Një alpiniste iraniane u kthye në një sensacion pas pjesëmarrjes në një garë në Korenë e Jugut pa shami. Elnaz Rekabi u kthye të mërkurën herët në Teheran, ku u prit si heroinë nga mbështetësit që duartrokitën veprimin e saj, ndërsa mediat kishin njoftuar mbi mundësinë e arrestimit të sportistes. Irani është tronditur nga protestat e shkaktuara nga vdekja e 22 vjeçares Mahsa Amini një muaj më parë, gjatë kohës që mbahej në paraburgim, nga e ashtuquajtura polici e moralit, pikërisht për shkak të shamisë.
Nën brohoritjet “Elnaz është një heroinë” dhe “Të lumtë Elnaz!”, dhjetëra mbështetës pritën alpinisten iraniane, Elnaz Rekabi ,në aeroportin e Teheranit, pas pjesëmarrjes në një garë në Korenë e Jugut pa mbulesën e flokëve, e detyrueshme për gratë sipas ligjeve të republikës islamike.
Zonja Rekabi tha se vendimi për të mos mbuluar flokët me shami në garën finale të së dielës ishte i paqëllimshëm.
“Më thirrën papritur dhe u desh të garoja. Isha e zënë duke mbathur këpucët dhe vendosur pajisjet tjera dhe kjo bëri që unë të harroja të vendosja shaminë. Pastaj shkova për të garuar”, tha ajo.
Mediat iraniane njoftuan mbi mundësinë që autoritetet mund ta arrestonin sportisten pasi ajo të kthehej në shtëpi, megjithëse zonja Rekabi u përpoq të përjashtojë mundësinë e një mosmarrëveshjeje me autoritetet pas mbërritjes së saj.
“Fatmirësisht u ktheva në Iran me qetësi, edhe pse kisha shumë tension dhe stres. Deri tani, falë Zotit, asgjë nuk ka ndodhur”, tha zonja Rekabi.
E pyetur nga gazetarët rreth pretendimeve se ashkush nuk dinte asgjë për vendndodhjen e sportistes për 24 ose 48 orë, alpinistja që zuri vendin e katërt në finalen e garave në Korenë e Jugut tha se nuk kishte në plan të largohej nga ekipi kombëtar.
“Jo nuk është e vërtetë. U kthyem në Iran siç ishte planifikuar. Deri tani gjithçka ka shkuar sipas planit”, tha alpinistja.
Debati mbi shfaqjen pa shami të zonjës Rekabi, vjen ndërsa protestat e shkaktuara pas vdekjes më 16 shtator të një gruaje 22 vjeçare hynë në javën e pestë.
Mahsa Amini ishte ndaluar nga e ashtuquajtura ‘policia iraniane e moralit’ për veshje të papërshtatshme. Të indinjuara nga vdekja e zonjës Amini, gra në mbarë vendin vendosën të heqin mbulesën e flokëve, e njohur si hixhab.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se të paktën 240 protestues janë vrarë në demonstratat në mbarë vendin, mes të cilëve edhe të mitur. Sipas agjencisë iraniane të lajmeve HRANA, më shumë se 8 mijë persona janë arrestuar në mbi 100 qytete, për shkak të pjesëmarrjes në protesta.
Komentet