(Rama shpalos programin në sferë-bunkeri fantazmagorik)
Me qenë se dita e Diel 30 Marsi nisi me një orë më pak gjumë, thënia e fundit e Ramës se: –” Yjet janë bërë bashkë dhe ose në politikën shqiptare e sjell 11 Majin një orë më pranë. Yjet janë rreshtuar në fatin tonë. Ylli i fatit tonë është rreshtuar me yjet e fatit të Europës, këtë mundësi se kemi pasur kurrë”, nuk na bën të nxituar të shpreheshim se kryeministri nuk e njeh astrologjinë, por ama programi brenda një sfere i sapo shpallur që propaganda ka prodhuar ndër vite, është një nga parashikimet e tmerrshme të ëndrrave që Rama po ushqen. Fatkeqësi në qoftë se qytetarët nuk do të ndërgjegjësohen përpara mashtrimit të madh që po ndodh.
Fillimisht ky shënim i nisur me zhurmën ritmike të tik-tok të një ore të tingujve të dalë në errësirën e mbrëmjes dhe donte të jepte pak satirë nga ndjesia e një gjumi të shqetësuar që kryeministri bën çdo natë pasi gjatë ditës fillon dhe flet për betejat me buf.
Në fakt këtë lloj orësh kanë ekzistuar. Kanë qenë ato orë me buf-made in china që mesa duket Rama i ka në fondin e relikteve të rijetësuara të së shkuarës aq sa mbase e mban diku pranë kokës kur fle… një orë e tmerrshme që zhurmën e akrepave që rrotullohen në fushën me numrat fluoreshentë e sinkronizojnë sytë roje të bufit për të ta bërë të pamundur një gjumë të qetë natën.
Rama dhe Berisha kështu gjatë javës që lamë pas u pozicionuan ndoshta në duelin e fundit me bufë para se ora pranverore të ndryshojë.
Njëri, Rama i cili që prej kohësh po e mban si orendi në zyrë e s’ka ç’bën dhe del herë pas here e rren “Sy m’sy” për t’u bërë tërheqës kërkon ç’ka mundet pa ja përmendur emrin kundërshtarit, pasi që nga etiketimet me nongrata, vula, logo etj. dhe kush dezertoi apo ju ribashkua Partisë Demokratike janë zbehur si thirrje sulmi ndaj kundërshtarit. Ndërsa tjetri Berisha, ndoshta i mbingopur me konsumimin e gjetjes së Ramës, por i ringritur në përballje e befason këtë të fundit me një dhuratë para mbajtjes së një konference për shtyp me disa këshilla dhe kujdesje përsa i përket cilësive natyrore të shpendit të cilat shkojnë deri tek vlerësimet ndjesore, emocionale dhe historike që Bufi* ka. (Rendi Strigiformes).
A ndodhi kjo si për t’i dhënë fund ngacmimit nga largësia meqenëse edhe seancat plenare të kuvendit pushuan dhe për t’ja lënë betejën ballafaqimit me shtetasit brenda dhe jashtë vendit ?
Por po të vazhdosh ta shohësh një kryeministër për ditë të tëra të ngujuar në zyrë që luan në orët e mëngjesit me një buf, kjo është rumpallë kryeministrore (çoroditja-kryeministrore), nuk ka të ndalur. Asaj ju shtua së fundi edhe maja e aspiratave të 2030-ës për shqiptarët brenda në bunkerin fantazmagorik të vetmisë së Ramës i cili në një delir akademik i duket se po paraqet një program kur thotë: –“4 vjet më parë, këtu në këtë sferë, ne shpalosëm piketat kryesore të programit qeverisës të mandatit të tretë. Ishte një kohë tejet e vështirë, pas një tërmeti shkatërrimtar dhe në mesin e një pandemie që kryqëzoi mbarë botën”.
Çfarë është kjo sferë?
Truri,… inteligjenca, mrekullia apo magjia që ende nuk kanë parë shqiptarët pas mashtrimeve (jo premtimeve), dhe përvetësimit të parave nga çdo projekt dhe program ku shpresohej se do të furnizohej me ujë dhe energji Shqipëria, do të arsimoheshin më shumë nxënës dhe studentë në shkolla, do të kujdeseshin më shumë për shëndetin, do të ushqeheshin më mirë dhe do të lëviznin më shpejtë në rrugë të asfaltuara në qytetet e pa ndotura dhe fshatrat ku toka bujqësore nuk prodhon më.
