Ambasadori amerikan për Krime Lufte thotë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Parlamenti i Kosovës të miratojë javës që vjen ligjin për Gjykatën e Posaçme dhe se një gjykatë e miratuar nga Kosova do të ishte alternativa më e mirë. Ambasadori Stephen Rapp tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se si aleati më i rëndësishëm i vendit, SHBA mendon se ky hap do të ishte jashtëzakonisht pozitiv për të, përfshirë hapat drejt integrimit Euro-Atlantik. Zoti Rapp foli edhe për ndalimin e ish-kryeministrit Haradinaj duhe e quajtur atë pa vend. Kolegia Keida Kostreci e intervistoi ambasadorin Rapp dje në Departamentin e Shtetit.
Zëri i Amerikës: Parlamenti i Kosovës pritet ta diskutojë çështjen e Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte javën e ardhshme. Kjo çështje është shtyrë shumë herë. Pse mendoni se është zvarritur kaq shumë?
Amb. Stephen Rapp: Jemi shumë të kënaqur që qeveria ia kaloi parlamentit këtë dhe shpresojmë që vota të jetë në favor javën që vjen. Ne e kuptojmë që është një çështje e vështirë. Unë kam qenë disa herë në Kosovë, jam takuar me viktima të krimeve të tmerrshme që kanë ndodhur atje veçanërisht në vitin 1999. Ne e dimë që krimi kryesor dhe mbizotërues ishte spastrimi etnik i popullsisë shqiptare të Kosovës dhe kjo ishte arsyeja e ndërhyrjes sonë me NATO-n për ta ndalur atë krim dhe kemi parë që personat përgjegjës u nxorrën para drejtësisë në Hagë. Gjyqi i Millosheviçit që nuk rezultoi në dënim për shkak të vdekjes së tij, ishte në pjesë të madhe për krimet në Kosovë, kishim ndjekjen penale të ish-zëvendës kryeministrit Sainoviç i cili u shpall fajtor në Hagë dhe vazhdon të vuajë dënimin. Pra janë nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë për ato krime. Ka qenë vërtet e vështirë të trajtohet çështja e krimeve të kryera nga pala tjetër, veçanërisht ato për të cilat flitet në raportin Marty. Është thelbësore që gjërat të thuhen hapur. Ata shqetësohen se po i kushtohet shumë vëmendje kësaj çështjeje në veçanti. Ne e kuptojmë këtë shqetësim por ne mendojmë se kjo është një provë e rëndësishme për Kosovën si vend i pavarur, që të ngrihet dhe ta ndërmarrë këtë veprim me një ligj të vetin, jo me detyrimin që të bëhet në Nju Jork ose ndonjë organizëm i jashtëm, por përmes veprimeve të saj. Dhe ne mendojmë se duke e bërë një gjë të tillë, do të kemi një të ardhme të ndritur në Kosovë, një vend pavarësinë e të cilit Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me forcë dhe e kanë njohur në gjithë botën.
Zëri i Amerikës: Ju folët për nxjerrjen para përgjegjësisë së palës tjetër, por ekziston perceptimi mes qytetarëve të Kosovës se po vihet një barazpeshë mes mizorive në masë dhe veprimeve individuale të disa kryengritësve të Kosovës. Cila është përgjigjia juaj për këtë perecptim?
