Prof. Apollon Baçe, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD mbajti një fjalim të fortë dhe me kërkesa specifike për lidershipin e PD-së në kuadër të mbledhjes që u zhvillua pak ditë më parë të forumit të lartë të demokratëve. Në Këshill, Baçe tha se Edi Rama i zgjedhjeve të pritshme, është po Edi Rama i zgjedhjeve të viteve 2013, 2017 dhe 2021 dhe se nuk pritej ndryshim për 2023-in.
Ndaj ai propozoi që të nisë sa më parë prenotimi i një kompanie lobimi të nivelit të BGR të ‘2005; kristalizimi i strukturave me menaxherë vizionarë dhe jo burokratë partiakë; apelimi i një “think tanku” cilësor; krijimi i një qendre centrale koordinative si edhe mbulimi logjistik i territorit deri në nivel familjar. Sipas Baçes, Berisha është një shpatar brilant, por betejat fitohen nga ushtritë që i lëvizin shtabet.
Përgjegjësia ndaj Kombit
Mirë a keq, sot opozitë e vetme është PD-ja. Laje-thaje, s’ka tjetër. Si e tillë përgjegjësia e saj ndaj zhbërjes së Kombit: Shqipërisë, Kosovës dhe diasporës, është e pamasë. Kjo pasi zhbërja etnike, kulturore dhe gjuhësore e një kombi ngjason me gropat e zeza, të cilat kozmosi i krijon pas zhbërjes së yjeve. Në ilustrim të këtij procesi të tatëpjetë, po rreshtoj disa nga të vërtetat:
Pas Serbisë, shteti europian më agresiv dhe destruktiv ndaj Kosovës është Shqipëria,
Kalbëzimi moral i organeve dhe organizmave, nga individi tek krimi i organizuar (me a pa jaka të bardha), nga delinkuenti tek ministri dhe nga gjyqësori tek policia, së fundmi deri tek ushtria, vijon me ngritje eksponenciale,
I varfëri absolut shqiptar është dy herë më i varfër se çdo varfanjak tjetër i ballkanit,
Pas pushtimit osman nga Shqipëria emigroj 1/5 e popullsisë, dekadën e fundit prej saj ka emigruar 1/3 e popullsisë, më cilësorja dhe dinamikja,
Në këtë det në furtunë, timonin e anijes e ka një sociopat, përbuzës i shqiptarëve, urryes i Kombit të tij.
Edi Rama i zgjedhjeve të pritshme, është po Edi Rama i zgjedhjeve të viteve 2013, 2017 dhe 2021: inteligjent dhe i paskrupull, dinamik dhe i pamëshirë, ekstravagant dhe kloun (në kuptimin hokatar i mbretit është mbreti vetë).
PD-ja nuk ka as tagrin dhe as mundësinë e riparimit moralo-cerebral të Ramës. Tagër i saji është riparimi i vetvetes. Si e tillë, analiza 600 faqëshe e dredhive dhe mashtrimeve të 14 majit, nuk ka dobi si “send në vete për vetveten”. I njeh a nuk i njeh PD rezultate e këtyre zgjedhjeve, lejet dhe shkresat në Bashkinë e Shkodrës do firmosen nga Bahri Beci, jo nga Bardh Spahia. Dobishmëria publike e analizës është evidentimi i teknologjisë së mashtrimit, në mënyrë që më 2025, asaj ti paradilet me masa neutralizuese.
Partitë janë si blloqet e betonit: punojnë mirë në shtypje dhe keq në përkulje. Për të përballur përkuljen dhe çdo lloj deformimi tjetër, ato armohen me shufra çeliku, duke i kthyer në beton-arme. Ndonëse bërthamë metalike e bllokut PD është Berisha dhe të devotshmit e tij, Topalli, Ristani, Patozi, Harxhi, Balliu dhe elementë të tjerë cilësorë ishin shufrat e çelikta që i jepnin fleksibilitet dhe qëndresë partisë. Çuditërisht PD i flaku tej për ti zëvendësuar me specie “noname/nobody”, në mos qesharakë të paktën absurdë. Me një optikë të tillë edhe e justifikoj largimin emocional nga parlamenti, por nuk arrij dot të kuptoj mospjesëmarrjen në reformën territoriale dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2019.
A ishin këto thjesht aksione të një Bashe që ka vështirësi me tabelën e shumëzimit? Dikur në TV pata thënë “Domatja normalisht zvarritet në pluhur dhe kur ajo synon qiellin, merita nuk është e saja, por e shkopit ku është lidhur”. Dhe këtu do pyesja se kush nga ish kryesia, e cila sot mbijeton si kryesi e ngushtë, u çua kundër këtyre akteve. Të cilët influencuan ndijshëm në humbjen e 14 majit? Nuk kuptoj as përse deri në 10 korrikun e shkuar foltoret, takimet dhe demonstratat ishin perfekte dhe në ngritje, ndërkohë që në shtator u platitën për toke.
Berisha është një shpatar brilant, por betejat fitohen nga ushtritë që i lëvizin shtabet. Ndërkohë këta shtabe hartuan skema të mefshta strukturale, menaxhuan keq dhe kryesorja nuk arritën të krijojnë frymë. Zgjedhjet e ‘2005 i njoh nga afër dhe në to kishte sa të duash rrengje dhe mashtrime, por ato u fituan pikërisht nga fryma, nga besueshmëria tek PD, duke i falur asaj deri dhe pasojat e skemave piramidale. Nuk ka ndodhur kund tjetër, që presidenti i dëbuar me armë, të kthehet me votë. Krejt ndryshe nga 14 maji, kur nuk dolën për të votuar deri të afërtit e PD.
Ndërkohë krupierët kanë filluar të thërrasin “loja po fillon” dhe ruleta ka nisur rrotullimin.
Kjo e vë PD para një sërë kërkesash të ngutshme racionale: prenotimin e një kompanie lobimi të nivelit të BGR të ‘2005; kristalizimin e strukturave me menaxherë vizionarë dhe jo burokratë partiakë; apelimin e një “think tanku” cilësor; krijimin e një qendre centrale koordinative; mbulimin logjistik të territorit deri në nivel familjar.
“Po humbëm, hapim krahun” thotë Kryetari i Këshillit Kombëtar. Kujt? Ramës, Bashës, Ramë/Bashës? Por, nëse PD vendos që të shkundet mirë, të organizohet dhe të heqë dorë nga ankimet, edhe ja dilet. Veçanërisht falë varganit të skandaleve ditore të PS, pasi çarapes nejlon, po ti ikte një fije, i iknin tërë fijet.
Prof. Apollon Baçe
Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD
(Standard.al)