Idetë për shkëmbim të territoreve ndërmjet vendeve dhe popujve të Ballkanit, do të mund të ishin fatale për shtetin e Kosovës nëse do të realizoheshin në praktikë, thonë njohësit e zhvillimeve politike.
Zgjidhjet etnike në epokën e shteteve moderne, sipas publicistit Halil Matoshi, janë modele të tejkaluara. Andaj, si të tilla, vijon ai, do të duhet konsideruar si të papranueshme.
Futja eventuale e Kosovës në bisedime për territore, si një shtet i ri, i cili në planin e jashtëm nuk e ka të rrumbullakuar ende subjektivitetin e saj ndërkombëtar, kurse në planin e brendshëm ka probleme me shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e vet, sipas Matoshit, do ta rrezikonte vetë qenien e shtetit të Kosovës.
“Në këtë rast, Kosova praktikisht nuk e kontrollon as territorin e vet, në veri të vendit, domethënë në tri komunat me shumicë serbe e lëre më Luginën e Preshevës, me të cilën pretendohet shkëmbimi i territoreve. Pra, vetëm ideja si e tillë është tepër e dëmshme për shtetin e Kosovës”, thotë Matoshi.
Sa herë që flitet për shkëmbim të territoreve në raportet Kosovë – Serbi, në analizat e para përmendet si opsion shkëmbimi i pjesës veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës në Serbi.
Por, ide të tilla, sipas Halil Matoshit, si pasojë fillestare kanë humbjen e resurseve të çmueshme ekonomike që i posedon Kosova në pjesën veriore, si Trepça dhe Liqeni i Ujmanit. Kurse, si efekt final, një aventurë e tillë politike, thotë ai, do të mund të përmbyllej me zhbërjen e shtetit të Kosovës.
“Sigurisht që Kosova, nëse i hyn kësaj loje me shkëmbim territoresh, praktikisht fillon procesi i shthurjes së shoqërisë kosovare dhe i shtetit kosovar dhe në atë rast sigurisht që mund të flitet në raporte tjera, pra Tirana me Beogradin, gjë që definitivisht Kosova si entitet juridiko-politik do të dilte nga historia”, vlerëson Matoshi.
Ndërkohë, politologu Ramush Tahiri rikujton një rast historik kur kishte marrëveshje për këmbim territoresh dhe popullatash, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Lozanës, ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. Por, pavarësisht kësaj marrëveshjeje, problemi i ishujve, kishte mbetur dhe ishte trashëguar.
Në rastin e Kosovës, Tahiri thotë se liderët duhet të tregohen të aftë që të gjejnë zgjidhje, të cilat do të ishin të pranueshme dhe nuk do të sillnin konflikte.
“Me njohuritë e mia, do të thotë pa qenë Kosova anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe pa e rrumbullakuar subjektivitetin ndërkombëtar dhe sovranitetin e plotë, nuk mund të bisedojmë për territore. Nëse Kosova hyn në bisedime me Serbinë apo Beogradin, ju e dini që Beogradi thotë që po bisedon me përfaqësuesit e shqiptarëve. Pra, Beogradi mundohet ta paraqesë një karakter fisnor të bisedimeve, për të drejtat e shqiptarëve”, thekson Tahiri.
Para se të mendojë për territore e ndryshim kufijsh, Kosova, thekson Ramush Tahiri, duhet t’i përmbyllë disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me funksionimin e një shteti të pavarur e sovran.
Në raport me Serbinë, ai preferon që çështja të rregullohet duke integruar pjesën veriore të Kosovës të populluar me shumicë serbe, e cila do t’i ruante lidhjet me Serbinë në fusha si arsimi, shëndetësia e kultura.
“Mendoj që Kosova i ka hapat e caktuar të organizimit – do të thotë; integrimin e plotë të territorit, integrimin e plotë të serbëve si komunitet, por edhe si qytetarë të Kosovës. Serbët duhet që të gjitha të drejtat si qytetarë t’i realizojnë në Kosovë, me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe jo në Beograd”.
“Të drejtat nacionale mund t’i realizojnë në bashkëpunim me Beogradin, sepse komuniteti serb ën Kosovë është i vogël. Një komunitet prej 200 mijë vetash nuk mund të ketë Akademi, nuk mund të ketë klinika, sepse nuk ka kuadro, nuk mund të ketë universitet dhe duhet të vijnë nga jashtë”, potencon Tahiri.
Idetë për ndarje e shkëmbim territoresh, jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por vendeve të ndryshme të Ballkanit që po përballen me probleme ndër-etnike, janë përfolur si nga intelektualë e politikanë në Kosovë ashtu edhe nga disa përfaqësues të caktuar ndërkombëtar.
Por, këto ide, në formën zyrtare – publike, nuk janë ngritur si pjesë e diskutimeve në negociatat politike. Në procesin e Vjenës, kur me ndërmjetësimin ndërkombëtar ishte diskutuar për statusin e Kosovës, ndarja e Kosovës apo bashkimi i saj me një vend tjetër, ishin lënë anash tavolinës së diskutimeve, duke mos lejuar as hapjen e kësaj çështjeje për negociata. (REL)
Kategirikish ky zjarr, kjo shkrepse ka prapa veprim t r a g j I k.
Vprimi me I mire eshte ”ska ndarje ase bashkim te kosoves”.
Keshtu e ka ne kushtetute.pik vise.
Serbia cur te sigurojn shkembimin bene me referendum te ??qosess rexhep?? bashkimin e kosoves me Serbin
Si rusi me krimen.
Sic beri plan in e..h.qe thoshte”kosovav te rrine me jugollavin,,sepse jugosllavija eshte me e zhvilluar se shqiperia e ajoi(jugogoosllavija shkone me shpejtee ne socializem”).
Lajmetari