Amb. Stephen Rapp: Së pari duhet të kemi parasysh se këto raste gjithmonë kanë të bëjnë me veprimet e individëve. Nuk janë absolutisht të gjithë serbët, as të gjithë shqiptarët e Kosovës përgjegjës për krime. Ishin individët ata që vepruan dhe ne pamë që pati spastrim etnik në mënyrë të organizuar nga forcat serbe që solli si rezultat ndërhyrjen tonë dhe mbështetjen tonë të fortë për vendosjen e drejtësisë në gjyqet e Hagës. Ka akuza që pati përpjekje të organizuara, vërtet në përmasa më të vogla përsa i takon numrit të viktimave, nga pala tjetër. Sigurisht në çdo konflikt kryhen krime të tmerrshme nga individë të ndryshëm. Këto gjykata ndërkombëtare dhe të posaçme që krijohen, duhet të përqendrohen tek ato që janë më të organizuara dhe sistematike dhe nëse nuk janë krime sistematike ato duhet të gjykohen individualisht në një nivel më të ulët. Por në raportin Marty ka akuza për aktivitet kriminal të organizuar dhe sistematik nga disa grupe dhe prandaj mendoj se është e rëndësishme që ato akuza të hetohen plotësisht dhe nëse justifikojnë padinë e një gjykate, atëherë duhet të çohen në gjyq dhe ata që janë fajtorë të shpallen fajtorë dhe ata që janë të pafajshëm të çlirohen nga akuzat. Kjo mendoj se do të sjellë si rezultat heqjen e njollave, sqarimin e situatës që ekziston sidomos që kur doli raporti Marty, si edhe do ta ndihmojë Kosovën në të ardhmen e saj dhe në hapat në drejtimin evropian dhe euro-atlantik.
Zëri i Amerikës: Kundërshtarët thonë gjithashtu se Kosova nuk përfiton asgjë nga legjislacioni për ngritjen e gjykatës, por përkundrazi kjo do të sillte pasoja për sovranitetin e saj. Çfarë do të përfitonte Kosova nga ngritja e kësaj gjykate?
Amb. Stephen Rapp: Unë mendoj se Kosova do të përfitonte. Kjo është shumë e vështirë të bëhet për çdo vend. Ne e dimë sa e vështirë do të ishte për vendin tonë. Është gjithmonë e vështirë të përballesh me akuza dhe t’i ndjekësh ato kur bëhet fjalë për njerëzit e tu që ishin sigurisht mjaft të motivuar në dëshirën për çlirim dhe një të ardhme të pavarur dhe është e vështirë më pas kur përballesh me akuza dhe të sjellësh ata individë para drejtësisë. Por nëse Kosova e ndërmerr këtë hap kurajoz, mendoj se do të ishte diçka jashtëzakonisht pozitive për të ardhmen e saj dhe ky është këndvështrimi i aleatit më të rëndësishëm të Kosovës – dhe mund ta them një gjë të tillë – Shteteve të Bashkuara. Unë kam qenë në Prishtinë, kam parë statujën e Presidentit Clinton atje dhe jam ndjerë shumë krenar nga mirënjohja që është shprehur dhe e di nga mënyra sesi na presin atje se kosovarët kanë besim të jashtëzakonshëm tek aleanca e Shteteve të Bashkuara dhe kjo aleancë është e pranishme tani dhe në të ardhmen. Dhe marrja e këtij hapi mendoj se do ta fuqizojë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën që të ecë përpara dhe të fillojë të pranohet edhe më gjerësisht në organizata ndërkombëtare. Çfarë arsye do të kishte që të mos realizohej? Sigurisht që kemi edhe çështje të tjera përsa i takon Bashkimit Evropian që nuk na prekin ne direkt dhe dialogut, por vende të tjera sigurisht po ushtrojnë presion ndaj Serbisë që të bëjë atë që duhet dhe unë parashikoj që me këtë hap kyç Kosova do të mund të ecë përpara drejt Bashkimit Evropian dhe drejt anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare dhe do të sjellë më shumë mirëqenie për qytetarët e Kosovës. Unë i di sfidat e gjendjes ekonomike atje dhe mendoj që me këtë hap, edhe në atë drejtim do të kishte përmirësim.
