Graz, me 18 kallnduer 1957
Shum i dashuni Mik,
Më kënaqi sa s’ka letra e Jote, qi e mora me 19 dhetuer. Kúr pate zbritë në fillim n’Amerikë, më pate shkrue nji kartë nga “Toka e Premtueme”. Natyrisht Amerika e bân njerin per vedi, kúr të ketë kalue shumë vjet atje. Per né, qi jemi kenë mësue me jetën patriarkale t’onen, por edhe per Europjan të para-luftës âsht pernjimend si me ndrrue jetë e shkuemja n’ Amerikë. Por tashmâ jeta amerikane âsht tue bâ per vedi edhe Europjanin qi rrin n’Europë. Nuk mendohet mâ tash vetem se me fitue e sá mâ shumë, e me gzue, e me gzue sa mâ shumë. Jeta familjare, si e kuptojshim na “Primitivët” nuk egziton per ket njerin modern të sotshem. Seicilli do të rrijë në zyre apor në punë, per të fitue jetesën. Un n’Amerikë veç në më tokoftë me ardhë sá per ndonji kohë të shkurtë, se nuk më terhjekë fort. Sá me pá nji herë grattacieli-t e Amerikës, ndoshta âsht interesant, por tashmâ edhe Europjanët po i imitojnë Amerikant me ndertimin e grattacielavet. E mâ muzhika e “bukur” amerikane “jazz” po i entuzjazmon edhe Europjanët majmuna.
Sido qoftë un gzohem sa s’ka qi po keni mundsín me e kalue gjysen e dytë të jetës s’Uej n’Amerikë pá kujdese të mdhaja, mbasi djali e vajza po punojnë si per vedi ashtu per Jú. Tjerë qi po shkojnë n’ Amerikë, po ankohen boll e nuk po u del ashtu nji parriz toket, qi kanë pasë kujtue para se t’emigrojshin atje.
Un gjindem shndosh e mirë në ket Europën plakë. Me punë po shtŷj si po mundem.
Nuk keni nevojë me u kujdesë per librin e Gjorgjeviqit, sepse e kam gjetë këtû e e kam blé per 12 shilinga (gjysë dollarit) në gjuhen gjermanishte, taman në gjuhen origjinale në të cillen e pat shkrue Gjorgjeviqi.
Të falem nderës per tfillime qi më dhaet me letren relativisht të gjatë qi më derguet.
Tashti nji pyetje. A âsht Aqif Pashë Permeti e Aqif Pashë Elbasani e njajta personë apo jo? Mue më duket se âsht e njajta personë, por e kam gjetë dikund herë njanin, herë tjetrin êmen. Cilli âsht êmni i vertetë i tij?
Edhe nji gjâ tjeter. A mundeni Ju me më diftue êmnat e patriotëve mâ të shquet shqiptarë qi i kanë perkitë besimit bektashjan? A âsht edhe Zogu i besimit bektashjan apor âsht Sunnit? Frasherjotët e dij se ishin Bektashjanë, gjithashtu po këndoj se Ismail Qemali po paska kenë bektashjan e edhe Aqif Permeti apo Elbasani. Edhe per Jú më duket se kam ndie se i perkitni po të njajtit bektashizëm. Kishe me dashtë me dijtë edhe per patriotë të tjerë shqiptarë në se i perkitshin apo jo të njajtit besim.
Pyetje tjera nuk po Ju bâj, pse nuk due me Ju qitë punë. Shpresoj se mbrenda vjetit vazhdues tash më shkrueni njiherë e tash m’i pergjegjni letres së sotshme.
Nderkaq po Ju uroj me zemer 70-vjetorin e jetës qi per së shpejtit po Ju mbrrijtka, si më shkrueni vetë në leter. Me shndet të plotë e me njimî të mira i pritsh edhe 70 vjetë tjera në parrizin amerikan, në të cillin porsá ké hŷm.
Po më bjen nder mend edhe dishka qi gati e pata harrue. Ajo fotografija e Juej qi më keni pasë dergue njiherë, më ka hupë dikund e nuk mund e gjêj mâ. Prandej të keni mirsín me më dergue nji fotografí tjeter t’ Uejen të bâme me rasen e 70-vjetorit. Ajo e dergueme aso here ka pasë kenë shumë e bukur e shpresoj se e keni edhe nji copë.
Po të delte tash L’ALBANIE LIBRE, kishte me mujtë me shkrue ndoj gjâ per 70-vjetorin t’ Uej. Por edhe kjo gazetë po del kúr t’i teket, pse po i mungojn fondet.
Persrí po Ju dergoj urimet e mija mâ të perzemertat per mbushjen e 70-vjetorit si dhe shndet e të mira per kohen e ardhshme, e cilla dishroj qi të zgjatet sá mâ fort.
Shum shndet e urime djalit e vajzës e motrës.
