vendit. /East Journal – Syri.net