A mos ishte pikërisht kjo sferë ose ky bunker fantazmagorik që u frymëzua nga idetë e mbrapshta progresiste të elitës sundimtare për të nënshtruar me mjete dhe mënyra shtrënguese njerëzit që të dorëzonin gradualisht liritë dhe të drejtat gjatë pandemisë për të mbetur në duart e udhëheqësve të tillë?
Por kjo sferë ku pretendohet se po paraqitet një program politik ka tashmë pjesën më të dallueshme që e tradhton.
Njerëzit.
Përreth Ramës asnjë frymëmor i bazës socialiste.
I rrethuar nga teknologjia në sferë idetë përcillen virtualisht me devotshmërinë e patronazhimit në mediat sociale dhe në të gjitha hapësirat që pushtojnë ekranet.
Por kjo sferë gjithashtu tregon qartë se kjo strategji fshehje është edhe rikthimi i mbrapshtë i gjithë atyre rijetësimeve që Rama ka tek bunkeri i frikës ku me tre mandatet përpiqet të bashkojë fragmente nga imazhet e jetuara dhe imagjinare pasi nuk ka më bashkëpunëtorët e 12 viteve. Shumica e tyre kanë përfunduar në burg, janë në arrati apo janë shtrënguar për t’u tërhequr nga politika.
Realizimet e Ramës jashtë sferës përtej iluzionit janë Shqipëria e pajetueshme, e zhurmuar dhe e ndotur nga turistët dhe veç plakjes veçori mbetet popullsia autoktone e rralluar ose e larguar për kushte jete më të mirë në emigracion.
Në se do të shihnim se sa investohet për një deziluzion mediatik si sfera ku synohet të paraqitet një program politik katër vjeçar, shifrat e shpenzimeve për produksionin janë sa marramendëse aq edhe të fshehta që vështirë se do t’i bëhen transparente publikut si dhe institucioneve që monitorojnë zgjedhjet gjatë ditëve të mbetura deri më 11 Maj, 2025.
Me këtë vetëkënaqje kryeministri jeton ende si para tre muajsh kur hipte dhe zbriste shkallët e institucionit të ekzekutivit për të treguar “arritjet” për ta thënë “urimin” kur viti 2025 hyri.
Por duke kërkuar shpjegimin rreth programit të sferës të paraqitur në rreth dy orë të bëjnë përshtypje dy shprehje që e dallojnë ngritjen e imazhit dhe të propagandës në kulmin e krizës së gjithanshme që po kalon vendi.
I pari është marramendja vetë ku thuhet:-“Nëse s’do ishte e-Albania, 620 milionë euro, do kishin ikur për të marrë këto shërbime. Koha e kursyer, koha që u është kursyer, të gjithë atyre që kanë marrë shërbime nga e-Albania është sa 25 mijë rrotullime rreth tokës…”
Ku janë këto 620milion euro?
E sa për 25 mijë rrotullime rreth tokës që e-Albania i ka kursyer kohën, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit kanë përshkuar aq shumë kilometra çdo ditë për të siguruar jetën e tyre dhe të familjeve në emigracion sa sistemi juaj i regjistrimit të shtetasve i ka harruar se janë shqiptarë. Vetëm 245,975 u vlerësuan nga 1/3 e popullsisë së vendit që ndodhet jashtë shtetit.
Ndërsa kur mendimi i Ramës mbyllet me një tjetër krahasim që të “mahnit” me kujdesin për natyrën dhe kryesisht për pyjet kur thotë:-“…dhe 75.5 milionë fletë letre janë kursyer dhe si rrjedhojë edhe një numër i konsiderueshëm drurësh nuk janë prerë dhe ngrënë nga burokracia”, kjo tregon se gënjeshtra është kthyer në art kur atë e krahasojmë me realitetin shqiptar.
Në qoftë se jemi kaq të entuziazmuar nga programi brenda sferës së Ramës, a ka kush të na thotë se a ka ndonjë fabrikë letre prodhuese e standardit të zyrave në Shqipëri apo të gjitha nevojat përmbushen nga importi.
