Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cilësoi gënjeshtra absurde pretendimet e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Lalla, se i kishte kërkuar arrestimin e ish-kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
“Gënjeshtra e tij është fyese, është ofenduese për Presidentin Meta dhe për popullin shqiptar”, u shpreh ambasadori Lu, në një prononcim për News 24.
Ai tha se ish-Prokurori i Përgjithshëm është “një zyrtar publik i korruptuar dhe i diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe për pasuri të mëdha të pashpjeguara”.
Ambasadori Lu tha se “nuk është për t’u habitur” që Llalla vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi, sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij.
Reagimi i ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu, erdhi pas publikimit të një letre të ish-Prokurorit Llalla drtejtuar Kongresit amerikan, në maj të vitit 2017.
Në letër, Llalla pretendon se në vitin 2015 ambasadori amerikan Donald Lu i kishte kërkuar ta arrestonte Ilir Metën, asokohe kryetar i Parlamentit të Shqipërisë.
Sipas Llallës, Donald Lu ia kishte bërë këtë kërkesë gjatë një takimi të posaçëm, të mbajtur me kërkesë të ambasadorit pikërisht për këtë qëllim.
Ish-prokurori i Përgjithshëm shkruante se në këtë pikë, ai e kishte ndërprerë takimin, pasi kërkesa e ambasadorit lu i ishte dukur e palogjikshme dhe e pabazuar në prova.
Komentet