Zoti Ambasador! Një muaj më parë në dhjetor 2015, Shqipëria festoi 25-vjetorin e rrëzimit të sistemit komunist. Pra, një çerek shekulli përpjekje për të ecur përpara në drejtim të konsolidimit të demokracisë, por duket se vazhdon ende tranzicioni. Janë disa çështje të pazgjidhura në këto vite tranzicion ku përfshihet hapja e dosjeve të sigurimit të shtetit, kthimi dhe kompensimi i pronave dhe problemi i viteve të fundit, kriminalizimi i politikës. Duket se ka një dakordësi mes palëve në politikë për të mos i zgjidhur këto çështje. Si e shikoni ju zoti ambasador?
Pikësëpari, dëshiroj të shpreh kënaqësinë time lidhur me faktin se 25-vjetori i rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, u përkujtua me aktivitete mjaft interesante të organizuara për të festuar bashkarisht por edhe për të analizuar bashkarisht. Dëshiroj të shquaj në mënyrë të veçantë një aktivitet të organizuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, më datë 8 dhjetor. Ishte një aktivitet që pati kontribute mjaft interesantë nga ana e pjesëmarrësve. Për fat të keq nuk mori vëmendjen e duhur pasi mbeti në hije për shkak të protestave të opozitës në ditën e 8 dhjetorit, të cilat u shoqëruan me shfaqje dhune. Është bindja ime se përkujtimi i kësaj date, pra i 8 dhjetorit 1990 do të kishte shërbyer mjaft mirë si një rast dhe mundësi për të shprehur bashkarisht kënaqësinë që pas 25 vitesh të festojmë rrëzimin e diktaturës, në vend që përmes protestash me shfaqje dhunë në një farë mënyrë të prishim imazhin e këtij uniteti. Lidhur me substancën e pyetjes tuaj, mund të thuhen shumë gjëra, por unë po i përmbledh. Natyrisht që Shqipëria në këtë moment të pas 25 viteve të rrëzimit të diktaturës ndodhet ende në një fazë tranzicioni të zhvillimit të saj. Por duhet thënë gjithashtu se deri tani është arritur shumë. Ju si shqiptarë e dini më mirë se sa unë, se duke iu referuar pikënisjes së fillim viteve 90, ka arritje mjaft të mira. Sigurisht që shumëçka është arritur në drejtim të sistemit politik pasi kemi të bëjmë me një sistem më demokratik parlamentar. Në këto 25 vite Shqipëria ka pasur në mënyrë të shumëfishte ndryshime demokratike. Gjithashtu është arritur shumëçka në drejtim të të drejtave të njeriut, në qoftë se do ta krahasosh Shqipërinë e tanishme me atë të para 25 viteve. Dua të shquaj tre zhvillime mjaft pozitive që kanë të bëjë me kuadrin legjislativ. Pikësëpari është ligji për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të Shtetit, zbatimi i të cilit shpresoj të nisë sa më shpejt të jetë e mundur. Po kështu mendoj se janë nisma për dekriminalizimin e politikës në vend dhe reforma mjaft e rëndësishme për sistemin e drejtësisë.
Reforma në drejtësi është një hap mjaft i rëndësishëm i konsideruar si i tillë nga ju dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtarë në Shqipëri. Duket se jemi në momentin final, ndërkohë që Komisioni i Venecias është përfshirë me asistencë për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces jetik. Megjithatë jemi ende larg konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës. Cili është mesazhi juaj?
Unë mendoj se reforma në drejtësi në Shqipëri është mjaft e rëndësishme dhe kjo për shumë arsye. Pikësëpari për vetë shqiptarët, pasi duke përjashtuar disa njerëz që kanë përfitime të drejtpërdrejta nga një drejtësi e korruptuar në Shqipëri, të gjithë shqiptarët do të ishin të interesuar të kenë një sistem të besueshëm drejtësie. Së dyti, reforma në sistemin e drejtësisë është mjaft e rëndësishme edhe për ambiciet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Në se i referohemi progres-raportit të nëntorit të vitit të shkuar, ai është mjaft i qartë, kushti thelbësor për hapjen e negociatave është pikërisht përmbyllja e reformës në sistemin e drejtësisë. Së treti, kjo reformë është mjaft e rëndësishme për investimet e huaja pasi për angazhimin e këtyre investimeve në Shqipëri, një sistem drejtësie funksional dhe i rregullt, është me rëndësi jetike. Unë besoj se të gjithë ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë kanë bërë një punë mjaft të mirë në realizimin e kësaj pakete reforme gjë që është konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias. Për mua është sigurisht mjaft i qartë fakti që ka çështje që janë mjaft të diskutueshme edhe për faktin se ka mungesë besimi mes palëve pasi mes tyre ka dyshime që secila palë përpiqet të fusë njerëzit e vet në sistem. Me sa duket edhe sepse kështu ka qenë në praktikë në të shkuarën. Mendoj se është një çështje që nuk është aq e thjeshtë dhe e lehtë për t’u zgjidhur. Por secila palë duhet të bëjë kujdes në qëndrime që drejtësia të mos jetë pronësi e askujt. Me aq sa kam studiuar, propozimet e bëra, kam vërejtur që autorët i kanë kushtuar një vëmendje të madhe kësaj çështje, pra shmangies së politizimit të sistemit të drejtësisë. Tani jemi në pritje se çfarë do të thotë Komisioni i Venecias në rekomandimet e veta. Në përgjithësi do t’i jepja këtë këshillë klasës politike, se në vend të mungesës së dakordësisë për çështje të caktuara ato të mund të punojnë për të shkuar drejt konsensusit për një reformë në drejtësi të qenësishme.
