Është ky alarmi që përcjell Ambasada Amerikane në Tiranë, pak ditë pas kërkesës së prokurorisë për të dënuar 9 imamët e vetëshpallur me 152 vite burg.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë informon qytetarët e SHBA-ve se Gjykata e Krimeve të Rënda shqiptare, së shpejti do të shpallë vendimin e dënimit për rastin e nëntë imamëve të akuzuar për mbështetje të terrorizmit. Grupet ekstremiste të lidhura me imamët, mund të reagojnë me akte të dhunshme nëse ata shpallen fajtorë, shkruhet në njoftimin e ambasadës.
Më tej, ambasada bën të qartë se nuk është në dijeni, të ndonjë kërcënimi specifik kundër qytetarëve apo interesave të SHBA-së. Megjithatë, qytetarët amerikanë në Tiranë, duhet të jenë vigjilentë, për të shmangur zonën pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në rrugën Jordan Misja në Tiranë, dhe të evitojnë çdo tubim që mund të organozohet, pas marrjes së vendimit, përfundon lajmërimi i Ambasadës USA në Tiranë, në faqen e saj zyrtare, ku i drejtohet me mesazhe qytetarëve amerikanë që jetojnë në Shqipëri.
Seanca e radhës e gjyqit të imamëve do të jetë në 19 Prill dhe pritet që të shoqërohet me masa të larta sigurie. Shqetësimet specifike të sigurisë duhet t’i adresohen autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit, të cilët janë përgjegjës për sigurinë e të gjithë vizitorëve në Shqipëri.

Komentet