Shqetësues e ka quajtur ambasadori i Britanisë në vendin tonë mbipopullimin e burgjeve me të dënuar për vepra të lehta penale, ndërkohë që sipas tij, duhet të burgosen individë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Deklarata është bërë sot gjatë fjalës së mbajtur në tryezën ku u prezantua dokumenti për uljen e mbipopullimit në burgje.
Ambasadori Cannon vecoi burgosjen për abuzim me energjinë elektrike si fenomen, duke shtuar se burgosja në raste të tilla duhet të përdoret më rrallë.
Deklarata e ambasadorit
Gjykatat shqiptare kanë në dispozicion një larmishmëri dënimesh alternative por ato përdoren shumë rrallë.
Ndërkohë masat e dënimit vijojnë të mbeten ekskluzivisht dënimet me burgim.
Është shqetësues që vepra me rrezkshmëri më të ulët dënohen me burgim. Është me rëndësi sepse sistemi i burgjeve është i mbipopulluar dhe i mbushur me shkelës ligji për vepra më me pak rëndësi në vend të shërbejë për burgosjen e individëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kjo do të thotë që hapësirat bëhen më të pakta dhe pakësohen burimet financiare. Arsyeja e dytë më e rëndësishme është se këto individë që burgosen për vepra me më pak rrezikshmëri mund të shkojnë drejt veprave me të rënda penale.
Ndonjëherë nuk ka tjetër alternativë për shkelësit e ligjit. Mund të jetë rasti kur një person përsërit një vepër penale, edhe pse e një rëndësie dytësore si psh refuzon të paguajë gjobat. Një tjetër shembull është kur shkeljet bëhen mbizotëruese dhe shoqërisë duhet dhënë një mesazh se për këto shkelje do merren masa.
Shembulli më i qartë në Shqipëri është vjedhja e energjisë elektrike. Në të tilla rasti, dënimi me burgim duhet të jetë një sanksion i përdorur më rrallë.
Komentet