Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se zgjedhjet e së dielës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ishin në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.
Në një komunikatë të lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se “mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullsisë së cilës i shërbejnë. Votimi është një liri thelbësore shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatë.
Në reagim vlerësohen përpjekjet e zyrtarëve të zgjedhjeve “për t’i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke ulur mundësitë e tensioneve”, ndërsa u shprehet mirënjohje Policisë së Kosovës, Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit dhe KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë.
Diplomatët perëndimorë nuk e kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës me gjithë bojkotimin e tyre të paralajmëruar nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik që mbështetet nga Beogradi.
Ata u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që u arrit në Ohër me 18 mars.