E sa për burokracinë, kjo nuk do të ndodhë para zgjedhjeve sepse patronazhimi dhe punësimi në administratë janë menduar si vota e garantuar për çdo rradhë zgjedhjesh që zhvillon Shqipëria në këto 12 vitet e fundit.
Pas gjithë këtij skandali mashtrues në programin e sferës, kryeministri Rama ka kapitulluar përballë një ideologjie që është kthyer në propagandë që synon të mbulojë lidhjet me krimin ekonomik dhe me përfitimet që prej vitesh kanë formuar një sistem të sëmurë të kapur fort prej korrupsionit.
Programi i Ramës “Shqipëria 2030” është personalizuar nën emrin e tij për t’u shitur si produkt i besueshëm.
A është Partia Socialiste hartuese e këtij programi apo elita e Rilindjes Socialiste ?
E gjithë periudha para shpalosjes së programit nga Rama dhe e përqendruar në goditje në mediat sociale kishte si qëllim mbajtjen e një strategjie zgjedhore për të ulur pritshmëritë dhe për tërhequr në to kundërshtarët.
Kjo është treguar dhe ka ndodhur thuajse në të gjitha daljet më të fundit të kreut të mazhorancës i cili ka rrëmbyer të gjithë kohën dhe hapësirën mediatike jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe në garën brenda të njëjtës forcë politike. Qartazi fatet e vendit janë marrë peng nga një forcë e vetme politike, elita e Rilindjes Socialiste e cila ka përfunduar në burg ose ndodhet nën akuzë për krime ekonomike dhe përvetësimin e parave të taksapaguesve shqiptarë dhe shtetasve të huaj. Idetë janë shteruar dhe baza socialiste është e zhgënjyer nga korrupsioni dhe nga skema e patronazhimit dhe e lidhjeve që kandidatët e listave të mbyllura së bashku me ata të listave të hapura tregojnë se kanë interesa dhe janë pjesëmarrës në përfitimet qoftë të një vendi pune që ju ofrohet në administratën shtetërore dhe në institucionet e buxhetuara nga shteti dhe qoftë nga pjesëmarrja në projektet e partneritetit publik-privat.
Pra zgjedhësi bombardohet me informacion dhe edukohet qëllimisht me pikat më të ulëta në mënyrë që kur gara t’i afrohet fundit imazhi dhe propaganda shtetërore i rrisin shpenzimet për imazhin aq shumë sa që shqiptarëve do t’u duket se 12 vite keqqeverisje dhe korrupsion ishin hiç gjë në krahasim me ndryshimin rrënjësor që sjell lypja e mandatit të katërt deri në 2030. Përmes formës së sferës-bunkerit fantazmagorik i Ramës nuk është arritja e premtuar në BE, por kufiri kohor i Shqipërisë me një pluralizëm të shkatërruar të cilin shoqëria shqiptare do ta ketë tepër të vështirë për ta ringritur pasi një shtet nepotik, me para dhe me një opozitë të blerë do ta ketë të justifikuar lëmoshën e ndihmave në progresin Evropian, sikurse dhe kërkon të legjitimojë transaksionet e pastrimit të parave në marrëveshjet dhe ndikimin e narkotrafikut.
Edhe njëherë duke e tundur kartën e pasaportës së BE-së dhe kur kërkon votën për vete dhe PS shqiptarëve dhe e kërcënon 11 Majin si shansin e fundit kur thotë: –“Çdo konfuzion e bën afatin e 2027 të digjet.”, ky pohim ka të bëjë së pari me atë që pasaporta e qeverisjes së Ramës ka kohë që i ka kaluar afati dhe fatkeqësisht i është shtyrë.
Në këtë kornizë të ngushtë zgjedhjet e 11 Majit janë më vendimtaret për shqiptarët dhe janë historike për nga rëndësia e mbijetesës së kombit ku pjesëmarrja e shqiptarëve nga diaspora do të fillojë pa ndalur për ta sjellur domosdoshmërisht ndryshimin.
__________
*Bufi- (Rendi Strigiformes). Në mbi 200 llojet e njohura tre janë kategoritë e tyre kryesore që gjuajnë për të jetuar; 1- 69% në errësirë, 22% në muzg dhe agim të ditës dhe 9% të ditës.
Komentet