Që pas ngjarjeve në veri të Kosovës, Uashingtoni ka qenë kritik në mënyrë të pazakontë ndaj Prishtinës, përfshirë deklaratat e të dërguarit të posaçëm amerikan, Gabriel Escobar ndaj kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd.
Për analistin e Institutit Hudson, Luke Coffey, qëndrimi i administratës së Presidentit Joe Biden, ka qenë i pabalancuar.
“Mendoj se mënyra se si zoti Escobar i është qasur kësaj çështjeje ka qenë pothuajse e papërgjegjshme, të paktën jo shumë e sofistikuar në aspektin e diplomacisë amerikane. E kuptoj dëshirën për të ushtruar presion ndaj të dyja palëve nga qeveria amerikane, por duket se kohët e fundit presioni ka qenë në mënyrë joproporcionale kundër Kosovës, të paktën publikisht. Dhe mendoj se kjo është e pashëndetshme”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Zoti Coffey, një analist konservator, e hedh poshtë argumentin se Shtetet e Bashkuara u zunë në befasi nga veprimet e qeverisë së zotit Kurti në Veri pa koordinim me Uashingtonin, duke thënë se nëse kjo është e vërtetë, është një dështim i angazhimit dhe diplomacisë amerikane.
“Do të ishte kulmi i paaftësisë nëse ambasada amerikane nuk e dinte se qeveria e Kosovës do të përpiqej të dërgonte kryetarët në ndërtesat e komunave”, thotë ai.
Zoti Coffey thotë se është e pamohueshme që pakicat etnike duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë sipas ligjit dhe të kenë përfaqësim të përshtatshëm. Por …
“Mendoj se shqetësimi për një tjetër Republika Srpska është shumë legjitim dhe i vlefshëm. Megjithatë, besoj se diskutimet për këtë Asociacion dhe proceset që do të çojnë ndoshta në themelimin e tij duhet të bëhen para së gjithash me dyer të mbyllura, sepse kjo është një çështje e delikate”, thotë për Zërin e Amerikës.
Zoti Coffey e pranon se kryetarët shqiptarë nuk kanë mandat popullor, megjithëse thekson se nuk është përgjegjësia e tyre që serbët në Veri bojkotuan. Ai thotë se kërkesa e SHBA-së dhe BE-së për zgjedhje të reja, është e arsyeshme …
“Nëse Serbia tërheq trupat nga kufiri dhe nuk bën përpjekje të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës, nëse serbët etnikë që jetojnë atje angazhohen sinqerisht për të marrë pjesë në këto zgjedhje, atëherë mendoj se do të ishte e arsyeshme të rimbaheshin këto zgjedhje”, thotë ai.
Zoti Coffey thotë se nëse ka kritika legjitime ndaj qeverisë së Kosovës, “një aleate e ngushtë”, atëherë ato duhet të bëhen privatisht. syri.net