Sot në mengjes isha duke lexuar lajmet më të fundit në portalin e Museumit kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë dhe në faqen e Fondacionit kushtuar Viktimave të Komunizmit Ndërkombëtar – të dy këto ente — me qëndër në Washington DC. Pashë se kohët e fundit ato ishin vizituar nga shumë turistë – të thjeshtë por edhe nga disa personalitete politike ndërkombëtare
dhe të fushave të tjera — që vijnë në kryeqytetin amerikan. Por, duke qenë se i ndjeki këto punë, “gjuha më shkon aty ku të dhëmb dhembi” dhe mua gjithnjë më shkon mendja tek Shqipëria dhe tek refuzimi arrogant i klasës politike të (dy forcave kryesore politike) të atij vendi, që për më shumë se tre dekada refuzojnë të përballen (përveç fjalëve boshe) me të kaluarën brutale komuniste të saj, e sidomos me fatin e keq — sot e kësaj dite — të viktimave të regjimit komunist (të gjallë e të vdekur) të Enver Hoxhës – njërit prej regjimeve më çnjerzore komuniste në botë – viktima që gjithnjë janë, kryesisht, të përjashtuar nga jeta politike dhe shoqërore e Shqipërisë “demokratike” dhe anëtare e NATO-s.
Për kujtesë të lexuesit, unë kam shkruar shpesh për kujtesën që u bëhet viktimave të komunizmit, anë e mbanë botës, por edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, përfshir edhe shtetet individuale, anë e mbanë Amerikës, megjithëse në këtë vend nuk ka pasur kurrë një regjim komunist dhe si rrjedhim falë nderës Zotit, as viktima të komunizmit. Ndonëse, Amerika ka ndihmuar në shembjen e Murit të Berlinit 35 vite më parë – këtu në Amerikë, komunizmi nuk konsiderohet as tani, si një “çeshjte e mbyllur”, ndërsa kujtohen gjithnjë në vazhdimësi rreth 100-milion viktimat e komunizmit, gjithmonë me qëllimin që një masakër e tillë në nivel botëror, të mos përsëritet më, në historinë e njerëzimit.
Ndërsa vizitat e politikanëve shqiptarë të të gjitha ngjyrave në Washington, kur kanë vizituar gjatë dekadave dhe vizitojnë aktualisht kryeqytetin amerikan, mundohen që me çdo kusht të marrin fotografi me ndonjë personalitet amerikan — madje edhe duke paguar shuma marramendëse — jo se besojnë në vlerat e sistemit amerikan – por më së shumti për të treguar se sa “pro-amerikanë” na qenkan, ose për të bindur dike se këta na paskan “mbështetjen e Amerikës”, për të qeverisur vendin e vogël e të varfër ish-komunist, të quajtur Shqipëri. Për fat të keq, këtyre fotografive skandaloze të politikanëve shqiptarë në Amerikë, kam drojë se heret ose vonë, do ua shoh sherrin, jo vetëm Shqipëria, por edhe Amerika! Presim dhe shohim!
Por ndryshe, politikanë të huaj në vend që të marrin foto me perosnalitete amerikame, ata preferojnë të fotografohen duke kujtuar viktimat e komunkzmit, ndryshe nga klasa politike shqiptare, pa dallim – të cilës nuk do të ia dijë fare për krimet as për viktimat e komunizmit në Shqipëri — dhe viktimave të komunizmit në botë, jo se jo.
Fatbardhësisht, ka të tjerë përfaqësues ndërkombëtarë dhe amerikanë që nuk i harrojnë viktimat e komunizmit në botë, qoftë edhe kur qëndrojnë, zyrtarisht, në Washington. Ka mjaft raste që vizitorë të lartë ndërkombëtarë — në agjendën e tyre në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, përfshijnë një vizitë në Muzeun e ri në Washington, kushtuar viktimave të komunizmit botëror. Sipas portalit të Muzeut të Viktimave të Komunizmit në Washington, ishte Ministrja e Kulturës e Rumanisë, Raluca Turcan ajo e cila vizitoi, kohët e fundit, Muzeun e Viktimave të Komunizmit në kryeqytetin e Amerikës me delegacionin e saj. Ministrja rumune bëri një turne të galerive të Muzeut, ndërsa u takua edhe me Presidentin e Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, Ambasadorin Andrew Bremberg, ku biseduan mbi rëndësinë e kujtimit të viktimave të komunizmit anë e mbanë botës, veçanërisht në Rumani dhe se si të kujtohet më së miri kjo histori mbi rreziqet e komunizmit, ashtuqë të mos përsëritet më.