I Jueji me zemer
- P. Margjokaj O.F.M.
N.F., 14 Prill 1957
I dashuni mik,
Më ke shkruem me 18 kallnduer e më ke thânë n’atë letër edhe qe-këto fjalë: “Shpresoj se mbrenda vjetit vazhdues tash më shkrueni nji herë e tash m’i përgjegjni letrës së sotshme”. Pra paske menduem atëherë se un do të pritsha Kërshëndellat për me t’u përgjegjun! Kështu qi tue e marrë përgjegjen në krye të tre muejve, vetëm se do të gzohesh mâ fort. Besa. lum miku, me këtë “gjysë moshe” qi kam, mâ të rijt se un do të mendohen nji fije para se me më vûmë faj, sikur edhe nji herë në vjetë me u shkruem e jo fort gjatë.
Mënyra e urimit t’ând për 70 vjett e mija âsht me të vertetë nji kryevepër styli, nji finecë e pashoqe kisha me thânë, sido qi të jetë, pa dyshim, origjinale. Un të falem nderës pa masë. Vetë i lutem Zotit shpesh vetëm për nji gjâ për sa i përket ksaj pike: me ma marrë shpirtin në çdo ças qi të jetë vullnet’ i Tij, veçse pa më bâmë me lënguem. Kjo âsht mëshrira qi I lyp për veten t’eme. Edhe këtê po Vetë Ai e ka në dorë, si çdo gjâ tjetër e le të bâjë si të detë.
Pjesa e parë e letrës s’ate qi flet mbi amerikanizmën, nëse mund t’a quejmë kështu modernizmën e sodshme, âsht si me t’a pasë diktatun un. E më ka kënaqun. Në se un bâna çmos për me ardhun në këtë vênd, të cillit i jam mirënjohës me tânë zêmrën t’eme qi më pranoi, në se e kam quejtun e e quej “Toka e Premtueme e refugjatet antikomunista”, âsht për arsyena shumë e shumë mâ të forta se ato qi brezit t’em edhe t’ândit va bâjnë antipathik. Evropa e pat, lum miku, ajo s’âsht mâ tjetër, veçse e kaluemja e njerzisë qi ka krijuem gjithça shkëlqen mâ së miri e mâ së bukuri në botë. Problema vigane qi na mban sod pezull ndërmjet mënderës e shpresës âsht nji tjetër: cilli kontinent tjetër, Asija barbare apo Amerika e qytetnueme, ndonse me nji qytetní mjaft të ndryshueme prej si ka qênë, po e merr trashigimin e saj për të ardhëshmen imediate? Gjasët mâ të fortat un i shoh në kët anë, ndoshta pse kështu m’a ka ânda; por askush nuk mund t’a thotë me sigurí, madje as me nji përqindje qi e kalon fort nalt gjymsën. E në qoftë, mbasandej, se ky trashigim do të fitohet nëpër nji luftë nukleare, merre me mênd atbotë se ç’farë trashigimi ka me qênë.
Ka nji pakicë relative gjindsh qi, si po shkruen ti, vijnë këtu e nuk mbesin të kënaqun. Shumica e ksaj pakice ndo janë përtaca ndo mêndemëdhoj. Rrallë ke me gjetun njeri prej nji kategorije të tretë qi të gjêj arsye me u ankuem. Po të flas për vete: un mërzitem mjaft ; se Zoti më ka falë shëndet e fuqí e mund t’a bâj ndonji punë për me fituem diça e me i ndihmuem nemose familjes s’eme sa duhet, mbasi këtu për mue po kam dy qi punojnë. E çfarë pune mund të bâj un këtu? Un mund të mësoj shqip, tyrqisht, italisht e frëngjisht. Asnji prej këtyne katër dyere s’po më çilet, se s’ka si më çilet mbasi s’e kam në dorë çelsin qi kishte me m’a çelë cillen do qi të lakmoj: nuk e dij gjuhën anglishte! E si kam me i a spjeguem Amerikanit gjuhën e huej qi dij un? Po e lâmë mësuesinë. Por çdo punë shum’a pak intelektuale nuk mund të bâhet pa anglishten, gjuhën e vêndit. Mund të bâhen vetëm punë krahu ndër fabrika. E mue për kso punësh s’më mjafton vërtyti e kisha me ramë i sëmûtë mbrênda pak ditsh. Prashtu, mbasi due me bâmë diça e nuk mundem, un mërzitem. Por faj s’më ka kurrkush e prandej s’kam të drejtë me i u ankuem askuj. Po grîhem vetë me vete tue u munduem me nxânë anglishten. E si t’a kemë nxânë me e folë e me e marrë vesht disi mirë, atëherë shoh e bâj.
