Analisti Genc Burimi përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.
Ai komentoi vizitën e të dërguarit të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Tiranë, duke thënë se zyrtari i lartë amerikan ka zbarkuar në kryeqytet për tri arsye.
Sipas tij Escobar do zhvillojë takim me ambasadorët e SHBA-së në rajon për dështimet e tyre, do takojë kryeministrin Rama për aferën “McGonigal” dhe për t’i dhënë një dorë ndihme Alibeajt për të treguar se nuk pajtohen me Berishën.
Sakaq, ai foli edhe për VKM-në për konfiskimin e ndërtimeve, teksa deklaroi se bllokimi i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese tregon frikën e pushtetit të Ramës se nëse kjo çështjen shkon në GJK do humbasë.
Sa i përket çështjes “Becchetti”, Burimi tha se edhe nëse Shqiëpria del nga juridiksioni i Arbitrazhit të Bankës Botërore gjoba duhet të shlyhet, ndërsa shtoi se kryeministri duhet ta paguante atë gjobë “me shtëpinë në Surrel” dhe jo të paguhet nga taksat e qytetarëve.
Escobar në Tiranë
“Për mua Escobar vjen në Shqipëri për 3 punë. E para është përgjegjësia që mban ai për dështimet e SHBA-së në Ballkan. Dështim në Kosovë, ku Serbia po e sfidon keq, dështim në Mal të Zi ku humbi aleati i tyre Gjukanoviç, dështim në Bullgari ku nuk arritën ta fusin vendin në ulluqet e Perëndimit. Kjo situatë ka bërë që Escobar të mbledhë ambasadorët e SHBA-ve në rajon në Tiranë. Puna e dytë është bisedimi me Ramën për aferën McGonigal, dhe e treta është meqenëse janë zgjedhjet po vijnë për t’i dhënë ndihmë edhe Alibeajt për të treguar që nuk pajtohen me Berishën që është non-grata”, tha ai.
VKM-ja për konfiskimin e ndërtimeve
“Ky bllokim i shqyrtimit nga GJK me këtë alibi për deputetët. Tregon frikën e pushtetit të Ramës se po shkoi në Kushtetuese do e humbasë dhe kjo do shkojë në Kushtetuese herët apo vonë. Siç solli pasoja edhe Becchetti. Ky është lajm i mirë. Ata do paguajnë një më një atë që kanë bërë. Nga Arbitrazhi mund të dalë ai, por po doli prapë do paguajë atë për të cilën është dënuar. Nuk ekziston kjo, ekzistojnë te Bashkimi Sovjetik apo te Kina, jo në botën Perëndimore. Rusia e ka thënë një herë që nuk pyes për drejtësinë dhe drejtësia i bllokoi paratë në kontot bankare. Kur eksporton jashtë të bllokohet fatura. Ky është një mesazh për të huajt, GJK do prononcohet në dëm të Edi Ramës. Vetëbesimi i tij është blof. Dënoi Becchettin në Shqipëri me 17 vjet burg që ta përdorë si element për të hapur çështjen ndaj tij. Rama vetëm bën blof dhe në fund do paguajë. Atë gjobë duhet ta paguante me shtëpinë që ka në Surrel ai, jo të paguhet nga taksat e qytetarëve”, u shpreh Burimi.