Mijëra familjeve të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës vazhdon t’u mohohet drejtësia, e verteta dhe kompensimet, tha Amnesty International të shtunën, në 20 vjetorin e fillimit të masakrës ku humbën jetën mbi 8 mijë burra dhe djem.
“Dy dekada pasi bota mbylli sytë ndërsa kryhej krimi më i rëndë në tokë evropiane që nga viti 1945, familjet e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës vazhdojnë të presin drejtësi”, tha John Dalhuisen, Drejtori për Evropën dhe Azinë Qendrore në organizatën Amnesty International.
Zoti Dalhuisen shton se nevoja që autoritetet e Bosnje-Hercegovinës të pranojnë atë që ndodhi dhe për të kompensuar nuk duhet të zbehet, por është më urgjente se kurrë.
“Sa më shumë të zgjasë mosndëshkimi i fajtorëve dhe të vdekurit mbeten në varre masive, aq më shumë kjo plagë e dhimbshme do të thellohet duke nxitur ndasi të rrezikshmë dhe të vazhdueshme etnike”, thotë ai.
20 vjet pasi forcat serbe hynë në Srebrenicë, një “zonë e sigurt” e Kombeve të Bashkuara, duke vrarë 8 mbi mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë, fati dhe vendndodhja e mbi 1 mijë vetëve mbetet i panjohur.
Eshtrat e pothuajse 7 mijë viktimave të gjenocidit të Srebrenicës janë nxjerrë, identifikuar dhe varrosur, mes së cilëve ato të 421 fëmijë, një foshnjeje të sapolindur dhe një gruaje 94 vjecare. Procesi i kërkimit dhe identifikimit të eshtrave të rreth 1 mijë vetëve ende vazhdon.
Amnesty International thotë se Ligji për Personat e Zhdukur nuk është zbatuar kurrë plotësisht, duke i lënë familjet e personave që nuk janë gjetur pa qasje në kompensim. Megjithëse një ligj është miratuar që në vitin 2004, ende nuk është krijuar një fond për mbështetjen e familjeve të të zhdukurve.
Në deklaratën e saj, organizata thotë se politikat dhe ligjet zyrtare nuk e pranojnë gjenocidin dhe as programet shkollore nuk përmbajnë referenca ndaj krimeve të Srebrenicës. Procesi i pajtimit nuk ka përparuar dhe ndasitë e brendshme etnike, vazhdojnë.
Megjithë ndjekjet penale të arkitektëve kryesorë të gjenocidit të Srebrenicës, Radovan Karadžic, Ratko Mladic dhe Slobodan Miloševic, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi dhe dënimët e 74 të tjerëve, ende vazhdojnë të ketë çështje të shumta të pazgjidhura. Ndjekja penale e krimeve nën ligjin ndërkombëtar brenda vendit po bëhet me hapa shumë të ngadaltë.
AI thotë se shumica e të dyshuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gëzojnë mosndëshkimin, pasi e dinë se pa vullnet politik ata nuk do të vihen para përgjegjësisë. Po ashtu organizata thotë se qeveria nuk ka vepruar me ritmin e duhur për të zbatuar strategjinë kombëtare për krimet e luftës dhe se duhet të garantohet mbrojtja e dëshmitarëve në mënyrë që ata të dëshmojnë pa u frikësuar.
“Srebrenica jo vetëm që është një kujtesë e dhimbshme e aftësisë së njerëzimit për të shkaktuar vuajtje por edhe e dështimit të komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar gjenocidin që po kryhej hapur”, tha John Dalhuisen.
Ai shton se duhet të merren pa vonesë masa për të lehtësuar vuajtjen e atyre që ende presin të vërtetën dhe drejtësinë, pasi “pa përgjegjësi, drejtësi dhe kompensim, nuk mund të arrihet kurrë një pajtim i qendrueshëm”.
Komentet