Nëse ndiqet rruga e kundërt dhe legjislacioni hidhet poshtë, dhe përfundojmë me një gjykatë të krijuar nga Kombet e Bashkuara, gjë që mund të ndodhë, atëherë mund të përfundosh me individë që duan të tregojnë veten dhe që mund të krijojnë probleme që mund minojnë të ardhmen e Kosovës. Prandaj kjo është alternativa më e sigurt dhe më e mirë. Më e sigurta në kuptimin që do të ketë prokurorë dhe hetues kompetentë, efektivë dhe me burimet e nevojshme, që do t’i ngrenë çështjet jo duke u nisur nga titujt bombastikë, nga akuzat, dyshimet, thashethemet apo dëshira për të vendosur barazpeshë mes palëve por duke u mbështetur tek faktet dhe ligji dhe ashtu siç duhet jo të dalë dikush të thotë që u ngatërrua siç e bë në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, kur u shkatërruan provat dhe nuk u bënë gjëra të tjera, nuk mundën t’i mbrojnë dëshmitarët. Në këtë rast do të kemi standardet më të larta të mbrojtjes së dëshmitarëve, të grumbullimit të provave dhe paraqitjes së tyre dhe gjyqtarë kompetentë që do të ndjekin ligjin dhe faktet. Prandaj mendoj se kjo do të sillte një ndihmesë të madhe për Kosovën në të ardhmen. Sado e vështirë që mund të jetë për deputetë të veçantë, ky është një vendim për të ardhmen e tyre dhe nëse votat janë të mjaftueshme dhe gjykata krijohet, ata duhet të kenë besim se Shtetet e Bashkuara do të punojnë që të sigurohen se gjykata do të funksionojë siç duhet, se do të respektojë mandatin e vet dhe se do të kryejë misionin e vet për të hequr këtë njollë dhe njëkohësisht do të vazhdojmë me përpjekjet për suksesin e Kosovës dhe të gjitha marrëdhëniet e saj.
Zëri i Amerikës: Siç e thatë edhe ju, Shtetet e Bashkuara janë një ndër aleatët kryesorë të Kosovës. A u kanë premtuar organizata ndërkombëtare dhe vendet e Bashkimit Evropian Shteteve të Bashkuara se do të marrin hapa drejt njohjes së Kosovës, nëse miratohet gjykata?
Amb. Stephen Rapp: Unë e di që në kontekstin e Bashkimit Evropian, nëse nuk realizohet miratimi i gjykatës kjo do të kishte pasoja në hapat e mëtejshëm për marrëveshjen e asociim-stabilizimit. Natyrisht që kjo do të thotë që nëse miratohet, atëherë kjo do të thotë që Kosova do të ecë përpara drejt kësaj marrëveshjeje dhe fillimit të procesit të anëtarësimit, ashtu si vendet e tjera. Por ne e dimë që ndryshme nga vendet e tjera, Kosova ka sfidën e çështjes së njohjes dhe prandaj unë dua që kjo të bëhet dhe mendoj se (vendimi për gjykatën) është vendimtar veçanërisht për hapjen e kësaj porte.
Zëri i Amerikës: Kosova është paralajmëruar se, nëse ajo nuk e miraton ligjin për gjykatën, atëherë do të duhet të ndërhyjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Çfarë nënkuptonte kjo?
Amb. Stephen Rapp: Në pozitën time si ambasador për krime lufte unë marr pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit çdo gjashtë muaj, kur paraqitet raporti i Gjykatës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi nga presidenti dhe prokurori i kësaj gjykate. Sa herë që dëgjojmë nga Serbia, dëgjojmë edhe nga rusët, të cilët thonë se duhet të ketë edhe një gjykatë tjetër për këto çështje. Natyrisht, kemi akuzat e zotit Marti nga Këshilli i Evropës – një organizatë e gjerë që përfaqëson vende si të BE-së ashtu edhe jashtë BE-së; gjithashtu, paarardhësi im Ambasador Williamson, gjeti se akuzat ishin të besueshme. SHBA janë mjaft të angazhuara lidhur me çështjet e përgjegjësisë përsa i përket shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut. Përgjegjësitë për krimet dhe mizoritë janë me rëndësi themelore për ne. Presidenti Obama ka thënë se parandalimi i krimeve masive qëndron në bazën e interesave të sigurisë kombëtare amerikane. Prandaj nëse bllokohet rruga për ngritjen e një gjykate në Kosovë me mbështetjen e BE-së, atëherë do të miratohet një rezolutë për krijimin e një gjykate tjetër. SHBA nuk mund ta kundërshtojnë këtë rezolutë dhe trysnia për miratimin e saj do të bëhej jashtëzakonisht e madhe. Por ne e dimë, si veteranë të gjykatave të OKB-së, se kur ngrihen gjykata të tilla, në to do të ketë njerëz të mirë, por do të ketë edhe të tjerë që do të përpiqen të rrinë në këtë detyrë për një periudhë të gjatë kohe. Qëllimi i tyre nuk do të jetë suksesi, por të shfaqen sa më shumë në media. Mendoj se kjo do të ishte një gjykatë më pak e interesuar për të ardhmen e Kosovës sesa një gjykatë e krijuar nga parlamenti i Kosovës, në rast se arrihet javën e ardhshme.