70-vjetoren s’kam mujtun me e kremtuem aspak, se Shoqnija elektro-qemike Hooker, ku më punon djali, m’a ka grabitun këtë e dërguem në Michigan me nji misjon teknik të përkohshëm e pa qênë të tre bashkë këtu s’kisha si me e kremtuem. E tashmâ, mbasi nuk u bâ me kohë, i shkoi shija. Por fotografinë do t’a nxjerrë sa të më kthehet im bir e do të t’a dërgoj nji pa fjalë. Si ajo qi paske hupun s’kam mâ. Tash po gërmoj e bubërroj pale a mund të gjêj n’arqivat e mija nji format pasaportit po t’asaj qi dishiron.
E po vijmë tash ke pyetjet.
Aqif (Pashë) Elbasani e Aqif Përmeti janë dý persona qi s’kanë asnji lidhje njâni me tjetrin. Sikurse e thotë mbiemni vetë, i pari âsht prej Elbasani e tjetri nga Përmeti. I pari ka qênë pashë civil i mbretnisë othomane e i dyti pat mbërrîmë në të parën gradë t’ oficerit gjeneral në Shqipní. I pari ka qênë edhe ministër i mbrêndshëm nën kabinetin e parë të Tur(k)han Pashës (në kohën e Princ Wiedit). Pasha civil i Tyrqisë ka qênë nji pashë në shtëpí të vet pa kurrfarë zyre, si baroni, konti et. në Evropë, edhe kishte grada të ndryshme si këta, por titulli ishte gjithmonë pashë. Ka qênë patrijot, bektashí i fortë e trim. Kushrî i parë prej nanet i Esat Toptanit, por kundrështar i tij. Gjeneral Aqifin nuk e njoh, due me thânë s’e kam njohun me rrânjë. Nuk di se si ka qênë bâmë oficer. Ka qênë, me sa dij un, nji emigrant këtu ndër Shtetet e Bashkueme. Kur u kthye në Shqipní e si hyni n’ushtrinë apo në gjindarmërinë shqiptare nuk dij. Më duket se në 39 Italija e gjet kolonel e e bâni gjeneral. Në mos u gabofsha, e kanë mbytun komunistat. Aqifi i Elbasanit ka dekun edhe ai. Mund të ketë qênë nja 20 vjet mâ i motshëm se un. Kurse tjetri, ndoshta, nja 5 vjet mâ i ri ase sa un. Të dy dijshin me e mbajtun pêndën në dorë, por të dy kanë qênë injoranta. Harrova me të thânë se Aqif Elbasani (kështu nënshkruhej) pat marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes dhe emnuem prej këtij nji ndër katër regjentat e atëhershëm, ndërsa Ahmet Zogu qe emnuem ministër i mbrêndshëm. Ai ka qênë kundrështar i rreptë dhe i këtij.
Do të mundohem me t’a përgatitun nji listë bektashijsh patrijotë të vjetër me hetimet qi mund të bâj prej të tjerësh, se un vetë s’kam qênë bektashí e nuk mund të pohoj gjâ me të saktë.
Po të bâj nji kompliment pak si vonë për nënshkrimin t’ând : për drejtor banket e ke!
T’im bir, Bashkimin, m’a ka larguem puna e tij për do kohë. Motrën e kam këtu e me gjithë tê të falemi me shëndet fort miqsisht.
MKruja
- S. Këtu, prej djalit, jam mâ i njohun si Merlika se si Kruja.
N.F., 18. IV. 1957
Post Scriptum hjekun rumbujq,*
Shênjet e pleqnisë natyrisht nuk munden me munguem n’askend! Kam harruem me të shtí në letër fotografinë e tash po më kujtohet prej shênjit * qi vûna mâ nalt se e kam nji edhe në letërt, lânë thatë. Pra po filloj me atê të letrës te fjala “vjeti” në letrën t’ânde. Kam shkruem mbi emnat e kohnavet e adverbet në të ndjyemin “Shpirti Shqiptar” të Namik Resulit. Në mos e paç këtë rivistë (katër numra gjithsej kanë dalë), atje kam thânë e po e përsris se, me sa dij un, n’asnji krahinë të Gegnisë e te asnji shkrimtar i hershëm kjo fjalë nuk âsht emën mashkulluer, por femnuer: vjetë, vjeta, dý vjet, tri vjet (njâjsi vjetë e shumsi vjet si ditë e dit, të jashtarregullt). Desha me t’a shënuem, mbasi e dij, se e shoh qi të ka ânda gjuhën e drejtë të popullit e jo atë të psevdoshkrimtaret.
* E ka Frangu i Bardhë: “remulcare= me hjekun rumbujq; remulcant navem – hjekën (për hjekin) rrumbujq (kështu: nji herë r-e nji herë rr-, e kjo e dyta âsht e çuditshme, se askund ngjetaj Bardhi s’ka rr-) barkën”. Thashë me këtê post scriptum “hjekun rumbujq” për arsye se letra âsht nisun para e këtë e la përmbrapa (se i u këput konopi).
M.K.
Komentet