Ambasada e Rusisë në Tiranë, ka shpërndarë një postim, ku akuzon Britaninë e Madhe se “preferon gjuhën e ultimatumeve, kërcënimeve dhe akuzave boshe, ndërkohë që ende nuk ka asnjë informacion për hetimin e ngjarjes, as nuk është paraqitur ndonjë provë të implikimit të Rusisë, e cila gjoja ka kryer një atentat me armë kimike kundër shtetasve të vetë:, duke iu referuar helmimit me agjent nervor të ish spiunit rus dhe bijës së tij.
Ndërkohë në deklaratën e gjatë, ngrihen edhe 13 pyetje, ku ndër të tjera thuhet se “duket qartë nga sjellja e Britanisë së Madhe se ajo ka diçka për të fshehur”.
REAGIMI I PLOTË:
“Çështja Skripal” e fabrikuar paturpësisht nga Britania e Madhe mbetet akoma e pazbardhur. Londra zyrtare preferon gjuhën e ultimatumeve, kërcënimeve dhe akuzave boshe, ndërkohë që ende nuk ka asnjë informacion për hetimin e ngjarjes, as nuk është paraqitur ndonjë provë të implikimit të Rusisë, e cila gjoja ka kryer një atentat me armë kimike kundër shtetasve të vetë. Sado e pabesueshme mund të duket kjo për çdo njeri të arsyeshëm, por në mungesë absolute të provave histeria arrogante e Britanisë së Madhe dhe Kryeministres Theresa May është përdorur si justifikim i mjaftueshëm për dëbimin masiv të diplomatëve rusë, përfshirë edhe nga Shqipëria. Pra, bëhet fjalë për një lloj “prezumimi të fajësisë” së Rusisë, ku i vetmi argument i Londrës është se Rusia (“me gjasa të larta”) mban përgjegjësi, pasi “nuk ka asnjë shpjegim të besueshëm alternativ” (!). Në të njëjtën kohë ka qenë vetë Londra që pas incidentit nuk pranoi të vepronte në bazë të Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike, duke injoruar obligimet e saj ndërkombëtare, nisi një fushatë të gjerë propagandistike antiruse, refuzoi t’i jepte palës ruse akses konsullor tek shtetasit rusë të lënduar gjatë atentatit dhe ende nuk ka dhënë ASNJË PROVË të përfshirjes së Rusisë në këtë krim.
Duket qartë nga sjellja e Britanisë së Madhe se ajo ka diçka për të fshehur. Dhe në këtë situatë bindja e palës ruse është se hetimi i incidentit në Salisbury nuk mund të ketë asnjë kuptim derisa të sigurohet transparenca e investigimit, informimi i rregullt i Moskës për ecurinë e tij, si edhe sqarimi i pyetjeve më poshtë, të cilat pala ruse ia ka dërguar këto ditë Britanisë së Madhe, Francës dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.
Pyetjet e palës ruse për Britaninë e Madhe lidhur me “çështjen Skripal” të fabrikuar kundër Rusisë:
1. Pse iu refuzua Rusisë e drejta e aksesit konsullor tek dy shtetasit rusë, të cilët u lënduan në territorin britanik?
2. Çfarë antidotesh konkrete dhe në cilen formë iu injektuan viktimave? Si doli kështu që antidote të tilla u gjetën tek mjekët britanikë në vendin e incidentit?
3. Mbi ç’bazë Franca u përfshi në bashkëpunimin teknik për hetimin e incidentit, në të cilin u lënduan shtetas rusë?
4. A e ka njoftuar Britania e Madhe Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) për përfshijen e Francës në hetim?
5. Çfarë ka të bëjë Franca me incidentin me dy shtetas rusë në territorin e Britanisë së Madhe?
6. Cilat janë normat e legjislacionit procedural të Britanisë së Madhe që lejojnë përfshirjen e një shteti të huaj në një hetim të brendshëm?
7. Çfarë provash iu dorëzuan Francës për ekzaminim dhe për zhvillimin e një hetimi?
8. A ishin të pranishëm specialistët francezë gjatë marrjes së biomaterialit të Sergej dhe Julia Skripalit?
9. A kanë zhvilluar specialistët francezë ndonjë studim të biomaterialeve të Sergej dhe Julia Skripalit, dhe nëse po, në cilët laboratorë konkretisht?
10. A i ka në dispozicion Britania e Madhe materialet e hetimit të zhvilluar nga Franca?
11. A iu dorëzuan materialet e hetimit francez Sekretariatit Teknik të ONAK-ut?
12. Në bazë të cilave shenja u konstatua gjoja “origjina ruse” e substancës së përdorur në Salisbury?
13. A ka Britania e Madhe kampionë standardë të substancës helmuese ushtarake, të cilën përfaqësuesit britanikë e quajnë “Noviçok”?