Kjo zvarritje e pakuptimtë, si për shumë çështje të tjera, të lë të dyshosh se ka segmente të caktuara në politikën shqiptare që i tremben reformës thelbësore në drejtësi. Sa e vërtetë ju duket kjo hipotezë?
Sigurisht që edhe për mua është i ditur fakti se ka disa njerëz që kanë frikë nga reforma në drejtësi dhe nuk besoj se duhet të kesh një fantazi të zhvilluar për të kuptuar arsyet e kësaj frike. Gjithashtu e kam po kaq të qartë se të gjithë këta persona që kanë frikë nga reforma në sistemin e drejtësisë nuk do ta pohojnë hapur në publik këtë gjë por do të përdorin çdo lloj argumenti të mundshëm për ta penguar këtë reformë. Ne, të gjithë aktorët apo vëzhguesit ndërkombëtarë, jemi duke e ndjekur me mjaft vëmendje faktin në se bëhet fjalë për argumente bindëse apo vetëm për justifikime të paqenësishme që bëhen pengesë për reformën në sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër mund të them se partitë politike kanë tashmë rastin të dëshmojnë se ky hamendësim nuk është i vërtetë dhe kanë të tregojnë se janë të gatshme të realizojnë këtë reformë kaq të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Po kështu ato kanë mundësinë të dëshmojnë se janë të gatshme të ofrojnë kompromiset e nevojshme për këtë reformë me rëndësi jetike për vendin. Gjithashtu në këndvështrimin tim do të ishte një hap i mençur në se partitë do të udhëhiqen nga ato çfarë do të thonë ekspertët dhe kryesisht ata të komisionit të Venecias. Palët në Shqipëri kanë shumë mungesë besimi për të arritur një konsensus për të hartuar një draft të përbashkët. Në vendin tuaj si dhe në vende të tjera demokratike, shpesh bashkëqeverisjet, ndërkohë që reformat e mëdha nënshkruhen nga të gjithë.
A keni ju një sugjerim për politikën shqiptare për rrugën që i çon drejt konsensusit?
Më duhet të them se lidhur me çështje të rëndësishme edhe në Gjermani ka debate dhe përballje mjaft të fuqishme. Por, nga ana tjetër është i vërtetë fakti se për çështje që kanë të bëjë me interesin e përgjithshëm të vendit, të popullit, partitë politike dalin mbi interesat partiake dhe gjejnë gjuhën e bashkëpunimit. Këtu në Shqipëri më duhet të them se është disi ndryshe edhe stili i të bërit politikë. Është i pazakontë dhe të duhet kohë të mësohesh me të, kur përballesh në fillim me këtë mënyrë të bërit politikë. Ky stil i të bërit politikë në Shqipëri është i një agresiviteti verbal që shkon tej të zakonshmes aq sa duket se çdo lloj metode është e lejueshme, mjafton të arrish pushtetin që synon. Shpesh herë kam pyetur veten në se këta persona që ndërmarrin të tilla sulme ndaj kundërshtarit politik, arrijnë të jenë të qartë për efektet që ka në kryeqytetet e vendeve të Bashkimit Evropian kjo prirje e tyre për të shpifur kundër kundërshtarit politik duke përdorur në mënyrë inflacionare të gjithë fjalorin poshtërues ndaj kundërshtarit. Por gjithashtu jam i bindur se ky problem nuk mund të zgjidhet duke përdorur të drejtën penale apo legjislacionin penal në fuqi. Ajo çfarë duhet bërë është ndryshimi i kulturës politike. Cila është këshilla që do të mund të jepja në këtë drejtim? Pikësëpari do të doja të këshilloja shumë që të dëgjohet më tepër personi që është përballë.
Përgjatë vitit që shkoi, largimi i një numri të konsiderueshëm shqiptarësh drejt Gjermanisë, ishte një ndër problemet kryesore. Ka shifra alarmante të azilkërkuesve shqiptarë. Prej shtatorit të vitit që shkoi, ka nisur kthimi i tyre nga Gjermania por nuk duket se ka kthime masive…ka ndryshuar diçka apo do të kthehen të gjithë?
Me këtë pyetje tematizuat një problem mjaft të rëndësishëm që ka përbërë një shqetësim mjaft të madh tonin gjatë vitit të shkuar dhe me të cilin jemi duke u marrë ende. Në vitin 2015 bëhet fjalë për një shifër prej 55 mijë azilkërkuesish shqiptarë në Gjermani, që është një shifër në mënyrë absurdë mjaft e lartë. Është absurde pikërisht sepse dihen kushtet kur në Gjermani mund t`i jepet azili politik një emigranti, ndërkohë nga ana tjetër dihej gjithashtu që të gjithë personat që mbërrinin nga Shqipëria në Gjermani vinin atje për arsye të varfërisë së tyre ekonomike dhe pamundësive të jetesës së tyre. Dëshiroj gjithashtu të shfrytëzoj rastin sikurse kam bërë edhe në një sërë intervistash të miat, që të gjithë ata qytetarë shqiptarë të cilët vazhdojnë ende të planifikojnë të shkojnë në Gjermani me këtë ide të tyre për të kërkuar atje azil, do iu lutesha shumë që të hiqnin dorë sepse nuk do të funksionojë, të gjithë do të duhen të rikthehen në vendin e tyre, me këtë do t’u krijonin vështirësi vetes dhe familjes suaj dhe do të humbin edhe shansin për përfituar një qëndrim të rregullt në Gjermani për arsye punësimi. Pra, mos ndërmerrni iniciativë për të kërkuar azil. /Sot
Komentet