Zëri i Amerikës: Sistemi i drejtësisë në Kosovë në të kaluarën është menaxhuar nga UNMIK-u dhe më pas nga EULEX-i. Ka kritikë që thonë se kur këto organizata nuk e zgjidhën dot, përse nuk mbahen ato përgjegjëse, por i kërkohet qeverisë së Kosovës të merret me këtë?
Amb. Stephen Rapp: Me punën e ekipit të hetuesit të posaçëm dhe me akuzat e ngritura në raportin Marty, niveli i mbrojtjes së dëshmitarëve thjesht me përpjekjet e UNMIK-ut, të EULEX-it ose të Gjykatës së Hagës do të ishte i pamjaftueshëm, pra që dëshmitarët të jenë të sigurt nëse kërkohet të dëshmojnë. Kjo kërkon një gjykatë me mbrojtjen më të mirë për dëshmitarët, pra si për dëshmitarët e palës paditëse ashtu edhe për ata të mbrojtjes. Kjo ka munguar në institucionet që janë marrë deri më sot me këtë çështje. Për këtë arsye, ne duhet të garantojmë që kjo do të bëhet me një gjykatë, e cila ka burime të mjaftueshme dhe mbrojtje të fortë për gjithë personelin e saj, sidomos për ata që do të dalin të dëshmojnë për prokurorinë apo për palën mbrojtëse.
Zëri i Amerikës: Në atmosferën e këtij debati për gjykatën, ka patur një zhvillim tjetër: Ish-kryeministri Ramush Haradinaj u ndalua në bazë të një fletarresti të Interpolit, të kërkuar nga Serbia qysh në vitin 2006. A shihni këtu ndonjë mesazh që i dërgohet Kosovës, apo shihni ndonjë lidhje me debatin që po zhvillohet në Kosovë?
Amb. Stephen Rapp: Nuk shoh ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë. Por jam i njohur me këto lloj fletarreste të lëshuara nga prokurori i Serbisë. Këto janë bërë edhe në raste të tjera, sidomos për disa myslimanë të Bosnjes. Fletarreste të tilla janë dërguar në Britani, në Austri dhe në vende të tjera, për boshnjakët që kanë qenë duke udhëtuar. Këto raste janë mjaft për të ardhur keq, sepse ne jemi përpjekur që të mos ketë fletarreste që shfaqen papritur. Nëse ka raste kur një person ndodhet në një shtet tjetër me të cilin nuk ka marrëveshje ekstradimi, si në rastin e ish-Jugosllavisë, atëherë zgjidhja është që të bashkëpunohet dhe informacioni t’i dërgohet juridiksionit ku banon personi. Kjo është qasja që ne inkurajojmë. Lidhur me këtë, ekziston edhe një protokoll i firmosur mes Bosnjes, Kroacisë dhe Serbisë. Kur isha në Prishtinë fola me zyrtarët e prokurorisë për këto çështje. Edhe në Beograd bisedova për këto çështje delikate dhe u thashë: ju duhet të bashkëpunoni. Nëse keni dyshime për dikë në Prishtinë, atëherë shtrojini çështjet atje. Çështja e zotit Haradinaj është ngritur prej kohësh në padinë e OKB-së dhe ai u la i lirë dy herë nga Gjykata. Pra, kjo që ndodhi ishte pa vend. Ne jemi të kënaqur që autoritetet sllovene nuk e burgosën zotin Haradinaj. Unë mendoj se kjo që ndodhi ka qenë thjesht një rastësi. Për t’i shmangur këto, ne duhet të punojmë brenda rajonit dhe të krijojmë një proces bashkëpunimi mes vendeve, që këto raste të mos jenë të motivuara politikisht.
Komentet