“Na ishte njëherë e një kohë, një brez i bukur këngëtarësh, të cilët banorët mikpritës e zemërhapur të këtij vendi i adhuronin dhe i bënin pjesë të pandashme të përditshmërisë së tyre të vështirë e të ashpër. Pra, për shumë – shumë vite shtëpitë modeste dhe të ngrohta të shqiptarëve u vërshuan me melodi që shkruan një histori të madhe, me emra që për fat të keq harresa e kohës i la në arkivat e pluhurosura të historisë pa u dhënë atë që meritonin realisht. (Dhe jo, kësaj here nuk flas me trishtim as me ankesat që zakonusht bëj, pasi mendimet time i kam thënë e stërthënë me dhjetëra herë).
Kështu mund të fillonte një “përrallë”, duke iu referuar muzikës së lehtë të Shqipërisë që përbëhej kryesisht nga tre shtylla historike, festivali i këngës së lehtë të radios dhe televizionit, koncertet e majit dhe anketat muzikore të Radio Tiranës. Një “përrallë” që që nga viti 1962 deri në fillim të viteve 90, Shqipëria bëri të pamundurën për të pritur mysafirët e saj nga bota vëndase muzikore në çdo aspekt, një përrallë që sytë e gjithë vendit muzikdashës i kthevi tek skenat muzikore të këtij vendi dhe të nesërmen teksti këndohej nga njëri skaj në tjetrin.
Me kalimin e viteve, tradita muzikore u zbeh, ndryshoi, diku humbi destinacionin e saj, herë-herë u ndryshua, por nuk pushoi kurrë së kërkuari rrugën drejt vendit natyror. Megjithatë, vitet e fundit, përpjekja e Gjergj Kostandin Leka New me “Festën e Këngës Shqiptare” përpiqet të ripërcaktojë vendin që duhet të ketë kënga autentike shqiptare në përditshmërinë tonë, duke inkuadruar tre breza të tërë në një skenë muzikore.
Pikërisht, dje ndoqëm natën e tretë dhe të fundit të festivalit në kanalin televiziv “News 24”, ku ndër të tjera pamë këngë të reja nga yjet “viteve dikur” të skenës muzikore shqiptare (emrat e të cilëve i kam përmendur në një artikull të mëhershëm).
U deshën plot 48 vite që legjendarja Alida Fiqirete Hisku , e cila spikati me dinamizmin dhe prezencën e saj skenike që në moshën 13-vjeçare në festivalet e këngës por dhe në të gjitha ngjarjet muzikore të asaj kohe, të ngrinte sërish trofeun e çmimit të parë.
Personalisht këngën e saj – një zhanër krejt tjetër këtë herë – me një aromë melankolie vjeshte e dallova që në momentin e parë dhe më la një shije të gjysëm të hidhur dhe gjysëm të ëmbël së bashku me lot në sy, fiks si ato përrallat e gjysheve shqiptare. Kënga quhej “Valsi i fundit” me tekst nga Iris Sojli dhe muzikë nga Leonard Sojli (që jeton në Francë) duke nxjerrë në pah se si duhet të bëhet “martesa profesionale” e së djeshmes me të sotmen, dhe e elementit të huaj me atë të brendshmen. Një recetë speciale që të nderon. Një këngë që fundja kënaqesh të dëgjosh dhe kur bën kafen e mëngjësit dhe kur je në makinë në mes të trafikut.
Vlen të theksohet se ajo vetë, dukshëm e prekur ka deklaruar se: “ky është një çmim për brezin tim”. E çfarë tjetër mund ti shtosh kësaj deklarate? Përkufizimi i madhështisë së shpirtit artistik. Prandaj nga zemra dua të përgëzoj publikisht edhe një herë Gjergj Lekën dhe regjisoren Erisela Marko për iniciativën e mrekullueshme dhe emocionet që na dhanë, të gjithë artistët që morën pjesë në festival, jurinë për shijen e saj (dhe më besoni që e kishte një detyrë shumë të vështirë) dhe sigurisht Alidën e mrekullueshme që përtej zërit të saj na dha edhe disa lot emocioni.