Mendova me vete, a do të ishte reale të mendoja se në vend të ministres rumune ose ish-Kryeministrit të Australisë – dy vizitorë të huaj të kohëve të fundit në Muzeun e Viktimave të Komunizmit në Washington – nëse mund të ishte një minister/e ose një kryeministër/ish-kryemistër i Shqipërisë që të bënte një vizitë të tillë në Muzeun e viktimave të komunzmit në Washington. Nuk ma merr mendja!
Ditët e fundit Muzeun e Viktimave të Komunizmit në Washington e vizitoi edhe ish-Kryeministri i Australisë dhe anëtar aktual i Parlamentit të atij vendi, Scott Morrison. Ai u takua me zyrtarët e lartë të Muzeut dhe të Fondacionit kushtuar Viktimave të Komunizmit kudo në botë. Ata biseduan për misionin e këtyre dy enteve të rëndësishme në Kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara si dhe për rëndësinë që ka kujtimi i viktimave të komunizmit anë e mbanë botës.
Ndërkaq, njoftohet se, ashtu siç kanë bërë më heret një numër shtetesh të tjera amerikane edhe shteti Wisconsin, sot më shumë se 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, ka vendosur që në solidaritet me viktimat e gjenocidit komunist ndërkombëtar, të kujtojë dhe të dënojë, zyrtarisht, krimet e komunizmit duke miratuar një rezolutë nga të dy dhomat legjislative të atij sheteti, sipas të cilës caktohet 7 Nëntori si dita e kujtimit të viktimave të komunizmit.
“Ka ardhur koha që shteti Wisconsin të kujtojë miliona njerëz që humbën jetën nën regjimet komuniste”, ka shkruar njëri prej sponsorizuesve të kësaj rezolute (Rick Gundrum). “Komunizmi nuk ka asgjë të përbashkët me me parimet amerikane të lirisë së fjalës, tregut të lirë kapitralist dhe as me parimet dhe vlerat e demokracisë”, është shprehur ai. “Ne duhet të sigurojmë që krimet e kryera nga regjimet komuniste si dhe personat që ishin viktima të gjenocidit komunist të mos harrohen kurrë”, ka thenë përfaqsuesi i shtetit Wisconsin, Rick Gundrum.
Ndërsa sponsorizuesi tjetër i rezolutës, Senatori Knodl i shtetit Wisconsin është shprehur, “Se ne nuk duhet të lejojmë kurrë më që komunizmi të ngrejë kokën e tij të shëmtuar. Komunizmi është një ideologji totalitare që ka shkaktuar vetëm vdekje dhe vuajtje për popujt që ka nënshtruar. Kjo ditë përkujtimore, kujton më shumë se 100-milionë njerëz që janë vrarë nga regjimet komuniste anë e mbanaë botës. Me këtë rast kujtojmë gjithashtu edhe miliona të tjerë që janë persekutuar, burgosur, dhe skllavëruar. Është e rëndësishme që të kujtojmë vikitmat e komunizmit dhe të
luftojmë për liri e demokraci kudo në botë”, ka thenë ligjvensi i shtetit Wisconsion, Kendl, me rastin e miratimit të rezolutës për të caktuar në atë shtet 7 Nëntorin si ditën e kujtimit të viktimave të komunizmit në botë – në përputhje me një numër të madh shtetesh tjea amerikane që kanë vendosur tanimë që 7 Nentori të jetë dita që kujtohen viktimat e komunizmit botëror.
Po Shqipëria, kur do bëjë një gjë të tillë?! Kur do kujtojë viktimat e komunizmit enverist, zyrtarisht, dhe kur do dënojë krimet e komunizmit në atë vend?! Po viktimat e komunizmit në Kosovë, për të cilat nuk flet askush. Kur do të kujtohen ato?! Merrni shembull nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shumë vende të tjera ish-komuniste dhe jo-komuniste. Nostalgjia ndaj komunizmit nuk ka të asgjë të përbashkët me lirinë dhe demokracinë perëndimore as me vlerat amerikane. Dënoni krimet e komunizmit dhe kujtoni viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë.
Frank Shkreli