Pyetjet e palës ruse për Francën lidhur me “çështjen Skripal” të fabrikuar nga Britania e Madhe kundër Rusisë:
1. Mbi ç’bazë Franca u përfshi në bashkëpunimin teknik për hetimin britanik të incidentit në Salisbury?
2. A i ka dërguar Franca një njoftim zyrtar ONAK-ut për përfshijen e saj në hetimin e incidentit në Salisbury?
3. Çfarë provash ia dorëzoi Francës Britania e Madhe në kuadër të dhënies së asistencës teknike?
4. A ishin të pranishëm specialistët francezë gjatë marrjes së biomaterialit të Sergej dhe Julia Skripalit?
5. A kanë zhvilluar specialistët francezë ndonjë studim të biomaterialeve të Sergej dhe Julia Skripalit, dhe nëse po, në cilët laboratorë konkretisht?
6. Në bazë të cilave shenja specialistët francezë dolën në përfundimin që ishte përdorur një substancë helmuese ushtarake “Noviçok” (sipas terminologjisë britanike) apo substanca të ngjashme?
7. Cilat janë njohuritë eksperte në dispozicion të Francës në fushën e studimit të substancave helmuese ushtarake të këtij tipi apo substancave të ngjashme?
8. Në bazë të cilave shenja specialistët francezë konstatuan “karakterin rus” të origjinës së substancës së përdorur në Salisbury?
9. A ka Franca kampionë standardë të substancës helmuese ushtarake “Noviçok” (sipas terminologjisë britanike) apo substanca të ngjashme?
10. A janë zhvilluar në Francë kampionë të një substance helmuese ushtarake të këtij tipi, dhe nëse po, me çfarë qellimi?
Pyetjet e palës ruse për Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike lidhur me “çështjen Skripal” të fabrikuar nga Britania e Madhe kundër Rusisë:
1. Çfarë lloj ndihme i ka kërkuar Londra Sekretariatit Teknik të ONAK-ut?
2. A ka ndërmend Sekretariati Teknik i ONAK-ut të ndajë me Bordin Ekzekutiv, përfshirë këtu patjetër edhe Rusinë, në mënyrë të përcaktuar në ligj informacionin të cilin britanikët po i japin Sekretariatit Teknik në kuadër të ndërveprimit të tyre sipas nenit VIII, pika 38 (e), të Konventës (vlerësimi teknik gjatë zbatimit të dispozitave të Konventës, duke përfshirë vlerësimin e kimikateve të listuara dhe të palistuara).
3. A i ka dërguar pala britanike ndonjë informacion shtesë (operativ, mjekësor, ligjor, etj.) Sekretariatit Teknik lidhur me hetimin që po kryhet prej saj?
4. Çfarë konkretisht britanikët po kërkojnë të konfirmohet nga Sekretariati Teknik i ONAK-ut: thjesht fakti i përdorimit të një substance nervore, apo edhe përkatësia e saj ndaj tipit “Noviçok” sipas klasifikimit perëndimor?
5. Cilat janë të dhënat dhe provat materiale që britanikët ia kanë vënë në dispozicion Sekretariatit Teknik (kampionë të mostrave, rezultatet e analizës së mostrave që ka bërë vetë pala britanike, prova të tjera)?
6. Kush e drejtoi grupin e ekspertëve të ONAK-ut që vizitoi Mbretërinë e Bashkuar? Cilët specialistë hynë në përbërjen e tij? Për sa kohë punuan dhe me kë bashkëpunuan ata?
7. Cila ishte procedura e marrjes së mostrave dhe a u respektua gjatë zhvillimit të hetimeve parimi themelor i Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike (i ashtuquajturi “chain of custody”)?
8. Në cilët laboratorë do të verifikohen mostrat e marra nga Sekretariati Teknik i ONAK-ut gjatë vizitës së ekspertëve të tij në Britaninë e Madhe?
9. Sa kohë do t’i nevojitet Sekretariatit Teknik për të përgatitur një konkluzion përkatës?
10. A e ka lejuar Sekretariati Teknik që Britania e Madhe të ndajë materialet hetimore me vendet e BE-së (sipas informacionit në dispozicion, Franca iu bashkua plotësisht hetimit)?
11. A e ka njoftuar Franca Sekretariatin Teknik të ONUK-ut për përfshirjen e saj në bashkëpunimin teknik?
12. A i ka dorëzuar Franca Sekretariatit Teknik materialet e investigimit të saj (në rast se ka të tilla)?
13. A është e mundur që Sekretariati Teknik t`ia japë Rusisë materialet e investigimit francez për të studiuar rezultatet e tij? Në qoftë se jo, pse?
Komentet