TIRANË
Analisti Genc Burimi bëri thirrje për reagim nga qytetarët shqiptarë pas sekuestrimit të Prestige Resort ditën e sotme.
Burimi tha në News24 se çdo shqiptar i ndershëm që mendon se ka një bosht rreth kombit të tij duhet të angazhohet në kritikë sa më shpejt për t’i sjellë fundin këtij regjimi dhe Hysenbelliu duhet ta bëjë.
“Kur nuk ka kufi, s’ka më limite. Nuk ka më kufij ky. Kështu është ky regjim sot. Ky pushtet sot bën gjithçka. Ky kërkon të zotërojë gjithçka. Nuk pyet ky, nuk sheh këto argumente. Shpresoj që çështja të shkojë deri në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg, por dua dhe njëherë që të ketë një angazhim politik të pronarit të grupit Hysenbelliu që ka një tjetër metodë, një mënyrë që ai të mos kujtojë se është i plotfuqishëm. Të bëhet avokat i qytetarëve shqiptarë. Unë dua që kur këta njerëz politikanë bëjnë gjëra arbitrare dhe kur humbasin se do humbasin, t’u merret pasuria, t’i merret shtëpia në Surrel. Këtë vendim e merr populli shqiptar me votë. Kjo ndodh me një ofertë të re politike. Berisha, Meta të bëjnë pjesën e tyre. Asgjë nuk e pengon një njeri si z.Hysenbelliu të angazhohet në politikë. Po del jashtë binarët ky pushtet. Ai nuk është se sfidon vetëm raportin e DASH, ai sfidon gjithçka. Ai sot ndihet i paprekshëm. Kur erdhën dy zyrtarët e lartë të BE në Tiranë Borrell dhe Varhelyi ai ndihet i paprekshëm. Ne na duhet demokracia. Sot shkon në Londër, shpresoj që t’ia bëjnë të qartë, 15 mijë kërkesa për azil në një vit. Gati gjysma thonë që largohemi se nuk ka drejtësi në këtë vend, plus 60% thonë se ka papunësi te të rinjtë”, deklaroi Burimi.
Ai theksoi se pas vënies në dijeni të kancelarive europiane për sulmin e qeverisë Rama ndaj mediave, Rama është si një bishë e plagosur dhe se kjo gjë e bëri si xhind.
“Tregon se akti juaj qe akti i duhur që e goditi aty ku i dhembi. Ku i dhemb atij, i dhemb te reputacioni jashtë, se brenda në Shqipëri ai s’pyet fare, te reputacioni jashtë i dhemb. Ajo letër i mori erzin, e bëri si xhind.
Ky vendim nuk është marrë dje apo pardje, kur doli raporti i DASH-it. Ky vendim është marrë para shumë ditësh. Ka marrë telefonata nga Brukseli, shiko çfarë po bën. Ok ke vendin në dorë, por menaxhoje se i shkon dhe shtypit europian. Sot ai është një raport force të favorshëm për të në raport me perëndimorët. Në kontekstin e luftës në Ukrainë, është bërë si një lloj ankandi. Mua më shokoi shumë ajo që thanë Borrell dhe Varhelyi në Tiranë që zgjerimi është sepse nuk duam ta lëmë Ballkanin Perëndimor në duart e perandorive jo demokratike dhe rivale Kinë, Rusi. Rama këtë po bën, po ngre pazarin. Këtu duhet thënë Perëndimit, shikoni nuk do shkoni larg me këtë njeri sepse e destabilizoni vendin. Po e destabilizoni demokracinë. Në këtë rast Shqipëria mund të bëhet pre për vende si Kina dhe Rusia. Ke rruaza të kuqe në Greqi, ke rruaza të kuqe në Francë, opinioni vepron, e çon qeverinë të reagojë. Kurse ky nuk ka asnjë rruazë të kuqe përballë, nuk ka asnjë leukocit”, tha Burimi.bw